mbpzhr 2018
valamobile
kek baneri
Fillimi / Dëshmorët / Nuhi Ahmet Kelmendi (8.5.1943 – 9.8.1999)
Nuhi Ahmet Kelmendi (8.5.1943 – 9.8.1999)

Nuhi Ahmet Kelmendi (8.5.1943 – 9.8.1999)

Nuhi Kelmendi rrjedh prej një familjeje të njohur të rezistencës kundër prushtuesit serb të Kosovës. Babai i tij Ahmeti, nga Hamidia, edhe pse me profesion ishte hoxhë, kishte marrë pjesë aktive në luftë kundër forcave jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore. Asokohe, vullnetarët shqiptarë, në mesin e tyre edhe Ahmeti, kishin organizuar rezistencë popullore në Merdarë, Sjenicë, në Pazarin e Ri, në Tutin e në vende të tjera, ku çetnikët serbë me uniformë partizane masakronin popullatën e pambrojtur shqiptare e boshnjake. Në kohën e fillimit të rezistencës heroike të Shaban Palluzhës në Drenicë, Ahmet Kelmendi kishte komanduar një formacion luftëtarësh, të cilët u ngritën kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës. Gjatë luftimeve, Ahmeti zihet rob. Mbahet një kohë në burg ku e torturojnë mizorisht dhe më në fund e pushkatojnë pa gjyq. Luftës së UÇK-së kjo familje i ka dhënë shumë luftëtarë të lirisë, kurse altarit të lirisë ia dhuroi dëshmorin, Nuhi Kelmendi.

Nuhiu lindi më 8 maj të vitit 1943, në fshatin Hamidi, të komunës së Kastriotit (ish-Obiliq). Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Kastriot. Një kohë të gjatë ka punuar në Termocentralin “Kosova A”, si ngasës i makinave të rënda, deri në vitin 1998.
Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nuhi Kelmendi, së bashku me djalin e vëllait, Ibrahimin dhe djalin e xhaxhait, Nusretin e më vonë edhe me bijtë e kushërinjtë e tjerë u bë mbështetje e UÇK-së për organizimin e njësiteve ushtarake në trevën e komunës së Kastriotit. Më 20 mars të vitit 1998, Nuhiu me të bijtë Tahirin, i cili erdhi nga Gjermania për të luftuar në radhët e UÇK-së, Mahirin dhe Ramizin, si dhe me kushërinjtë, formoi pikën ushtarake në Hamidi e cila më vonë me rastin e strukturimit të UÇK-së si Togë komanduese sistemohet në Batalionin e Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës.
Policia serbe ishte në dijeni të organizmit ushtarak në Hamidi, prandaj më 11 qershor të vitit 1998 ndërmerr aksionin me qëllim për ta sulmuar pikën e UÇK-së në Hamidi. Përballë forcave pushtuese rezistuan Nuhiu, djali i tij, Tahiri, pastaj kushërinjtë Bajrami, Shabani dhe Ibrahimi, i cili edhe ishte plagosur gjatë luftimeve.
Më 17 korrik të vitit 1998, derisa forcat policore serbe po bënin përpjekje të hynin në fshatin Plemetin, u kundërsulmuan në befasi nga luftëtarët e Hamidisë, numri i të cilëve tashmë kishte arritur në 15.
Grupi luftarak i Hamidisë në krye me Nuhi Kelmendin mbante kontakte me disa nga komandantët e dalluar të luftës së Drenicës e të Shalës, si Fehmi Lladrovci, Shaban Shala, Sabit Lladrocvi, Aziz Bici, Fatmnir Humolli e të tjerë.
Në ofensivën e përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe e cila filloi më 22 shtator të vitit 1998, grupi luftarak i Hamidisë kishte sulmuar forcat serbe në prapavijë në nënzonën e Qyqavicës, e cila ishte nën përgjegjësinë e Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës.
Kushtet e rënda të jetesës para dhe gjatë luftës çlirimtare ia rrënuan edhe më tej shëndetin Nuhiut. Me gjithë rreziqet e vazhdueshme që e shoqëruan atë gjatë luftës, Nuhiu më në fund arriti ta shohë Kosovën të lirë, kur më 11 qershor të vitit 1999, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës depërtuan në Prishtinën e lirë, kurse forcat kriminale serbe po tërhiqeshin me turp nga Kosova dhe po iknin në Serbi. “Tash edhe nëse vdes, sytë nuk do të më mbesin hapur” – u thoshte Nuhiu bijve dhe bashkëluftëtarëve.
Në gusht të vitit 1999, gjendja shëndetësore iu kishte përkeqësuar. Nuhiun e dërgojnë për shërim në Spitalin e Prishtinës, por nuk kishte shpresë për shpëtim. I vetëdijshëm se po i vinte fundi, ai nuk u dha, meqë kishte realizuar synimin jetësor, amanetin e babait dhe të gjakut të dëshmorëve të lirisë. Më 9 gusht të vitit 1999, Nuhiu thithi për herë të fundit ajrin e Kosovës së lirë, së cilës ia kishte kushtuar tërë jetën. Dëshmori, Nuhi Kelmendi ka lënë bashkëshorten, Lebiben, bijtë Tahirin, Mensurin, Mahirin e Ramizin, si dhe bijat Hajrien, Hamiden dhe Taiben. Familja Kelmendi e fshatit Hamidi ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga komuna e Kastriotit si dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 - 14.12.1998)

Bashkim Azem Krasniqi (25.2.1977 – 14.12.1998)

Bashkimi lindi në fshatin Zllakuqan, në kompleksin pyjor të Blinajës. Ishte i biri i Azemit ...