Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË ( SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 III

Prof. Mr. Skënder R. Hoxha: MASAKRA NË JABLLANICË ( SHQIPONJË) TË DUSHKAJËS E VITIT 1921 III

5. I SHPËTUAN VDEKJES !…

         Në traditë të këtushme ruhet kujtimi se plojës së Masakrës së Jabllanicës të vitit 1921 i kishin shpëtuar: Rexhë (Tahir) Smajlaj, i Mëhallës së Poshtme; Ukë (Nezir) Smajli, i Mëhallës së Përkolve, thuhet edhe Tahir (Salih) Mehmetaj, i Mëhallës së Mulaj; si dhe Fazli Rexhepi nga Kosuriqi i komunës së Pejës. Këtë fat në fatkeqësi do ta ndriçojmë nëpërmjet të rrëfimeve të pleqve dhe të pasrendësve të të shpëtuarve…

          “ … N’at’ kjamet ishin kan’ pshtu Rexh’ Tahiri e Uk’ Neziri t’Jabllanic’s, e Fazli Rexhepi i gërgocve t’Kosoriqit…” (Tregoi: Halil (Mehmet) Ademaj).

      “ … Rexh’ Tahiri i Tahirsmajlve pshton për t’dekun. Kish pa nejtë si i dekun dej sa jan’ shku tan’ shkitë, e ather’ del pej t’dekënve, bjen arave, e trup Bistric’s e del n’Sarica t’Kralanit, e shkon n’Kralan …” (Tregoi: Ukshin (Ramë) Hamza).

      “ … Kur i kan’ gri burrat n’Kodër, Rexh’ Tahiri a pshtu. I kishin pa ra t’deknit përmi kur i kan’ ba batare. Masanej a çu, e qashtu nëpër mal a shku n’Kralan, e u ka kallxu si shka u ba n’Jabllanicë…” (Tregoi: Smajl (Sylë) Hajdari)

Mbetën të gjallë

në mesin e të vdekurve (!) …

(bijtë rrëfejnë për etërit …)

      Shumë kohë është folur nëpër kulla të Jabllanicës (dhe jo vetëm këtu)  për atë masakër… Shumë është folur edhe për ata që, rastësisht, në atë masakër, mbetën të gjallë. Ndër këta të pakët: Rexhë (Tahir) Smajli, i Mëhallës së Poshtme të Jabllanicës, i cili atëherë ishte 21 vjeç. Po, Rexha, kishte mbijetuar vdekjen e sigurt në atë plojë… Kishte mbetur i gjallë në mesin e të vdekurve (!!!). Shumëkush ka dëgjuar dhe e di rastin e Rexhë Tahirit, bile, jabllanicasit të  gjithë. Nuk është zbehur kujtimi as pas 75 vjetësh…

        

            Paradite tetori e vitit 1996, Jabllanicë e Dushkajës

            Bisedojmë shtruar në odën e burrave të Hysen (Rexhë) Smajlajt, birit të kryepersonazhit të këtij rrëfimi, Rexhë (Tahir) Smajlajt (1900 – 1977)…

            “… Qysh kallxojke baba, at’ ditë si dojke m’u gri Jabllanica, n’natje, ish kan’ ardhë potrogjeli i katunit, maxhupi, Arif Bajra, e kish pa ba za te dera jonë. Kur asht dalë baba Tahir, Tahir Smajli, miftar i katunit, potrogjeli i ka thanë: – po ju thirrë krytari, Asman Aga… Kur ishin kan’ shku te Ura Madhe, babgjyshi, Tahiri, me t’bit’: babën Rexhë, Bekën, Asmanin e Lushin, nifar’ Gojkoviqi, e kish pa vetë babën Tahir, – Sa djem i ki ktu?. Baba Tahir i kallxon, e ai i thot’: – “çoi dy djem t’na binë buk’. Nashta ka menu me ja falë (?). Aty ishin kan’ kthy Ban Shabani e Lush Tahiri… Kur jan’ shku n’gjysë t’Kodrës Madhe, jan’ ba bashk krejt katuni edhe do kaçkin’ si ishin kanë n’katun. Ata, thojke baba:e kishin pa ditë se shka po don me na gjetë dhe ja kan’ nisë me ra shahadet. A, na, e dishim si po na çojnë në burg, në Pejë. N’Kodër, na kan’ lidhë me shoka tona, na kan’ renisë e na kan’ pushkatu. Thojke baba Rexhë: unë jam kanë i lidhun me Bekën e me Asmanin e me kumarën Fazli, Fazli Rexhepin e Kosoriqit, se edhe ky ish kaçkin n’Jabllanicë… S’mkish pa marrë asni plum, po shoka si jemi kanë t’lidhun, ish kan’ kputë pej plumave…

JABLLANICË

Rexhë Tahir Smajli

… Kam nejtë bukur shum’ qashtu, pa livritë, se u nishin shkitë, e vishin e i prekshin t’deknit me singija e me tepçika t’pushkve, si a mos jan’ metë gjallë… Kur e kam hetu si jan’ largu, kadale e kam çu krytë edhe e kam pa si nuk asht kurkush, e kam fshi vrapin trup arave e jam ra n’Bistricë, te Vau i Nepoles. Bistrica kish pasë bukur shum’ uj’. I kam hekë tlinat e jam dalë anej Bistrice, po apet jam kthy, jam hi malit e jam shku n’Kralan. Aty, jam hi te Brahimzenun’t, se i kemi pasë kumarë. M’dul’ ni gru përpara e m’tha: – shka  asht  k’shtu kumarë, bre – kur m’sheh me tlina n’krah, se pej trullimit kisha pa harru mej veshë tlinat. – Ne, na grini shkau, e ju ikni! – i kish pa thanë baba Rexhë… Ather’, kallxojke si ishin kan’ ikë edhe Kralani.. Kah jan’ ardhë shkitë nëpër Kralan, e gjajnë Sali Dinën, se veç ai kish pa nejtë, se ish kanë miftar katuni. Salihin e t’vesin: – Ku asht poplli? Ai ju thot se “s’asht kurkush ktu” dhe e pushkatojnë meniher …” (Tregoi: Hysen (Rexhë) Smajlaj, (1942) i biri i Rexhë Tahirit).

      Ndërkaq, më 30 tetor 1996, jemi në Kosuriq të Lugut të Baranit, ku shënuam ato pak kujtime të mbajtura në mend nga plaku 77 vjeç, Zymer Fazlia. Rrëfen ky për të atin, Fazli Rexhepin, i cili në Masakrën e Jabllanicës kishte shpëtuar gjallë, në mesin e të vdekurve…

       “ … Baba ish kanë at nat’ musafir n’Jabllanicë, po kam harru se te kush ish kanë. Ish kan’ hi komida e Miliq Kërst’s shpi për shpi e i kan’ mledhë mashkujt e i kan’ lidhë ka tre e katër, me shoka e me shamija, e i kan’ çu n’Kodër e i kan’ gri. Kur kan’ krisë pushk’t, thojke baba, s’di qysh na’u ka zgidhë shoka e jam rrxu për toke. Tana teshat ju kishin pa shpu pej plumave, dej edhe kmisha, po n’trup se kishin pa kapë. Kur ish kan’ çu,e kishin pas pa shkitë, e t’ja lshojnë pushkë mas, po ky ikë e hin n’mal e mshefet, e dikur natën ish kan’ ardhë te shpia… Pej Kosoriqit ish kan’ vra aty edhe Ramë (Sefë) Sadrija” (Tregoi: Zymer (Fazli) Rexhepi (1914), nga Kosuriqi, i biri i Fazlisë që shpëtoi në masakrën e Jabllanicës).

            

Foshnjen e hedhin në zjarr

                … Dhe, vdekja e torturat, atëbotë, trokisnin derë më derë të

Jabllanicës…Gjakpirësit  nuk kursejnë  as foshnjën në djep…

                 

                “ … Kur grihet Jabllanica un’ isha kanë tri javsh. Nihet si po hinë shkitë me hallakatë, e baba i thot’ nan’s: – merri qato pare e mshefi. Kur jan’ hi, un’ isha kanë i lidhun n’djep. E kishin pa t’vetë nanën – shka ka n’djep, a asht djalë a çikë? Nana e tmerume, i thot” – çikë. Ather’ me singi mi kishin pa pre lulakin e vnelat, e kur e shohin si jam djalë, e thojnë nan’s: “ E, lazhesh ti zheno” dhe me ato tesha t’leshta m’marrin e m’gjujnë n’zjërm. Kur m’sheh nana si po livriti n’zjërm, m’kapë e m’hekë, po pej hutie, n’ven se mëm kapë pej krahve, ma kish pa ngjitë për kam’sh e ikë qashtu me mue n’dorë. Thojshin, 42 her’ kan’ qitë pushkë mi vra nanën me mue, po asnja s’na kish pa marrë… Kur ish kan’ shku te Vorri i Muhaxherit, gati n’Gërgoc, nana ish kan’ zatetë n’Shaban Fekën. Ai i thot’ nan’s: – Shka ki aty, bre? Nana i thot’ – Djalin, e qaty e sheh si m’kish pas kapë për kam’sh… Nalet nana e ma fshinë gjakin… Shabani ekish pa vetë nanën  – “Qysh e ka emnin ky djalë?  – Niman, i thot nana. – E, – thot ai:  – kti me ja lanë emnin Ukë -, kishe si uk i malit, edhe qashtu ma kishin pa lanë…” (Tregoi: Ukshin (Ramë) Hamza).

Fëmija 12 vjeç e bën natën në lis !

                “ … Si thmi, thojke baba, – kur i kam ni krism’t e pushkve, jam tmeru dhe e kam marrë iken. Dymdhet vjeç jam kanë kur u gri Jabllanica… Jam ikë trup arave t’jabllanic’s  e t’Gllogjanit e jam shku n’male t’Bokshiqit, ku m’ka nxanë nata. Aty, pej tute si pom hajnë gjeja, jam hipë n’lis e kam nejtë gjith’ natën, qashtu pa fjetë… T’nestrit, jam nisë e jam ra n’Gllogjan, ku jam teshë me Bardhec Gjonin. Bardheci m’veti: – I kuj je? – I thash’ se jam i Tahir Smajlit t’Jabllanic’s. Isha i tmerumë. Bardheci m’murë e m’shtini n’shpi t’vet e i tha grusë: – Bjerja do pshesh me kos kti djali, e mu m’tha: – N’koftë Tahir Smajli i gjallë kun, gjith’ natën e kam ni tuj thirrë, “O Januz! O Januz!”, Ky e paska pa ni babën tuj m’thirrë mu…At’her m’ka përcjellë Bardheci e m’ka drejtu për Nepole, se aty, m’tha, duhen me kanë ata t’juvt. Kur jam shku n’Nepole, n’kullë t’Isuf Zeq’s, i gjeta: babën Tahir, vllaun – Lushin, Banin edhe Adem Hasanin, si ishin kan’ ikë pej Jabllanice e ardhë aty. Kur m’pau baba u g’zu e m’tha: – “Masi m’paske pshtu ti, pom doket si me mu pas ngjallë të tanë…”

                        (Januzi ishte djali më i vogël i Tahir Smajlit. Rrëfimin e mësipërm, i cili s’do koment, na e tregoi i biri i tij Avdi (Januz) Smajlaj (1948), ashtu siç ia ka treguar babë Januzi).

          

            * * *

          … Ikja dhe strehimi i të gjithëve ishin bërë pjesë e asaj ZEZONE… Dhe, prapë një rrëfim i dëshmitarit të gjallë: atëherë ishte 15 vjeç, e sot – më i moshuari i katundit. Është ky Smajl  S. Hadari

           “ … Kur krisën pushk’t  n’Kodër, e n’Ulicë tonë u vranë Aga e Kokalla, un’ ika përpjetë e hina n’kallamoç t’mixh’s Ukë. Mas meje msynë 2-3 çetnik, tuj m’gjujtë me pushkë, po nëpër arë s’guxojshin me hi. Tuj nga, dola n’Lug t’Ukzenelve, po Te Plepat ishin kanë do shki tjerë. Edhe ata m’gjujtën me pushkë, po nashta s’dojshin mëm vra se isha i vogël(?)… Qashtu vrap hina n’Mal t’Zhvinave, ku e gjeta Isuf Imerin, vetëm. Me ta shkumë dej n’Kralan. Aty jemi nalë e kemi pushu. Dikur i kemi pa kah jan’ kthy ushtria pej Jabllanice. At’her un’ e Isufi ikëm e dulëm n’Lug t’Kronit, ku i gjetëm tjer’t pej katunit, me rob e me thmi nëpër mal. Pej Lugit Kronit jena ardhë n’Mal t’Carragorës, qashtu me rob e me thmi, e nëpër malije kena nejtë nja dhet dit’…” (Tregoi: Smajl (Sylë) Hajdari).  

 

Kufomat mbesin mbi dhe !

                

         … I kthehemi sërish Kodrës së Madhe.

         “Gjahu” i barbarëve kishte mbetur mbi tokën – NËNË… Kufomat të mbetura mbi dhe. Kush t’i varroste? …

 

      “ … Xhenazet e burrave kan’ nejtë katër-pës’ dit’ pa hi n’dhe. Si shkojshim, tinez, mej shti n’dhe, na gjujshin shkitë raje pej malit, se rrishin t’mshefun n’mal, e s’guxojshim me shku …” (Tregoi: Smajl (Sylë) Hajdari).

  

       “ … Burrat i kan’ shti n’dhe katër-pës’ dit’ mas pushkatimit. Jan’ ardhë pej katuneve tjera e i kan’ shti n’dhe, se n’Jabllanicë s’ish kan’ metë asni mashkull. Edhe ata si ishin metë gjallë, ishin nëpër malije…” (Tregoi: Tahir (Sylë) Hajdari).

   

Pas masakrës  –  plaçkitja

 

Armiku shekullor i bijve të shqipeve nuk ishte ngopur vetëm me gjak, por kishte vazhduar me represalje, djegie, plaçkitje…, në çdo shtëpi të Jabllanicës…

 

      “ … Mas vrasjes, plaçkitën krejt shka kish n’katun… Ne, shpisë tonë, na’i murën lopë, dhën, dhi, bullica, kual, bletë… “ (Tregoi: Tahir (Sylë) Hajdari).

 

    “ … Ne, shpisë tonë na’i kishin pa plaçkitë 36 copa lopë, tarakin shtat’ vjeç, ni kali t’samarit, niqin dhën ja marrin Idriz Ramadanit tonë, n’Mal t’Ahmatit. Na’i kishin pa marrë edhe 30 copa bletë, e i mysin n’Prru, e jau marrin mjaltën. Thojshin si kishin pa plaçkitë edhe cerga, çarshafa e sene tjera nëpër shpi …” (Tregoi: Halil (Mehmet) Ademaj).

       “ … Shpisë tonë ja kan’ plaçkitë 80 dhën, 27 lopë, disa bullica, kalin e shal’s e shum’ tjera. Thonë, se kah kan’ plaçkitë, raja kan’ ba edhe malltretime nëpër shpija, se u nishin zhurma… Zhurma  t’mdha ishin kan’ ni n’Mahallë t’Mulaj…” (Tregoi: Rexhë (Binak) Zeneli).

         “ … Na kan’ marrë kalin e shal’s, t’bab’s Haxhi, t’Haxhi Nezirit, mi 20 lopë, 40 dhën, 30 copa dhi t’kuqe, tesha t’robnive, bylmet e shka kan’ gjetë…” (Tregoi: Bekë (Halil) Ahmeti).

             Por, kjo është vetëm një pjesë e plaçkitjes masive që ishte bërë në Jabllanicë… “Shum’ kohë masanej i kemi pa gjanë tona nëpër katune t’nahijes Pej’s e t’Istogit, si na’i patën marrë shkiet” – thonë jabllanicasit e moshuar…

            Për krejt këtë që ndodhi, pleqtë, për ngushëllim, thonë: – “Ajo si ka nodhë n’Jabllanicë, nuk asht ba badihava, se ktu gjithmonë kish pasë koçak’ “ – thotë Rexhë (Binak) Zeneli. _ “Biro, kjo kërdi n’Jabllanicë asht ba me qëllim, se ktu kan’ nejtë e kan’ gjetë përkrahje Hasan Prishtina, Isë Boletini, Bajram Curri, Azem Galica me Shotën, e shum’ trima tjerë t’komit shiptar…” – Tahir (Sylë) Hajdari).3

        Pas gjithë kësaj që kishte ndodhur në Jabllanicë, shpeshherë është shtruar pyetja: Pse s’u bë rezistencë? Sipas deklarimeve të të gjithë pleqve që i kemi pyetur për këtë, si përgjigje del se: “Nuk është bërë rezistencë për arsye se kah i kanë tubuar e lidhur meshkujt nëpër katund, iu kanë thënë se “po ju çojmë në burg të Pejës” e në anën tjetër, prania e kryetarit, Osman Agës dhe besimi i njerëzve në të, thuhet se ka ndikuar shumë që të mos dyshohet se do të ndodhë ajo që ndodhi (?!). Ndaj, do të thoshim se arsyena kryesore (për mosrezistencë) dalin mashtrimi e besimi…           

 

        Përkujtohet masakra e Jabllanicës e vitit 1921  

       … Kishte kohë që ishte menduar për të shënuar përvjetorin e kësaj ngjarje të hidhur për jabllanicasit po edhe më gjerë. Intelektualë dhe veprimtarë vendorë bënë përgatitje të nevojshme duke e bashkërenditur këtë manifestim përkujtimor me tri vite rezistencë të jabllanicës ndaj okupatorit serb si dhe me një vit pas emërtimit të shkollës fillore të fshatit me emrin “Dëshmorët e Kombit”. Në Kodër të Madhe, pranë Vorreve të Shehitve, u ngrit Pllaka Përkujtimore me emrat (që kishin mundur të identifikohen) e të martirizuarve në masakrën serbe në Jabllanicë të Dushkajës në vitin 1921. Data e zbulimit të Pllakatit ishte caktuar 13 korriku i vitit 1996. Kodra e madhe dukej të ishte e vogël atë ditë për t’i mbajtur në prehër të gjithë ata që ia kishin koptisur dhe ardhur këtu, nga Dushkaja, Lugu i Baranit, Reka dhe nga anë të tjtera të Kosovës. Natyrisht, jabllanicasit, i madh e i vogël kishin dalë këtu. Në rrënzë të Kodrës së Madhe ishte ngritur bina me foltoren e improvizuar. Hapjen e këtij manifestimi përkujtimor e bëri i riu i Jabllanicës, Shaqir Zeneli. Ndërkaq, për gjenocidin serbosllav të ushtruar mbi popullin shqiptar në vazhdimësi si dhe për masakrën e Jabllanicës të vitit 1921 folën historianët e shquar: Prof. Dr. Zekeria Cana  dhe Dr. Jusuf Bajraktari. Për të përshëndetur këtë përkujtimor në foltore u paraqitën përfaqësues të fshatrave, bashkësive territoriale, partive dhe asociacioneve të ndryshme, por nuk ishte i vogël as numri i telegrameve që i kishin arritur këtij tubimi përkujtimor.Emocionet e të githë të pranishëmve ndizeshin edhe më tepër nga vargjet që deklamuan artistët tanë: Sylejman Lokaj, Niman Muçaj, Rrustem Latifaj dhe Avdullah Gjikokaj…

                Më poshtë po shkëpusim fragmente nga një shkrim më i gjatë i Dr. Jusuf Bajraktarit, të lexuar në këtë tubim përkujtimor, e që patjetër hedh dritë mbi këtë ngjarje rrëqethëse të ndodhur në deceniet e para të shek. XX në Jabllanicë të Dushkajës.

Vijon…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe po bëjnë përpjekje të pareshtura për të depërtuar në Rrafshnaltë. Në lagjen e Bytyçve, bie heroikisht Mehdi Bytyqi komandant toge dhe plagoset për vdekje ushtari, Sylejman Bytyçi. E premte 16 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Forcat serbe po bëjnë përpjekje të pareshtura për të depërtuar në Rrafshnaltë. Në lagjen e Bytyçve, bie heroikisht Mehdi Bytyqi komandant toge dhe plagoset për vdekje ushtari, Sylejman Bytyçi. E premte 16 prill, 1999

Pasi kemi ngrënë bukë në tendë, ku edhe e kemi kaluar natën, unë dhe Neziri …