Piraj: Mosmiratimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, dështim i madh i Qeverisë dhe Kuvendit

Pronari i kompanisë vendore “Meka” dhe njohës i çështjeve ekonomike, Burim Piraj, ka thënë se biznesi i tij dhe bizneset në përgjithësi janë duke u ballafaquar me sfida të shumta në këtë kohë pandemie. Piraj në intervistë për Gazetën Scanner, ka thënë se bizneset nuk kanë kapacitete për t’u ballafaquar me situatën në të cilën gjendet vendi. “Sfidat janë të shumta dhe nuk do të duhej që ekonomia kosovare edhe sot e kësaj dite të merrej me lirimin e lëndës së parë nga taksa me mungesën e energjisë elektrike me burokracinë shumë të madhe institucionale etj. Sinqerisht të bërit bizes në Kosovë është mesele”, ka deklaruar Piraj. Për gjendjen në të cilën gjenden bizneset, ai ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për shkak të mosmiratimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, duke kritikuar edhe Kuvendin e Kosovës, përkatësisht deputetët, të cilët, sipas tij, janë duke u sjellë me kapadaillëk në raport me këtë ligj. “Është dështim shumë i madh që nuk bie vetëm mbi supet e qeverisë po edhe të gjithë deputetëve që populli i ka zgjedhur për të punuar në të mirën e vendit e që ata po sillen me shumë kapadaillëk”, është shprehur pronari i Kompanisë “MEKA”, Burim Piraj.

Më tutje, ai ka thënë se shumë shpejt gjendja ekonomike do ta dëmtojë Kosovën më shumë se pandemia Covid-19. Në këtë kontekst, Piraj ka dhënë edhe disa rekomandime se si mund të tejkalohet kjo gjendje. “Institucionet kanë shumë punë për të bërë që nga reforma totale e politikave tatimore, të cilat e kanë ngadalësuar shumë zhvillimin ekonomik të vendit dhe se me të vërtetë nuk e kam unë të qartë si biznesmen si është e mundur që për 20 vite ne mos të kemi njerëz të aftë që i kuptojnë gjërat që pa këto politika zhvillimi ekonomik është vetëm një iluzion dhe asgjë më shumë deri te ofrimi i zyrës së ankesave ndaj çdo burokracie nga kuvendet komunale deri në zyrën e Presidentit”, ka thënë ndër të tjera në intervistën për gazetën Scanner,  Burim Piraj, pronar i Kompanisë, “MEKA”.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Ferizajt apelon qytetarët për respektimin e orarit të përdorimit të insekticideve

Pas vizitës tek bletari që posedon qindra zgjoje bletësh Rrahim Grainca komuna e Ferizajt ka …