leoni

Preng Cub Lleshi

Preng Cub Lleshi: Pseudonimi “Puka në vite” nuk mund t`i errësojë faqet me dritë të historisë së Mirditës!

Ka kohë që pseudonimi “PUKA NË VITE”, në postimet e veta në Facebook, bën përpjekje për t`i errësuar shumë të vërteta historike për Mirditën e për të lartësuar Pukën fqinje, si njësi administrative ngjitur me Mirditën, duke e paraqitur atë si “Dukagjini i vërtetë”. (?!) Për të mos u zgjatur me frazeologji shterpë, jemi të detyruar t`i kujtojmë “PUKËS NË VITE”, se ajo vetë, duke dashur ta kundërshtojë të vërtetën historike se Dukagjini i Mesjetës ka qenë Mirdita e sotme etnografike dhe jo Puka, sjell citimin e mëposhtëm: “Arkivet Vendike (?!) të 1595 na njoftojnë se gjindeshin tri miniera sermit në Veri të Shqipërisë, njëra prej të cilave prodhonte madje edhe ar. Këto tri miniera u gjendeshin: “Nel paese de’ Ducagini, a Fanda, Bulgeri e sopra Alessio” (Baldacci), që, siç merret vesh lehtë, përkthehet: “Në vendin e Dukagjinit, në Fandë, Bulgër e mbi Lezhë”, që njihen si pjesë të Mirditës etnografike edhe sot e kësaj dite e jo të Pukës. Edhe në një postim të saj të datës 2 gusht (2020-shënimi im), “PUKA NË VITE” sjell pohimin e albanplogut Rober Elsie, sipas të cilit “Një grup tjetër, përfshirë familjen e Murr Detit, erdhen në Malet e Pukës, në të majtë (jug) të lumit Drin”, duke e mbyll frazën e tij me të vërtetën e madhe historike: “Ky rajon është, gjithashtu, i njohur si Dukagjini i vjetër”. Se, pas këtij pohimi, duhet pyetur “PUKA NË VITE”: A nuk e dini ju se “Familja e Murr Detit” tregon mirditorët e lashtë, ata që Robert Elsie i bën banorë të “Dukagjinit të Vjetër”, siç janë realisht?! Këtë të vërtetë e ka pohuar edhe më qartë akademiku Kasem Biçoku, kur ka shkruar se “Në një dokument të viteve 20 të shekullit XV, Mirdita e sotme përmendet si “Vendi i Dukagjinëve”, emërtim që shpreh dhe vendorigjinën e saj” (të Mirditës-shënimi im). (Kasem Biçoku, “Mjedisi kishtar dhe politik i kuvendit të Arbërit”, Gazeta “Ndryshe” (“Drita ndryshe”, suplement). – Nr. 531, 1. Apo “PUKA NË VITE” nuk e beson pohimin e këtij akademiku? Nëse është kështu, “PUKËS NË VITE” i kujtojmë se këtë të vërtetë e pohojnë edhe historianët Kristo Frashëri dhe Aleksandër Meksi e të tjerë, të cilët dëshmojnë se “Shteti i Arbrit u ngrit në Mirditën e sotme”, pra jo në Pukë! Apo as këto figura të njohura të historiografisë shqiptare nuk i njeh “PUKA NË VITE”?!

Është kjo arsyeja që në komentet tona ne kemi theksuar se na duken krejt absurde pohimet e “PUKA NË VITE”, sipas të cilave “Gjergj Kastrioti nuk ishte mirditas” (?!), se “Mirditë nuk kishte në atë kohë” (në Mesjetë-shënimi im) (?!), se “mirditasit e kanë “pushtuar” Pukën (?!), sidomos me kohën e Lleshit të Zi”. (?!) Se pohime të tilla, që vinë në kundërshtim të hapur me të dhënat e gjersitme të historiografisë shqiptare, nuk mund t`i bënte as Akademia e Shkencave e Shqipërisë e jo më “PUKA NË VITE”!. Se, së pari, vetëm për origjinën mirditore të Kastriotëve sot ka më shumë se 180 dëshmi e referenca historike, që e vërtetojnë këtë! Se, së dyti, “PUKA NË VITE”, në komentet e saj disi denigruese për Mirditën, çuditërisht, mohon edhe 12 bajrakët e kësaj krahine etnografike. Këtë e bën kur, çuditërisht, e redukton gjithë këtë krahinë vetë, në “Orosh, Spaç e Kuzhnen”, që, sipas saj, “janë Mirdita e fisit, pra Mirdita e vërtetë si fis” (?!), gjykim që çudit jo vetëm mirditorët, por edhe fqinjët e saj. Se edhe vetë “PUKA NË VITE”, fill pas pohimit të saj të mësipërm, sipas të cilit “Orosh, Spaç e Kuzhnen janë Mirdita e fisit”, shpreh idenë e çuditshme se “Oroshi, Spaçi e Kuzhneni kanë zënë tokat e Pukës” (?!), gjë që tingëllon si paradoks historik! Duket se, në këtë çështje “PUKA NË VITE”, nuk e njeh pohimin lapidar të rilindasit Preng Doçi, i cili, më 1885, ka shkruar: “Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot, në trevën e Mirditës, që lufton nën shenjën e Gjergj Kastriotit dhe qe cep i derës së Dukagjinasve”. (“Flamuri i Arbrit”, f. 114) Se, në kundërshtim me këto të vërteta, të njohura nga historiografia shqiptare, “PUKA NË VITE” shkruan se “Dukagjinët ishin nga Puka” (?!), gjykim që i bën të qeshin ata që i njohin pohimet e akademikut Dh. Shuteriqi për Dukagjinin dhe Shtetin e Arbrit, qendra e të cilit ishte në Ndërfandë të Mirdirës e jo në Pukë! Së, së treti, “PUKA NË VITE”, shpalos mendime të tilla, që nuk çuditin vetëm mirditorët, por edhe të tjerë shqiptarë me njohuri mesatare për historinë e Shqipërisë, kur shkruan se “…Gojani janë Thaç” (?!), se “Rras i Butë, Rras i Egër plotësisht Berishë” (?!). Dhe marrëzitë historike vazhdojnë me pohimet, sipas të cilave “Blinishti i Mirditës dhe Kashnjeti e Gazullorët janë Kabash” (?!) e se “Blinishtët janë me origjinë nga Puka” (?!), përralla që nuk mund t`i besojë një mendje e shëndoshë! Sepse Blinishtasit janë po aty ku kanë qenë, të paktën, që nga shekulli XIII! Së0së katërti, në vijim të këtyre absurditeteve, “PUKA NË VITE” sjell “konkluzionin” antihistorik sipas të cilit “Puka është Pirusti i Ilirisë (?!) dhe Dukagjini i Arbërisë” (?!), teza që i bën për të qeshur njohësit deri në nivel mesatar të historisë së Shqipërisë, të cilët e kanë mësuar nga shumë historianë të vërtetën se Shteti i Arbrit Mesjetar, themelet e tij i ka pasur në Ndërfandë të Mirditës dhe jo në Pukë.

Së, së pesti, në vijim të përpjekjeve për ta injoruar historinë e Mirditës, duke i lënë në hije disa nga figurat e saj të ndritura, “PUKA NË VITE” shkruan se “Trimat e Kastriotit, Berishësit janë nga Puka e jo nga Mirdita” (?!), duke bërë sikur nuk e di të vërtetën historike se, siç dëshmohet në librin “Bashkëluftëtarë të Skënderbeut” të autorit Ali Hashorva, Mirdita i dha ushtrisë së Gjergj Kastriotit pesë gjeneralë me famë: Tre nga fshati Përlat i Mirditës dhe dy nga fshati Shebe po i Mirditës, pa folur këtu për figurat e ndritura të Gazullorëve të Mirditës, që ishin mbështetja e Gjergj Kastriotit për 25 vite. Lidhur me kontributin e mirditorëve në epokën Skënderbejane, “PUKA NË VITE” nuk mund e nuk duhet t`i fshehë, të paktën, dy të vërteta historike, që kanë shpalosur historiania turke Nuray Bozbora dhe historiani Italian Çezare Kantu. Se e para na dëshmom qartë që “Gjon Kastrioti ishte njëri nga princat katolikë të rajonit të Mirditës”, kurse i dyti shkruante: “Gjergj Skënderbeu, me titullin e ushtarit të Jezu Krishtit, ishte në krye të një lidhjeje princash katolikë të Shqipërisë së Epërme, që, me trimat e tij mirditorë, kundërshtoi Muhametin dhe, duke pasur këtë mandatë, kërkonte adhurimin e shpatës së tij”. (“Storia Universdale”, f. 128) Dhe këtu, siç konstatohet lehtë, nuk flitet për Pukën, por për Mirditën! Dhe, për ta mbyllur debatin me “PUKA NË VITE”, po u sjellim pohimet lapidare të tre Rilindasve të mëdhenj për Mirditën: 1-Risto Siliqi shkruante: “O Mirditë! O trimnesh` e dheut! I Arbnisë fis i kryekreut! …………… Vuejte prova, por s`i mbete shtegut Dhe ia mbajte jazin Skënderbegut”! 2. Gavril Dara i Riu shkruante: “Të parët e mi….ishin fis me Kastriotët nga nëna e Gjergjit, Vojsava, që ishte bija e Princit të Miditës”. 3. Elena Gjika shkruante: “Mirdita është zemra e Shqipërisë, ku gjen strehë shpirti i pavarësisë”. Dhe pohime të tilla lapidare nuk mund të injorohen nga askush! Dhe, nga sa u tha, “PUKA NË VITE” do të bënte mirë t`i kujtonte këto të vërteta, të cilat na i kanë përcjellur mendje të ndritura të letërsisë dhe të historisë së Shqipërisë! “PUKA NË VITE” duhej t`i kujtonte edhe vargjet monumentale të poetit Lazgush Poradeci për Mirditën: “S`hyn dot ti turk e turqeli Në kullat mirditore! Të prêt në pritë e në frëngji Mirdita pushkëmizore”! 03.08.2020 *Autor i 20 librave poetikë, publicistikë, historikë dhe gjuhësorë

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …