Përplasje e fortë SHBA–Francë në OKB: Delegacioni amerikan braktis mbledhjen e Këshillit të Sigurimit

Një përplasje e ashpër diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës ka shpërthyer në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pasi delegacioni amerikan braktisi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në shenjë proteste ndaj deklaratave të diplomatëve francezë. Tensionet nisën javën e kaluar, kur SHBA-ja votoi kundër zgjatjes së mandatit të Volker Turk si Komisioner i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, duke u rreshtuar në të njëjtën linjë votimi me Rusinë dhe Korenë e Veriut. Pas votimit, misioni francez në OKB reagoi ashpër në rrjetin social X, duke kritikuar Uashingtonin. “SHBA-të dikur ishin një pishtar i të drejtave të njeriut. Jo më”, thuhej në reagimin e diplomacisë franceze. Ambasadori amerikan Mike Waltz iu kundërpërgjigj Francës, duke akuzuar se ajo mbështeti një zyrtar të OKB-së që, sipas tij, kishte kritikuar vendet demokratike, ndërsa kishte treguar qasje më të butë ndaj regjimeve autoritare. Përplasja u thellua të hënën, kur delegacioni amerikan u largua nga mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit për luftën në Ukrainë, në momentin kur ambasadori francez, Jerome Bonnafont, po mbante fjalën e tij. Ambasadori amerikan Dan Negrea deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë me protesta të ngjashme derisa Franca, sipas tij, të heqë dorë nga “retorika përçmuese dhe mosrespektuese” ndaj Uashingtonit.

Kontrolloni gjithashtu

Alberije Smajl Elezaj” Avniu, vrau kriminelin Shalipuri, por drejtësia nuk e zbuloi kurrë kush e vrau Avniun

Në një intervistë ekskluzive për Radio Kosova e Lirë, motra e heroit Avni Elezaj dhe …