Ish-ministri britanik për Evropën, Denis Macshane, ka deklaruar se deri më tani nuk është paraqitur asnjë dëshmi bindëse që do të mund të çonte në dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor që po zhvillohet në gjykatës speciale në Hagë. Macshane, i cili ka shërbyer në qeverinë e ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe njihet si gazetar e autor i disa librave, i bëri këto komente gjatë konferencës “Urat e Kujtimit”, të organizuar javën e kaluar nga organizatat “Liria ka Emër” dhe KIPRED. Duke folur për rolin e Thaçit gjatë luftës në Kosovë, ai e cilësoi atë si “një nga arkitektët më të suksesshëm të komunikimit politik të kohës së luftës”, duke theksuar se kishte arritur të bindte median ndërkombëtare dhe madje edhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që të refuzonin propagandën e regjimit serb. Sipas Macshane, pavarësisht këtij roli historik, Thaçi vendosi vullnetarisht të paraqitej para gjykatës speciale në nëntor të vitit 2020, ku vazhdon të mbahet në paraburgim. “Shpresa naive e disa qarqeve perëndimore se udhëheqësit kosovarë mund të viheshin në të njëjtin plan moral e juridik me skuadrat vdekjeprurëse të regjimit të Millosheviqit ka rezultuar një rrugë pa dalje”, ka deklaruar ai. “Saqë askush nuk duket i gatshëm të pranojë një të vërtetë të pakëndshme: Kosova rrezikon të mbetet një shtet i cunguar, për aq kohë sa Bashkimi Evropian vazhdon të tolerojë fiksionin se njohja e saj e plotë si shtet nuk është e domosdoshme”, ka përfunduar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
