OAK kërkon mbështetje për rritjen punësimit të femrave

OAK kërkon mbështetje për rritjen punësimit të femrave

 Shkalla e ulët e punësimit të gjinisë femërore dhe rekomandimet për ndryshimet në ligjin e punës, përkatësisht nenin 49 që rregullon pushimin e lehonisë, ishin temat kryesore që u diskutuan në takimin që kishin përfaqësuesit e OAK-së me Kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Duda Bala. Gjatë këtij takimi Deputetja Bala u njoftua për së afërmi me statistikat shumë shqetësuese të cilat OAK ka siguruar dhe që tregojnë një shkallë shumë të ulët të punësimit të gjinisë femërore, me vetëm 12% në krahasim me 48% të meshkujve. Kjo shkallë e ulët e papunësisë vjen si pasojë e ligjeve të papërshtatshme u tha ndër të tjera në këtë takim.

OAK i prezantoi Deputetes analizën e bërë sa i përket çështjes së pushimit të lehonisë, dhe krahasimin me vendet e rajonit se si është e rregulluar kjo çështje, duke paraqitur edhe rekomandimet përkatëse për Qeverinë.

OAK kërkon që pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti, ashtu siq kanë bërë shumë vende të rajonit dhe Evropës dhe që ka ndikuar në rritjen e punësimit të femrave.

Kosova ka punësimin më të vogël të femrave në rajon dhe Evropë. Nga rreth 600.000 femra të afta për punë në Kosovë, vetëm 69000 janë të punësuara.

Deputetja u shpreh se si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore do të përkrahë çdo iniciativë e cila kontribuon në përmirësimin e gjendjes aktuale dhe ka të bëjë me kompentecat e komisionit që ajo përfaqëson. Ajo falënderoi OAK-në për takimin dhe iniciativën, duke theksuar se sa i përket çështjes së pushimit të lehonisë, komisioni do të ftojë edhe Ministrin e Punës për diskutim dhe me këtë rast të ftuar do të jenë edhe përfaqësuesit e OAK-së për të paraqitur rekomandimet e tyre.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: anëtari i bordit Hysni Zogaj, zyrtarja Qendresa Ibrahimi dhe pronari i biznesit anëtar MEKA,  Burim Piraj.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …