NGA PËRRALLAT E KAZAKISTANIT

DJALOSHI I MENÇUR DHE KADIU

Një djalosh u tregoi fqinjëve :

– Erdhi në shtëpinë time kadiu tok me gomarin dhe, pa u ulur mirë, kërkoi t’i shtroja menjëherë sofrën për të ngrënë dhe t’i ushqeja edhe gomarin.

Por, unë i thashë kadiut se kisha në shtëpi vetëm mish, bar të thatë dhe asgjësend tjetër.

Ai tundi kokën dhe vari buzët. Ia hipi gomarit dhe u largua për më tutje.

Fqinjët në një zë thirrën:

– Po si është e mundur! Ç’ donte më tepër kadiu nga ti!?

– Epo, unë i tregova kadiut barin e thatë, kurse gomarit – mishin! – tha

djaloshi qetë – qetë.

PËRRALLËTARI DHE KADIU

Jetonte në fshat një përrallëtar i njohur. Ai më shumë rrëfente përralla me kadiun e fshatrave rrotull. I shkoi njëherë në shtëpi kadiu dhe i tha:

– Mos të të dëgjoj më të rrëfesh përralla kundër meje!

– Mirë! – ia ktheu përrallëtari. – Do të rrëfej ndodhi të vërteta.

– Jo! Ato do të jenë edhe më për dreq! – turfulloi kadiu i zemëruar…

SI IA HODHI DJALOSHI KADIUT

Djaloshit nuk i mbeti asnjë nga kuajt. Disa iu sëmurën papritur dhe ngordhën. Të tjerët ia rrëmbyen ujqit dhe njerëzit. Një ditë ai mendoi të blinte një kalë, të paktën një, por duhej të punonte shumë për të mbledhur paratë që duheshin. U mendua dhe vajti te një fshatar. I kërkoi atij t’i jepte hua njërin prej kuajve që ta përdorte ca kohë për punë. Por fshatari i dha kalin më plak, dhe atë pa shalë e pa fre.

Djaloshi s’bëri zë. E mori dhe e lidhi qerren te bishti i kalit. Pastaj hipi edhe vetë mbi qerre dhe u largua. Në udhën e sheshtë qerrja ecte si s’ka më mirë, por kur filloi e përpjeta, kalit iu këput bishti. I shkoi në vesh kjo gjë fshatarit menjëherë. U nxeh ai dhe e hodhi djaloshin në gjyq. Dhe kur doli atje, i tha gjykatësit:

– Dua që djaloshi të punojë tek unë pa parà, deri sa kalit t’i rritet bishti aq sa të prekë tokën!

Kadiu e dinte se fshatari do ta shpërblente mirë, ndaj vendosi të mbante anën e tij dhe nisi të lexonte vendimin. Por, në atë çast djaloshi i tregoi me sy një thes të mbushur fytas, që kishte pranë këmbëve. Kadiu kujtoi se thesi mbante brenda dhurata me vlerë. U koll dhe sërish nisi leximin e vendimit:

– Deri sa t’i rritet bishti, kali t’i mbetet atij, që e ka vënë në punë! – tha me një zë të rëndë – të rëndë.

Djaloshi doli nga gjyqi shumë i kënaqur. Hipi mbi kalin pa bisht, ia mori një këngeje gazmore dhe kalëroi pa u ngutur për në fshat.

Rrugës e arriti kadiu hipur mbi kalin e tij të mirë dhe i kërkoi peshqeshet.

Djaloshi i shpërtheu një e qeshur e gjatë. Zgjidhi thesin ai dhe derdhi në tokë një dyzinë gurësh.

– Ç’i ke këta! – thirri i habitur kadiu dhe iu sul djaloshit me të shara.

Po pse, o i mallkuar, më gurë më paske gënjyer!?

– Aspak! – ia priti djaloshi. – Unë ty atje ta bëra me sy të shihje thesin! Që të merrje vesh zotrote, se po të mbaje anën e atij tjetrit, do të t’i vërvitja në kokë gurët që kisha në thes!

Kadiu shfryu, ktheu kalin dhe ia mbathi drejt shtëpisë së vet.

Përktheu,  Agim Xh. Dëshnica

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nëpër shekuj kënga e popullit: Shaqir Cërvadiku, këngëtar i lindur në akordin e çiftelisë

Këngëtari, Shaqir Cërvadiku, ka kënduar e këndon  me tërë qenien, këndon me shpirt e zemër, …