PDK

PDK: Agresioni rus në Ukrainë rrit tendencat për destabilizim në Kosovë, Qeveria duhet të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi – Ramaj, ka thënë sot në një konferencë për media se Qeveria e Kosovës duhet të ndajë 100 milionë euro për ushtrinë, marrë parasysh gjendjen e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë.

“Ne vlerësojmë se është krejt legjitime dhe e domosdoshme, që në këtë moment kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, Kosova duhet t’i forcojë kapacitetet e veta ushtarake. Për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria, që ta sjellë brenda javëve në vazhdim, në afat sa më të shkurtë por gjithsesi brenda këtij muaji, rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Konkretisht, kërkojmë nga Qeveria që nga shpenzimet kapitale të parapara për këtë vit, të cilat janë përllogaritur në vlerë prej 554 milion eurosh, të merren 100 milion euro dhe të njëjtat të ri destinohen për nevojat e ushtrisë.”, tha ajo.

 Në këto rrethana në të cilat po kalon Ukraina dhe Evropa në përgjithësi, PDK vlerëson se nuk ka prioritet më të madh për Kosovën, sesa forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë, në mënyrë që Ushtria e Kosovës të jetë e gatshme që t’i kontribuojë ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vendin tonë.

“Po ashtu, meqenëse rruga e Kosovës është shumë e qartë dhe aspiratat tona për anëtarësim në NATO kanë edhe implikime buxhetore, kërkojmë që për çdo vit, buxheti i shtetit që ndahet për ushtrinë tonë, të kapë vlerën e minimum 2 për qind të GDP-së së vendit, konform vendimit të ministrave të Mbrojtjes së NATOs që është marrë në qershor të 2006. Besa Kabashi-Ramaj tha se që nga 24 shkurti i këtij viti, dinamika e zhvillimeve politike dhe atyre të sigurisë ka ndryshuar jo vetëm për Ukrainën, por pothuajse për të gjithë Evropën, si dhe ka ndikim direkt në tërë arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare.

 “Kjo krizë që po ndodhë sot në qendër të Evropës, ku agresioni rus ndaj Ukrainës po prodhon dëme të mëdha, si në humbjen e jetës së njerëzve, ashtu edhe në cenimin e parimeve demokratike dhe rendit ndërkombëtar, po prodhon dëme e pasoja direkte, jo vetëm për qytetarët e Ukrainës por njëkohësisht edhe kërcënime shumë serioze, ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë e më gjerë. Fatkeqësisht deri më sot, nuk është parë asnjë përpjekje nga pala e Federatës Ruse që mund të ketë një ndërprerje, përkundrazi, ka deklarata shqetësuese që thellojnë edhe më tej krizën.”, tha ajo. Besa Ramaj theksoi se eskalimi i kësaj situate mund të ndikojë edhe në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajonin tonë, dhe Republika e Kosovës ndonëse e ka konsoliduar shtetësinë dhe sovranitetin e vet, sërish mund të jetë cak i pretendimeve armiqësore.

Kontrolloni gjithashtu

PDK-ja ka dërguar 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese, të miratuara në seancën e Kuvendit, më 5 dhjetor 2024

Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar sot 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese, të miratuara në …