Shqiperia dhe Kosova

Politike servile në Tiranë e në Prishtinë po i kthen vendet tona në “deponi” për të burgosurit e spiunët e shërbimeve sekrete

Disa vende të Evropës e konsiderojnë Kosovën e Shqipërinë  si “deponi” ku mund t’ i dërgojnë të burgosurit e rrezikshëm, spiunët e bastardët e popujve të robëruar, pastaj mbeturinat  e patretshme,  e çka jo. Kemi fat që ata i duan shumë qentë e macet, përndryshe, për politikanët servilë e të nënshtruar që i kemi ne, vendet tona do të shpalleshin: “Terra animales per i tutti animali europei”.

Kosova dhe Shqipëria, si  nga Amerika ashtu dhe nga BE-ja po konsiderohen si shtete ku duhet të  grumbullohen dhe të strehohen  kriminelët e Evropës dhe bashkëpunëtorët e tyre sidomos nga vendet aziatike.

Mbase kjo është në akord me një kod të lashtë dokesor, sikur është mikpritja e njohur shqiptare, si “Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe i mikut”. Nëse vazhdojnë servilizmin dhe nënshtrimin deri në pakufi për Evropën aq shumë të dashur të shqiptarëve furacakë, të atyre shqiptarëve që moto të jetës kanë konstatimin: “Atdheu im është atje ku jetoj më mirë, atje ku fitoj pa punuar, atje ku mund të mashtroj dhe të mos ndëshkohem”, atëherë duhet të pajtohemi që vendet tona të kthehen në burgje speciale për  të burgosurit e shteteve të Evropës dhe ne të bëhemi popull gardian, për ta mbrojtur Evropën nga kriminelët, qofshin ata edhe shqiptarë.

 Për më tepër dihet se jemi  diku në krye të listës nëpër shtetet e Evropës, qoftë për trafiqe, prodhim dhe shpërndarje të drogës, trafikim me njerëz, prostitucion dhe shumë të liga të tjera.

Pavarësisht se kemi të bëjmë me një pakicë shqiptarësh që merren me këto ligësi, propaganda nga brenda e jashtë etiketon popullin tonë në tërësi, për shkaqe që dihen, por nuk thuhen hapur.

Shtetet e Evropës nuk paskan vend nëpër burgjet e tyre, kur dihet mirë se atje vazhdimisht dhe në numër shumë të madh  i mbyllin burgjet dhe i kthejnë në muze,  në mungesë të të burgosurve.

Danimarka nuk paska vend për  1000 të burgosur dhe u dashka t’i depërtojë në Kosovë, në një deponi  e re  të Evropës, parë nga këndi i tyre. Britania e Madhe i kërkon Shqipërisë të pranojë edhe mijëra afganë në burgjet e saj, me pagesë, por kryeministri i Shqipërisë është shumë zemërgjerë dhe nuk i pranon të huajt  nëpër kampe, as me pagesë,  por i vendos  nëpër hotele, sepse kampet po ua kujtuakan shqiptarëve ato të kohës së komunizmit, kur  krejt Shqipëria realisht  ishte një kantier i madh i punëtorëve, që sot quhen kampe të burgosurish, sepse sipas kësaj logjike të gjithë shqiptarët paskan qenë të burgosur nga regjimi i Enver Hoxhës, pasi Shqipëria paska qenë e vetë izoluar. Andaj shqiptarët, sipas mendësisë së caktuar politike paskan aq shumë mirëkuptim për bashkëpunëtorët afganë të Amerikës, ashtu sikur pati Evropa me strehimin e ballistëve dhe kolaboracionistëve shqiptarë, pas Luftës së Dytë Botërore.  Ky qenka një borxh që u dashka të kthehet me mirëkuptim sepse sot nipa e mbesa të kolaboracionistëve italianë e gjermanë qeverisën Shqipërinë. Ka mbetur vetëm që në qendër të Tiranës, pranë shtatores së Ahmet Zogut të vendoset edhe ajo  Xhafer Devës pse jo edhe Mussolinit.  

Politika servile në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup, është në gjendje të pranojë  gjithçka që propozon Evropa apo Amerika. Madje këtë e quan gjest miqësie dhe krenarie, sepse ne qenkemi populli më pro evropian e pro amerikan në botë, dhe kjo nuk është pak, por është më shumë se gjithçka tjetër, edhe pse Evropa i mbanë shqiptarët në Geto, sidomos shqiptarët e Kosovës.

(Ahmet Qeriqi)

Prishtinë

  1. 12. 2o21

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama

Edi Rama: Rilindëm Shqipërinë e rrënuar nga ata që tani klithin e bërtasin të shfrenuar në foltore e në ekranet televizive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur  në  mbledhjen e Grupit …