Brickos

Përkujtim për veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahim Rexhë Berisha

Përkujtim për veteranin e UÇK-së, Brahim Rexhë Berisha

Me datë 23. 2. 2022, bëhen 9 vite që kur u nda nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare dhe veterani i UÇK-së Brahim (Rexhë) Berisha, nga fshati Rosujë.

Brahimi lindi më 8 dhjetor të vitit 1951, në fshatin Janosh, komuna Gjakovë. Për arsye të veprimtarisë patriotike, xhaxhai Fazliu së bashku me grupin e Demë Ali Pozharit, nga sistemi i atëhershëm, dënohet me 8 vite burg, të cilat i vuan në burgun famëkeq të Goliotokut.

Në fillim të viteve të 60-ta, familja Berisha detyrohet të shpërngulet në fshatin Rosujë, komuna e Pejës.

Brahimi, si fëmijë, dhe familja e tij, në fshatin Rosujë të Pejës, i përjetojnë të gjitha persekutimet e sistemit të atëhershëm barbar, persekutimi i kësaj familjeje shkoi deri na atë masë sa edhe u përjashtuan nga e drejta e votës.

Vitet e 90-ta Brahimin e gjejnë si kryefamiljar dhe aktivist të çështjes kombëtare. Së bashku me vëllezërit dhe djemtë u organizuan edhe në rezistencën e armatosur kundër okupatorit serbo-sllav.

Shtëpia e Brahim Berishës, së bashku më tërë familjen e tij, gjatë viteve 1997-1999 u bë çerdhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtëpia e Brahim Berishës ishte urë-lidhëse në mes të Lugut të Baranit, Lugut të Leshanit dhe Lugut të Trestenikut.

Nëpër shtëpinë e tij kaluan pothuajse të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, të cilët udhëtonin për Shqipëri për furnizim me armë, si dhe të gjithë ushtarët e plagosur, për të cilët Brahimi dhe familja e tij u përkujdesen, si për sigurimin e medikamenteve, ashtu edhe për ushqimin e tyre.

Me datë 23. 2.2013, vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu Brahimin në moshën 62 vjeçare, duke na lënë në kujtimet tona një veprimtari patriotike, të cilën do ta kujtojmë përjetë dhe  me shumë krenari.

Kontrolloni gjithashtu

Me 18 prill 2024 përkujtohen Dëshmorët e Komunës së Prishtinës

Tē nderuara familjarē tē dēshmorēve, invalid, veteran tē UÇK-sē, tē nderuar qytetarë. Pēr nder tē …