Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se prezantimi i raportit të fundit britanik në Hagë ka tërhequr një interesim të madh nga përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë, duke e cilësuar këtë si një tregues të rëndësisë së çështjeve të trajtuara në raport. Qelaj tha se vetë prezantimi i raportit, pjesëmarrja e autorëve të tij, si dhe fjalimet e mbajtura nga ai dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, zgjuan vëmendje të veçantë te audienca e pranishme. “Mendoj se vetë prezantimi i raportit dhe prezenca e autorëve aty, por edhe fjalimet nga unë si Avokat i Popullit dhe ambasadori i Republikës së Kosovës, zgjoi një interesim shumë të madh tek audienca. E kam pritur një interesim të tillë, por jo në përmasat që ishin. Një numër shumë i madh i shteteve ishin prezent përmes agjencive diplomatike të tyre të akredituara në Hagë”, është shprehur Qelaj. Sipas tij, raporti paraqet një analizë të rrallë dhe të rëndësishme për çështjet që lidhen me funksionimin e drejtësisë dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. “Kemi kërkuar respektim të standardeve për gjykim të drejtë. Kemi kërkuar fuqizim të gjykatës përmes transparencës, llogaridhënies dhe rritjes së besimit në publik. Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar që gjykata të mbyllet”, deklaroi Qelaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
