RTP

Nuk ishte okupuar RTP-ja 32 vjet më parë, por ishte mbyllur nën masa të dhunshme nga vetë pushteti që e kishte themeluar

Titulli i lajmit se 32 vjet më parë ishte  okupuar Radio Televizioni i Prishtinës, është dezinformues ndoshta edhe pa qëllim, por është një lajm që nuk i përballon reslitetit.

 

Nëse pranojmë faktin real, historik, faktik, se Kosova ishte riokupuar nga Jugosllavia në vitin 1945, si ka mundësi që i njëjti shtet e regjim të okupojë institucionet që i kishte themeluar vetë, sikur edhe Radio e Televizioni i Prishtinës.

Apo ndoshta dikush ende mendon se Kosova ishte e lirë deri në instalimin e regjimit të Millosheviqit në vitin 1989. Autonomistët, që e kishin pranuar ish-RSFJ-në, si shtet të tyre të bashkim-vëllazërimit ende mendojnë dhe besojnë se Kosova ka qenë e barabartë nën Jugosllavi, deri në masat e dhunshme  të regjimit të Millosheviqit. Ata logjikojnë se pushtimi i Kosovës u bë në vitin 1989, pasi ende besojnë se deri te regjimi i Milosheviqit kanë pasur liri e barazi.

Nuk mohohen dot disa të drejta madje edhe politike që i kanë gëzuar shqiptarët nën regjimin e Jugosllavisë së Titos, por të thuhet se Kosova u pushtua në vitin 1990, është pretendim antihistorik, i paqëndrueshëm dhe dezinformues. Masat i jashtëzakonshme në Kosovë  për herë të parë janë shpallur në shkurt të vitit 1945, me rastin e kryengritje së Shaban Palluzhës në Drenicë  dhe në  prill të vitit 1981 pas protestave e demonstratave të shqiptarëve liridashës që kërkonin lirinë dhe barazinë e Kosovës, njësoj sikur edhe republikat e tjera të ish RSFJ-së.

Mediet në Kosovë, Rilindja, Radio Prishtina, disa radio të tjera lokale, gazeta e revista të tjera,  Televizioni i Prishtinës kanë qenë nën regjim të censurës partiake të Lidhje së Komunistëve të Jugosllavisë, të themeluara nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës  dhe nuk mund të thuhet se kanë qenë të lira e më pas të okupuara nga regjimi i Millosheviqit.

Madje duhet pasur para sysh faktin se nga vitit në vit, sidomos prej vitit 1981 e deri në vitin 1992, të gjithë kuadrot iu kishin nënshtruar përshtatjes politike, diferencimit, censurës dhe krejt  pak prej tyre kishin mbijetuar deri në fund, pa i ndryshuar bindjet politike dhe pa iu përshtatur regjimeve. Të mos flasim se në çfarë sitash e shoshash kanë kaluar shumë prej tyre deri në vitin 1992.

7 vjet më vonë, më 4 janar të vitit 1999, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin filluar transmetimin,  dy institucionet e para informative të lira, pa asnjë censurë partiake e ideologjike, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress.

Ky fakt dikujt  nuk i bën përshtypje, por është një realitet faktik e historik, që nuk mohohet me gjuhën e fakteve e argumenteve.  (RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Ali Ahmeti në Kërçovë: Fronti na bashkon për fitoren më të madhe në histori

Fronti Europian stacionin e radhës e ka pasur qytetin e Kërçovës, ku para një numri …