Ramadan Bozhlani: Mirënjohjen e shndërrojnë në akuzë

Nëntori i vitit 1955-të shërbeu si portë hyrëse në këtë planet, në këtë shekull, në këtë popull dhe në një familje shqiptare një qenie të ardhur në trajtë të foshnjës së zakonshme. E qara ia shprehu ndjeshmërinë dhe në asnjë mënyrë nuk u nënkuptua se është i destinuar për misionar. Kjo qenie u pagëzua me emrin e njeriut të parë të kësaj bote. Sikur ta parashikonte të ardhmen pagëzuesi, e ta dinte se ky emër do të jetë në harmoni me përmbajtjen dhe me veprimet, e që faktikisht e shndërrojnë në njeri të parë, për nga sakrifica specifike në emër të popullit.


     Sa më shumë që e thellonin vitet robërinë, atij i shërbenin për forcimin e idealit, i cili e ngrit mbi krijesat e tjera njërezore, për ta veçuar për nga vetia e guximit të frymëzuar nga atdhedashurija. Ky guxim kolosal e kishte vatër zemrën e Adem Jasharit.


    Preokupimi kryesor i Adem Jasharit ishte çlirimi i vendit nga okupatorët serb, dhe për ketë u angazhua me tëre qenien e tij në organizimin e disa djemve për të formuar ushtrinë çlirimtare, ku më vonë rekrutimit të tij iu përgjigj i gjithë populli. Me disa djem por me vullnet e forcë të madhe filluan demonstrimin e planit strategjik kundër armikut më të pamëshirshëm të kohës, të cilit i shkaktuan viktima dhe dëme në të gjitha format, e deri atje sa u ndje i kërcënuar i tërë pushtuesi si dhe përbindëshi më i madh i Ballkanit, Millosheviçi. Millosheviçi i angazhoj të gjithë për identifikimin e asaj ushtrie të cilen e konsideruan si në numër dhe artileri të përmasave të mëdha e superiore, por ai identifikoj vetëm një burrë të patrembur në krye të disa djemve që mbanin në dorë pushkët e ndryshkura, dhe kuraja e tyre i ia futi frikën edhe më thellë deri në palcë pushtuesit. Serbia të gjitha kapacitetet ushtarake me 6 mars i koncentroi kundër një familje të përbërë nga pleqtë, gratë dhe fëmijët gjithsejtë 56 anëtarë në krye me Adem Jasharin.


   Baca Adem si një burrë që nuk njeh frikë, frikën e shndërroj në dëshirë familjare, për të luftuar kundër armikut duke i thënë fjalët e fundit, para se të fillonte oshtima e armëve që nuk do të pushonte për tri ditë rresht: “ Babë, Nënë, Vëllezër, Motra, Grua, Kunata, Nipa e Mbesa dhe Fëmijët e mi sot jemi të rrethuar nga ata, që çdo ditë nuk pushuan të na vrasin, të na masakrojnë, të na torturojnë, të na dhunojnë, të na robërojnë, e këta janë korbat e zi që e kanë pushtuar Kosovën dhe nuk e lënë të lulëzoj, të buzëqesh dhe të ndjehet e lirë prej shumë vjetëve. Ata kanë synim krijesën shqiptare ta vrasin dhe ta dëbojnë nga ky truall i moçëm ilir. Ky është rasti që na jep mundësinë të hakmerremi për të gjitha vuajtjet e popullit shqiptar, si dhe ky është rasti për të cilin erdha në këtë botë, në këtë popull, në këtë familje që me tërë ju të flijohem për hir të popullit tonë. Armët në dorë të gjithë, Zoti na ndihmoftë”.


   Marsi i 1998-së, shërbeu si port drejt përjetësisë heroike dhe lavdisë të bacës Adem dhe familjes së tij, si dhe për ta kuptuar në mënyrë më specifike nga mbarë njerëzimi se ç’ është më të vërtetë pesha e një njeriu, e një familjes, e një trimërie, e një flijimi, e një përballje, e një qëndrimi, e një luftimi dhe e një misioni madhështor për liri.


   Afër shtëpisë ku ranë heroikisht, janë të varrosur të 56 anëtarët e familjes Jashari ku pushojnë ndërgjegjshëm, duke pritur vizitorë nga e gjithë bota, me kurora lulesh në dorë, dhe me fjalët më të lavdishme, për këtë familje heroike.


    Shkrimi i Lubonjës i sherbeu si inkurajim Arben Idrizit, sikur ky e paska pritur me padurim një shkëndijë të guximit të tillë, që mendimin e tij ta nxjerrë në sipërfaqe duke pandehur se akuza ndaj kryeheroit do ta shndërron në hero të guximit, duke tentuar të shfaq iluzione mbi aktin më heroik të kësaj epoke. Një mburrje, një kapardisje mbi një analizë dhe konstatim çoroditës, me një synim paradoksal të dozës më të lartë të antilogjikës.


    I dashur opinionist Idrizi, dashuria ndaj familjes konsiderohet si superiore, ku për hirë të kësaj dashurie kemi me mijëra qenie njërzore të flijuara që nga epoka e gurit. Të martirizohesh për hir të popullit është vepër heroike, por të flijosh edhe familjen në emër të popullit është kryevepër heroike, kryevepër monumentale, atdhedashuri unikate, mbindjesi njerëzore, akt që e përpunoi konceptin e sakrificës në emër të popullit, akt i pajetërsueshëm dhe i papërsëritshëm. Mendja e juaj e ndritur është dorëzuar para përkufizimit të nocionit të këtij krye akti heroik dhe keni rënë në ujdi me mendjen djallëzore edhe ashtu e keni cekur se më lehtë është të ballafaqoheni me djallin se sa me të tjerët. As imagjinata e juaj e bujshme nuk ka guximi të bën personazh të kësaj ngjarje. Dhe sikur e keni pasur më të lehtë të përbaltni, të cenoni, të keqinterpretoni, të minimizoni, të shpërfillni, të çnderoni dhe të çmitizoni. Logjika e tij na shtyn në një aludim, meqenëse Adem Jashari qenka vrasës i familjes së tij, atëherë heronj na qenkan ata që paskan qëlluar në trupin e Adem Jasharit! Të akuzosh një krye hero për kryevepren heroike, do të thotë t’i thurrësh himne palës vrasëse, atyre që u angazhuan me të gjitha forcat për ta luftuar qenien shqipëtare. Kjo akuzë vjen nga një person që ishte dëshmitar i kësaj ngjarje nëpërmjet pamjeve televizive, zërit të radios dhe shkrimeve të gazetave që e pushtuan mbarë globin. Vallë, por pasardhësit tanë si do ta përceptojnë këtë figurë të ndritur kombëtare? Kanë filluar që tani t’iu shërbejnë me materiale paragjykuese, ku mbi to do të nxisin dyshime, e dyshimet t’i shndërrojnë në çështje edhe pasardhësit e atyre që janë të betuar ta luftojnë qenien tonë kombëtare, sikurse që është duke ndodhur me heronjt, si me Skenderbeun e të tjerët.


  Kjo prirje e djallëzuar shqipfolëse, për çmitizimin e heronjëve është e pa justifikushme, e pa falshme, e denushme dhe antikombëtare. Atëherë, simpas jush kush duhet të qëndrojë në themelet e shteti? Nëse nuk qenka njeriu i cili i vuri celulat e para kundër pushtuesit më të egër të kohës, e i cili sakrifikoi çdo gjë në jetë që të triumfojë liria në vend të robërisë.


  Mburrja si veti e shëmtuar dhe e marrë ka qenë përherë prezente në mesin tonë, ku përmes kritikave janë munduar të zmadhohen në korriz të atyre që kanë vuajtur dhe kanë pasur merita. Analizën tuaj nuk ka diagnozë piskologjike që e justifikon, sepse tentuat ta trazoni një ndërgjegjje të pastër kombëtare. Tentuat të zhveshni nga meritat një njëri i cili me personat më të dashur të tij gjetën vdekjen në rrugën e lirisë, që nuk ka gjë më të shtrenjtë dhe më të vlersuar. Edhe ndaj këtij njëriu gjetët fakte për akuza, lirshëm vazhdojeni këtë procedurë edhe ndaj profetëve se të tjerët, do të ju vështrojnë me mëshirë!


   Nuk dua të gjykoj me verbëri dhe me admirim ndaj të gjithë atyre që luftuan, se disa i verboj pasuria dhe abuzuan në emër të luftës. U zhveshën në liri nga meritat që i fituan në robëri, dhe kjo është e dënushme nga logjika kombëtare. Për këtë do të mbushen edhe faqet e historisë se ky realitet i hidhur duhet të pasqyrohet. Por, vlerat e luftës nuk duhet të kontestohen se ishte luftë fisnike, luftë për liri, për çlirim nga okupatori.


    Disa mirënjohjen ja shndërrojn në akuza, ndërsa politikanët, popullin i cili ishte i shenjtë për Bacën Adem, dhe për të cilin e dha jetën, ja konsiderojn një trup elektoral, një pasuri që ata munden ta përvetësojnë, si dhe ta disiplinojn të jetë i dëgjushëm t’i zbatojë urdhëratë politike, e çfarë nuk duhet të jetë për ta, nuk duhet të jetë populli ashtu siç e deshi baca Adem. E disa patën guxim të predikojnë që këtë figurë të ndritshme kombëtare ta shndërrojnë në pronësi politike, në interesa parciale, por e kotë se diçka që është në pronësi të mbarë popullit siç është Baca Adem, nuk do të mund të ishte ndryshe se kështu ishte edhe vullneti i Bacës Adem me familje.


 


 Nga mimika e statujes së Adem Jasharit më dolën këto fjali, që më pas i strukturova në këto strofa, e që ndodhën në librin Përballë Stuhish:


 


STATUJA E DESHPRUAR


 


Të bëmat e tuaja,


Të gdhendën në gurë të portretizuar,


Të skaliten, në kujtesën e historisë,


O heroi i mburojës së lirisë.


Përsëri të dëshpëruar të shoh, o statujë e lirisë


Edhe pse të vëmë, në sheshet më të nderuara,


Ku edhe toka, shpreh mirënjohje për ty


A mos, nuk të lavdëruam mjaft ?


Sakrifica në altarin e lirisë, s’kërkon dekorata.


Kërkon, jetësim të amanetit stërgjyshor.


Ç’më duhen fjalët e nderimet me fasada,


Kur skamja e vuajtja në kurriz na përulë.


 


Këta fëmije bonjakë që bredhin trotuareve


Me lot për kafshatën e bukës.


Nënave e motrave të tyre ju ngacmohet morali


Imazh zymtësie e familjes dëshmori.


 


Unë prita liri për këtë popull,


E ju, e përdorët në varësi të interesave.


Prita, shërim të plagëve të vjetra


E ju, i hapët plagë të reja.


 


Ju që përdhoset uniformën time


Moralin e ngritur te ushtarëve.


Sa shpejt betimin e dhënë e harruat


Ndërgjegjen e humbet për babëzinë.


 


Ju o pushtetarë, që ngulfatet fatin e popullit


Brezat e ardhshëm do t’ju mallkojnë.


Se paraardhësit e tyre i keni gozhduar


Në vend që t’ua dhuroni lumturinë.


 


Ju falënderon populli, o baca Adem.


Për, lirimin nga prangat shekullore.


Ah, do të doja të isha ende në ketë botë.


Ketë popull nga armiqtë e brendshëm ta pastroja.


 


Eh, atëherë i qetë nën këtë dhe do flija,


E shpirtërisht mbi re, pa brenga do të qëndroja.


Se besomëni o shqiptarë,


As, si i vdekur nuk pushoj ta dua atdheun.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …