Prof. dr. Akil Mark Koci: Një libër me vlera historike, monografia e Pllanës denoncon terrorin

Prof. dr. Nusret Pllana, autor i monografisë
“Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, me tekst dhe me fotografi,
ndëshkon dhunën dhe krimet e regjimit serb të ushtruar mbi shqiptarët!                                             

Volteri: “Ai që fal krimin, bëhet pjesëmarrës i tij”

 

Këto ditë më ra në dorë një libër mjaft voluminoz me
titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, autor i të cilit
ishte prof. dr. Nusret Pllana, botues Arkivi Shtetëror i Kosovës.

E lexova me kujdes, ndër të tjera, edhe një tekst të
shkurtër me titull: “Dy fjalë për Monografinë”, ku autori në mënyrë koncize
flet për të kaluarën historike të popullit tonë, luftërat dhe dhunën serbe mbi
popullin shqiptar.

Pasuria e shtresave kuptimore të këtij teksti, si
dhe problemet që shtron autori, është mjaft e gjerë, edhe pse teksti për një
botim të tillë ishte mjaft i shkurtër, por përmbajtësor, sepse shquhet në këtë
tekst thellësia në ndriçimin e ngjarjeve, që prezanton autori. Edhe pse teksti
mjaft i shkurtër për një libër kaq voluminoz, plotësohet me 400 fotografi, të
cilat njeriu kur i sheh, rrëqethet nga pamjet e tmerrshme që paraqesin këto
fotografi, se është fjala për një barbarizëm, për një trishtim, për një ndjenjë
pezmi, sepse kur i sheh këto fotografi, njeriu shtron vetvetiu pyetjen: a është
e mundur që këto masakra t’i ketë bërë dora e njeriut?!!

Autori me një rast thotë: “Në të gjitha këto
veprime dhune, pos organeve shtetërore, gjithmonë janë implikuar edhe
institucionet shkencore e kulturore serbe, madje shumë aktive ishte edhe kisha
ortodokse serbe”!

Kjo gjë të tmerron por edhe të traumatizon aq fort,
kur dihet se në zhdukjen e popullit tonë makineria serbe që nga viti 1884
zbatoi një politikë të tillë, qëllimi i së cilës ishte të zhdukte nga këto
vende popullin tonë. Shkurt thënë, një mbresë të tillë lexuesi e merr kur
lexon, e sidomos kur sheh pamjet makabre të bëra nga dora e një gjakatari të
përhershëm kundër popullit tonë, një numër i madh i të cilëve, për të ikur nga
këto masakra, shpërngulet në Turqi dhe në vende të tjera. Si thotë autori:
“Duke  zhdukur gjurmët e së
kaluarës, pushtuesi plasoi tezën false se gjoja Kosova është tokë serbe dhe se
historia e saj filluaka nga mesjeta”! Rastësisht m’u kujtua një thënie e
Ismail Kadaresë dhënë gazetës franceze 
“Le mond” se “Kosova nuk është djep i kombit serb, por djep i krimit
serb”, prandaj insistimi që Serbia të kërkojë falje për luftën e fundit, ngase,
si e thotë një proverb shqiptar “krimi që falet, përsëritet”, të falurit është
baras me një tradhti kombëtare! Të gjitha këto ngjarje që pasqyrohen qartë
përmes fotografive, shikuar nga perspektiva historike na bindin se me serbët
kurrë nuk kemi pasur miqësi, por gjithnjë kemi qenë të armiqësuar dhe të vrarë.
Ndërkaq, është tjetër çështje ajo që përvidhet dhe imponohet si mësim nga
përvoja: hipokrizia, loja ekuilibrike, balancimet, llogaritë dhe prapaskenat
serbe ndaj nesh, e ne kurrë nuk u mbushëm mend! Problemet që shtron autori
prof. dr. Nusret Pllana përmes tekstit, e më shumë përmes fotografive, janë
lidhje të ngushta sa me peshën e etnopsikologjisë së luftërave, krimeve dhe
përndjekjeve, që kanë bërë “kojshitë” tanë shekuj me radhë mbi popullin tonë.
Me të drejtë pohon “Washington post” se: “E vetmja gjë e organizuar mirë
në Ballkan, është-krimi!”

Kur i vështron njeriu ngadalë e mirë këto fotografi,
shfaq habinë si mund të jenë bërë këto krime nga dora e njeriut! Për këtëflasin
fotografitë dhe ato paraqesin fakte dhe denoncojnë krimet e bëra, prandaj ajo
që rrëfehet përmes këtyre fotografive, dëshmohet si një frustrim, si një
dokumentim që regjistron dhe ndëshkon dhunën brutale e të egër, të paparë, të
kryer nga “miqtë tanë”, si i quanin në kohën e komunizmit. Pra, mund të
jenë këto impulse që të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë jo me njerëz, por me
shtazë të egra!

Ndërkaq, edhe pse fotografitë kanë fuqinë e
argumentimit vizual dhe flasin vetë, mendoj se pas çdo fotografie është dashur
të shënohet me tekst legjenda për të evidencuar e konkretizuar aktet e krimeve
të bëra, sepse teksti krijon komunikim që shpjegon, që sqaron, dhe që
dokumenton. Autori me këtë libër mëton të paraqesë të vërtetën e ndodhur, jo
vetëm përpara, por edhe atë ngjarje makabre të luftës së fundit në Kosovë nga
armiku i përbetuar serb. Dhe për nga fundi po përsërisë sentencën e D. J.
Juvenalisit, i cili thotë: “Krimi është aq i madh, sa më i madh të jetë ai
që e bën”. Prandaj qeveria të mos kërkojë falje nga serbët, se s’ka fjalë që
mund t’i falë krimet e bëra! Gjeniu i Volterit ka një mendim të urtë, human e
etikë lart: “Ai që fal krimin, bëhet pjesë e tij!”  

Dhe krejt në fund autori i librit, prof. dr. Nusret
Pllana, ka bërë një punë të madhe me përgatitjen e këtij libri voluminoz, sepse
ka krijuar rast të shohim krimet e bëra që janë jashtë çdo kuptimi për pajtesë
me armikun e përbetuar, me serbët.

(Ky shkrim është botuar ditë më parë në gazetën The
Albanian në Londër)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …