Prof. Dr. Nusret Pllana: Radio-Kosova e Lirë dhe UÇK-ja

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kishte zërin e saj. Ishte Radio “Kosova e Lirë”. Ishin gjashtë muaj jete të kësaj radioje në luftë, por nuk ka kohë në botë që i mat këta gjashtë muaj me kohën reale që mbush ditët, javët, muajt. Sepse, gjashtë muaj të Radios “Kosova e Lirë” janë muajt më dramatik të Luftës Çlirimtare të UÇK-së, janë gjashtë muaj zëri i kësaj lufte i shpërndarë në eter, pra në hapësirën e Kosovës, së pari e pastaj kudo që ka mbërri ky zë, që ishte zëri i shpresës dhe i lavdisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas më shumë se 100 vjet robërie dhe pushtimi të më shumë së gjysmës së tokave shqiptare, në Kosovën e robëruar organizohet një ushtri, që lufton për çlirimin dhe lirinë e kësaj pjesë të gjeografisë kombëtare shqiptare. Vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për ta hetuar, edhe si përmasë historike, peshën e kësaj lufte për liri. Në këtë rrjedhë, vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për të vënë në peshoren e historisë zërin e Radios “Kosova e Lirë”, si zëri i luftës çlirimtare dhe si zëri i lirisë së Kosovës që po bëhej me secilën krismë pushke, me secilën rënie në altarin e lirisë të Dëshmorëve të Kombit, me secilën foshnje që lindte maleve të Kosovës. Kosova, përveç që kishte lindur Radion “Kosova e Lirë”, edhe në zjarrin e luftës për liri, edhe në krismën e pushkëve për çlirim, lindte edhe fëmijë që një ditë do të bëhen fëmijët e lirisë së Kosovës.

 Luftës çlirimtare i duhej një zë i ardhjes së lirisë

Më 28 nëntor të vitit 1997 del publikisht për herë të parë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Del në varrimin e Mësuesit Dëshmor, Halit Geci, jo vetëm për ta dhënë kumtin se Kosova tashti më kishte dalëzotësen e saj, ushtrinë e saj çlirimtare, por edhe për të bërë publike, ashtu siç bëhet publike çdo gjë e madhërishme, që bëhet për lirinë e një vendi, në mënyrë që globi, sërish pas njëqind vjetësh ta kuptonte se diku në një pjesë të tij, të këtij globi pra, një gjeografi e një atdheu të një populli, ishte copëtuar dhe ishte pushtuar padrejtësisht. Në atë kohë, pra në vitin 1997 shkruan ato pak gazeta që dilnin në Kosovën e robëruar, shkruan dhe folën ato pak televizione shqiptare që ishin, por lajmin e transmetuan edhe mjetet botërore të informacionit, e që ishte pozitive për kohën dhe rrethanat e asaj kohe. Mirëpo, kjo dalje publike e UÇK-së nuk e kishte zërin e saj, ende nuk ishte themeluar Radio “Kosova e Lirë”, e cila do të fliste me zërin e kësaj lufte, që ishte zëri i krismave të pushkëve të lirisë.

Prandaj, ky është ndryshimi në mes të asaj që shkruanin gazetat e asaj kohe dhe lajmit që transmetonin agjenci të ndryshme lajmesh, shqiptare apo të huaja, nga lajmi që do të transmetonte pak kohë më vonë Radio “Kosova e Lirë” përmes krismave të pushkëve të lirisë, që ishin krisma të luftëtarëve dhe luftëtareve të lirisë së Kosovës, pra ishin krisma të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë aspekt, nuk është aspak me rëndësi çka mund të kenë thënë dhe çka mund të thonë historianë dhe analistë të ndryshëm për ngjarjet e kohës së Luftës së UÇK-së, siç nuk është aspak me rëndësi se a përmenden të gjitha vendimet për krijimin e këtij zëri të lirisë së Kosovës, apo a përmenden ata që kanë punuar në ato detyra. Të gjithë, që nga themeluesit e agjencisë “Kosovapress” dhe Radios “Kosova e Lirë”, që nga shkruesit e teksteve për lajmet, që nga raportuesit nga vijat e fronteve, që nga folësit e deri te ata që përgatisnin teknikën e transmetimit, ishin ushtarë të lirisë. Vetëm ky fakt, i jep kuptim krejt tjetër nga kuptimi që kanë të gjithë transmetuesit radiofonik, gjatë gjithë kohës së robërisë së Kosovës, në njërin krahë, si dhe nga gjithë transmetuesit radiofonik të Kosovës së pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prandaj, zëri i Radios “Kosova e Lirë” ishte zëri i çlirimit dhe i lirisë së Kosovës dhe, që të dyja, edhe çlirimi edhe liria po krijoheshin nga një ushtri çlirimtare e kësaj pjese të robëruar të atdheut, që quhej Kosovë.

Zëri i Radios “Kosova e Lirë” ishte, prandaj, zëri i ardhje së lirisë së Kosovës. Këtë përmasë historike, askush, as koha e as historia, e të mos flasim për njerëzit e vdekshëm, nuk mund t’ia marrë Radios “Kosova e Lirë”.

Radio “Kosova e Lirë” ishte front i luftës çlirimtare të UÇK-së

Nuk është aspak me rëndësi të flitet dhe të tregohet sa ushtarë kishte Radio “Kosova e Lirë”. Po ashtu, nuk është aspak me rëndësi, sidomos për historinë e Luftës së UÇK-së, të thuhet e të shkruhet se kush ishin ata luftëtarë që gjenin kohë dhe mundësi të transmetonin lajmet nga të gjitha vijat e frontit të luftës në Kosovë. Por, është me rëndësi të dihet dhe të thuhet, se Radio “Kosova e Lirë” ishte front i luftës çlirimtare të UÇK-së, një nga ato fronte që sulmohej pamëshirshëm nga forcat e armikut. Për këtë fakt, do të ishte e mjaftueshme vetëm të përshkruheshin rrethanat, se si Radio “Kosova e Lirë” ishte e detyruar të zhvendosej nga një vend në tjetrin, deri edhe në bunkerët nëntokësorë, vetëm që të kishte mundësi të përhapte lajmin për frontet e luftës çlirimtare në Kosovë. Një ditë, kurdo që të jetë ajo ditë, kur do të krijohen muze lufte e muze për orë historie të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vizitorët do të mund të shohin edhe arsenalin e armëve që ka përdorur armiku, deri të avionët bombardues më 27 mars 1999, për zhdukjen e Radios “Kosova e Lirë”.

Për ndryshim nga mediat shqiptare dhe ato ndërkombëtare, mediat serbe, të cilat kanë shkruar dhe kanë komentuar gjerësisht për hapjen e mediave të luftës në Kosovë, janë të shumta, si Media Centar e Jedinstvo të Prishtinës, agjencia me nam të keq, Tanjug, gazetat Glas, Danas, Politika Ekspres, Veçernje novosti, Borba etj. “Politika Ekspres” në komentin e gjatë me titull “Terrorizmi medial rrezikon Serbinë“, pos tjerash shkruante: “Organizata terroriste, e cila veten e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka formuar atë çka njeriu nuk mund ta besojë, agjencinë “Kosovapress” dhe radion “Kosova e lirë“. Nga ana tjetër, e përditshmja tjetër beogradase, “Veçernje novosti”, spekulonte për vendndodhjen e këtyre mediave, duke precizuar se ato ishin të lokuara te Dragobili, afër Malishevës ose në Drenicë. Edhe politikajtë serbë, zyrtarët shtetërorë dhe parti serbe kanë reaguar ashpër, duke kërkuar nga pushteti serb që mediat e UÇK-së menjëherë të shkatërroheshin. Zh.Igiq, shef i Partisë Socialiste të Serbisë për “Kosovë e Metohi”, u ka deklaruar mediave serbe se “fillimi i këtyre mediumeve paraqet edhe një provokim të planifikuar ndaj Serbisë e Jugosllavisë dhe ndaj sistemit kushtetues të tyre”. E ashtuquajtura “Iniciativa Demokratike e serbëve të Kosovës e Metohisë” kërkonte nga organet shtetërore “t’i shkatërrojnë pamfletet dhe buletinet e UÇK-së“. Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Informimit të Serbisë ka shtuar: “Këto dy zëdhënëse nuk ekzistojnë në mënyrë ligjore, ato nuk janë të regjistruara në ministrinë përkatëse. Mund të ju them me përgjegjësi se Ministria e Informimit do t’i marrë të gjitha masat nga kompetencat e veta, në radhë të parë do të ngriten aktakuza në prokurorinë përkatëse”. Si rezultat i këtyre kërcënimeve, pasuan bombardimet. Dy aeroplanë jugosllavë, më 27 mars 1999, vetëm tri ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, hodhën tetë kasetë bomba(të ndaluara me konventa ndërkombëtare) dhe dy raketa, me ç’rast vritet djali i vetëm i familjes Berisha, Elbasan(Jakup) Berisha dhe plagosen dhjetra civilë të fshatit Berishë.

Janë pra gjashtë muaj jete dhe veprimtarie të Radios “Kosova e Lirë”, por siç u tha më sipër, as këta muaj, as kjo kohë nuk maten me përmasën e treguesve realë, të rrethanave normale, për të dëshmuar veprimtarinë e një institucioni siç ishte Radio “Kosova e Lirë”. Po, pra, Radio “Kosova e Lirë” ishte institucion i Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pse mund të thuhet kështu?

Mund të thuhet, qoftë edhe vetëm për faktin se përmes kësaj agjencie lajmesh, siç ishte “Kosovapress-i” dhe përmes zërit të kësaj radioje, siç ishte Radio “Kosova e Lirë”, shqiptarët dhe bota informoheshin për rrjedhën e luftimeve në të gjitha frontet e luftës së UÇK-së, informoheshin për të gjitha kontaktet kombëtare e ndërkombëtare që kishte UÇK-ja, informoheshin me të gjitha rëniet e Dëshmorëve të Kombit në vijat e frontit të luftës për çlirim dhe liri, informoheshin për të gjitha dhembjet e njerëzve, qoftë të atyre që jetonin me vite maleve të Kosovës, qoftë të atyre që siguronin ekzistencën fizike të tyre nga sulmet barbare të armikut të lirisë së Kosovës. Prandaj, kur flasim për këto fakte, nuk është shumë me rëndësi kush ishin ata ushtarë që e mbanin gjallë këtë radio, sepse që të gjithë ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, sepse që të gjithë ishin ushtarë të lirisë, sepse që të gjithë ishin pjesë e fronteve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfundim

Radio “Kosova e Lirë” bashkë me agjencinë “Kosovapress” është themeluar me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ky është vetëm fakti historik. Shtabi kishte një komandant fizik, ai që udhëhiqte operacionet e luftimeve. Por Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte edhe një Komandant shpirtëror, që ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari. Prandaj, luftëtarët e radios “Kosova e Lirë” ishin ushtarë të Adem Jasharit, të atij Komandanti që pas më shumë se një shekulli robërie të kësaj pjese të gjeografisë sonë kombëtare, kishte formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta çliruar këtë pjesë të atdheut dhe për ta bërë të lirë, ashtu siç e donin shqiptarët liridashës. Prandaj, luftëtarët e radios “Kosova e Lirë”, ishin ushtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe ishin luftëtarë të çlirimit dhe të ardhjes së lirisë së Kosovës. Vetëm ky fakt është i mjaftueshëm për ta kuptuar përmasën e peshës historike të këtij institucioni të lirisë së Kosovës, në vitet më të lavdishme të historisë së Kosovës, në vitet e Luftës së ushtrisë Çlirimtare të saj. Prishtinë, më 4 janar 2014

Kontrolloni gjithashtu

Dëshmorët e rënë prej 27 mars deri më 2 maj të vitit 1999 në mbrojtje të pozicioneve nga ku emetonte RKL

Në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës, të SHP të UÇK-së të instititucioneve informative të luftës …