Osman Osmani: Jo iniciativës së “zbatimit për dëbim” nga Zvicra

Ditën e shtunë, më 12 dhjetor 2015, në Bernë të Zvicrës u krijua Komiteti mbipartiak i veprimtarëve politikë e sindikalistë me prejardhje shqiptare kundër Iniciativës ksenofobe të “zbatimit për dëbim” nga Zvicra. Një iniciativë e tillë dëmton rëndë të drejtat e qytetarëve të huaj në Zvicër, sidomos të atyre me prejardhje nga shtetet e treta, për të cilët pranimi i saj mund të shkaktojë tragjedi të shumta personale dhe familjare. Nga ana tjetër, kjo iniciativë krijon një kategori të ashpër diskriminimi juridik mes të huajve dhe shtetasve zviceranë, e përafërt me atë të modelit të aparteidit në Afrikën e Jugut.

 

Iniciativa e “zbatimit për dëbim” vjen nga radhët e Partisë Popullore zvicerane me arsyetimin se nuk po zbatohet ende vendimi për dëbimin e të huajve. Emri i saj nënkupton  zbatimin e “vullnetit të popullit” pas pranimit të iniciativës për dëbim. Në fakt, një iniciativë e tillë nuk është gjë tjetër përveçse një përkeqësim radikal i së parës. Ajo prek të gjithë të huajt e më së shumti shqiptarët, mbasi ata i takojnë kategorisë së migrantëve që vijnë nga shtetet e treta në Zvicër e nuk gëzojnë të njëjtat të drejta, ashtu si migrantët e shteteve të Bashkimit Evropian.

 

Për këtë arsye, aktivistët politikë, sindikalistët dhe drejtues shoqatash bashkë me njerëzit e vullnetit të mirë, janë bashkuar për t’u angazhuar kundër kësaj iniciative tejet diskriminuese dhe të rrezikshme, si për të huajt, ashtu edhe për zviceranët, mbasi vë në diskutim kohezionin shoqëror në Zvicër.

 

Ata u pajtuan që bashkërisht të shprehin kundërshtimin e tyre kundër iniciativës së të djathtës konservatore – Partisë Popullore të Zvicrës (SVP/UDC) për zbatimin e dëbimit, e cila godet në mënyrë të veçantë edhe pjesëtarët e komuniteti shqiptar në Zvicër.

 

Komiteti mbipartiak i aktivistëve politikë, shoqërorë e sindikalistë shqiptaro-zviceranë

 

Komiteti fillimisht përbëhet nga personat vijues:

 

Osman Omani (propozuesi), nën/kryetar i Migrantëve në kuadër të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës (SP/PS), sekretar nacional për migracion në sindikatën Unia, parlamentar i Kantonit Schaffhausen;

 

Edlira Dedja, parlamentare e qytetit Neuchatel, pianiste dhe pedagoge e pianos, anëtare e komisionit te natyralizimeve ne Komunën e Neuchatelit;

 

Arbër Bullakaj, nën/kryetar i SP/PS për Kantonin St. Galen dhe këshilltar në qytetin Will/SG; drejtor ndërmarrës nga fusha e informatikës

 

Qendresa Sadriu, këshilltare në parlamentin Glattbrug/ZH nga radhët e SP/PS;

 

Përparim Avdili, anëtar i kryesisë së  Partisë Liberale të Zvicrës (FDP/PLR) për qytetin e Cyrihut, bankier dhe drejtues projektesh e shërbimesh bankare në Bankën UBS të Zvicrës;

 

Lurata Reci; anëtare e kryesisë së Partisë Liberale të Zvcirës (FDP/PLR) për Baar/ZG, anëtare e komisionit për integrim, këshilltare e jashtme për shërbime nga fusha e organizimit;

 

Ali Sylejmani, këshilltar në Parlamentin e qytetit Biel/Bienne, përkthyes dhe ndërmjetësues ndërkulturor;

 

Xhabir Velija, anëtarë i kryesisë së SP/PS në qytetin Biel/Bienne, anëtarë i kryesisë së Migrantëve në kuadër të SP/PS;

 

Mark Baftiaj, koordinator në Parinë Popullore Kristiane (CVP/PDC) për komunitetin shqiptar në CVP/PDC;

 

Lesh Duhanaj, bashkëthemelues dhe kryetar i CDK (Bashkësia e Kosovarëve Demokristianë) në kuadër të CVP/PDC, arsimtar në shkollën sekondare në Volhusen/LU;

 

Hilmi Gashi, aktivisti i komunitetit nga radhët e Partisë së Gjelbër të Zvicrës (Grüne/Les Verts); bahskë-drejtues i sindikatës Unia për regjionin Berner-Oberland, kryetar i komisionit te ekspertëve për integrim në Bernë;

 

Xhafer Sejdiu, kryetar i aktivistëve sindikalistë shqiptarë të regjionit Cyrih-Schaffhausen, anëtasrë i kryesisë në sindikatën Unia për regjionin Cyrih-Shafhausen dhe delegat e bartës i funksioneve tjera sindikaliste;

 

Ekrem Shaqirin, aktivist sindikalist shqiptar në Renens/VD të Zvicrës, anëtarë i Komisionit nacional për migracion të sindikatës Unia.

 

Ky komitet mbetet i hapur edhe për përfaqësues e subjekte tjera ku aderojnë e veprojnë bashkëkombësit tanë. 

 

 

 

Jo aparteidit juridik?!

 

Krahasimi i tekstit fillestar të iniciativës për dëbim qartëson arsyet pse „ekzekutimi“ i saj paraqet përkeqësim radikal. Përveç katalogut fillestar të krimeve që përbëhej nga veprat e rënda penale dhe keqpërdorimi i ndihmës sociale, ky i “ekzekutimit” shton edhe shkaqe krejtësisht të reja në katalog, të cilat përfshijnë shkelje ligjore si kundërvajtja, ngatërresat, prishja e qetësisë shtëpiake si dhe dëmtimet materiale.

 

Pra, nuk është fjala për „zbatim“ të iniciativës së aprovuar, por edhe për një shtrëngim masiv në krahasim me dokumentin origjinal të dëbimit. Për këtë arsye, projektligji i ekzekutimit është term i gabuar.

 

“Nëse aprovohet kjo iniciativë, mund të llogaritet dëbimi i rreth 1500 personave në vit”, shkruan komiteti i iniciativës në fletoren e votimit që prej vitit 2010. Sipas Entit Federal të Statistikave, projektligji i iniciativës në vitin 2014 do të rezultonte me 10’210 dëbime.

 

 

 

Sulm në konventën evropiane për të drejtat e njeriut

 

Nëse kalon kjo iniciative ekzekutuese, për çdo vit do të ketë me dhjetëra e qindra dëbime, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë janë në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut e do të duhen të hidhen poshtë dhe kthehen mbrapsht nga Strasburgu.

 

Me aprovimin e iniciativës ekzekutuese, Zvicra do të shkelë normat elementare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe si rrjedhim do të përjashtohet nga vlerat shoqërore të shteteve juridike evropiane. Anulimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut do të ishte i pashmangshëm. Në vitet që vijnë do të vihen binarët fondamentalë. Me të ashtuquajturën iniciativë ekzekutuese do të duhej të krijoheshin fakte të reja, të cilat neve nuk do të na lejonin zgjidhje tjetër.

 

  

 

Gjysmë shekulli pune të rendë, apo edhe vet lindja e socializimi në Zvicër s’do të mund të mbrojë më askënd

 

Kushdo që brenda 10 viteve do të bënte dy shkelje kundërvajtje, do të dëbohej. „zbatimi i dëbimit“ do të instalonte një praktikë të re ligjore, sipas rregullit – „dy shkelje dhe ju përjashtoheni». Një emigrant i gjeneratës së dytë, i cili mund të pijë tri gota verë në vend të dy që lejohen, nëse kapet duke i ngarë makinës në një vendbanim me shpejtësi prej 60 km në orë në vend të 50 (kundërvajtja e parë ligjore) dhe pas disa vitesh, qoftë edhe nëse përfshihet si jo-pjesëmarrës në një rrahje (kundërvajtja e dytë), do të dëbohet nga Zvicra pa asnjë diskutim. Kjo mund të ndodhe edhe në qoftë se është i ndershëm, i punësuar dhe njeri shumë familjar. Zbatimi i dëbimit mund të ndodhë edhe nëse ai/ajo ka lindur në Zvicër, edhe nëse ai/ajo nuk e flet gjuhën e origjinës, edhe nëse dëbimi rrezikon të shkatërrojë ekzistencën jetësore të tij/saj.

 

Janë qytetarët e Kosovës ata që do të kenë pasoja të shumëfishta

 

Sipas dokumentit të iniciativës së aprovuar për “dëbimin e të huajve kriminelë” dhe tashmë iniciativës për ekzekutimin (e dëbimit të tyre) iniciuar nga SVP/UDC,  mund të rrezikohen edhe punëtorët që për një gjysmë shekulli kanë punuar, duke dhënë gjithçka e duke sakrifikuar edhe shëndetin e tyre për ndërtimin, zhvillimin dhe mirëqenien në Zvicër. Po ashtu, rrezikohen të dëbohen edhe fëmijët e tyre që mund të kenë lindur dhe janë integruar në jetën zvicerane që në moshë fare të vogël, të cilët kërcënohen seriozisht me dëbim në vendin e prejardhjes së prindërve të tyre, duke i mbartur e “deleguar” kështu rastet e mundshme problematike të dhunës në vendin e origjinës së prindërve të tyre. 

 

Që tani ka raste të dëbimit të individëve, të cilët që nga vitet 70-të e deri në moshën e pensionit kanë punuar në Zvicër. Mund të përmëndim rastin e një bashkatdhetari që e ka kaluar moshën 70 vjeçare, i cili duke mos njohur rregullat ose për shkak të neglizhencës së moshës së tij të kaluar, ka qëndruar mbi 6 muaj në vendlindje pa u lajmëruar në organet përkatëse, të cilat mbasi kanë zbuluar parregullsinë, i kanë hequr atij përfundimisht lejen e qëndrimit C, duke e detyruar të kthehet përfundimisht në Kosovë. Pas dëbimit, atij i është ndalur edhe pagesa e pensionit, pasi parakushti për përfitimin e pensionit të invaliditetit apo pensionit të pleqërisë për qytetarët e Kosovës (në mungesë të Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore, nga 1 prilli 2010) është vendbanimi në Zvicër. Kështu, qytetarët e Kosovës, të cilët për çfarëdo shkaku humbin vendbanimin e tyre në Zvicër, si pasojë katastrofale për ta është edhe mos përfitimi nga Sigurimet Shoqërore, pra humbja e pensionit të moshës së pleqërisë dhe atë të invaliditetit, si në rastin e lartpërmendur.

 

Synohet angazhimi gjithëpërfshirës

 

Komiteti mbipartiak mbetet i hapur dhe fton për pjesëmarrje personalitete, grupe, nisma, shoqata, organizatat apo individë shqiptaro-zviceranë  në Zvicër që janë të interesuar për bashkëpunim. Komiteti mbipartiak nuk del ne mbrojtje te atyre qe kryejnë çfarëdo aktesh kriminale dhe distancohet nga çfarëdo vepre të dënueshme me ligjet zvicerane, mirëpo gjithashtu kërkon kategorikisht që vuajtja e dënimeve për akte të tilla të mundshme të ndodh aty ku dhe jane krijuar ato, pra në Zvicër.

 

Është koha për t’u  angazhuar të gjithë bashkërisht për të drejta të barabarta me të gjithë qytetarët e tjerë që jetojnë në Zvicër. Duke u bërë njëzëri me grupet e shumta, shoqatat, organizatat joqeveritare dhe partitë politike ne Zvicër, ne mund t’i thyejmë padrejtësitë dhe ligjet e egra çnjerëzore që i ndajnë njerëzit në kategori  të rendit të parë, të dytë apo të tretë. Le të angazhohemi të gjithë për një shoqëri që respekton të drejtën pa dallim, pa diskriminim dhe për një të ardhme të sigurt edhe për gjeneratat e ardhshme!

 

Osman Osmani, nën-kryetar i migrantëve socialdemokratë të Zvicrës

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …