leoni

Hakif Bajrami

Prof. Dr. Hakif Bajrami: Argumentet shkencore janë të përjetshme

Për kufirin Kosovë – Mali i Zi kam mësuar kur e hulumtoja historinë e Aradhes “Bajram Curri” më 1974, e botuar si monografi nga “Rilindja” më 1985. Ka shumë burime të shkruara për atë kufi. Prandaj e lus publikisht dr. Murat Mehën të tërhiqet nga ai komision i punës jotransparente. Ata që e kanë kurdisur atë jotransparencë dhe atë procedurë, pa mbulesë argumentesh, do të përgjigjen një ditë para gjyqit të shtetit, por edhe më keq para gjyqit të historisë. Ky konstatim është i sigurt. Dokumentet flasin vetë. Por kur të flasin për dr. Murat Mehën do të jetë shumë vonë. Tërhiqu, mos e turpëro Tahir Mehën, mos e shkel Emin Latin, or vëlla i dashur! Kështu të thërrasin dokumentet që ti nuk i ke të njohura.

Me çështje të kufijve, së bashku me prof. dr. Gjyltekin Shehun, jemi marrë nja dy vjet me radhë. Dokumentet janë sjell nga arkivat evropiane dhe jugosllave në gjuhën frëngjishte dhe serbokroate. Një pjesë të tyre e ka botuar revista “Zëri”. Ato janë në Arkivin e Kosovës. Pse nuk ke hulumtuar, do të gjykojë historia jo vetëm ty! Por ta dish se në tekstet gjeostrategjike konfidenciale shkruan tekstualisht: “Gjatë dyqind vjetëve të ardhshme luftërat do të zhvillohen vetëm për të poseduar ujë”. E çfarë nëse burimi i Lumbardhit (Bistricës së Pejës) nesër malazezi ia ndryshon destinacionin-kahen. Ta dish se Radoniqi dhe i tërë Rrafshi i Dukagjinit do të mbesin djerrinë. Ky është fakti më i qëndrueshëm se ujë-rrjedha në shumë vise të globit i cakton kufijtë. E kufiri në rastin konkret është në Çakor dhe në Mokna; në Zhleb e tutje…

Kufiri Kosovë – Mali i Zi që ishte afër një gjysmëshekulli vetëm administrativ, tani është sjellë fatmirësisht në çështje që duhet të zgjidhet e të shndërrohet në kufi ndërshtetëror. E vërteta: ky kufi para 14 marsit 2002, ishte në pika tjera, të cilat ishin sanksionuar me Kushtetuta nga viti 1946 e deri më 1974. (I posedoj të gjitha). Por, pas kësaj date oficerët e Jugosllavisë së mbetur (Serbi, Mali i Zi), shënuan sukses duke i vizatuar në prani të Havier Sollanës (që nuk i interesonte fare asgjë!) kufijtë strategjik e që i dhuronin fqinjit tanë (Malit Zi) favore rreth 8000 hektarë, krejt me qëllim që pas disa dekadash të shfrytëzohen pikat strategjike dhe të sulmohet eventualisht sërish Kosova, duke ua ndryshuar ujë-rrjedhën e edhe lumenjve, siç është Lumbardhi. Po ky nuk ishte qëllimi i momentit. Qëllimi është shumë më afatgjatë. Qëllimi ishte, është dhe do të mbetet nëse ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, pasi në Kuvendin e Malit Zi, puna “është kryer”, të ndryshojë destinimi i burimit të Lumbardhit (Bistricës së Pejës), duke e “vizatuar majën strategjike të Çakorit në anën malazeze”. Ky veprim është atentat politik dhe shtetëror ndaj Kosovës, kuptohet i radhës.

Nuk bënë punë fare nëse dalim e themi, por duhet t’u themi këtyre miqve ndërkombëtarë, mjaft toka shqiptare na i ka grabitur Mali i Zi si: Ulqinin, Hotin, Grudën, Plavën, Gucinë, Tivarin, Anamalin, madje edhe Podgoricën. Jo, jo Mali i Zi ka grabitë dhe do edhe më tepër, sepse më 1913 u shtri me ndihmën e fuqisë së armëve të veta dhe të Evropës, madje deri te lumi Krena në Gjakovë. Ky është synimi, kjo është “thellësia strategjike”, e një ish diplomati turk (si Dautogllu etj. për t’u kthyer në kohërat e kaluara!), i cili kërkoi të shkruajmë “histori tolerante” (2008), për ta përgatitë terrenin që më 2016 në Krujën legjendare, të na e kualifikojë Gjergj Kastriotin “tradhtar”, pse nuk paska luftuar për Sulltanin! Dhe askush nga Shqipëria Bregdetare – Londineze (1913), nuk reagoi sepse “duan të jenë vëllezër” me ata që 500 vjet na kanë pre në besë (1830 në Manastir, u pre paria shqiptare, madje në iftar!), ata që më 1881-1886 i mbajtën 16000 procese gjyqësore kundër shqiptarëve, ata që më 1910 nga Shkupi e deri në Perpellac, nuk mbeti hapësirë e pa mbuluar që shqiptarët të ngulën në huj, dhe të qëndrojnë për tri ditë, duke u lutur për ndihmë!. Ja kush të quan “vëllezër” sot. Jo, jo, anadollak, unë nuk të urrej! Por mos më provoko në dheun tim, në sofrën time, në Krujën time. Ta dini të gjithë, nuk e ndali luftën, kuptohet shkencore dhe intelektuale. Vijmë më afër. Nuk ka tragjedi më të egër në Ballkan se sa gjenocidi ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Sanxhakun e Nishit, kur më 1877/8 u shfarosen 714 fshatra shqiptare për dhjetë ditë me ndihmën e oficerëve të gjashtë fuqive evropiane. Ju anadollakët e keni fajin kryesor. Tragjedia është përsëritur më 1912, më 1918, më 1945, më 1999. Këto krime duhet t’ua përkujtojmë “sollanave-hakerupave…’, që vijnë e shkojnë, kërcënohen dhe diktojnë. E politikanët tanë vetëm salutojnë. Madje, krekosen se i kanë mësuar dy tri fjali anglisht duke larë vetura nëpër Evropë. E di, si sillej Riçard Hollbruk e shumë të tjerë ndaj luftës sonë të shenjët, të drejtë, ndaj UÇK-së. Por, e di se si dhe çfarë u ka thënë kryeheroi i Kosovës Adem Demaçi, të cilin e anatemuan (t) edhe ata të huajt edhe këta tanët, që ishin në gjendje të nënshkruajnë deri në atë shkallë, sa që vetëm ‘pallati’ i shtëpisë së tyre të mbetej i “pavarur”. Eu Avni Rrustemi mos t’u harroftë emri kurrë. Evropa është po ajo që ishte dhe fare pak ka ndryshuar vese. Dhe nuk kam menduar se pas atij gjenocidi serbi (1998/99), që e kam përshkruar nëpër libra, shqiptarët do ta harrojnë kaq shpejtë. Jo nuk ftoj askënd në urrejtje, sinqerisht! E kam pas botuar para sa dekadave librin “Aradha Bajram Curri”. Dhe aty e kam veçuar vrasjen e Hajro Shamanit-Plavës dhe Hysni Zajmit. E kam pas mësuar atë thënien gjeniale të heroit Hajro: “E kam dhënë fjalën e kam dhënë besën, Nuk e la kurrë Hysninë vetëm”. Plavë e Gusi, e di që jeni lodhë, por mos na lëreni vetëm. Ju jeni edhe tash Plavë e Guci arbërore. Mbani në mend edhe ju që jeni këtu, edhe ata që janë aty dhe gjithandej Globit. Ne, nuk do ta harrojmë Preshevën, as Çamërinë.

Demarkacioni

Kufijtë shënohen në bazë të faktorëve: gjeografikë (malet e larta, ujë-rrjedha), strategjikë, ekonomikë, etnografikë etj. Asnjë nga këta faktor nuk i jep notë kaluese dokumentit të Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Këtu edhe zbulohet se i tërë procesi nuk ishte i drejtë. Madje, paralajmëroj se për këtë kufi mund të shkruhet edhe libër shkencor, por ku do ta varësh politikën tënde destruktive pastaj Isa Mustafa, pasi kjo çështje “qenka politike”. Jo kufijtë politikë gjithmonë kanë qenë dhe mbesin mollë sherri në mes popujve. Unë besojë se Kuvendi i Kosovës, këtë shans nuk do t’ua dhurojë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Kjo çështje nuk ka lidhje me liberalizimin e vizave. Ju e keni shpikë këtë, dihet data dhe biseda e saktë kur. Miqtë tanë të vërtetë, andej oqeanit, nuk e hanë më këtë “teatër”. Ju mund të thirreni në dikë, por ata diçka tjetër mendojnë, diçka tjetër falsin, për ta matur pulsin e juaj, a jeni në gjendje të veproni, të krijoni dhe të mbani shtet.

Tash, po vijmë te çështja bosht rreth demarkacionit. Po thuhet e po shkruhet se me Malin e Zi i kemi marrëdhëniet e shkëlqyera. Po, shumë praktikë e dëshiruar. Po çfarë ngjanë me Leksikonin e Akademisë Malazeze, në të cilin shqiptarët përshkruhen dhe pasqyrohen në shkallë fashiste. Çfarë ngjanë me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, çfarë ngjanë me të drejtat e shtatë milionë shqiptarëve në Turqi, që nuk guxojnë të ndihen për së gjalli. Po çfarë ngjanë me të drejtat e malazezëve kolonialistë në Kosovë tani. Po thonë se nuk janë kategori kushtetuese. Unë them me plotë gojën se duhet të bëhen me çdo kusht të barabartë me pakicat tjera. Çfarë ngjanë me turqit në Kosovë. I kanë të gjitha të drejtat që duhet t’i ketë një pakicë dhe nuk del njeri – shqiptar të thotë se nuk duhet t’i kenë. Nuk thotë sepse shumica dërmuese e shqiptarëve nuk është e ngarkuar dhe ajo pakicë e vogël që nuk e di sa është, nuk mundet të thotë asgjë, sepse shumica e pengon me të drejtë. Pse nuk ndodhë një fenomen i këtillë në Turqi, në Mal të Zi, në Greqi e mos të flasim për Serbi, ku ende vlon ideologjia e Gebellsit.

Kufiri Kosovë – Mali i Zi i verifikuar si tapi e Kosovës më 1973

Një libër me titull: “Kosovo – Kosova”, i botuar në Beograd, 1973, f. 1024, që ka shërbyer si argument (tapi e Kosovës) që të ketë Kosova kushtetutë më 1974, në gjuhën serbokroatishte dhe shqipe, i përpiluar prej 64 studiuesish dhe politikanësh, me të drejtë është konsideruar deri më 1989 si: Tapia e Kosovës. Po ky libër ka pas edhe ca lëshime të shpjegimeve historike mesjetare si, bie fjala, rreth falsifikimit në Mesjetën e vonë, “se numri i serbëve të shpërngulur më 1690 është stërmadhuar” etj. Fakt ky, që vetë historianët serbë e theksojnë në kohën e lulimit të para-fashizmit të tyre së bashku me atë malazezë më 1913, se “çështja është falsifikuar nga priftërinjtë serbë gjatë përshkrimeve…”. (Shiko: Tomiq, O Aranutima, 1913). Qëndrim objektiv do të shpalosë edhe akademik Sima Qirkoviq më vonë. Por, në librin “Kosovo – Kosova”, faqe 622/5, prezantohet edhe një hartë e kualitetit realist, që mbështetet në argumente që dalin nga Fletoret Zyrtare ( Slluzhbeni Glasnik…) 1946-1974. Tani të gjitha faktet provon t’i shkelë me këmbë dhe ndërgjegje dr. Isa Mustafa, duke e quajtur demarkacionin: “çështje politike, jo shkencore”. Dhe, nëse është çështje politike, këtë e keni bërë ju Isa Mustafa dhe Hshim Thaçi. E çfarë është politika si duket nuk e keni mësuar bash mirë në Kumrovc. Politika është në esencë diktat i një force marionetë. E diktatin, shkenca dhe populli nuk e pranojnë kurrë. Këtu na ndahen “lumenjtë”. Kush ua ka diktuar demarkacionin duhet të tregoni, përndryshe u pret Dyzi ose Dubrava. Shkenca dhe populli gjithmonë do të mbesin ballë lartë para ndërgjegjes civilizuese.

Tani po i kthehem faktit se çfarë thotë libri “Kosovo – Kosova” i 64 autorëve për kufirin Kosovë – Mali i Zi? Në faqen 10, tekstualisht thuhet: “Majat Hajlla, Zhlebi dhe Mokra (duhet Mokna) i takojnë grupit verior… e që i takojnë Komunës së Pejës. Në faqen 35 tekstualisht thuhet: “Bistrica (Lumbardhi) e Pejës buron nën maje të Çakorit në një lartësi mbidetare prej 1900 metrash. Me rrjedhë të gjatë 56 kilometra, ajo është lumi më i gjatë, që derdhet në anën djathtë të Drinit të Bardhë. Prej burimit e gjerë në Pejë, ajo rrjedhë nëpër Grykën e thellë të Rugovës. Në faqen 810 tekstualisht thuhet: Territori i Komunës së Pejës kufizohet nga ana e veriut me malin Zhleb (2352 metra) dhe Hajllen (2460 metra). Nga ana veriperëndimore shtrihet Mokra (Mokna- shqip-1932 metra) me shpatijet e pjerrëta të Rugovës dhe të Podgorës. Në anën perëndimore është kufi masiv i Bjeshkëve të Nemura me malet Bogiqevicë (2630 metra), Koprivnik (2377 metra) dhe me malin e Junikut (2670 metra). Autorë të këtij teksti shihet hapur se janë personalitete të njohura të kohës, si nga ana e shkencës ashtu edhe politikës. Në vijim po i shënoj vetëm emrat e recensentëve: Isamil Bajra, Mirosllav Vitoroviq, Ramadan Vraniqi, Boshko Dimitrijeviq, dr. Mark Krasniqi, Shpiro Kullishiq, dr. Milisav Llukovac, Pero Moraça, dr. Jovan Miliqeviq, dr. Tomisllav Rakiçeviq, dr. Jashar Rexhepagiq, dr. Dragosllav Serojeviq, dr. Sima Qirkoviq, dr. Atanasije Urosheviq,dhe dr Ali Hadri.

Post scrioptum: E lus prof. dr. Murat Mehen që pa asnjë dilemë të japë dorëheqje, sepse dokumentet tjera që do të pasojnë janë shumë komprometuese për të. Po, është kërkuar publikisht që dr. Murati të burgoset. Unë këtë nuk e kërkoj, por është në interes të tij personal që të largohet nga ai komision i “nëntokës”, i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Po edhe këta ende kanë hapësirë të tërhiqen, pavarësisht dëmeve që ia kanë sjellë Kosovës. E di se Thaçit i rri kmesa mbi kokë. Po, Hashim edhe Ramushit dhe Fatmirit iu bë e padrejtë, por ata në Hagë dolën të pastër si loti. Edhe ty do të mbrojmë me argumente. Mos u frikëso, mos trego qyqari. Për Isa Mustafën, i ndihmoftë Zoti, nuk mundet ta lakojë politikën e vjetër të marrëveshjeve “nëntokësore”. Tash po thonë se ishin 50 marrëveshje 1991-1999. Unë sa e di në arkiv kanë mbet më 2008, 12 marrëveshje. Tash mund të ngjajë se i kanë skajuar, por ato dokumente janë edhe gjetiu. Mjaft janë, por unë nuk do t’i botojë kurrë. Po nuk garantoj se nuk do t’i botojnë ata që sot janë studentë të Historisë, e nesër do të bëhet ndokush president i Kosovës. Ata po e mësojnë se argumentet shkencore janë të përjetshme, kur nuk infektohen nga politika destruktive. E pra çështja e demarkacionit është shumë më tepër çështje shkencore se nëse është “çështje politike”, problemet do të mbesin dhe ato prodhojnë gjithmonë kriza dhe luftëra. Ju, e keni krijuar një problem vetëm për triumfin e juaj momental dhe çka pastaj nuk keni llogaritur fare. Po e shikuar kështu demarkacioni na qenka politikë e juaj, destruktive, antishtetërore dhe antikombëtare. Si ta quaj shkenca ndryshe?

Shqiptarë, mjaft kemi falë toka, mjaft kemi derdhë gjak, mjaft kemi spiunuar për njëri-tjetrin. Të huajt ngadalë kanë filluar të mos na besojnë. Diktatin e tyre duhet vetë ta largojmë si mundësi. E largimi nuk mund të bëhet me politikanë servilë dhe që diktojnë diktatin. Ju them hapur, nuk u kalon diktati!

Kontrolloni gjithashtu

Agim Musliu dhe Gurakuç Kuçi: SKENARËT PAS BANJSKËS DHE LUFTA HIBRIDE RUSO-SERBE NË KOSOVË

Në përvjetorin e sulmit në Banjskë, qëllimet e këtij akti të dhunshëm rifreskohen me një …