Janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të hënën të fillojë gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor

Pashk Quni: FILLIMI I VITIT SHKOLLORË NË LIRI

Në mëngjesin e një shtatorit të vitit 1999, e dinim që diku atje larg, shumë larg, nga ku na ndanin kufij dhe ushtri, përtej territ të botës, në dritën e amshuar të lirisë, në Kosovë po fillonte viti i ri shkollor.

Nga zemrat e mallëngjyera i uruam njëri – tjetrit fillimin e vitit të ri shkollor në liri. Prej së largu i puthëm në ballë fatosat dhe yllkat, i uruam edhe shkollarët tjerë, nxënësit dhe studentët për fillimin e rrugës së dritës dhe të jetës, me dëshirë që të jenë brezi i fundit që e fillon shkollimin si gjenerata e parë pas luftës. Urime dhe përgëzime nga larg kishim edhe për kolegët tanë që e patën fatin dhe nderin që ta fillojnë vitin e ri shkollor në liri.

Syhapur e ëndërronim lumturinë e fillimit të vitit ri shkollor në liri. E ëndërronim edhe kënaqësinë që përjetonin kolegët në këtë ditë historike për shkollën tonë.

Edhe pse fizikisht ishim të burgosur, shpirtin e kishim të lirë!

Më parafytyrohej se po e shoh Mirandën, çapkënen time, me çantën e librave në dorë duke hyrë në derën e shkollës, duke e përshëndetur mësuesen dhe duke i dhuruar asaj një tufë lule. Por edhe yllkatndhe fatosat tjerë, tërë shend, të shpërndarë nëpër oborrin e shkollës sikur bletët nëpër lule.

Atë ditë në burgun e Mitrovicës së Sremit kishte gaz dhe lot. Ai gaz e ata lot rridhnin nga ne mësuesit e burgosur. E imagjinonim ditën e parë të mësimit, zilen e parë në liri.

Gazi i gëzimit dhe lotët e mallëngjimit dilnin nga mësuesit: Abdullah Hoxha, Hasan Jashari dhe Shaip Berisha, nga Hajvalia e Prishtinës; Bislim Bajraktari, nga Prishtina; Bislim Bislimaj, nga Drobeshi i Vitisë; Gani Ahmetgjekaj, nga Rudica e Klinës; Gazmend Tahiri, nga Hereqi i Deçanit; Hajriz Murati, nga Shajkoci i Podujevës; Hasan Dalloshi, nga Sopotnica e Kaçanikut; Nezir Shala, nga Vuçaku i Drenasit; Pashk Quni, nga Doblibarja e Gjakovës; Pjetër Buzhala, nga Çabiqi i Klinës; Rasim Selmanaj, nga Gllogjani i Deçanit dhe Skënder Kelmendi, nga Zllopeku i Pejës e të

tjerë, që emrat e tyre nuk m` u kujtuan në këtë moment.

Mësues të burgosur nuk kishte vetëm në burgun e Mitrovicës së Sremit: Mësues të burgosur kishte edhe në burgjet tjera të Serbisë, në Pozharevc, në Zajeçar, në Krushevc, në Beograd në dy burgje: Padinska Skela, dhe në Burgun Qendror, në burgun e Shabacit e në burgun e Nishit. Të burgosur kishte edhe në burgjet tjera nëpër Serbi, të ashtuquajtura burgje qarku. Mësues të burgosur kishte edhe në qytete të  tjera të Serbisë, dhe se edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre.

Gaz për shkak se atë ditë për herë të parë në historinë e Kosovës fillonte viti shkollor pa dhunën e shtetit dhe pushtetit serb ndaj arsimit shqip, ndaj shkollës shqipe, ndaj nxënësve, arsimtarëve dhe popullit shqiptar në tërësi.

Mësuesit lirshëm do t’ua shpjegojnë nxënësve historinë e Skënderbeut, Agronin dhe Teutën. Lirisht do ta këndojnë Himnin e Flamurit. Mund të vishën kuqezi e mund të shkojnë në shkollë dhe të kthehen pa ua pasur frikën çakejve të Millosheviqit.

Kurrë më, askush nuk do t’i rrahë e nuk do t’i torturojë mësuesit para nxënësve e as prindërit para fëmijëve të tyre, por as nxënësit para prindërve dhe para mësuesve. Nuk do të jenë më të përulur, të përbuzur e të poshtëruar! Askush nuk do t’ua grisë më abetaren e as nuk do t’i shajë. Nuk do t’i përzë nga e shkolla. Nuk do të dëgjojnë më një gjuhë që nuk e kuptojnë. Do të jenë krenarë dhe të gëzuar, do të jehojë kënga tyre e gëzimit në kupë të qiellit.

Nuk ka forcë që do t’ua ndalë gëzimin dhe hovin rinor.

Lotët e shprehnin mallëngjimin dhe dhembjen që kishim, nga se nuk ishim me nxënësit e dashur në shkollat tona. Nuk e dëgjonim cingërimën e ziles së parë shkollore në liri. Në shkollë nuk do të jenë as të gjithë nxënësit dhe kolegët tanë ashtu sikurse kanë qenë. Një numër i madh i tyre u vranë e u masakruan, një pjesë u burgosëm, kurse disa të tjerë ende nuk ishin kthyer në atdhe – ishin ende kaçkinë (refugjatë) pa plëng e vatër.

I burgosur ishte edhe Xhevat Behxhet Podvorica nga Dumoshi i Besianës ( Podujevës) i lindur më 12 maj 1983, nxënës i gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ai ishte një lule e rinisë i lindur në muajin e luleve. Kishte sjellje të shkëlqyeshme, gjithherë i dashur dhe i mirë për të gjithë. Edhe pse kishte shtat të njomë (16 vjet), ishte burrëruar para kohe. Burrërisht u bëri ballë të gjitha të këqijave të burgut, si një lis i madh që i bën ballë stuhisë e nuk përkulet. Ishte i pa thyeshëm, njëjtë si profesori i tij i gjuhës shqipe, Abdullah Hoxha. Ishin së bashku në të njëjtën dhomë. Xhevati kishte respekt të pakufishëm për profesorin e tij. Profesori për te ishte prindi, pedagogu dhe atdhetari që ( ishte i burgosur së bashku me vëllezërit Shabanin dhe Tomorin,  i dëshmoi në vepër fjalët e veta të theksuara me qindra herë për dashurin ndaj atdheut dhe popullit.

Gjakonim edhe për shkollat tona të shndërruara në hi e gërmadha. Ishim të vetëdijshëm, por edhe shumë krenarë se me ne apo pa ne, me shkolla apo pa shkolla, do të ketë mësim shqip. Në klasa do të shndërrohen edhe hijet e lisave dhe shkollimi do të vazhdojë.

Nxënësit tanë vetëm do ta ndjejnë mungesën tonë fizike, ndërsa sa i përket punës në klasë, kolegët do të na zëvendësojnë me përkushtim e mall. Ata do t’ua përcjellin nxënësve porosinë tonë sikur t’ua kishim thënë ne, me gojën tonë, edhe pse nuk e kishim atë kënaqësi e mundësi. Porosia jonë ishte: “ mësoni, mësoni dhe vetëm mësoni, sepse dituria është arma më e fuqishme kundër çdo armiku”.

Nga epiqendra i territ të botës, nga largësitë e pa arritshme, përtej grilave, nga zemra i uronim nxënësit dhe shkollat tona të rritën në liri, me dëshirën e vetme ”Rrituni së bashku me Kosovën lirë, o pëllumba të bardhë se edhe ne do të vijmë e do të gëzohemi së bashku në Kosovën tonë të martirizuar ndër shekuj, por tash të lirë deri në amshim”.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …