QKSS: Publikimi i raportit “Mes mohimit dhe reagimit: perceptimet e qytetarëve mbi menaxhimin e COVID-19 nga institucionet e Kosovës”

QKSS: Publikimi i raportit “Mes mohimit dhe reagimit: perceptimet e qytetarëve mbi menaxhimin e COVID-19 nga institucionet e Kosovës”

 

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot (30 qershor 2021) raportin për perceptimet e qytetarëve lidhur me pandeminë COVID-19 në Kosovë në kuadër të anketës së Barometrit Kosovar të Sigurisë.

Sipas rezultateve, një numër relativisht i lartë i qytetarë apo 34% e tyre që ishin anketuar në muajin shtator 2020 nuk besonin se virusi COVID-19 ekziston kundrejt 64% të anketuarve që mendonin se virusi ekziston. Kjo mbase mund të vijë si shkak i shumë burimeve të informacionit që qarkulluan nëpër media të ndryshme, kryesisht në internet dhe rrjetet sociale, që plasuan dezinformata ose informata me përmbajtje konspirative apo të pavërtetë sa i përket pandemisë.

Ndërsa, kur janë pyetur për menaxhimin e pandemisë nga institucionet shtetërore gjatë vitit 2020, të anketuarit kanë vlerësuar me nota negative institucionet qendrore – Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën e Kosovës. Nga ana tjetër, Policia e Kosovës me 74%, institucionet shëndetësore me 68% dhe komunat me 61% janë vlerësuar si të suksesshme në menaxhimin e pandemisë. Megjithatë, gjysma e të anketuarve (53%) ishin shprehur se Qeveria Kurti 1 gjatë periudhës mars-qershor 2020 ka menaxhuar më mirë situatën e pandemisë sesa Qeveria pasardhëse e kryeministrit Hoti gjatë periudhës qershor-shtator 2020 ku vetëm 15% shprehën opinion se ka menaxhuar më mirë pandeminë.

Marrë parasysh pasojat e mëdha të pandemisë në ekonominë e vendit, pothuajse të gjithë të anketuarit ose 95% e tyre ishin të mendimit se pandemia ka ndikuar negativisht në ekonominë e Kosovës. Për më tepër, të pyetur se si ka ndikuar pandemia në jetën e tyre, 42% e të anketuarve ishin shprehur se ka ndikuar negativisht, 15% të tjera se ka ndikuar negativisht në kushtet socio-ekonomike, 14% se ka ndikuar keq në shëndetin mendor. Sidoqoftë, 29% e qytetarëve ishin deklaruar se pandemia nuk ka pasur kurrfarë ndikimi në jetën e tyre.

Megjithatë, përkundër vendimeve të institucioneve të Kosovës kundër përhapjes së COVID-19, siç ishin karantina, bllokimi, kufizimi i lirisë së lëvizjes etj., pothuajse shumica e të anketuarve ose 46% nuk menduan se pandemia ka pasur ndonjë ndikim në demokracinë në Kosovë kundrejt 31% që shprehën pandemia në një formë apo tjetër ka ndikuar tek demokracia.

Ndërsa, sa i përket mbështetjes ndërkombëtare dhënë për Kosovës gjatë pandemisë në vitin 2020, rreth 29% e të anketuarve, përmes një pyetje të hapur, kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar më së shumti Kosovën për t’u ballafaquar me pandeminë. Kurse, rreth 20% e qytetarëve të anketuar kanë vënë Gjermaninë menjëherë pas SHBA-së që ka ndihmuar Kosovën gjatë pandemisë, e cila pasohet nga Bashkimi Evropian me 12% dhe Turqia 10% respektivisht.

Pos kësaj, përmes kësaj ankete, qytetarët ishin pyetur për ndikimin politik të vendeve dhe organizatave të huaja ndaj Kosovës gjatë pandemisë COVID-19 në vitin 2020. Siç pritej, rezultatet ishin shumë pozitive kur bëhet fjalë për vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që vazhdimisht e mbështesin Kosovën në menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19. Rrjedhimisht, Gjermania është në vendin e parë ku 74% e të anketuarve menduan se shteti gjerman ka pasur ndikimin më pozitiv në Kosovë gjatë pandemisë. Në vendin e dytë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 64%, e cilat pasohet nga Bashkimi Evropian (62%), Turqia (58%) dhe Mbretëria e Bashkuar (49%).

Ndërkohë, rezultatet e anketës tregojnë se vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk perceptohen pozitivisht nga të anketuarit kosovarë, ndërsa edhe nëse ato nuk perceptohen negativisht, të anketuarit janë të paktën të pavendosur ndaj tyre. Në këtë drejtim, Kina perceptohet negativisht nga 55% dhe Rusia nga 48% e të anketuarve sa i përket ndikimit të këtyre vendeve gjatë pandemisë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Varfëria është një problem social-ekonomik (i trajtuar por pa zgjidhje)

Kosova po përballet me shumë probleme sociale dhe ekonomike nga viti 2022, kemi një trend …