Përparim Rama: Dëshmorët dhanë jetën që ne ta gëzojmë lirinë dhe paqen

Prishtina shënon 27-vjetorin e çlirimit, Rama: Dëshmorët sakrifikuan jetën për lirinë, demokracinë dhe paqen

Me rastin e 27-vjetorit të Çlirimit të Prishtinës, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, së bashku me Rrustem Mustafë – komandant Remin, përfaqësues komunalë, veteranë dhe qytetarë, bëri homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në Velani, duke nderuar sakrificën e të rënëve për lirinë e Kosovës.

Në ceremoninë përkujtimore u vendosën kurora lulesh dhe u përkujtuan dëshmorët dhe heronjtë e kombit, të cilët, sipas Ramës, dhanë jetën për lirinë, demokracinë dhe paqen që gëzojnë sot qytetarët e Kosovës.

“Jemi mbledhur këtu për t’i nderuar dëshmorët dhe heronjtë tanë, të cilët sakrifikuan jetën që ne sot ta gëzojmë lirinë, demokracinë dhe paqen. Është e rëndësishme të kujtojmë se këto vlera nuk erdhën vetvetiu, por janë rezultat i një rruge të vështirë dhe i sakrificës së madhe të popullit tonë. Për këtë arsye, respekti dhe mirënjohja ndaj dëshmorëve do të mbeten të përhershme”, deklaroi Rama.

Kryetari i Prishtinës bëri të ditur se Komuna është duke punuar në një projekt monumental për rregullimin dhe zgjerimin e hapësirës memoriale në Velani. Sipas tij, projekti do të përfshijë zonat përkujtimore kushtuar ish-presidentit Ibrahim Rugova, dëshmorëve dhe heronjve të kombit.

Në përmbyllje, Rama uroi qytetarët për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, duke shprehur dëshirën që paqja, liria dhe vlerat demokratike të ruhen dhe të forcohen për brezat që vijnë.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kërkon nga qeveria e ardhshme që “pika e parë” të jetë gazi amerikan dhe termocentrali i ri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Daut Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e …