Doli nga shtypi libri, Mulla Sherifi i Kizharekës, i autorit, Ahmet Qeriqi

Po shtoheni e po përparoni shpejt si bima e pacërkes, por… anekdotë nga libri: Mulla Sherifi i Kizharekës

Komunisti i Ndrenikut,  Can Maki, i njohur për qëndrimin e tij kundër fesë, në një ndeje te një i mik i tij kishte rastisur  ta kishte takuar për herë të parë Mulla Sherifin, për të cilin kishte dëgjuar se nuk ka pyetje në të cilat nuk i përgjigjej, por kishte dëgjuar edhe për shpotitë e  “të therrmet” e tij.

Si komunist por edhe mësues i njohur e kishin ulur buzë oxhakut, në odën plot burra të Lan Lanit, ndërsa në anën tjetër, ishte ulur  hoxha, mulla Sherifi i Kizharekës. I zoti i konakut e kishte mik shtëpie Can Makun, por kishte respekt edhe për hoxhën, që e kishte në konak.

Can Maku kishte folur për partinë për barazinë, për shkollimin e vajzave dhe përparimin e popullit, duke marrë për shembull të kaluarën kur gratë trajtoheshin si robëresha, veç për punë dhe për lindje e rritje fëmijësh. Hoxha kishte dëgjuar me vëmendje, por pa aprovuar, as pa kundërshtuar me gjeste sikur bënte në raste të caktuara.

Cani pas fjalës që e kishte mbajtur  iu kishte drejtuar hoxhës.

-A e kam mirë hoxhë, a po pajtohesh me kto që po i them.

-Mirë po flet, mirë tash për tash. Tash ju komunistat po e hidhni farën, e çka ka me mbi  kur te filloni me korrë, kush asht gjellë e provon.

-Fara e shnoshe edhe bimën e ban të shnetshme e të bollshme, ia kthen mësuesi.

-Po, krejt varet nga fara. Ju po shtoheni e po përparoni shpejt si bima e pacërkes, e mjellë në pranverë dhe deri  në vjeshtë ngjtet shtatë metra nalt, i del n krye lisit që i ka 80 vjet, por kur të vjen bryma  në vjeshtë për një ditë e vyshkë dhe e përplasë për tokë.

-Me demek na komunistat si fara e pacerkes, a?

-Çka ka te keqe, pacerka, mor mik, mos me pasë pacerkë si mund ta lajmë trupin. Zoti e ka falë çdo bimë mbi tokë, për nevoja të insanit. Shpejt po ecni, pa dyshim…

Krahasimi që kishte bërë hoxha ishte arsyetuar nga shumica e të pranishmëve në odë. Komunisti, Can Maku ishte ndier paksa i fyer dhe nuk gjente dot një krahasim për ta mundur hoxhën. Pasi ishte menduar pak iu  kishte drejtuar.

-Na ndoshta po ecim shpejt por ju për 500 vjet keni mbetë ne një vend.

-Na jemi si ai lisi, të cilit pacerka i del në maje për gjashtë muaj, por cila është vlefta e një lisi e cila është e një pacërke, kishte pyetur mulla Sherifi

Biseda ishte serioze dhe komunisti  po e shihte të humbur betejën me hoxhën, e kishte humbur toruan dhe iu kishte drejtuar,  me një konstatim kuturu:

-500 vjet tuajat  na komunistat i kemi kaluar për 15 vjet or hoxhë po ti  dhe ky xhemati yt nuk po e shihni, je rrokë për një pacerkë.

-Pak ma ndalë or mik, bisedë po bajmë, këtij të zotit  të kankut zoti i dhashë bereqet të hajrit, e bajmë pa hidhërim.

-Jo, jo nuk ka kurëfarë hidhërimi kishte miratuar i zoti i konakut, Lan Lani.

-Hoxha po mundohet  me arsyetue  terrin, Turqinë,  pushtimin, fenë e vet, fenë më  të prapametme në botë, thotë komunisti tjetër, Braho Ziu, i njohur për besnikërinë qorre e uloke ndaj partisë, për shkak  të veprave të  tij të liga nuk e respektonte askush por ia kishin edhe frikën…

-Nuk ka zot o hoxhë, iu kishte drejtuar Braho Ziu, ju e keni shpikë për me i mbajtën në sundim ata që i keni mashtrue dhe po i mashtroni. Ndërhyrja diskrete e Braho Ziut ishte pritur keq nga shumica e të pranishmëve, por nuk kishte reaguar askush.

-Zoti i ka falë insanët, por edhe hajvanatët, or ti njeri që po e mohon Zotin. Ai i ka krijuar  popujt dhe krejt njerëzimin. Secili milet e ka sunduesin e vet. Secila shtëpi e ka  të zotin e shtëpisë, secili bari e ruan grigjën e vet…

-Brahim e ka emrin, por Brahë i thonë e cyt bisedën një burrë i pranishëm në odë.

-Zoti i falë edhe ata që e mohojnë, zoti krijon  edhe ujq, qen, derra  gjarpërinj, dhe krejt llojet e mahlukateve, sepse toka është shtëpia jonë e madhe dhe e përbashkët, të cilën Allahu e ka krijuar për të gjithë.   Disa nga të pranishmit nuk ishin duruar dhe kishin qeshur duke e kuptuar romuzin e hoxhës, ndërsa Braho Ziu as e kishte kuptuar shpotinë, as e kishte ngarë më tej.

Kontrolloni gjithashtu

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

DR. SKËNDER DEMALIAJ PROMOVOI 20 LIBRA NGA FUSHA TË NDRYSHME

Para pak ditësh në një veprimtari në Tirana International Hotel, në formë ekspozeje Dr. Skёnder …