Gjermania dhe Franca

Plani gjermano-frëng i dy gjermanive, pas 10 vitesh, Kosova në një federatë me Serbinë

Publikohen nëntë pikat e planit gjermano-frëng për të ardhëm në një status-quo të re, pa asnjë perspektivë për Kosovën, por me qëllim për ta mbajtur Serbinë në pozitën aktuale

Propozimi i Gjermanisë  dhe Francës për një kornizë të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga disa qarqe po konsiderohet si një plan konkret për arritjen e një marrëveshjeje  finale, pa e saktësuar apo  përcaktuar kohën. Realisht ky është një traktat për një status-quo, në pritje për dhjetë vjet,  e ndoshta më shumë,  derisa të dyja palët ose të lodhën, ose të heshtin, ose të pajtohen me njëra tjetrën.  Ky traktat është mish e peshk brenda,   por jo për  njohjen e Kosovës nga Serbia.  Kjo sintagmë nuk ekziston, por mund të lakohet  sipas interpretimeve të ndryshme, sipas dëshirave dhe bindjeve politike. Realisht, traktati  nënkupton dy entitete që nuk kanë nevojë ta njohin njëri tjetrin, por duhet  të bashkëjetojnë si dy vende, secili në sofrën e vet por brenda  një konaku, brenda një traktati, i pakufizuar në kohë, por i nënkuptuar në hapësirë.

Në të gjitha pikat përmenden Kosova dhe Serbia, si entitete të barabarta, edhe pse Kosova nuk është e pranuar nga të gjitha shtetet e botës, as nga OKB-ja, as nga BE-ja, as nga pesë vende anëtare të BE-së.

Neni 1

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta. Ky nen nuk do të thotë asgjë më shumë, meqë vetëm marrëdhëniet tregtare me Serbinë janë në harmoni, pasi Kosova tashmë është kthyer në treg të Serbisë.  Të drejtat e barabarta nuk nënkuptojnë reciprocitet, apo ndoshta jo është bërë me qëllim për t i ikur kësaj fjale, me eufemizëm, këtij blofi eleketoral të Qeverisë Kurti.

Neni 2

Kosova dhe Serbia do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre reciproke për anëtarësim në BE.

Në këtë nen kemi fjalën reciprocitet por për anëtarësim të përbashkët në bashkimin Evropian, ka kushtëzime, pa caktuar kohë apo afat. BE-ja është karremi me të cilin  e kushtëzon Kosovën, por Serbisë i bëhen lëshime të njëpasnjëshme.

Neni 3

Në përputhje me MSA-në [Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit] të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet asaj kohe ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ata riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëri-tjetrit.

Në këtë nen, përmendet kufiri aktual,  i cili është pjesë edhe e  rezolutës 1244 të KS të OKB-se e cila parasheh sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Kufirin e ruajnë dhe përkujdesen për  zyrtarët e  UNMIK-it dhe forcat paqeruajtëse të FKOR-it.

Neni 4

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Në këtë nen, fjala supozim ose nuk është përkthyer drejt, ose nënkupton një marrëdhënie sa i përket njohjeve, që Serbia ta ndalojë aktivitetin në drejtim të lobimit për pezullimin e njohjeve të Kosovë, madje edhe tërheqjen nga njohja, sikur kanë bërë deri tani më shumë se 12 vende. As deri tani Kosova po as Serbia nuk kanë përfaqësuar njëra tjetrën, të paktën këtë nuk e kanë bërë publikisht. Serbia e ka në Kushtetutë Kosovën,  si provincë të saj dhe nuk heziton ta deklarojë sa e sa herë, gjatë bisedimeve me  ndërkombëtarët.

Neni 5

Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

Sa u përket marrëdhënieve paqësore në shtetet e Ballkanit perëndimor ato edhe ashtu janë të mira dhe pranueshme. Në këtë drejtim Kosova ka përkrahjen e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ndërsa Serbia ka vetëm entitetin serb të Bosnje-Hercegovinës, dhe marrëdhënie të mira me sllavomaqedonët  në Maqedoninë e Veriut.

Neni 6

Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Serbia as e ka respektuar as e respekton juridiksionin e Kosovës, pasi pretendon se ajo është pesë e saj. Ajo burgos qytetarët e Kosovës që qarkullojnë nëpër Serbi dhe i dënon me ligjet e veta të kohës së regjimit të Millosheviqit, sidomos pjesëtarët e UÇK-së.

Kosova as iu ka përzier as mund t i përzihet Serbisë në juridiksionion e saj.

Neni 7

Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.

Ky nen nuk paraqet asgjë të re, pasi Kosova bashkëpunon me Serbinë sidomos në ekonomi e tregti  më shumë sesa me Shqipërinë dhe me çdo vend tjetër. Zgjerimi i bashkëpunimin në shkencë teknologji, transport nuk ka paraqitur as paraqet ndonjë pengesë. Serbia ka penguar sportistët e Kosovës në shumë aktivitete kur ata kanë afishuar flamurin kombëtar dhe këtë do ta bëjë edhe në të ardhëm pavarësisht traktatit edhe nëse e nënshkruan, sepse ajo mbron të drejtën e sovranitetit duke u mbështetur në  rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Neni 8

Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.  Ky nen nuk paraqet asgjë të re dhe nuk nënkupton asgjë me rëndësi, pasi edhe ashtu është paraparë që çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve të trajtohen veçmas, kuptohet sipas marrëveshjeve që dalin nga Traktati.

Neni 9

Kosova dhe Serbia pajtohen që ky Traktat nuk do të ndikojë në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe të lidhura tashmë prej tyre ose që kanë të bëjnë me to.  Edhe ku nen i fundit i Traktatit nuk sjellë asgjë të re për veç ruajtjes dhe restaurimit të një Modus vivendi që  shpeshherë përdoret për të nënkuptuar një marrëveshje ose marrëveshje që lejon palët në konflikt të bashkëjetojnë në paqe.

Nëntë pikat e këtij traktati as edhe njëherë nuk përmendin njohjen reciproke,  sepse ajo nuk ekziston në Traktat, nuk përmendet çështjet bilaterale mes dy shteteve, sepse Traktati nuk e njeh Kosovën si Shtet të pavarur dhe të barabartë me Serbinë, po e njeh vetëm si një entitet i lidhur në të gjitha segmentet me Serbinë, thjesht si një provincë autonome edhe pjesë përbërëse e Serbisë, por edhe entitet i pranuar nga shumica e shteteve të botës, që është një realitet i cili nuk mund të shpërfillet as me këtë traktat.

Pranimi  eventual i këtij traktati nga pala e Kosovës në bisedime,  në formën si është hartuar e paraqitur në opinion,  është pranim i status-quos, është heqje dorë nga njohja reciproke, është kthim prapa në Kushtetutën e vitit 1974, dhe nuk do të duhej të pranohej madje as në parim, pasi nuk është fare parimor, pasi është krejtësisht në shërbim të Serbisë, për interesat e BE-së me qëllim që duke ia plotësuar të gjitha kërkesat  Serbisë ajo të  largohet nga Rusia, ose ta ruajë këtë nivel dyanësie këtë eklektikë të paqëndrueshme dhe të panatyrshme. Kjo është fryma e traktatit, ku Kosovës i thuhet, trus, se kemi probleme edhe më të mëdha, merre, por nëse nuk e merr të presin traktate edhe më të pafavorshme.

Ahmet Qeriqi

10. 11. 2022

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …