RKL

Protesta paqësore e opozitës, sado e organizuar dhe dinjitoze, është zë qytetar në vesh të shurdhër të Qeverisë

Edhe pse në një mot të lig e me shi, si dhe pengesave që iu shkaktuan protestuesve gjatë rrugëve deri në Prishtinë, dhjetëra mijëra protestues nga të gjitha anët  e vendit, veçmas nga Dukagjini, Anadrini e  vise të tjera, iu kanë bashkuar protestës së paralajmëruar, të këtyre dy partive opozitare, e cila u mbajt sot, në kryeqytetin e vendit. Pavarësisht se protestën e kishte bojkotuar Vetëvendosja, (partia lidere e vendit për organizmin dhe mbajtjen e protestave), edhe pse jugo-analistët kishin paraparë një protestë të dështuar, protesta e sotme shënoi një sukses më tepër në radhët e disa protestave, ku me të drejtë por kërkohet dorëheqja e Qeverisë, e cila e ka katandisur vendin në një gjendje kaotike dhe ka nënshkruar marrëveshje shumë të dëmshme për ardhmërinë e vendit dhe funksionimin e Shtetit.  Në protestën e sotme, kanë marrë pjesë edhe banorë të fshatrave të Rugovës, të cilët me marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi kanë humbur mijëra hektarë tokë e pyje. Ata kanë kërkuar nga Qeveria që të mos lejojë ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi, e cila Kosovës ia humb rreth 8 mijë hektarë tokë. Protesta, ashtu sikurse edhe ka qenë e paralajmëruar, ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident, për dallim nga tri protestat masive paraprake, të cilat i kishte organizuar opozita në krye me Vetëvendosjen. Pavarësisht përçarjes që ndodhi, opozita mbetet e bashkuar dhe unike në kërkesat kundër themelimit të Asociacionit të Komunave serbe  dhe kundër mos korrigjimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Protesta e sotme paqësore me kërkesë për dorëheqjen e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, është zë qytetar në vesh të shurdhër të Qeverisë, e cila ka frikë vetëm nga protestat ndryshe, nga ato ku ajo duhet të mbrohet fizikisht, dha pasi mbrohet mbi kurrizin e policëve dhe brinjëve  të thyer të protestuesve del dhe ua tregon krahun protestuesve.

Protestat paqësore si kjo e sotmja, Qeveria dhe Presidenca i mbështesin madje edhe i lavdërojnë, sepse kështu pretendohet të tregohet se Shteti është stabil dhe e drejta e garantuar për të protestuar i bën shërbim të mirë demokracisë, që po pretendohet të ndërtohet në vend. Mjerisht, pozita dhe opozita kanë ngelur në një pikë stagnimi, secila e barrikaduar nëpër bastione, pa shpresë për marrëveshje, pa shpresë për tejkalimin paqësor të gjendjes së krijuar, edhe pse të dyja palët thirren në emër të popullit, të cilit pa dyshim se ia duan të mirën.

Qeveria e Isa Mustafës nuk bie me protesta paqësore edhe sikur të mbaheshin ditë për ditë, sepse nuk është Qeveri në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të klaneve të akorduara politike, për të bashkë-qeverisur dhe për të ndarë të mirat e favoret që burojnë nga uzurpimi i pushtetit. Nuk është kjo qeveri e popullit që i jep përgjegjësi atij. Kjo është qeveri e kompozuar e dy ekstremeve që puqen për interesa madhore të përfitimeve klanore dhe jo përfitimit të qytetarëve. Si e tillë, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi pa opozitë brenda, dëshmon më së miri se ku është katandisur vendi dhe kush e ka katandisur deri në këtë derexhe.

Është brengosës fakti se Vetëvendosja tashmë ka humbur hapin, ka humbur edhe përkrahjen e shumicës së forcës opozitare dhe si e tillë, me fraksione  të rrezikshme përbrenda, ajo nuk bën dot tutje, meqë duke qenë e vetme do të satanizohet edhe më keq nga ambasadorët e vendeve “mike” dhe nga BE-ja. Edhe brenda Kuvendit, nuk do ta ketë më kapacitetin mbrojtës, sikur e kishte në gjashtë muajt e fundit. Vetëvendosja duhet të rivendos, duket të lirohet nga militantët gjithnjë adoleshentë dhe nga ata që nuk e bëjnë zap delirin e madhështisë dhe jetojnë me egon e sëmurë të “njëshit” të njëjtë me egon e Hashim Thaçit. Duhet të lirohet nga ata, që mbase krejt pa dashur ia bëjnë argatin më të mirë Qeverisë.

Protesta e sotme mësimin më të mirë ia ka dhënë Vetëvendosjes dhe forcave të vërteta opozitare, nëse vërtetë kanë qëllim idealist,  ta ruajnë Kosovën nga të ligat që po i shkruhen dhe që do të na degdisin keq e më keq.

Protestat paqësore i bëjnë mirë çdo qeverie të korruptuar, sepse ato ia zgjasin jetën. Protestat ndryshe nuk i duron asnjë Qeveri e korruptuar dhe uzurpatore, sepse vetëm protestat ballë për ballë, kanë sjellë dhe sjellin rezultate, pavarësisht pasojave, të cilat nuk kanë munguar deri sot. Liderja  shqiptare e protestave, Vetëvendosja, nuk u tregua e gatshme ta mbajë unike opozitën, sepse shfaqi ambicie ta shkrijë atë brenda radhëve të veta, pa i llogaritur mirë pasojat e një veprimi  të tillë. Mbase është koha që Vetëvendosja të rivendos, jo vetëm për vetveten, por për interesat e përgjithshme të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet seanca e katër ndaj 11 veteranëve të UÇK-së

25 vjet më parë, më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri të rëndë ishin vrarë shumë shqiptarë në fshatrat e Dukagjinit

25 vjet më parë,  më 26 prill, të vitit 1999 nga sulmet serbe me artileri …