Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal ndaj Hysen Berishës, deklaratat televizive nuk u cilësuan vepër penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal e paraqitur ndaj ish-deputetit Hysen Berisha, duke vlerësuar se deklaratat e tij të bëra në një emision televiziv nuk përmbushin elementet e veprës penale të “Lajmërimit apo kallëzimit të rremë”. Sipas aktvendimit, kallëzimi ishte dorëzuar më 2 qershor 2026 nga deputetja Fitore Pacolli Dalipi, pas deklaratave të Berishës në emisionin “Kosova Live” në T7, ku ai kishte pretenduar se ajo “e ka shtyrë nga ballkoni dhe e ka vrarë Arbnor Deharin”. Pas shqyrtimit të kallëzimit dhe materialeve të bashkëngjitura, Prokurori i Shtetit ka konstatuar se deklarata në fjalë nuk ishte dhënë para Policisë, Prokurorisë apo ndonjë organi kompetent për ndjekje penale, por ishte bërë në një emision televiziv. Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, ajo nuk mund të konsiderohet “lajmërim apo kallëzim i rremë”, siç parashihet në nenin 382 të Kodit Penal të Kosovës. Në arsyetimin e vendimit thuhet se, edhe në rast se deklaratat do të vlerësoheshin si të pavërteta ose cenuesë për reputacionin e një personi, ato mund të trajtohen në kuadër të mbrojtjes civile të reputacionit dhe jo si përgjegjësi penale për veprën e kallëzimit të rremë. Për këto arsye, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka vendosur ta hedhë poshtë kallëzimin penal ndaj Hysen Berishës, duke konstatuar se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale për të cilën ishte kallëzuar.

Kontrolloni gjithashtu

OVL-UÇK

OVL e UÇK-së – Dega Viti falënderon publikisht Banjën “Nëna Naile” në Kllokot

 Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Viti, ka shprehur falënderim publik për …