Siri

Njerëzimi të distancohet nga nocioni, se vetëm myslimanët duhet të fajësohen për problemet që ka bota

Udhëheqësit botërorë të Xhematit Mysliman Ahmedia, kanë mbajtur një Simpozium në Londër në prani të ministrave, deputetëve, udhëheqësve dhe intelektualëve të ndryshëm.

Disa nga pikat kryesore të fjalimit të Hazret Mirza Masrur Ahmedit (Mirza Masroor Ahmad), Udhëheqës botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, gjatë Simpoziumit të 15-të të Paqes, janë:

 Pabarazia, varfëria e skajshme, tregtia ndërkombëtare e armëve dhe politikat e jashtme të padrejta shtyjnë njerëzit në radikalizëm.

Rritja e ekstremit të djathtë “ngjall kujtimet e ditëve të errëta të së kaluarës”.

Shenjtëria e tij provoi se Islami hedh poshtë të gjitha format e ekstremizmit dhe se konfliktet e sotme janë “gjeo-politike” dhe nuk kanë lidhje me fenë.

 Ai tha se fuqitë botërore janë verbuar nga shkurtpamësia dhe vizioni brendapërbrenda tunelit.

 Është koha që njerëzimi të distancohet nga nocioni, se vetëm muslimanët duhet të fajësohen për problemet që ka bota.

 

Më 19 mars 2018, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Kalifi i Pestë, Hazret Mirza Masrur Ahmed, mbajti fjalimin kryesor në Simpoziumin e 15-të Kombëtar të Paqes, të organizuar nga Xhemati Musliman Ahmedia i Mbretërisë së Bashkuar.

Veprimtaria u organizua në xhaminë Bejtul Futuh të Londrës me një audiencë prej më shumë se 900 miq, nga 31 shtete, ndër të cilët 570 mysafirë ishin joahmedianë, të përbërë nga ministra, ambasadorë shtetesh, deputetë dhe personalitete të tjera.

Gjatë kësaj ngjarjeje, Shenjtëria e tij dekoroi Dr. Leonid Roshal, një pediatër i shquar në Moskë, njëherësh, Kryetar i Fondit Ndërkombëtar të Bamirësisë për të ndihmuar fëmijët në fatkeqësi dhe luftëra, me Çmimin Musliman Ahmedia për Avancimin e Paqes në njohje të shërbimeve të tij të jashtëzakonshme mjekësore dhe humanitare. Çmimin e mori përfaqësuesja e tij Znj. Angelina Alekseeva.

Gjatë fjalimit të tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha se Xhemati Musliman Ahmedia nuk do të ndalë kurrë përpjekjet e tij për të përhapur paqen në botë. Ai u bëri thirrje udhëheqësve dhe qeverive botërore të

“ndryshojnë prioritetet e tyre”

dhe të ndihmojnë në lehtësimin e vuajtjeve të  njerëzve në vendet në zhvillim.

Shenjtëria e tij dënoi fuqimisht tregtinë ndërkombëtare të armëve dhe tha se ato vende që prodhojnë armë që përdoren në vendet e shkatërruara nga lufta kanë “gjak në duart e tyre”. Ai gjithashtu tha se fëmijët e lindur në varfëri të skajshme ose në zonat e konflikteve, kanë qenë objektiva të lehta dhe të cenueshme për rekrutuesit terroristë. Shenjtëria e tij foli për rreziqet e ekstremizmit midis muslimanëve dhe për kërcënimin në rritje të nacionalistëve ekstremistë të djathtë. Shenjtëria e tij kundërshtoi pretendimet se mësimet Islame promovuan ndonjë formë të terrorizmit apo të ekstremizmit.

Duke folur për përpjekjet e vazhdueshme të  Xhematit Musliman Ahmedia për të përhapur paqen dhe për të promovuar respekt dhe tolerancë reciproke, Hazret Mirza Masrur Ahmed u shpreh:

“Besimi ynë na kërkon që ne të përpiqemi dhe të nxisim njerëzit drejt paqes dhe drejtësisë në të gjitha pjesët e botës, qofshin të pasur apo të varfër, qofshin të fuqishëm apo të shtypur, qofshin fetarë apo jofetarë”.

Duke folur për prioritetet globale, ai tha:

“Në kohët e fundit, një nga çështjet që shumë politikanë dhe intelektualë kanë debatuar dhe kanë bërë fushatë, është ndryshimi i klimës dhe veçanërisht reduktimi në emetimet e karbonit. Sigurisht, përpjekja për të mbrojtur mjedisin dhe për t’u kujdesur për planetin tonë është një kauzë jashtëzakonisht e çmuar dhe fisnike. Megjithatë, në të njëjtën kohë, bota e zhvilluar, dhe sidomos udhëheqësit e botës, duhet të kuptojnë se ka edhe çështje të tjera që duhet të trajtohen me të njëjtën urgjencë”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Njerëzit që jetojnë në vendet më të varfra të botës nuk kanë interes për mjedisin apo për shifrat e fundit mbi emetimet e karbonit, përkundrazi, ata zgjohen çdo ditë duke pyetur veten nëse do të jenë në gjendje të ushqejnë fëmijët e tyre”.

Duke theksuar pasojat afatgjata të varfërisë, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Vështirësi të tilla, nuk duhet t’i konsiderojmë si problemet e njerëzve të tjerë. Madje, ne duhet të kuptojmë se rezultati i një varfërie të tillë ka implikime të rënda për botën më të gjerë dhe ndikon drejtpërsëdrejti në paqen dhe sigurinë globale. Fakti që fëmijët nuk kanë mundësi tjetër, përveçse të kalojnë ditët e tyre duke mbartur ujë për familjet e tyre, do të thotë se ata nuk janë në gjendje të shkojnë në shkollë ose të arrijnë ndonjë formë edukimi. Ata janë të mbërthyer në një cikël të mbrapshtë të analfabetizmit dhe të varfërisë që duket e pafundme dhe jashtëzakonisht e dëmshme për shoqërinë”.

 “… Zhgënjimet e tyre janë duke u përdorur si gjah nga ekstremistët, të cilët tërheqin të varfrin me shpërblime financiare dhe me premtime të një jete më të mirë për familjet e tyre. Në të njëjtën mënyrë, targetimi i të rinjve analfabetë do të thotë se ekstremistët kanë mundësi të lirë për t’i rekrutuar dhe për t’i radikalizuar ata”.

“… Kombet e varfra nuk duhet të nënvlerësohen, por ato duhet t’i konsiderojmë si pjesë të familjes sonë, vëllezërit dhe motrat tona. Duke i ndihmuar vendet në zhvillim që ato të qëndrojnë në këmbët e tyre dhe duke u dhënë njerëzve të tyre mundësitë dhe shpresën, ne do të ndihmojmë veten tonë dhe do ta mbrojmë të ardhmen e botës”.

Duke iu referuar rritjes së nacionalizmit dhe kërcënimit të së djathtës ekstreme në botën perëndimore, Hazret Mirza Masrur Ahmed theksoi:

“Si rezultat i sulmeve të fundit terroriste dhe emigracionit të përhapur në Perëndim, ka pasur një rritje të rrezikshme në nacionalizëm në shumë vende perëndimore, duke shkaktuar frikën e ditëve të errëta të së kaluarës. Është mjaft shqetësues fakti që grupet e ekstremit të djathtë janë bërë gjithnjë e më të zëshme, duke rritur anëtarësimin e tyre dhe duke bërë edhe fitime politike. Edhe ata janë ekstremistë, që kërkojnë të helmojnë shoqërinë perëndimore, duke nxitur masën kundër atyre që kanë një ngjyrë tjetër të lëkurës ose që kanë besime të tjera”.

“… Përveç kësaj, retorika e disa liderëve të fuqishëm botërorë është bërë gjithnjë e më nacionaliste dhe luftënxitëse, pasi ata kanë premtuar të vënë të drejtat e qytetarëve të tyre mbi të gjithë të tjerët. Unë nuk e kundërshtoj faktin se është përgjegjësi e qeverive dhe udhëheqësve të kujdesen për popullin e tyre dhe të mbrojnë interesat e tyre. Sigurisht, për sa kohë që udhëheqësit veprojnë me drejtësi dhe nuk cenojnë të drejtat e të tjerëve, përpjekjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tyre janë një virtyt i madh. Megjithatë, politikat që kanë në themel egoizmin, lakminë dhe gatishmërinë për të minuar të drejtat e të tjerëve janë të gabuara dhe hedhin farën e mosmarrëveshjeve dhe të ndarjes në botë”.

Shenjtëria e tij foli për hipokrizinë e rrënjosur në tregtinë ndërkombëtare të armëve dhe për rrezikun që ajo i ka shkaktuar botës. Për të rritur ekonomitë e tyre kombëtare, superfuqitë botërore shesin armë çnjerëzore që shkatërrojnë qytete dhe fshatra dhe u plaçkitin të ardhmen padrejtësisht miliona njerëzve në botë.

Ai tha se në vende si Siria, ushtarët e shtetit, rebelët dhe terroristët po luftojnë njëri tjetrin, por përkundër interesave të tyre të kundërta, të gjithë kanë një gjë të përbashkët: shumica dërrmuese e armëve të tyre janë prodhuar jashtë, në botën e zhvilluar.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Në mënyrë të hapur dhe me mburrje, superfuqitë po tregtojnë armët që po përdoren për të vrarë, për të zhdukur dhe për të brutalizuar njerëz të pafajshëm. Për fat të keq, këto vende janë të përqendruara vetëm në përpjekjet për të rritur ekonominë e tyre dhe për të shtuar kapitalin e vendit të tyre, pa u ndalur të mendojnë pak edhe për pasojat. Kërkojnë dëshpërimisht të arrijnë kontrata sa më të mëdha të mundshme për të shitur armë shkatërruese, të cilat, nëse shkrepen qoftë një herë, nuk do të bëjnë dallim mes të pafajshmëve dhe fajtorëve. Shesin krenarisht armët që nuk bëjnë përjashtim as fëmijët, as gratë e as të pafuqishmit. Shesin paturpësisht armët që gllabërojnë dhe shkatërrojnë qytete dhe fshatra pa dallim”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed shtoi:

“Fëmijë të panumërt shohin prindërit e tyre duke u vrarë në mënyrën më çnjerëzore dhe gjithçka që mund të bëjnë ata është vetëm të çuditen se pse prindërit e tyre janë larguar prej tyre. Mijëra gra mbeten të veja, të pashpresa dhe të lënduara. Çfarë dobie mund të vijë nga një shkatërrim i tillë? Gjithçka që shoh është një brez i fëmijëve që shtyhen drejt krahëve të atyre që kërkojnë të shkatërrojnë paqen e botës”.

Shenjtëria e tij tha se shumë fëmijë dhe adoleshentë në vendet me konflikte po mbeten jetimë për shkak të sulmeve ajrore. Të rinj të tillë detyrohen të reagojnë dhe të tërhiqen në ekstremizëm.

“Në vend që të jenë në shkollë, të marrin arsim, në mënyrë që të rriten si qytetarë të denjë që respektojnë ligjin, e gjithë kjo gjenerata po merr një mësim: si të hedhin granata dhe raketa, si të bëjnë sulme vetëvrasëse dhe si për të shkaktojnë kërdi në botë”, tha Shenjtëria e tij.

Dhe shtoi:

“Në fillim, përmenda se një ndër prioritetet e komunitetit ndërkombëtar është ndryshimi i klimës dhe dëshira për të mbajtur të pastër ajrin që marrim. A ka ndonjë që mendon se bombardimet e rënda nuk ndikojnë në atmosferë? Po ashtu, nëse paqja do të mbizotërojë ndonjëherë në vendet e shkatërruara nga lufta, qytetet dhe fshatrat e tyre do të duhet të rindërtohen nga e para, dhe kjo në vetvete do të kërkojë një industri të madhe që do të rrisë emetimet e dëmshme dhe ndotjen. Kështu, nga një dorë, po përpiqemi ta shpëtojmë planetin, por me dorën tjetër, po e shkatërrojmë me pamëshirë. Në dritën e gjithë kësaj, unë besoj fuqimisht se fuqitë botërore janë verbuar nga shkurtpamësia dhe vizioni brendapërbrenda tunelit”.

Shenjtëria e tij foli gjithashtu për gabimet e përsëritura të politikës së jashtme nga disa vende perëndimore. Ai tha se lufta e Irakut shpejt doli sheshit se ishte bazuar në pretendime të rreme, ndërkohë që ndërhyrja në Libi në vitin 2011 gjithashtu u provua të ishte një dështim i plotë dhe që ktheu vendin në “vatër ekstremizmi”.

Ai paralajmëroi për rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Edhe pse kohët e fundit Presidenti i Shteteve të Bashkuara tregoi gatishmëri për të takuar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Shenjtëria e tij paralajmëroi se nuk ka garanci për një marrëveshje, sepse urrejtja është “e ngulitur” në të dy anët. Shenjtëria e tij tha se edhe nëse do të ketë një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, nuk ka garanci se do të mbahet dhe, në këtë kontekst, ai përmendi marrëveshjen bërthamore me Iranin që ishte bërë para pak vitesh por që tani rrezikon në “fije të perit”. Andaj, ai u bëri thirrje udhëheqësve të të gjitha kombeve dhe përfaqësuesve të tyre që të ecin me kujdes, të ndjekin diplomacinë dhe të përpiqen të ulin tensionet.

Duke i kërkuar njerëzimit të ruhet nga materializmi gjithnjë në rritje dhe të promovojë barazinë dhe drejtësinë për të gjithë, Hazret Mirza Masrur Ahmed u shpreh:

“Nëse duam të lëmë pas një trashëgimi të shpresës për fëmijët tanë dhe një botë paqësore për brezat tanë të ardhshëm, ne, pavarësisht nga feja dhe bindjet tona, duhet të ndryshojmë urgjentisht prioritetet tona. Çdo komb, qoftë i pasur apo i varfër, në vend që të konsumohet nga materializmi dhe nga dëshira për pushtet, duhet të ketë prioritet mbi çdo gjë tjetër paqen dhe sigurinë e gjithë botës. Në vend që të hyjmë në një garë armësh, që çon në vdekje dhe shkatërrim, duhet të bashkohemi me garën për të shpëtuar dhe për të mbrojtur njerëzimin”.

“Në vendet që janë në luftë, në vend që të mbyllen kufijtë dhe portet, duke shkaktuar që fëmijët e pafajshëm të mbeten të uritur dhe të sëmurët të privohen nga trajtimi mjekësor, duhet të hapim zemrat tona për njëri-tjetrin, të hedhim poshtë muret që na ndajnë, të ushqejmë të uriturit dhe të ndihmojmë ata që vuajnë”.

Duke dënuar të gjitha format e ekstremizmit të kryera në emër të Islamit, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Edhe pse terroristët, të ashtuquajtur muslimanë, pretendojnë të veprojnë në emër të Islamit, unë nuk besoj se po dëshmojmë një luftë fetare; përkundrazi, luftërat që po luftohen dhe mizoritë që po bëhen, janë vetëm për përfitime gjeopolitike. Terroristët, të ashtuquajtur xhihadistë, dhe klerikët ekstremistë shërbejnë vetëm për të shkatërruar emrin e Islamit dhe për të dëmtuar përpjekjet e shumicës dërrmuese të muslimanëve që janë qytetarë paqësorë dhe që respektojnë ligjin”.

“… Ndërkohë që pranoj se veprat e këqija të disa muslimanëve e kanë dëmtuar rëndë shoqërinë, nuk pranoj që duhet të fajësohen vetëm muslimanët për paqëndrueshmërinë me të cilën po përballet bota sot… Mjafton të them se tani është koha që njerëzimi të distancohet nga nocioni, se vetëm muslimanët duhet të fajësohen për problemet që ka bota”.

Shenjtëria e tij përfundoi duke paraqitur shembullin e Profetit të Islamit, Hazret Muhammed (paqja qoftë mbi të).

Shenjtëria e tij përshkroi persekutimin brutal me të cilin u përballën Profeti i shenjtë (paqja qoftë mbi të) dhe pasuesit e tij në Mekë, gjatë periudhës së parë të Islamit, kur muslimanët u martirizuan, u detyruan të shtriheshin në qymyr djegëse, grave muslimane ua lidhën trupat me devetë, të cilat u lëshuan në drejtime të kundërta, për t’ua shqyer trupat më dysh.

Duke iu referuar shembullit të Profetit të Islamit, pas kthimit të tij ngadhënjimtar në Mekë, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Kur Profeti i shenjtë Muhammed (paqja qoftë mbi të) u kthye me fitore në Mekë, ai nuk derdhi as një pikë të vetme gjak në hakmarrje, përkundrazi, sipas urdhrit të Allahut të Plotfuqishëm, ai shpalli që i ka falur të gjithë torturuesit e tij dhe të gjithë ata që e kishin kundërshtuar dhunshëm Islamin. Profeti (paqja qoftë mbi të) deklaroi se nën sundimin e Islamit, të gjithë njerëzit janë të lirë të praktikojnë fetë dhe besimet e tyre, pa pengesë dhe pa frikë. Kushti i tij i vetëm ishte që çdo anëtar i shoqërisë të mbetet i angazhuar për paqe. Ai udhëzoi që të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh kastën, besimin ose ngjyrën, do të kenë të mbrojtura të drejtat e tyre dhe do të trajtohen me respekt në çdo kohë”.

Hazret Mirza Masrur Ahmed vazhdoi:

“Ky ishte shembulli i përjetshëm dhe madhështor i Profetit të Islamit (paqja qoftë mbi të) dhe është ky shpirt i dhembshurisë, butësisë dhe mëshirës që muslimanët dhe jomuslimanët duhet ta përvetësojnë sot në botë. Është pikërisht kjo frymë e faljes dhe dashamirësisë, që duhet ta zhvillojnë të gjitha kombet, qoftë të mëdha apo të vogla, të pasura apo të varfra. Vetëm atëherë paqja afatgjatë do të jetë e arritshme”.

Para fjalimit kryesor, personalitete të ndryshme folën për rëndësinë e përpjekjes për paqen dhe lirinë fetare në botë.

Refik Hajat (Rafiq Hayat), Presidenti Xhematit Musliman Ahmedia të Mbretërisë së Bashkuar tha:

“Nocioni i “ne versus ata” mbjell farat e ndarjes dhe jo të bashkimit. Mesazhi ynë për të gjithë ata që përhapin urrejtjen është e qartë: ekstremizmi dhe terrorizmi nuk do të kenë sukses dhe se përmes kohezionit dhe unitetit do ta mposhtim atë”.

Dr. Aaron Rhodes, aktivist i njohur i të Drejtave të Njeriut, bashkëthemelues i Projektit për të Drejtat e Lirisë dhe Presidenti i Forumit për Lirinë Fetare në Evropë, foli për persekutimin me të cilin përballet Xhemati Musliman Ahmedia në Pakistan dhe në vende të tjera.

 

 Dr. Aaron Rhodes u shpreh:

“Jam shumë i shqetësuar për gjendjen e muslimanëve ahmedianë në Pakistan dhe në vende të tjera. Ju jeni një komunitet që dënohet për arritjet tuaja morale dhe sociale. Ju këmbëngulni për lirinë politike për të gjithë, por juve ju mohohet e drejta për të votuar dhe ju mohohen të drejta të tjera qytetare, derisa nuk hiqni dorë nga zotimet tuaja të përzemërta dhe të shenjta. Ju ngriheni për sundimin e ligjit, por duroni vrasjen, torturën dhe diskriminimin, pasi që autorët gëzojnë pandëshkueshmëri dhe inkurajohen dhe mbrohen nga vetë autoritetet shtetërore. Ju besoni në lirinë fetare, por ju mohohet e drejta për të deklaruar besimin tuaj dhe rrezikoni persekutimin nëse mbroheni. Ju jeni të kërcënuar, të braktisur dhe të margjinalizuar”.

Dr. Luigi de Salvia, Nënkryetar i Konferencës Botërore të Besimeve në Evropë për Paqe tha:

“Ky simpozium që organizoni çdo vit, që prej 15 vjetësh, është një nga takimet më të rëndësishme në kontinentin tonë. Ai është i përkushtuar për të reflektuar ndaj rreziqeve dhe ndaj angazhimit për të mirën e përbashkët … Unë dua t’u shpreh të gjithë solidaritetin tonë vëllazëror anëtarëve të Xhematit Musliman Ahmedia, viktima të persekutimit të ekstremistëve fetarë. Ne do të jemi gjithmonë në anën tuaj në mbrojtjen e lirisë së shprehjes fetare”.

Znj. Angelina Alekseeva, përfaqësuese e Dr. Leonid Roshal, marrës i Çmimit Musliman Ahmedia për Avancimin e Paqes, u shpreh:

 “Është shumë e rëndësishme për të gjithë që të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të forcuar paqen në mbarë botën në mënyrën e vet … Dr. Roshal ka marrë vendimin që t’ia dorëzojë këtë çmim një fondi bamirësie që ndihmon fëmijët me pasoja të rënda të traumave të trurit dhe traumave kurrizore”.

Veprimtaria përfundoi me një lutje të heshtur të udhëhequr nga Shenjtëria e tij. Para dhe pas programit zyrtar, Shenjtëria e tij u takua personalisht me personalitete dhe mysafirë të ndryshëm dhe mbajti një konferencë shtypi me anëtarët e medies.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kultura e tolerancës fetare të shqiptarëve është një fenomen “sui generis” në historinë e qytetërimit

Toleranca dhe kultura fetare shqiptare, nuk kanë  të bëjnë me “harmoninë” mes feve, sepse fetë …