Në ambientet e SHFMU “Ekrem Rexha” në Lubizhdë të Prizrenit në prani të qindra anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kandidatët e PDK-së për deputetë nga Prizreni, janë prezantuar para qytetarëve si dhe kanë shpalosur pjesë të programit zgjedhor të PDK-së. Shaqir Totaj, në cilësinë e kryetarit të degës së PDK-së dhe shefit të Shtabit Zgjedhor e njëherësh edhe si kandidat për deputet në Parlamentin e Kosovës, para anëtarëve dhe simpatizantëve të Lubizhdës së qytetit, ka potencuar se “Kosova është çliruar që në vitin 1999, por u desh që në pushtet të vejn Partia Demokratike e Kosovës, për t’u rregulluar shkollat, për t’u shtruar rrugët e rrugicat, kanalizimet e mbi të gjitha për t’iu rritur rrogat punëtorëve të arsimit dhe shërbyesve civilë. Andaj edhe tash duhet që përsëri të jetë në pushtet PDK-ja që të bëhet realitet fuqizimi i shtetit të Kosovës, të realizohen synimet dhe të bëhet integrimi i Kosovës në Bashkësinë Europiane.” Totaj në mes tjerash ka theksuar edhe faktin se PDK-ja, është e vetmja parti , e cila ka miqësi të përhershme me SHBA-të, ku i kemi të varura edhe shpresat tona.