Komunat shprehen të gatshme dhe kërkojnë që viti i ri shkollor të fillojë më 27 shtator

Papërgjegjësia e Qeverisë dhe e krerëve të sindikatave ka lënë jashtë shkollave mbi 300 mijë nxënës në vendin tonë

Prindërit e nxënësve  në Kosovë, pastaj pedagogët, sociologët, psikologët,  shprehen të shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të nxënësve, të cilët ende nuk e kanë filluar  vitin  e ri shkollor, 2022-2023.  Papërgjegjësia e Qeverisë dhe e krerëve të sindikatave ka lënë  jashtë shkollave mbi 300 mijë nxënës.  Në një shtet normal ligjor, Qeveria e tillë  po të  mos dorëzohej vetë,  ajo do të rrëzohej nga opozita, ndërsa sindikatat do të duhej të shkarkonin udhëheqësit e tyre.

Kokëfortësia e Qeverisë për të mos lëshuar pe po tregohet  fatale për arsimin e gjeneratave, pikërisht në kohën kur dy vjet rresht nxënësit tanë kanë humbur hapin me dijen për shkak të pandemisë, po ashtu edhe jo pak grevave  të ngjashme  në të kaluarën.

Qeveria Kurti po vepron me dorë të fortë, jo  sepse nuk ka mjete financiare, sepse buxheti nuk është  i tij as i Hekuranit,  por me qëllim të treguar se Qeveria  nuk lëshon pe, sikur kanë bërë qeveritë paraprake, të cilat i akuzon për 20 vjet dështim, dhe ky inat morbid, tipik aziat e bizantin,   dënon arsimin e tërë një populli prej afër dy milionë banorë, madje edhe atë të popullatës votuese të Vetëvendosjes, me të cilën krenohet deri në ekzaltim, Albin Kurti. I dënon   madje edhe nxënësit e katër komunave të Kosovës ku, në zgjedhjet e fundit  për pak vota më shumë ka fituar Vetëvendosja, sepse arsimtarët mësimdhënësit, krerët e sindikatave janë shumë më të fortë se Qeveria, sepse është në pyetje përpjekja për ta ruajtur sado pak këtë standard jetësor, kur inflacioni është rritur në mënyrë rapide dhe kur shkalla mes shumë të pasurve dhe shumë të varfërve, por thellohet keq e më keq.

Rritja e çmimeve nuk i godet ata që kanë paga mbi  1. 500 e deri në 5 mijë  euro në muaj, por e godet shtresën e varfër sociale,  e godet në radhë të parë atë, e cila jeton me mesataren mujore 100 deri në dyqind eur0 në muaj dhe pikërisht kjo shtresë  e shoqërisë lind më tepër fëmijë, jep më shumë nxënës për shkolla,  dhe gjithnjë ka qenë dhe po mbetet e varfëruar dhe e rrezikuar, pavarësisht se kush po qeveris.

Qeveria Kurti gjithsesi se duhet të lëshojë pe, duhet të bindet se me kokëfortësi e arrogancë kurrë nuk do të arrijë të realizojë premtimet e kauzës sado  mashtruese të ketë qenë ajo.

Kësaj radhe ajo do të detyrohet të ulët poshtë për të parë se si kanë rrjedhë  gjërat nga keqqeverisja, nga qeverisja me inat e urrejtje, nga qeverisja që çdo humbje e shpallë fitore dhe jeton vetëm me shpresë se ka një opozitë të përçarë, së cilës nuk ia ka frikën se do të rrëzohet nga ajo , por nuk llogaritë se rrëzimi mund të ndodh  fare papritur edhe nga brenda, edhe nga protestat e mundshme qytetare, të cilat tani për tani nuk po duken në horizont.

Krerët e Qeverisë dhe të sindikatave, nuk e kanë vështirë të gjejnë zgjidhje, por të dyja palët janë barrikaduar në bunkerët e tyre. Krerët e sindikatave janë mësuar keq në të kaluarën, pasi  të gjitha qëllimet i kanë arritur falë lëshimit pe të ish qeverive, por tani kanë ndryshuar raportet. Qeveria Kurti, kësaj radhe nuk ka rrugëdalje tjetër, pos të lëshojë pe dhe të bindet se as qeveritë e kaluara, “nga të cilat e ka çliruar Kosovën”, nuk paskan gjetur rrugë tjetër, pos nënshtrimit, dhe nënshtrimi vjen nga keqqeverisja, nga arroganca qeveritare, nga ministra të papërgjegjshëm, që mendojnë se janë më të dijshmit, më trimat, më të shkolluarit, më të mirët dhe në fakt janë disa nga më arrogantët e më të padijshmit,  sepse të gjithë i njohim dhe i kuptojmë sa herë flasin e sa herë shkruajnë.

SBASHK-u, asnjëherë, prej pas luftës e deri tani nuk ka pasur të drejtë të organizojë greva të tilla, që shkojnë në dëm të nxënësve. Është e patolerueshme, për të mos thënë edhe e dënueshme në segmentin kombëtar e profesional të arrihen qëllimet mbi kurriz të nxënësve, mbi kurriz të fëmijëve të tyre, mbi kurriz të tërë një populli, kur ka sa e sa forma të aktiviteteve e protestave për të arritur qëllimet.

Vetëm me një grusht aktivistësh kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj sot përfaqëson të vetmen opozitë lëvizëse, kreative, atakuese  që ka Kosova me tri parti opozitare, të cilat rrinë e bëjnë sehir, mos po bie vetë qeveria Kurti.

Vazhdimi i kësaj agonie do të na kushtojë të gjithëve, andaj nuk duhet të rrimë e të presim se çka do të bëhet me dy ekstreme mujshare, me sindikalistë dhe qeveritarë të papërgjegjshëm.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 9. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …