Pjesë nga letra e Ukshin Hotit, drejtuar Edi Shukriut dhe një segmenti të inteligjencies së Kosovës VI

Pjesa në vazhdim e letrës së Ukshin Hotit, është tejet domethënëse, ndoshta pjesa më filozofike dhe më e goditur që ka buruar nga  mendja e këtij intelektuali të madh shqiptar. Duke qenë se kishte krijuar një identitet tërësisht origjinal, identitet  të mirëfilltë filozofik, politik dhe shoqëror, ai iu qaset me shumë realizëm problemeve të përgjithshme shoqërore e kombëtare, por edhe problemeve të veta familjare, që determinoheshin nga të parat. Kjo lidhje kauzale  e gjërave,  të dukje të vogla, që ndërlidheshin dhe ndërlidhen  me ato gjërat që i quajmë, apo që na kanë mësuar t’ i trajtojmë, si të mëdha, në rezonin intelektual të Ukshin Hotit shkriheshin në një tërësi, nga e cila ai kishte mësuar shumë, duke krijuar një përvojë personale, të cilën e kishte prezantuar para opinionit, me qëllim të zgjimit dhe kalitjes së brumit të ri intelektual, që kishte marrë përsipër çlirimin pa kusht të Kosovës nga robëria shekullore serbe e sllave.

Me keqardhje duhet ta them se inteligjencia, të cilës Ukshin Hoti ia kishte drejtuar këtë letër, (nuk e përjashtoj as veten, për kohën kur ma ka dërguar për lexim) nuk e kishte kuptuar, ose e kishte kuptuar fare pak katandisjen që i bënte vendit klasa politike pacifiste, e cila për të mos lejuar të humbiste favoret që i kishte pasur, dhe për t’ i mbajtur me çdo kusht frerët e pushtetit nën pushtim, bënte pazare tejet të liga mbi popullin dhe sidomos mbi individin, që e kuptonte hilenë dhe që nuk pajtohej me gjendjen e tillë.

“Njëmendësia e luftës së zhvilluar për t’u ngritur, ose më tepër për të zënë pozita në shoqëri kishte qenë faktori kryesor që e përcaktonte karakterin e tyre. Meqenëse, kjo luftë, gjithnjë e më tepër, bëhej më e vështirë, ishte e pritur që nga ky bazament shoqëror, një kategori e konsiderueshme të mbetej e pa integruar dhe me kohë të rritej numerikisht dhe të forcohej intelektualisht”.

Ky përkufizim filozofik pse jo edhe profetik, në kuptimin biblik të fjalës, ishte esenca dominuese e veprimit  politik të kohës, ana tjetër pacifiste  ishte  dhe po mbetet në një masë edhe stagnuesja kryesore  e proceseve e shoqërisë së Kosovës e më gjerë.

Në vrojtimet e tij filozofike politike, ai bën sintezën e rrjedhave shoqërore, duke parashikuar më së miri se të pa-integruarit, me kohë do të bëhen forcë alternative dhe si rrjedhë e ligjeve të jetës, do të shumoheshin dhe do të forcoheshin.  Ukshin Hoti asokohe kishte sintetizuar porosinë kuptimplote të veprimit, “Bëje ose vdis!” Këtë të vetme alternativë, më së miri e kishte kuptuar Adem Jashari dhe dëshmorët e UÇK-së.

“Për këtë shkak frika nga rreziku për humbjen e favoreve i drejtonte të gjitha veprimet e tjera, si në raport me vetën, ashtu edhe në raport me të tjerët. Andaj është e kuptueshme se ishin tejet të pa ndjeshëm për problemet, që nuk i rrezikonin pozitat e tyre dhe tejet të ndjeshëm për çdo gjë të kundërt. Ky kishte qenë dhe kishte mbetur i vetmi kriter  i sjelljes së tyre gjer me ndryshimin e ambientit politik, i cili akoma nuk kishte përfunduar”. U ndala në këtë konkludim për të ilustruar më së miri edhe gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe përgjithësisht ndër shqiptarë, me kthimin e logjikës së pacifizmit servil për të ruajtur pozitën në stilin, ( daj shto dash) “ jep çka të japësh”.

Në këtë  rast nuk kam si mos ta shtroj një pyetje hipotetike. A thua a e kanë lexuar këtë letër ndonjëherë: Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Sabri Hamiti dhe klasa e neopacifistëve, të cilët në raste të caktuara edhe bëjnë sikur interesohen për të ndriçuar fatin e tij?. Nëse nuk e kanë lexuar, nuk kam çka them. Jam fare i sigurt se këtë letër e ka lexuar, Albin Kurti dhe politikanë e veprimtarë të tjerë të alternativës së Ukshin Hotit, të alternativës që kishte për bazë vetëvendosjen dhe veprimin e domosdoshëm e të paluhatshëm politik, në konkludimin: “Nëse e kemi shpallur Republikën, nëse i besojnë veprimit tonë politik, atëherë duhet ta bëjmë vetë atë, gjithnjë sipas motos, “Bëje ose vdis!”  Sot duhet ta ruajmë vetë, me çdo çmim dhe me çdo kusht. ( A. Q.)

Lojë-lufte e perëndive  me jetën

 

… Në kontekst të këtyre fakteve, për kë, për çfarë ambienti, për çfarë kohe, për cilat arsye dhe me çfarë të drejte e largoni edhe më tutje bijën time nga unë? Në rezonimin tënd dhe të këtij segmenti të Inteligjencies që akoma nuk ka ndryshuar asgjë, ose synohet diçka e tjetër, gjë që, për shkak të konsekuencave, që akoma i mbart, për mua është njësoj.

Ta marrin të dy. E para edhe ashtu shihet vetë. Nuk qenë në pyetje 12 ditë, 12 javë e as 12 muaj,  por 12 vite të plota të lidhura me zhvillimin e situatës së përgjithshme në Kosovë e me gjerë. Gjatë këtyre 12 viteve, më arrestuan shumë herë, më burgosën, më izoluan 7 vite të plota me instrumente të nëntokës politike, që nuk shihen aq lehtë, por vetëm ndjehen konsekuencat që zhvilluan luftë të tmerrshme dhe që më dëmtoi për së tepërmi. Më në fund më lënduan shumë rëndë. E kalove golgotën që e përjetoi një popull i tërë. Së bashku me të, në çdo pikë, i dhashë provimet më të rënda të pjekurisë politike. Mirëpo, gjatë këtyre 12 viteve të kësaj golgote të tmerrshme, nuk dënjove ta lejoje normalizimin e raporteve të mia me bijën tonë, Erletën dhe në këtë të përkrahu segmenti i Inteligjencies, për të cilin është fjala.

Përse?

Të gjitha iniciativat në këtë drejtim i vrisje që në start. Ndaj prindërve të mi pleq, sa herë që deshën ta vizitonin, ta takonin ose ta shihnin mbesën e tyre, u solle në mënyrë arrogante. Herën e fundit që këtë e e bënë, i porosite që të mos mërzisnin edhe më tutje. Plakut që më ndikimin e vetë progresivë e kishte mbartë mbi supe thyerjen e të tërë një epoke të mbërthyer në prangat feudo-klanore të rrethit të vetë, kur i përmalluar, pa dijen dhe pa lejen time, e thirri të mbesën në telefon. Si gjithmonë djalit të tij e babës së saj, ia mbyllët telefonin. Pastaj, arsyetoheshit se ashtu sillej e mbesa dhe jo ti që e edukoje atë. Këtë paturpësi, në vite, e brohoritën edhe disa nga ata që plaku i kishte rritur dhe i kishte shkolluar në luftë të vazhdueshme me prangat e së kaluarës, përderisa, të njëjtën kohë, e siguronin se ishin me të.

Kur të tjerët e shfaqnin mospajtimin e tyre me këtë hipokrizi rrëqethëse, kërkohej mos përzierja në emër të afërsisë së gjakut. Raportet feudo-klanore që në Evropë kishin  vdekur para më se 1000 vitesh në Kosovë e manifestonin të tërë shkëlqimin e vetë të mykur. Sundonin në mënyrë sovrane. E vrisnin çdo talent që në embrion dhe si putana më e poshtër dhe i shërbenin çdo sundimtari që e synonte ngecjen dhe jo avansimin drejtë dinjitetit individual dhe lirive kolektive.

Kjo alfë dhe omegë e çdo dominimi të huajë duhej luftuar, por lufta kundër saj, në Kosovë u tregua si lloji më i vështirë i luftës që mund ta zhvillonin Perënditë dhe jo qeniet e rëndomta njerëzore. Dhe, në shkallën që unë e zhvilloja si njeri i munda Perënditë. Mirëpo, ata nuk të falin, ose këtë e bëjnë shumë rrallë. Më shpesh, hakmerren, duke e vazhduar lojë-luftën morbide të tyre me jetën.

Ka momente të tilla kur vdekja është më e lehtë se sa lojë-lufta morbide në jetën, por vdekja si mundje, jo si humbje.

E provokova tri herë, por nuk më deshi.

Herën e katërt, nuk desha ta provokoja vrasjen, por e dija se mund të vinte dhe isha indiferent ndaj saj. Getoizimi violent i rajoneve të caktuara ishte dukuria më e fëlliqur e këtij shekulli. Kishim mësuar ta urrenim qysh në bankat e shkollës. E provokonte rëndë ndërgjegjen time intelektuale, ndjenjën njerëzore të njeriut. Më lënduan rëndë, por më lanë të gjallë për t’u kthyer i plagosur në rrugën time të moçme të lojës morbide me jetën.

Dhe tani ishin përzier gjërat: Lojë-lufta morbide me vdekjen e Perëndive dhe loja morbide në jetën e njeriut, në mënyrë të pa diktueshme ishin shndërruar në një-që moti nuk dihej se cila do të rëndonte më tepër në çaste të caktuara të kohën.

Këta ishin shumë nga ata që dikur i njihnim së bashku, por që tani të përkrahnin vetëm ty që në të vërtetë, nuk të kishin përkrahur kurrë, për veç në masën që u konvertonte atyre. Këta, qysh atëherë, nuk kishin botëkuptime të drejta mbi raportin familje-shoqëri dhe rrjedhimisht, mbi asgjë. Koha e Luftës dhe ajo e menjëherë pas Luftës u kishte imponuar kriteriume politike mbi jetën private. Ky kishte qenë kompromisi i parë i tyre. Të gjitha kompromiset e tjera të natyrës politike, kishin qenë më të lehta, më të pa rëndësishme, më pak dhe më rrallë shqetësuese. Për këtë shkak nuk mund të pritej nga këta këmbëngulja në mbrojtjen e parimeve dhe shumë rrallë e njihnin funksionin e tyre.

Procesi i racionalizimit në mendjen e tyre nuk i kishte lejuar ta kuptonin të vërtetën: nuk e ndjenin se mendimet i kishin sipërfaqësore, të pa-thelluara dhe as që mund t’i thellonin. Për këtë shkak, ishin të prirur t’i besonin tepër shumë argumentit të autoritetit dhe jo autoritetit të argumentit. Ishin të bindur se duhej ta konsideronin vetin “super-burra” në kuptimin Nitche-an të fjalës, por pa nevojën e përdorimit të kamxhikut, pasi që këtë e zëvendësonin pozitat e larta shoqërore. Në thelb, intelektualisht, të pa kompletuar, vetëm i identifikonin këto pozita. Si rrjedhojë politike e këtij identifikimi, doemos se, paraqitej karrierizmi i tepruar, i cili ndodhej në raport të zhdrejtë në shkallën e kompletësisë intelektuale dhe të identitetit personal.

Për këtë shkak frika nga rreziku për humbjen e tyre i drejtonte të gjitha veprimet e tjera, si në raport me vetën, ashtu edhe në raport me të tjerët. Andaj është e kuptueshme se ishin tejet të pa ndjeshëm për problemet që nuk i rrezikonin pozitat e tyre dhe tejet të ndjeshëm për çdo gjë të kundërt. Ky kishte qenë dhe kishte mbetur i vetmi kriter  i sjelljes së tyre gjer me ndryshimin e ambientit politik, i cili akoma nuk kishte përfunduar.

Pjesa e tjetër që vinte menjëherë pas tyre, u ngrit në sferat më të larta shoqërore, pa ndonjë prapavijë dhe traditë të duhur intelektuale. Raportet familjare të kësaj pjese, po ashtu, i karakterizonte pa barazia, bile edhe më shumë se sa në rastin e parë, sepse të parët qysh herët qenë detyruar t’i përmbahen, orientimit mbi pjesëmarrjen familjarisht në luftë.

Si rrjedhojë, gruas i mbetej të identifikohej, jo me vetën, e as me burrin, por vetëm me pozitën e saj në shoqëri. Ajo, mund të ishte grua e filan doktorit, inxhinierit,profesorit etj. Sikur që në rastin e parë, si motra e saj prezantohej si gra e filan kryetarit, sekretarit,ministrit, etj. Ajo mund të ishte filan fistekja, sepse si të tillë nuk e njihte askush dhe as që vetë ishte e orientuar për të qenë e vetës. Ky orientim i femrës shqiptare, për të mos qenë e vetës, por si fëmijë e vajzë, si e babës në rast të rralla, e filan familjes kolektive, e pastaj si grua e filan burrit, ishte pothuaj tradicional. E mësonin që në fëmijëri të mos ishte e vetës, por vetëm e të tjerëve.

Shoqëria tradicionale shqiptare ishte përfundimisht arkaike. Nga ky arkaizëm, pastaj buronin tragjedi të shpeshta dhe të rënda, ndonëse, kishte lindur si mekanizëm mbrojtës i shoqërisë nga imponimet e jashtme. Puna ishte që ky arkaizëm të kuptohej pa tjetër dhe jo të kultivohej në rrethana të ndryshme. Dhe, kjo luftë ishte “conditio sine qua non” e çdo evropianizimi  të shëndoshë dhe jo të çoroditur.

Në të dy rastet, mbikëqyrja dhe edukimi i fëmijëve, si edhe punët e shtëpisë mbetnin detyrë eksluzive e gruas. Intelektuali ynë i lartë, nga ky aspekt, ndodhej në pozitë të ngjashme me cilin do shkollarë të familjeve kolektive nga fshati, që e përbënin hallkën e tretë dhe të fundit të piramidës shoqërore në Kosovë po qe se, numri i tyre, do të fillonte nga lartë-poshtë. Ishte kjo një piramidë e vjetër sa edhe vetë shoqëria-një piramidë arkeologjike shoqërore, veçse, arkeologjike në shumë kuptime, ndonëse, skeleti i strukturës-bazë, nuk mund të ndryshonte askund.

Burrat nga të tri këto kate ose hallka shoqërore në vetëdijen e tyre të lajthitur, konsideroheshin “super-burra”, pasi që ashtu i kishte bindur procesi i racionalizimit të kompromiseve që i kishin bërë me ndërgjegjen e tyre, në ngutje e sipër për të arritur sa më lartë që kishte qenë e mundur. Në të dy hallkat e fundit, e ndonjëherë, edhe në hallkën e parë, burrat ishin të zhveshur nga përgjegjësia e brendshme familjare, nga përgjegjësia për kujdesin ndaj fëmijëve. Kjo pastaj mundësonte përtëritjen e piramidës arkeologjike në shumë kuptim. Në të dy hallkat e para këtë ua mundësonte bashkëshortja me identitet të tretur, ndërsa në hallkën e tretë- kësaj i ndihmonte edhe kolektiviteti familjar në frymën e traditës.

Kishte edhe raste ekstrate kur burri nga hallka e dytë i lente gruan dhe fëmijët në fshatë nën kujdesin e familjes kolektive, përderisa në banesën e vetë në qytet e vendoste një grua tjetër. Dhe, për këtë nuk e brente kurrfarë ndërgjegje, sepse ky kishte qenë kompromisi fillestar i një kompromisi të mëvonshëm gjithë-shoqëror, kur burrat fëmijë nga hallka e tretë, e bile edhe gratë e tyre e konsideronin normale një martesë në Kosovë “ashiqare” dhe një tjetër në Evropë për të cilën nuk flitej. Nga ky fakt i vetëm, fatkeq është fare e qartë natyra e moralit që kishin filluar ta kultivonin.

Të tri këto hallka të shoqërisë e përbënin shtresën sunduese të saj. Ushtronin ndikim të madh në krijimin e mentalitetit dhe të ambientit politik. “Super-burrat” e kësaj shtrese konsideroheshin të civilizuar, madje edhe në nivel të Evropës, por gabonin, ndonëse nuk ishin të vetëdijshëm kur gabonin, kur dukuritë deviante me rëndësi pargjinale i merrnin për thelb të moralit evropian. Natyrisht se disa nga ata edhe mund ta dinin të vërtetën, por të ndodhur para dilemave të shumta që kishin të bënin me ta, u dukej më lehtë ta zgjidhnin rrugën e oportunizmit utilitar: Me çmimin e flijimit të gjërave që dukeshin se nuk janë aty për aty evidente për rrethin e vetë, dëshironin me çdo kusht të bëheshin dhe të mbeteshin “dikush”.

Objektivisht anëtarët e dy grupeve të fundit ishin martuar herët, në moshën kure akoma kishin qenë vetëm bijë të kolektiviteteve familjare dhe jo njerëz të formuar, me identitet të vetin. Ishin martuar, rëndomë, me dëshirën, por pa vetëdijen e tyre të plotë mbi rrugët që do t’i kalonin për të ardhmen e vetë dhe gjithnjë me kohën e varësisë së plotë materiale kur nuk kishin pasur as mundësi reale t’i rezistonin presionit të saj familjes kolektive eventual.

 Megjithatë, kjo gjë mund t’i arsyetonte ato. Njëmendësia e luftës së zhvilluar për t’u ngritur ose më tepër për të zënë pozita në shoqëri kishte qenë faktori kryesor që e përcaktonte karakterin e tyre. Meqenëse, kjo luftë, gjithnjë e më tepër, bëhej më e vështirë, ishte e pritur që nga ky bazament shoqëror një kategori e konsiderueshme të mbetej e pa integruar dhe me kohë të rritej numerikisht dhe të forcohej intelektualisht. Dhe, ashtu ngjau. Duke e synuar zhvillimin dhe forcimin e individualitetit të Kosovës i përkrahur që nga fillimi i formimit të tyre si kategori e veçantë shoqërore. Pastaj në gjysmën e II-të të artikullit “Viti 81 dhe proceset e demokracisë”, qëllimisht i ngrita lartë në piedestalin politikë, por hallkat e integruara shoqërore, që këta e kishin parë vetëm rrezikun për pozitat e tyre. Më vonë, një pjesë me rëndësi, por e vogël e tyre u integrua në Alternativën Kosovare ndonëse duke iu përshtatur rezonimit të moçëm politikë dhe jo duke luftuar për ta ndryshuar atë. Ndoshta, kësaj përshtatjeje të tyre i kishte ndihmuar edhe ndryshimi i rrethanave ndërkombëtare,por kjo njëherësh e vërtetonte argumentimin tim se ishte fjala për të rinjtë që e synonin të njëjtën gjë.

S’ishte kurrfarë çudie, që të dy palët të më konsideronin të vetin dhe të gjenin argumente për këtë. Mirëpo meqë me të parët nuk e kisha ndarë dyqenshmërinë politike, ndërsa me të dytët as moshën dhe as injorancën e kuptueshme për proceset politike, njësojë, mund edhe të më refuzonin nga veti. Dhe, ashtu ngjau. Edhe më deshën, por edhe më hodhën atëherë kur menduan se nuk u nevojitesha. Në këtë mënyrë, mbeta vetëm i vetës ashtu si edhe kisha qenë gjithmonë.

Mirëpo, përkundër gjithë kësaj lufte të cilën, herë herë, e zhvillonin të gjitha palët kundër meje, të njëjtën kohë dhe nga të gjitha drejtimet qëndrova konsekuent: e besoja se Inteligjencia e lartë e Kosovës, anëtare e së cilës je edhe ti, herët a vonë, do t’i kuptonte gabimet e rezonit të moçëm politik të kohës së komunizmit në Kosovë. Për këtë shkak edhe të arsyetova dhe meqë për asnjë milimetër nuk i kishte tejkaluar kufijtë e gabimeve të tyre, e kërkova mbrojtjen tënde edhe për kohën e demokracisë dhe jo vetëm për kohën e komunizmit.

Mirëpo, ti e vazhdove avazin e vjetër dhe ata e vazhduan rezonimin e moçëm të përkrahjes së një anshme. Kjo më tmerroi. Ata që e premtonin udhëheqjen e luftës për dinjitetin dhe identitetin e një populli të tërë, të cilëve populli i besonte në fanatizëm të verbër, nuk e shihnin se kishin startuar shtrembër.

Duke e përkrahur një praktikë përfundimisht amorale binin në provimet elementare të Etikës dhe nuk e shihnin lidhjen me politikën. Kur për këtë ua tërhoqa vërejtjen më akuzuan për bajraktarizëm.

Për ta individi nuk mund të lozte ndonjë rol të madh në ecurinë e proceseve dhe duke mos e parë trashëgimin e botëkuptimeve të vullgarizuara staliniste mbi rolin e masës në revolucionet shoqërore më akuzonin pikërisht për  stalinizëm! I kishin hutuar titujt dhe gradat e larta të shkencës dhe të politikës, pasi që e kishin harruar mënyrën e arritjes së tyre. Përfundimisht u binda se demokracinë e barazonin me interesat e veta të veçanta. Për këtë shkak, metoda mafioze për sendërtimin e këtyre qëllimeve, jo vetëm që i prezantonin si demokratik, por fatkeqësisht edhe i besonin si të këtilla. E kishin përvetësuar qasjen cinike ndaj demokracisë, jo atë idealiste që e kishte avansuar demokracinë.

Rendi, ligji, ligjshmëria, normat etike, nç vetë qasjen e tillë, ishin të eliminuara nga rezonimi i tyre politik. Bukuria sublime e demokracisë duhej të ekzistonte vetëm për budallenj si unë.  Politikën e kishin reduktuar në mjeshtri për dallavere dhe pazarllëk. Bënin tregti me opsionet politike dhe nuk e ndjenin se fjala ishte për interesat fondamentale të një populli të tërë. Si rezultat i këtyre botëkuptimeve të rrotulluara mbi demokracinë, sot, nuk ka vetëm ngecje, por edhe retardime të rënda dhe tragjike të proceseve politike.

Ata që këto gjëra nuk duan t’i shohin, nuk do t’i shohin kurrë, ata që për këtë nuk mërzitën, nuk do të mërzitën kurrë. Ata janë karrieristë tejet të zhdërvjellët dhe pa dyshim do të mbetën me çdo kusht në pushtet dhe në çfarë do rrethana ky ishte dhe mbeti qëllimi i tyre i vetëm, por nuk dij se kujt, pos atyre vetë, do t’i duhet ai pushtet? Pushteti mbi një popull të përgjysmuar nga çdo drejtim nuk është i tjetër, veçse një karikaturë mizore e vetës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Ahmet Qeriqi: Kreu shtetëror kriminal serb paralajmëron NATO-n se nëse sulmon Jugosllavinë, duhet ta dijë se çka i pret shqiptarët. (22 mars 1999)

Sot është dita e tretë e ofensivës së përgjithshme të forcave ushtarake e policore serbe. …