Sabit SYLA

Prof. dr. Sabit Syla: DISA DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NGA ARKIVI I MINISTRISË PËR EVROPËN DHE PUNË TË JASHTME DHE MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË SHQIPËRISË – IX

Pjesa e nëntë

 

 

-31-

 

Ministria e Punëve të Jashtme                                   Tepër sekret

Legata e RP të Shqipërisë

Ankara, më 20/XII/1965

Nr.60

Ministrisë së Punëve të Jashtme

(Degës së Dytë)

Tiranë

Mbi procesin e asimilimit, vëmendja e zbulimeve armike dhe e krerëve të emigracionit reaksionar në drejtim të emigracionit kosovar në Turqi

Duke marrë parasysh se procesi i asimilimit të shqiptarëve të ardhur nga Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dhe viseve shqiptare në Maqedoni, nuk po shkon me ritme të kënaqshme për turqit dhe sidomos për jugosllavët, si edhe qëndrimi i një mase kaq të madhe nga vendet e sipërme këtu, ka ngjallur një interesim të zbulimeve armike të cilët në bashkëpunim me krerët e emigracionit tradhtar po shtojnë gjithnjë e më shumë interesimin e tyre, për të tërhequr këtë masë njerëzish, për ta pasur në duart e tyre me qëllim që në momente të caktuara ta përdorin kundër vendit tonë. Në këto rrethana gjatë vitit 1965, nga ana e përfaqësive, vëmendja kryesore i është kushtuar studimit të disa nga aspektet e jetës së emigracionit kosovar për t’i bërë një vlerësim sa më objektiv procesit të asimilimit dhe interesimit të armiqve në drejtim të tyre. Nga sa më sipër, rezulton se vëmendja kryesore duhet t’i kushtohet këtyre kategorive të emigruarish nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e viseve shqiptare në Maqedoni: 1) Kategoria e të emigruarve në vitet 1952 e këtej, të cilët sipas dhënave të vet autoriteteve turke, arrijnë në 350 000 frymë. Këto emigrime siç dihet janë bërë si rezultat i persekutimeve të titistve dhe i përsëritjes të marrëveshjes së Qeverise turke me atë të Pashiqit në vitin 1936. 2) Kategoria e të emigruarve në vitet 1936 e deri më 1940, që arrin në 280 000 frymë në bazë të marrëveshjes së para luftës në mes Pashiqit e Qeverisë turke. 3) Kategoria e kosovarëve që luftuan në radhët e luftërave nga viti 1941-1944 për të mbrojtur Kosovën, kundër çetnikëve e partizanëve jugosllavë dhe që pas çlirimit u arratisen e nëpërmjet Greqisë emigruan në Turqi, numri i të cilëve arrijnë në rreth 250 vetë.

Procesi i asimilimit

Qeveria turke synon që masa shqiptare e cila ka emigruar në territorin e saj, të asimilohet në një kohë relativisht sa më të shkurtër. Por siç do të shihet, kjo nuk ecën me ritmin e dëshiruar. Faktorët ndikojnë që asimilimi shkon jo me ritme të dëshirueshme, janë: 1) Ekzistenca e RP të Shqipërisë me një prestigj e popullaritet kaq të madh në arenën ndërkombëtare si asnjëherë tjetër, ka ekzistuar dhe ekziston ndjenja patriotike të atdhedashurisë për kombin e tyre. Po kështu, ka influencuar edhe puna e gjerë propagandistike me mjetet e saja si edhe puna e përfaqësisë tonë këtu. 2) Gjendja e keqe ekonomike dhe papunësia e madhe në Turqi është një faktor tjetër, që shumica e shqiptarëve e ndjejnë vetën të pastabilizuar, me qëndrim të përkohshëm dhe me shpresa se një ditë do të rikthehen në vendin e lindjes së tyre nga ku kanë ardhur. E gjithë kjo vjen jo vetëm nga dëshira për vendlindjen, por edhe nga shqetësimi që ata kanë, kur shikojnë rrezikun e asimilimit e sidomos të fëmijëve. Në masë janë njerëzit nga këta që dëshirojnë të largohen nga Turqia. Dëshira e tyre kryesore është që ata të emigrojnë në RPSH, por shpresat tani i kanë shumë të kufizuara për faktin se tentativat e një pjese që morën shtetësinë shqiptare, nuk munden të vijnë në vendin tonë, nga pengesat administrative-financiare të ligjeve për të dalë nga Turqia. Në kuadrin e fuqisë punëtore që shkonte në Gjermaninë Perëndimore e në Belgjikë, kanë shkuar e shkojnë edhe shumë kosovarë të cilët në fillim emigrojnë vetë e pastaj gradualisht tërheqin edhe familjet e tyre, p.sh. në Belgjikë deri tani rezulton se kanë emigruar rreth 600 familje, shumica dërmuese e të cilëve kanë shkuar nga Turqia. 3) Martesat i bëjnë kryesisht në mes tyre edhe po thuaj në përgjithësi sipas krahinave. Martesat me vendasit behën shumë rrallë. Shumica e shqiptarëve tek vendasit kufizohen të japin vajzat, sepse kanë frikë në qëndrimin e tyre, shumica e të cilëve si të shthurur që janë nga ana morale dhe ta pakarakter, kanë frikë se ua diversojnë. Kjo psikozë tek masa shqiptare është krijuar si rezultat i sjelljeve të padenja të shumë vendësve që kanë marrë tek shqiptarët. Veç kësaj, futjen e turkut në shtëpi shumë e konsiderojnë të papërshtatshme me mënyrën tonë të jetesës. Në mase janë shqiptarët e emigruar nga vendi i jonë para ose pas luftës ballkanike edhe akoma japin e marrin në mes tyre, duke bërë gjithçka për të mos u përzier me vendasit. 4) Midis masës shqiptare të emigruar, ka pasur shumë nga ata që duke konfunduar bindjet fetare me kombësinë, kanë emigruar në Turqi. Pas ardhjes këtu, kanë krahasuar vetën e tyre me banorët vendës, duke kuptuar realitetin u janë ngjallur akoma më shumë ndjenjat e dashurisë kombëtare. Tek elementi fetar ka influencuar edhe dekompozimi fetar e sidomos korrupsioni nga ana morale e femrës turke, kjo sidomos në qytetet e mëdha. 5) Këtu duke ruajtur prejardhjen e tyre, janë stabilizuar në qytete, rajone e lagje të veçanta në grupe sipas krahinave që kanë ardhur. Shumica dërmuese janë stabilizuar në Stamboll, Izmir, Ankara, Bursa dhe Adapazar. Vetëm në lagjet “Samarxhillar” e “Tashlitarlla”, ka 150 000 frymë, ku ruajnë jo vetëm zakonet shqiptare, por edhe të krahinave të tyre. P.sh. prizrenasit, prishtinasit, tetovarët e tjerë, rrinë me njeri-tjetrin. Ka fshatra në Bafra, Samsun, Bursa, Izmir etj., që kanë ardhur 50 vjet më parë, e flasin vetëm shqip. Për faktin se nuk dijen turqisht, Zejnel Ozjashar ka përkthyer pjesë fetare në gjuhën shqipe e të shkruara në alfabetin turk dhe ju ka dërguar për t’i kënaqur. 6) Një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe luajnë grupet kulturore (orkestra e valltarëve popullorë) “Zafer” në bursa dhe i shoqatës “Vllazëria Turko-Shqiptare” në Stamboll, me shfaqjet e tyre, me gjithë se të kufizuara, por ato ndikojnë në mbajtjen dhe zhvillimin e ndjenjave të atdhedashurisë. Gjithashtu, përveç faktorëve të sipërm ka edhe të tjerë që influencojnë. Fakti se personalitetet kryesore të Stambollit disa muaj para zgjedhjeve kanë marrë në shqyrtim dhe kanë pranuar në mes tyre se në dy lagjet (“Samarxhillar” e “Tashlitarlla”) ka më se 150 000 shqiptarë dhe e kanë konsideruar të drejtë vënien e një deputeti shqiptar për të përfaqësuar shqiptarët e dy mëhallëve, me gjithë se kjo nuk u bë, por kjo dëshmon se procesi i asimilimit të shqiptarëve është një proces i ngadalshëm qe edhe vetë autoritetet turke detyrohen ta pranojnë. Tendenca e shqiptarëve ka qenë dhe është që në një ditë të favorshme për ata, të riatdhesohen në vendlindjen e tyre. Kjo argumentohet edhe me faktin se kur u “bashkua” Kosova me Shqipërinë gjatë okupacionit fashist, kemi të dhëna se Konsullatës italiane në Stamboll iu paraqiten 3 600 lutje, numri i të cilave gjithnjë rritej, të cilët kërkonin të riatdhesoheshin nga Turqia në Kosovë, me gjithë se autoritet fashiste italiane në fillim lejuan disa familje kosovarësh të ktheheshin, por më vonë duke pasur për qëllim asimilimin e vet popullit shqiptar, ata e pezulluan riatdhesimin e kosovarëve.

Cilët preokupohen për asimilimin e shqiptarëve në Turqi:

  1. a) Procesi i asimilimit është në interes të Qeveris turke për faktin se shqiptaret janë njerëz me cilësi të mirë dhe të zotë për çdo punë. Autoritetet turke asimilimin e shqiptarëve në kombin turk e shikojnë si difuzion gjaku në trupin e një njeriu të sëmurë. Ushtarakët turq thonë se ushtari më i mirë në ushtrinë turke, është shqiptari. Për shpejtimin e këtij procesi, organet qeveritare turke nuk bëjnë ndonjë veprim të veçantë, për këtë problem ata kanë nënshtruar proceset e kohës. Politika asimiluese e këtyre drejtohet kryesisht tek të rinjtë nëpërmjet arsimit dhe në këtë drejtim kanë rezultate të mira. b) Për procesin e asimilimit të shqiptarëve, në mënyrë të veçantë janë të preokupuar revizionistët jugosllavë. Fakti që ky proces nuk po shkon sipas dëshirës së tyre, jo vetëm që i shqetëson, por edhe i ka preokupuar gjatë viteve të fundit e sidomos gjatë viteve 1964-1965. Pikërisht për të studiuar këtë fenomen, duhet t’i shërbejë, dërgimi i një numri kuadrosh të aparatit shtetëror “shqiptar” e sllav, duke u shtuar edhe një numër të madh agjentësh të kualifikuar, të cilët vijnë e marrin kontakt me masën shqiptare. Këta studiojnë mënyrën e stabilizimit, reagimet politike, gjendjen ekonomike, veprimet tona e tjera. Ata po marrin kontakt me ish-kuadrot të cilët u goditen si rezultat i hezitimit të tyre në pragun ose në vitet e çlirimit e sidomos me daljen e Rezolucionit të Informbyrosë, për moszgjidhjen e çështjes nacionale, të cilët si rezultat i ndjekjeve dhe persekutimeve të organeve të UDB-së, u detyruan të marrin rrugën e emigrimit në Turqi. Vetëm gjatë vitit 1965, këtu në Turqi kanë ardhur këta funksionarë titistë. Personave ish-kuadro e të emigruar në Turqi i kanë takuar me qëllim afrimi dhe u kanë bërë thirrje të kthehen në Kosovë, duke u premtuar edhe dekoratën e vitit 1941, e cila ka privilegje të veçanta në Jugosllavi. Për mendimin tonë, të gjitha këto jugosllavët i bëjnë për këto qëllime: a) Synojnë që një pjesë në këta ish-kuadro që i afrohen, t’i kthejnë përsëri në Jugosllavi. Me këtë ata: Tërheqin persona të njohur deri tani në masën kosovare këtu si antititiste, gjë që influencon tek të tjerët për zbutjen e armiqësisë me jugosllavët. Eviton propagandën jugosllave të këtyre dhe masa dekurajohet. Ulet ritmi i propagandës patriotike gjë që ndihmon procesin e asimilimit. b) Kur këta kthehen në Kosovë, u japin funksione shtetërore duke siguruar një shfrytëzim edhe më të mirë në interes jugosllav. Shtojnë grafikun e kuadrove shqiptarë pjesëmarrës të LNÇ-së. Bëjnë komprometimin e mëtejshëm të tyre. Në këtë mënyrë jugosllavët kërkojnë të vënë në zbatim programin e tyre, sipas të cilit siç flitet në radhët e kosovarëve të cilët arrijnë të luftojnë kundër RPSH, sikurse Republika Demokratike Gjermane që e ka bërë Rusia të luftoje kundër Gjermanisë Perëndimore. Për kthimin e disa nga këto kategori njerëzish sekretari i parë i Ambasadës jugosllave në Turqi, Spasoje Tuniçi, u ka propozuar hapur.

Fakti se kjo masë e madhe shqiptarësh në Turqi nuk po asimilohet, jugosllavët po tregojnë shqetësimin e tyre se kanë frikë nga kjo rezervë e madhe njerëzish, të cilët kanë dhe ushqejnë një urrejtje e zemërim të pakufishëm e në një situatë oportune mund të përdoren kundër tyre. Pikërisht këtij qëllimi duhet t’i shërbejë puna intensive, që ata bëjnë pas shpalljes së amnistisë për të arratisurit politikë kosovarë për t’i kthye në Jugosllavi. Puna e tyre në radhë të parë drejtohet tek krerët e të arratisurve, të cilëve disa herë me radhë u kanë dërguar kundër agjentëve te ndryshëm për t’i afruar e influencuar tek ata, duke u bërë thirrje e premtime për privilegjet që do të kenë po të kthehen në Jugosllavi. Këto tentativa të UDB-së nuk kanë për qëllim vetëm për t’i “afruar” e për t’i “kthyer” në Jugosllavi, por më shumë për t’i kompromentuar para masës kosovare në Turqi e Kosovë, u dërgojnë edhe pjesëtarët e familjeve të tyre nga Jugosllavia si vizitore, ose emigrojnë për fare gjë që më parë nuk ndodhte. Me këtë ata po zhveshin nga çdo influencë, e po i diskreditojnë. Synimet e zbulimeve armike për shfrytëzimin e emigracionit shqiptar kundër RP të Shqipërisë.

            Synimet e të huajve për të shfrytëzuar kontingjentin e shqiptarëve në situata oportune për qëllimet e veta, kanë ekzistuar që gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës italo-greke, zbulimi anglez dhe grek tentuan që në radhët e kosovarëve të ardhur në vitet 1934-1941, si edhe të emigracionit ekonomik të mobilizojnë forca e të krijojnë reparte ushtarake shqiptare të cilët t’i inkuadrojnë në ushtrinë greke, që t’i fusnin në luftë kundër Italisë fashiste. Në vitet 1963/64 në marrëveshjet me zbulimet imperialiste, grupi tradhtar i legalitetit, nëpërmjet kriminelit Hysen Prishtina, shtron problemin e studimit se çfarë sasie kosovarësh mund të mobilizohen në raste nevoje, për t’i përdorë kundër Republikës Popullore të Shqipërisë.

Ardhja e Abaz Ermenit në verë të këtij viti, i cili qëndroi afro tre muaj në Turqi, tentativat e tija për të organizuar elementin kosovar i shërben këtij qëllimi. Ai dështoi edhe për arsyen se shtron problemin e përmbysjes së pushtetit popullor në Shqipëri, e pastaj çlirimin e Kosovës, gjë që nuk kënaqshin dëshirat as të elementëve kosovarë duke përfshirë edhe ata me tendenca të theksuara reaksionare. Interesimi i veçantë që tregoi zbulimi i SHBA-së në drejtim të emigracionit kosovar nëpërmjet organizatave “bamirëse” që ndodhen në Perëndim, e sidomos në Turqi, po ndiqet nga ana e jonë me interesim, për arsye se: a) Zbulimet imperialiste e kanë në sy dhe tregojnë një kujdes të veçantë për kontingjentin e madh të shqiptarëve të emigruar me prejardhje të ndryshme si edhe të arratisurit nga Kosova, Rrafshi i Dukagjinit e viset shqiptare në Maqedoni. b) Qeverisja e SHBA-së për pozitën e saj në Turqi, ndikon dhe mund të ndikojë edhe në të ardhmen, të cilët në moment që eventualisht u intereson, në forma të maskuara në individë, ose në masë mund të tërheqin shqiptarë për t’i përdorë për veprimtari armiqësore kundër vendi tonë. c) Të maskuar në një shoqëri ndërtimesh në Stamboll, zbulimi amerikan ka sjellë nga SHBA-ja disa kuadro dhe dy agjentë të arratisur, të armiqësuar me pushtetin tonë. Njeri nga këta është kosovar e tjetri ortodoks, nip i patrikut, të cilët punojnë njeri, në drejtim të kosovarëve, ndërsa tjetri në drejtim të ortodoksëve shqiptarë. Është vërtetuar se këta kanë lidhje edhe me organet e Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurimit të Turqisë. ç) Gjendja e keqe ekonomike dhe në mënyrë të veçantë e kosovarëve, ekziston baza që në situata oportune të tentojnë për të mobilizuar mercenarë, për t’i inkuadruar në reparte për t’i përdorë në rrugë të ndryshme kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Duke pasur parasysh faktet e përshkruara më sipër, neve si Përfaqësi, problemi i emigracionit kosovar na ka preokupuar dhe po na preokupon. Për të mundur që të ndikojmë edhe më tepër, duhet të bëhet një punë e gjithanshme me qëllim që: a) Të mos lejojmë në këtë masë njerëzish të influencojnë imperialistët dhe qeveritë reaksionare të vendeve fqinje, për t’i përdor në çdo situatë kundër RPSH. b) Të punohet në mënyrë të gjithanshme që emigracioni në Turqi ta ruajmë nga armiqtë dhe ta bëjmë një forcë mbështetëse të RPSH-së. c) Të punojmë për ta shndërruar nga një forcë mbështetëse e RPSH-së, në një forcë rezervë, që të përdoret në interes të mbrojtjes së Republikës Popullore të Shqipërisë. Për t’ia arritur këtyre objektivave, duhet: 1) Të bëhet një punë më intensive nga ana propagandistike, duke përcaktuar forma dhe programe me rezultative me anë të Radio Tiranës, siç bëhet për shqiptarët e SHBA-së. 2) Të bëhet një punë më masive nga ana e jonë në drejtim të personave kryesorë. 3) Të organizohet më mirë shërbimi turistik, i vizitorëve të ndryshëm e sidomos nga vendi jonë, të vijnë kuadro të afta për të propaganduar për vendin tonë. 4) Pjesëmarrja në çdo aksion, sportiv-folkloristik, pjesëmarrja në panairin e Izmirit, ku do të demonstrohen përparimet tona dhe t’u japim mundësi dhjetëra mijërave spektatorëve shqiptarë për të parë përparimet tona.

Të gjitha këto aksione në masën shqiptare, jo vetëm që ndikojnë për të penguar asimilimin, por edhe ngritjen dhe do të ngrijnë akoma më shumë ndjenjat patriotike të shqiptarëve të cilët do të lidhen akoma më shumë me Qeverinë e RPSH-së.

Ministri

(Beqir Isufi)

-32-

 

Relacion mbi zhvillimin e arsimit në krahinën e Kosovës e Metohisë

Në këtë relacion do të trajtojmë zhvillimin e arsimit në Republikën e Serbisë e në veçanti në Kosovë e Metohi. Zhvillimi i arsimit në Jugosllavinë titiste është lënë mbas dore edhe në veçanti në rajonet e populluara nga shqiptarët. Pra, socializmi nuk mundet të ndërtohet me analfabetë si po pretendojnë revizionistët. Problemit të analfabetizmit dhe në përgjithësi zhvillimit të arsimit nuk i është kushtuar kujdes i duhur, ai në vend që të pakësohet, po vjen duke u shtuar nga viti në vit, lindin analfabetë të rinj. Shumë shkolla janë mbyllur, e kjo bëhet me pretekstin e mungesës së kuadrove të arsimit, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë prej tyre pushohen si armiq, nacionalistë të pakualifikuar, një pjesë tjetër nga kushtet e vështira si rezultat i rrogës shumë të vogël. Lokalet e shkollave janë shumë të këqija, rritja e ndërtesave të lokaleve të shkollave nuk bëhet krahas me rritjen e numrit të nxënësve, mjetet e mësimit janë shumë të vogla. Me e keqja është se një pjesë e ndërtimit të shkollave u pezulluan. Të gjitha këto janë si rezultat i sistemit jugosllav dhe të një plani të caktuar për të lënë popullsinë shqiptare në veçanti në errësirë dhe në prapambetje.

            Në vitin shkollor të vitit 1963-1964, mbas pritjes dymuajshe të mësuesve e arsimtarëve që nuk u paraqiten në bazë të konkurseve të përsëritura disa herë në viset jugore të Serbisë dhe madje në Jablanicë, Kasanicë, rrethin e Sverligës, një pjesë të Sanxhakut, Zhaplanj dhe Timocka, Kraqina u mbyllen afër 100 shkolla, të cilat ndiqeshin mesatarisht nga 30-50 nxënës. Vetëm në rrethin e Leskovcit mungojnë 700 mësues e mësimdhënës, vendet e tjera u plotësuan me kuadro të pakualifikuara. Ka raste që shumë arsimtarë largohen nga puna si rezultat i rrogës së vogël, ose të mostrajtimit të mirë të tyre. Ose rasti tjetër sipas gazetës “Rilindja”, 03. XI. 1964, shkruhet nga 3 929 vende të hapura për punë, në shkolla të ndryshme mbeten pa u plotësuar 17.8%, kurse 41.2% u plotësuan pa shkolla përkatëse, për shkak të mungesës së kuadrit në vitin shkollor 1964, nuk filluan punën 70 shkolla fillore të cilat nuk kanë minimumin e kuadrit profesional, deficitar janë fizika, kimia, biologjia dhe vetëm mësimdhënës të matematikës nëpër shkollat fillore mungojnë 1 359, kurse nëpër shkollat e shkalles së dytë, 283. Lidhur me mungesën e kuadrit arsimor, Xh. Shiroka, në pragun e Kongresit VI të LSPP të Serbisë, botoi pjesë të raportit, ai shkruante: “Lidhur me kuadrot arsimorë për vitin 1965-1966, po ndihet ende mungesa e kuadrit të kualifikuar vetëm nëpër shkollat e shkallës së dytë mungojnë 3 000 mësimdhënës, kurse prej tyre që japin mësim tash 33% nuk kanë ende kualifikimet e nevojshme”.

Gjendja e shkollave

Sipas shënimeve republikane, deri më 30 shtator 1964, ishin 286 shkolla fillore në ndërtim e sipër, 78 u ndërpre ndërtimi, kurse prej 56 shkollave të shkallës së dytë, në 11 është ndërpre ndërtimi. Shkollat gjenden kryesisht në vendet e pazhvilluara të republikës. Gjendja është më e vështirë për lokalet e shkollave të shkallës së dytë, për zgjerimin e kapaciteteve të tyre, ishte parapa 23 mijë vende të tjera për nxënës, por deri në fund të qershorit të atij viti u hapen 527 vende, domethënë 17 773 më pak se sa ishte parapa. Si rezultat i një pune të tillë numri i analfabetëve po shtohet nga viti në vit për arsye se shkollat nuk përfshijnë të gjithë fëmijët, siç pohohet nga vetë dhoma arsimore e Serbisë në mbledhjen e saj të 11 marsit 1965, e cila shqyrtoi problemin e arsimit, atje doli se numri i analfabetëve në Serbi po shtohet prej 29.7% në vitin 1953, në 29.9% në vitin 1963.

            Sipas mendimit tonë, këto shifra nuk pasqyrojnë realitetin. Nga shtypi del se në vitin 1964 në Jugosllavi, është më se 3 milionë analfabetë aq sa tash ka nxënës në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Sipas gazetës “Rilindja”, 15.IX.1964, gjendja e analfabetëve paraqitet si më poshtë: Bosnjë-Hercegovina ka 56% analfabetë të popullsisë, Maqedonia 30%, Mali i Zi 30%, Serbia 28%. Gazeta “Politika”, e datës, 26.03.1965, faqe 11, për këtë problem, shkruan: “Të dhënat tregojnë se prej moshës 10 deri 65 vjeç të banorëve, në vitin 1961 kanë qenë analfabetë 19.75%, në ekonomi dhe sektorë të tjerë pune ka afro 500 000 gjysmanalfabetë, ku numri i grave analfabete diku është dy dhe tri herë më i madh se i meshkujve. Analizat e reja, shkruan gazeta, tregojnë se nuk po pakësohet numri i analfabetëve në vitet e fundit. Në çdo vit shtohet numri i 70 000 analfabetëve të rinj, afro 50 000 fëmijë nuk përfshihen në shkolla”. Një pengesë tjetër dhe serioze për mosvazhdimin e shkollave nga ana e fëmijëve është edhe gjendja ekonomike shumë e vështirë, e cila detyron fëmijët të mos shkojnë në shkolla, e librat shumë të shtrenjta etj. “Rilindja”, datë 17. XI. 1965, shkruan: “Sipas shënimeve të Entit Federativ, tregon se standardi i familjeve të punëtorëve po zbret krahas me shtimin e fëmijëve. Nga shpenzimet në ente për fëmijë, ka shkaktuar largimin e fëmijëve punëtorë në Jugosllavi, 28.8% e fëmijëve mbesin pa e kryer shkollën tetëvjeçare”. Për mos kujdesin e përhapjes së arsimit në masë tregojnë edhe të dhënat e mëposhtme: Pranë shkollave në vitin 1964, kanë qenë 5 833 kuzhina te fëmijëve më pak se para 4 vjetëve, kurse numri i shfrytëzuesve të tyre është pakësuar për 1 milion. Afro 40 mijë djem e vajza nuk kanë mundur të përfshihen në arsim profesional të mëtejshëm. Të dhënat e sipërme tregojnë qartë politikën e revizionistëve jugosllavë në lëmin e arsimit.

                                    Mbi zhvillimin e arsimit në Kosovë e Metohi

            Krahina e Kosovës e Metohisë është vendi më i prapambetur në të gjitha aspektet e jetës. Standardi jetësor është shumë i ulët. Atje po vazhdon diferencimi i klasave, mbretëron padituria dhe errësira, ku të gjitha këto, revizionistët jugosllavë i kanë lënë me qëllim të caktuar. Edhe pas një periudhe kaq të gjatë, prapambetjen e kësaj krahine revizionistët jugosllavë e justifikojnë si rezultat të mungesës së kuadrit etj. Në këtë relacion do të përqendrohemi: 1. Gjendja e shkollave, mjetet mësimore dhe internatet; 2. Përfshirja e fëmijëve në shkolla dhe bursat; 3. Kuadri arsimor; 4. Analfabetizmi. Më poshtë po japim shpjegime veçmas për çdo çështje.

  1. Si paraqitet gjendja e shkollave, mjetet mësimore

Konkluzioni i përgjithshëm është se lokalet e shkollave për vendosjen e fëmijëve janë të pamjaftueshme. Përfshirja e nxënësve në klasë të parë dhe të dytë etj., është problem. Ka mungesë të lokaleve dhe të mosvijimit dhe kanë krijuar paralele të kombinuara me katër klasë e që jepen mësime në të njëjtën orë ose klasë. Numri i shkollave nuk është rritur. Krahas me shtimin e numrit të nxënësve, nuk i shtuan proporcionalisht edhe mjetet financiare për të siguruar lokalet e shkollave. Kjo shpjegohet edhe sipas të dhënave të mëposhtme. Nxënësve të shkollave fillore të Krahinës, u takojnë sot 0.66% m2 lokal, ndërsa normativa në fuqi është të sigurohet 2m2, por me e keqja është se një sërë godinash shkollore janë vjetërsuar e s’janë më të përshtateshe për zhvillimin e mësimeve. Edhe shkollat e mesme nuk janë të mjaftueshme, ato punojnë në tri turne, në shkolla të ndryshme. Pajisjet e shkollave në përgjithësi janë shumë keq. Mungojnë mjetet mësimore, ku si rezultat i këtyre, nxënësit në përgjithësi dalin shume keq, sepse në mungesë të lokalit fëmijët nuk janë përfshi të gjithë në shkolla, gjë e cila ndikon në rritjen e numrit te analfabetëve.

            Asnjë kujdes nuk ka nga shteti për të ndërtuar shkolla, por edhe ato që kishin filluar për ndërtim u pezulluan. Mësimet për shkak të lokalit zhvillohen në kondita shumë të vështira, në shtëpia private dhe ndërtesa shumë të vjetra. Në komunën e Pejës, shkolla fillore e Treboviqit punon në kushte të vështira, në një shtëpi të ndërtuar për nevojat e këshillit, dhomat e saj janë ndërtuar për 4 nëpunës, ku në to mësojnë 50 nxënës e rralle ndodh që nxënësit kur dalin për pushim të mos rrezikohen. Plafoni i saj ka rënë në orën e mësimit. Shumë nxënës janë përgjakur, sepse ndërtesa është shumë e vjetërsuar. Kuadri arsimor asnjëherë nuk është stabilizuar e të qëndrojë gjatë e në këto rrethana japin dorëheqje.

            Pranë shkollës amë në shtëpinë private të Avdo Sharanoviqit, mësojnë dy paralele para dhe pasdite. Ajo ndërtesë gjysma është shkollë dhe gjysma shtëpi private, ku banon pronari. Po qe se zemërohet Avdoja, i përzënë prej shtëpisë edhe nxënësit e mësuesit ku mësojnë dy paralele. Për shkak të lokalit nuk janë përfshi 30 nxënës. Ky problem ka katër vjet dhe nuk është bërë gjë, 7 katunde luten kot kjo nuk zgjidhet. Në Ferizaj shkollat e mesme për mungesë lokali nuk përfshijnë as 300 nxënës. Sipas deklaratës së Sherafedin Sulejmanit, në Prishtinë për mungesë lokali një numër i mirë i filloristëve mbeten pa u regjistruar në shkollat e mesme. Në Podujevë lokalet e shkollave janë të pamjaftueshme, në shkollën fillore “Gjuro Gojkoviqi”, ku mësojnë 55 nxënës në një paralele. Vetëm në vitin 1964, në Prishtinë nuk u përfshinë 556 fëmijë në shkolla. Në komunën e Gjilanit ka mungesa për mjete të konkretizimit harta të ndryshme etj. Në shkollën “Emin Duraku”, të Gjelekares, disa paralele të shkollës amë kanë mësuar në shtëpi private, këtë vit janë grumbulluar në dy ndërtesa të vjetra pa kurrfarë kushte për zhvillimin e mësimeve, arsimtarëve nuk u paguhet rroga në rregull me muaj të tërë, honorarët ka një vit që nuk u është paguar shpërblimi që u takon. Mungesa për lokale të shkollave në Gjilan, është problem i pazgjidhshëm për ndërtimin e shkollës në Gjilan zgjat më shumë se tre-katër vjet. Ose rasti i 20 arsimtarëve të shkollës së Parteshit udhëtojnë çdo ditë 20 e më shumë kilometra. Raste të tilla ka edhe në shumë shkolla të tjera, këto janë probleme për vitin 1966. Në Orllan në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, nxënësit udhëtojnë nga 25 kilometra.

            Në komunën e Vuçitërnës, vetëm për vitin 1965-1966, gati në të gjitha shkollat mungojnë lokalet në Smrekonicë te Vuçitërnës, për afër 2 000 nxënës ose shkolla fillore në Llugdunica e Novosellë, e për shkak të lokalit shkollor nuk u përfshin të gjithë nxënësit. Në Gllavotinë mungon lokali shkollor për katër paralele, në Prilluzhë mungon lokali për 6 paralele kështu qëndron puna në Vermicë, Skromë, Gojbule, Samadrexhë e disa katunde tjera, ose mbyllja e shkollave në Sanxhak që përmendem më sipër, si dhe pezullimi i ndërtimeve të shkollave.

Si paraqitet gjendja në internate? Gjendja është shumë e vështirë, për mungesë të lokaleve dhe për shkak të çmimeve. Në Pejë afër 30% e kapaciteteve kanë mbet pa u plotësuar, në vitin 1963 internati i shkollës bujqësore u shfrytëzua 50%. Në Gjakovë internati ka 110 shtretër. Shumë nxënës janë të strehuar në banesa private. Internati i vetëm në Prizren i shkollës pedagogjike ka 200 shtretër, ndërsa 200 të tjerë kërkojnë strehim në banesa private. Mitrovica ka dy internate me 400 shtretër. Me gjithë numrin e pakët të shtretërve ato nuk janë plotësuar dhe që këtu del se çmimet janë shumë të larta nga 9 deri 13 800. Prishtina ka tri internate me kapacitet prej 500 shtretërve, ku në atë bujqësorin kanë mbetur afër 40 shtretër të paplotësuar, dhe e njëjta gjë është edhe në Gjilan. Kuvendet paguajnë vetëm rrogat e drejtorëve e edukatorëve, kurse personeli tjetër paguhet prej të hollave të nxënësve.

  1. Përfshirja e fëmijëve në shkolla dhe bursa

            Përfshirja e fëmijëve në shkolla në Krahinën e Kosovës e Metohisë ka pasur njëfarë rritje dhe përsëri është në rënie, p.sh. në vitin 1958/59 shkollat fillore i ndoqën 15 589 nxënës, kurse në vitin shkollor 1964/65 i vazhduan shkollat 49 315 nxënës, ndërsa në 45 shkolla të mesme sa ka Krahina u përfshin 24 mijë nxënës. Në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të Krahinës, del se ka pas 47 shkolla të shkallës së dytë, por janë përfshi 23 407 nxënës, 30% të gjeneratës prej moshës 16-19 vjeç. Në shkollat e mesme në vitin 1965, kanë vazhduar shkollën 593 nxënës më pak se në vitin 1964. Në vend që të shtohet numri që është në pajtim me nevojat ekonomike të Krahinës për punëtorë të kualifikuar, po zvogëlohen, p.sh në vitin 1960-1961, kanë punuar 25 shkolla të shkallës së dytë për kualifikime të punëtorëve në vitin 1965, punuan 13 ose 12 më pak. Po zvogëlohet sidomos numri i shkollave me mësim praktik në vitin 1960-1961 punuan 16 kurse në vitin 1965, 3 ose 13 më pak.

Sali Zatriqi, në diskutimin e tij në Kuvendin Krahinor, tha se gjatë vitit 1965 mbeten jashtë shkollave nja 2 000 fëmijë, te moshës shkollore (kjo shifër siç besohet është vetëm për komunën e Podujevës), ai tha se mospërfshirja e nxënësve në shkolla është vetëm një pakujdesi e vet komunave, e nuk po mbyllin burimin e analfabetizmit. Shkapërderdhja e nxënësve gjatë vijimit të shkollave në Krahinë është e madhe tha ai, p.sh. nga 34 252 nxënës të regjistruar në klasa të para në vitin 1957/58, në vitin 1965 kryen klasën tetëvjeçare vetëm 11 476 nxënës, ose 22 776 më pak se sa ishin regjistruar në klasën fillore. Në Krahinën e Kosovës e Metohisë përfshirja maksimale e fëmijëve nëpër shkolla në vitin 1965, ishte 76.14%. Problemi i përfshirjes së fëmijëve në shkolla është preokupues. Kjo vazhdon prej një kohe të gjatë, ku çdo vit po lindin analfabetë të rinj dhe e gjithë kjo e ka burimin në politikën shoviniste të revizionistëve. Në politikën e tyre tradhtare ndaj popullit e që e kanë lënë mbas dore ndërtimin e shkollave, kuadrin arsimor, mungojnë ndihmat, lufta për të futur dashurinë për arsimin në masat mungon, lufta kundër mbeturinave të borgjezisë mungon, për të gjitha problemet revizionistët as që preokupohen dhe ketë e vërtetojnë vetë faktet e sipërme. Ja këtu më poshtë po japim disa shembuj veçmas për çdo komunë dhe që nxjerr në shesh “kujdesi” për pajisjen në arsim të popullsisë. Sipas të dhënave nga vetë mbledhja e Kuvendit Krahinor, del: në komunën e Istogut në vitin shkollor 1965 mbi 2% të fëmijëve të moshës shkollore, ose 104 vetë nuk u përfshinë në shkolla. Në komunën e Kamenicës 18% të nxënësve të moshës shkollore. Në katundin Studençan të Suharekës janë lënë jashtë shkollës 22 nxënës të klasës së parë, sepse shkolla nuk ka banka. Kanë mbet jashtë shkollës 47 nxënës të klasës së V dhe 22 të klasës VI. Në Samadrexhë kanë mbetur pa u përfshi në klasën e parë një paralele e tërë, prej 35 nxënësish. Në komunën e Vuçitërnës, për vitin shkollor 1965-1966, në këtë vit nuk ndjekin shkollën mbi 400 fëmijë të moshës shkollore, ose rasti tjetër nga 16 paralele që ishin parashikuar për shkollimin e të rriturve, vetëm një paralele punon. Në Klinë po në këtë vit shkollor, 290 nxënës nuk ndoqën shkollat dhe këta 73 vetë, nuk u morën për arsye të mungesës së lokalit. Në komunën e Gjilanit, 13.8% e nxënësve nuk vijuan shkollat, plus 209 vetë që nuk u klasifikuan për shkak të mosvijimit. Gati në të gjitha komunat rekrutohen analfabetë të rinjë siç është rasti i Kukavicës, ku mbi 20 fëmijë nuk vazhdojnë shkollat për faj të komunës. Prindërit e tyre nuk njohin gjë tjetër përveç tatimit dhe detyrimit ushtarak, ose për fëmijët e katundareve në kufi të komunës së Klinës e Serbicës, nuk dihet asgjë. Disa komuna për arsye të kursimeve, në vitin 1965 mbyllen paralelet e shkollave, ku ka më shumë analfabetë, si në: Orllan, Viti, Klinë, Lipjan dhe Ferizaj.

Bursat në Krahinën e Kosovës e Metohisë vijnë duke u pakësuar nga viti në vit. Kjo ka dal në bisedime të ndryshme e këtë e vërteton edhe kjo: në vitin shkollor 1962/63, ka pasur 4 572 bursist në krahinë, kurse në vitin shkollor 1963/64, 4 409 vetë ose 163 më pak, po ashtu janë zvogëluar edhe mjete për bursa prej 409 në 401 milionë dinarë. Shtëpive të nxënësve nuk u është kushtuar kujdes për zgjerimin e kapaciteteve të tyre për përmirësimin e kushteve të jetesës në to. Deri në vitin 1961, kanë punuar 17 shtëpi të nxënësve, me 2 025 vetë dhe në vitin 1963, numri i shtëpive u zvogëlua në 13 me kapacitet vetëm për 1 476.

  1. Kuadri arsimor

Edhe mbas 21 viteve ky problem për Krahinën e Kosovës e Metohisë ngelet i pazgjidhur. Kjo bëhet me qëllim për të justifikuar politikën e tyre revizioniste dhe ja se si paraqitet gjendja e kuadrit arsimor. Gjendja e kuadrit arsimor në vitin 1963 ishte: 5 301 arsimtarë, prej të cilëve 3 005 shqiptarë, 2 204 serbë, turq 92, prej këtyre 65% ishin të kualifikuar. Për shkollat fillore mungonin 1 471 vetë që sipas kapaciteteve të shkollave, duhet të ishin rreth 6 772 arsimtarë. Është planifikuar që deri në vitin 1970, në Krahinë të ketë 9 988 arsimtarë, e që duhen siguruar edhe 4 303 arsimtarë të rinj. Për mungesë të arsimtarëve, në vitin 1963, vetëm në komunën e Prizrenit nuk filluan shkollat në Srecke, Velezh, Pirane, Reçan, e disa katunde të tjera. Komunës i nevojiteshin 620 arsimtarë ajo kishte vetëm 450 ose 170 kuadro më pak.

Në Republikën e Maqedonisë në vitin 1965, në shkolla fillore e 8-vjeçare, u përfshinë 35 210 nxënës shqiptarë dhe 5 955 me kombësi turke, siç i quajnë. Mësimet u zhvilluan nga 1 019 mësues shqiptarë dhe 189 mësues zhvilluan mësimet në gjuhën turke.

Për vitin 1965-1966, vetëm në 18 komuna të Krahinës së Kosovës e Metohisë u kërkuan për të plotësuar me anë të konkurseve vendet vakante 3 280 arsimtarë të lëndëve të ndryshme. Kërkesat u bënë të ndara në këtë mënyrë: për në tri gjuhët u kërkuan 27 arsimtarë, në gjuhën shqipe 1 391, në gjuhen serbokroate 486, në gjuhën ruse 24, në gjuhën frënge e anglisht 61, në turqisht 19 dhe në dy gjuhë 106, e në paralele të ndryshme 1 126. Vetëm në 16 komuna, ose në 283 paralele të ndara mungojnë 750 mësimdhënës, por edhe këto nuk janë të plota, pasi nuk përfshihen të gjitha komunat. Por, me e keqe është se me gjithë mungesën e kuadrit, një pjesë e tyre pushohen nga puna, p.sh. në komunën e Gjilanit u pushuan 45 vetë, te cilët kishin një eksperience 10-vjeçare në arsim. Kjo u bë në një kohë kur në Kishnapole mungonin 7 mësues, Pidiq 4 mësues, e shembuj të tillë ka plot.

Ajo që vlen të theksohet është se ka raste të shëmtuara të qëndrimeve të mësuesve karshi nxënësve, si në edukim ashtu edhe në sjellje. Ka mësues kur zhvillojnë mësimin në klasë nxjerrin pistoletën mbi tavolinë, për të frikësuar nxënësit. Sulejman Dindari nga Ferizaj, në kohën e mësimit të ushtrimeve fizike, i ndan vajzat dhe djem dhe i mëson si të falen të marrin “abdes” në orën e mësimit, del me të gjithë fëmijët dhe pret njerëzit që kthehen nga xhamitë. Vetë mësuesi shkon në xhami dhe mban ramazan. Në Gostivar, mësuesi është aq i kompromentuar sa në orët e mësimit përveç drejtorit i asiston edhe komandanti i milicisë. Në Podujevë edhe në Gllogovc, mësuesit martohen ose bëjnë dashuri me fëmijët e shkollave. Kjo pengon shumë pjesëmarrjen e vajzave në shkolla. Në Prishtinë mësuesi për të rritur autoritetin e tij para fëmijëve, kërkoi që të dalin jashtë dhe të bëjnë boksa, etj. Nga shënime të ndryshme në Kosovë e Metohi, ka mbi 1 333 fëmijë të cilët kanë marrë rrugën e “huliganëve”, të cilët thyejnë dyert e shtëpive, të dyqaneve, vjedhin çelësa, rrahin njerëz të pafajshëm e sidomos gra dhe mbi 882 fëmijë të mitur janë lënë mbas dore. Këta janë vetëm të atyre që kanë të ardhura të vogla.

  1. Si paraqitet analfabetizmi në Kosovë e Metohi

 Niveli kulturor i masave është shumë i ulët, e kjo vjen nga moskujdesi i klikës titiste, e cila ka si qëllim që popullsinë e kësaj krahine ta lejë pa arsim dhe këtë e justifikojnë se kjo prapambetje është gjoja për mungesë të kuadrove, etj. Nga të dhënat jo të plota, del se ka mbi 40% të popullsisë analfabetë, prej tyre 80 000 deri në moshën 35-vjeçare e 26 000 më të rinj se mosha 20-vjeçare. Në mbledhjen e Plenumit të Rinisë së Krahinës, doli se në Kosovë fëmijët që kanë lindur mbas vitit 1940, paraqesin 30% të analfabetëve dhe nga kjo përqindje mbi 17 527 janë femra. Këto të dhëna tregojnë se edhe mbas vitit 1945 kur u “çlirua” Kosova nuk ka pasur kujdes në këtë drejtim. Këto tregojnë punën e paramenduar që kanë bërë titistët në drejtim të Kosovës si në të gjitha lëmitë e tjera ashtu edhe në drejtim të arsimit.

            Në ndërmarrjet ekonomike, punëtorët e moshës rinore prej 1 286, nuk dinë shkrim e këndim. Kujdesi për aftësimin e punëtorëve nga ana e drejtuesve nuk është aspak. Këtë e vërteton më së miri edhe kjo e dhënë: fondi për arsimin e punëtorëve, në vend që të rritej është zvogëluar shumë, p.sh. në vitin 1962, fondi kapte shumën prej 273 867 mije dinarë, në vitin 1963 ai u ulë në 140 396 mijë, ose 133 471 mijë më pak. Sipas të dhënave jo të plota për vitin 1964-1965, analfabetizmi në disa komuna paraqitet, kështu: komuna e Gjilanit duke iu shtuar edhe numri i analfabetëve të vitit 1966, arrin 17 092 analfabetë. Në komunën e Vuçitërnës kishte 2 000 analfabetë deri në moshën 35-vjeçare, në komunën e Ferizajt më se 6 000 analfabetë, ndërsa ky numër është shtuar edhe më shumë pasi për mungesë të shkollave dhe të kuadrove nuk janë përfshirë të gjithë fëmijët në shkolla, kjo ka bërë që të lindin analfabetë të rinj. Në komunën e Prishtinës, ka mbi 18 277 analfabetë edhe mbi 6 603 janë nëpër katunde. Në komunën e Prizrenit ka mbi 3 600 analfabetë. Në komunën e Prizrenit ka mbi 3 600 analfabetë. Në komunën e Istogut deri në moshën 35-vjeçare ka 5 717 analfabetë. Në komunën e Gjakovës ka 5 600 analfabetë. Në Rahovec nga mosha 10 deri në 35 ka 2 000 analfabetë. Në Novobërdë ka mbi 700 analfabetë, në Gllogovc 3 300 analfabetë, Deçani 2 000 analfabetë, Peja 700 analfabetë, Malisheva 800 analfabetë, Lipjani 970 analfabetë nga mosha 10 deri 20 vjet, në rast se i shtohet 21-27 vjeç është dyfish siç thuhet edhe në materialet e ndryshme.

            Konkluzion

Klika titiste në veçanti për Krahinën e Kosovës e Metohisë ku banojnë shqiptarët nuk ka treguar e nuk tregon kujdesin për të pajisur me arsim fëmijët e punëtorëve dhe të fshatarëve, ku te ta dominon prapambetja shumë e madhe. Fondet për ndërtimin e shkollave nuk janë dhënë në krahasim me zhvillimin e nevojat e Krahinës. Kapaciteti i shkollave është mjaft i vogël, nxënësit mësojnë në shtëpi private pa asnjë komoditet, ka mungesa të materialeve, hartave etj. Kuadrot arsimor (arsimtarët) nuk janë të mjaftueshëm, ndërsa kuadrot e mira pushohen nga puna siç, ka ndodhur në Gjilan, me 90 arsimtarë të cilët konsiderohen si armiq. Pjesa tjetër janë bashkëpunëtor të UDB-së, të pajisur me armë dhe që këta megjithëse nuk e kanë kulturën e nevojshme, por me qenë se janë besnikë të serbëve e bashkëpunëtorë të UDB-së vihen mësues në shkolla. Për kuadro të ardhshëm nuk dërgohen elementë të mirë, ose të varfër dhe shqiptarë, por më shumë dërgohen të origjinës serbe. Një pengës për nxënësit shqiptarë është edhe gjuha serbe, tekstet shkollore etj. Kur shihet se nga nxënësit me kombësi shqiptare, ose studentë njerëz të zgjuar me perspektivë u krijohen kombinacione i komprometojnë, i futin në burgje, nuk u japin bursa, e tjera.

            Lidhur me zhvillimin e arsimit në Kosovë e Metohi është e nevojshme që shtypi dhe radio e jonë të japin herë pas here dhe të kritikojnë qëllimin e revizionistëve jugosllavë, planet e tyre për ta lënë në prapambetje atë krahinë, kjo është dhe si rezultat i sistemit jugosllav.

24/04/66                               Konceptuar

                                   Andon K.

                                    Dakti 2.

 

 

-33-

 

Pasqyrë e vitit 1967 e pabotuar e Ministrisë së Punëve të Brendshme turke mbi shpërndarjen e popullsisë shqiptare në Turqi

 

Nr.

Qytetet në Turqi Numri personal Numri i përgjithshëm i shqiptarëve Personat që flasin  shqip
Që njihen si shqiptar Që kanë origjinë Mirë Pak
 1 Stamboll 200 000 300 000 500 000 100 000 100 000
 2 Bursë 100 000 100 000 200 000 75 000 25 000
 3 Izmir 100 000 100 000 200 000 50 000 50 000
 4 Ankara 50 000 75 000 125 000 20 000 30 000
 5 Ballakazer 25 000 50 000 75 000 15 000 10 000
 6 Eskisheher 75 000 100 000 175 000 25 000 50 000
 7 Kaizer 10 000 5 000 15 000 5 000 10 000
 8 Sivas 5 000 5 000 10 000 5 000 10 000
 9 Edirne 25 000 50 000 75 000 15 000  –
10 Tekirdug 10 000 30 000 40 000 5 000 5 000
11 Kerkilsreli 50 000 50 000 10 0000 25 000 25 000
12 Manisa 10 000 10 000 20 000 7 000 2 500
13 Denizli 5 000 5 000 10 000 3 000 2 000
14 Adena 15 000 15 000 30 000 7 000 8 000
15 Gaziantop 10 000 5 000 15 000 5 000 5 000
16 Kytahja 15 000 15 000 30 000 10 000 5 000
17 Adapazar 25 000  – 25 000 15 000 10 000
18 Izmit 10 000 5 000 15 000 5 000 5 000
19 Elazig 20 000 10 000 30 000 10 000 10 000
20 Dijarbaker 10 000 10 000 20 000 10 000  –
21 Në qytetet tjera 30 000 150 000 18 000  – 30 000
Gjithsej   800 000 1 090 000 1 890 000 412 000 373 000

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …