Po vijnë “çlirimtarët” e Republikës së tretë, të cilët e “çliruan” Kosovën nga komandantët e UÇK-së!

Po vijnë “çlirimtarët” e Republikës së tretë, të cilët e “çliruan” Kosovën nga komandantët e UÇK-së!

Duke u përkulur para varrit  të Ibrahim Rugovës, Albin Kurti,  foli për Republikën e parë të shpallur nga Ibrahim Rugova, të cilën e kishte njohur vetëm Shqipëria e kohës së Ramiz Alisë dhe Republika e Melkizedekut, e cila nuk figuronte në hartën e globit tokësor dhe rugovistët e asaj kohe, mezi e kishin gjetur dhe e kishin falënderuar fort kryetarin e Meklizedekut, por pas pak kohe, ishte kuptuar se ai kishte qenë një bos i drogës, i ndjekur nga Interpoli ndërkombëtar.

Republika e Dytë u shpall më 17 shkurt të vitit 2008, nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Sejdiu, në kohën kur Vetëvendosja nuk ishte në Kuvend, por po “luftonte” me të gjitha mjetet  e metodat për të hyrë. Më vonë hyri bashkë me gazin lotsjellës e gjësende të tjera.

Sipas kësaj radhitjeje del se tani me fitoren e shumicës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit  2021, populli i kësaj partie e paska votuar Republikën e Tretë, të veten, e cila nuk paska asgjë  të përbashkët me dy të tjerat, sepse në ato dy parapraket nuk ishte në Kuvend Vetëvendosja, pasi në të parën nuk kishte lindur, në të dytën ishte dy tri vjeçe, tani në të tretën ka arritur në moshën e adoleshencës.

Në gazetën “Bota sot” e cila e nxin luftën e UÇK-së shumë më tepër se gazetat e Beogradit,  një i vetëquajtur analist,  thotë se Kosova me fitoren e Vjosa Osmanit e Albin Kurtit është çliruar për së dytën herë, njëherë nga Serbia e tani nga komandantët e UÇK-së. Ai nuk tregon se kush e kishte çliruar Kosovën herën e parë, kush kishte derdhur gjak për Republikën e Dytë, kush po e mbron atë në Hagë. “Analët” e tillë janë të bindur se Kosova qenka “ri-çliruar”, natyrisht pa gjak, por me votë, në mënyrë paqësore,  ashtu sipas “namuzit” politik të neopacifistëve.

Po ashtu vetë Abin Kurti, fitoren e Vetëvendosjes e quajti Referendum, edhe pse në referendumin e pjellë nga  mendja e  tij virtuale, morën pjesë vetëm rreth një e katërta e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote bashkë me votuesit e tij e të Vjosës,  pa shumicën e qytetarëve të vendit tonë, të cilët nuk u besojnë politikanëve dhe nuk marrin pjesë në zgjedhje.

Besimi që merret nga një e katërta e një popullit nuk mund të quhet Referendum i suksesshëm.

Kjo dalldi e përzier me arrogancë, prepotencë, entuziazëm të fitores, dalëngadalë po e humb sensin e seriozitetit, sepse Vjosa as Albini nuk e dinë se sa kohë mund të qëndrojnë në “kolovajzën” e pushtetit, pasi kohët janë të pasigurta, kërcënimet e Serbisë nuk janë vetëm parulla verbale, ndërsa raportuesja  për Kosovën, zonja Cramon, e bëri të ditur se nuk do të ketë liberalizim të vizave, as status të definuar të Kosovës, pa një marrëveshje kompromisi me Serbinë. Ky lajm as është komentuar as komentohet fare nga ata që janë dehur nga fitorja, por zhdehja vjen një ditë dhe “Republika e Tretë” do të ketë nevojë për të gjithë qytetarët e vendit, jo vetëm për “popullin” votues të  Vetëvendosjes e Vjosa Osmanit.

“Çlirimtarët” virtualë të Republikës së Tretë, të cilët krenohen se ua kanë marrë pushtetin ish komandantëve  të UÇK-së, madje disa prej tyre  edhe i kanë dërguar në Hagë, pa biletë kthyese,  e shumë të tjerë po presin në radhë për t’ u arrestuar, po shijojnë “muajin e mjaltit”, por se çka do të sjellë muaji apo muajt në vazhdim këtë nuk duan ta dinë, meqë ata i përmbahen unanimisht  doktrinës së tyre:  “e treta e vërteta” dhe i besojnë fort këtij konstatimi.

Periodizimi, që Albin Kurti iu ka bërë republikave, nuk përjashton mundësinë e Republikës në të ardhmen e afërt, pa veriun e Kosovës, ose një Republikë e quajtur, Zajednicë, shtet serb brenda Shtetit të Kosovës, një Republikë  pa tri komunat e Kosovës Lindore, pa 8.200 hektarët tokë, që iu kishin dhënë kaherë Malit të Zi,  për të cilat aq shumë u bë ”luftë me gaz lotsjellës” brenda dhe jashtë Kuvendit.

Këto nuk përmenden fare, ashtu sikur nuk përmendet më as bashkimi kombëtar.

Po ashtu Republika e Tretë do të jetë pjesë e minigjengenit ku Serbia do të jetë në krye, sidomos me hekurudhën që e nxjerrë në Durrës apo në Shëngjin, projekte këto të nënshkruara nga Nikolla Pashiqi dhe Ahmet Zogu, pak më shumë se 100 vjet më parë dhe të cilat padyshim se do të rishkruhen, kuptohet në kushte dhe rrethana të tjera.

“Republika e Tretë”, sipas periodizimit, është Republikë virtuale, imagjinare dhe aspak reale.

Ajo është pjellë e një fantazie dhe imagjinate të bujshme dogmatike, që shfrytëzohet për indoktrinim, pavarësisht se Republika e Kosovës  në të ardhmen  do të ballafaqohet me tronditje  edhe më të rënda, sesa është ballafaquar deri tani.

Se kush do t’ i dalë zot Republikës, nëse ajo rrezikohet kjo do të mbetet për t’ u provuar.

Vetëm një gjë është më se e sigurt se Kosovën nuk e ka çliruar politika e mençur dhe e matur, pacifiste,  nuk e kanë  çliruar këta që i kanë fituar të gatshme dy republikat e para, as ata që e “komandonin” luftën nga hotelet e Shqipërisë, Zvicrës, Gjermanisë, pavarësisht kontributit të caktuar të grupeve dhe atdhetarëve të kalitur në burgje e në veprimtari atdhetare, por e çliruan ata që dihen dhe që kanë emër e mbiemër nderi e dinjiteti, tani të radhitur si dëshmorë, heronj, invalidë, veteranë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Jugu e Veriu i Shqipërisë, nga Maqedonia, Kosova Lindore, Plava e Gucia nga mërgata në Evropë dhe nga Amerika e largët.

Askush askujt nuk ia mohon të drejtën për ta dashur dhe për ta mbrojtur Republikën unike të Kosovës, po pa e ndarë atë sipas bindjeve politike, pa pretendime për tu veshur me petka që bien shumë ngushtë, dhe nuk ta zënë dot shtatin, apo me shallvare të gjëra, e fustane të tejdukshme që i përlanë era.

Republika dhe liria e Kosovës kanë emër dhe adresë historike.

Republika dhe liria e Kosovës nuk mund të ndahet, as të përvetësohet nga asnjë parti politike.

Republika dhe liria e Kosovës është “Piemonti i Shqiptarisë” që nuk do të ndalet me numra imagjinarë, sepse kurrë nuk këtë botë nuk janë ndalur  as mund të ndalen tik-taket e historisë së rrugëtimit të popujve në kohën e hapësirën e tyre…  ( RKL)

20. 2. 2021

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …