Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për rendin juridik, jetën institucionale dhe kujtesën historike të Republikës së Kosovës. Aktgjykimi i 16 shtatorit 2026 i shpalli të akuzuarit fajtorë për katër vepra penale të krimeve të luftës dhe shqiptoi dënime individuale ndaj tyre. Duke qenë aktgjykim i shkallës së parë, ai i nënshtrohet mjeteve juridike të parashikuara nga kuadri juridik i Dhomave të Specializuara dhe, për rrjedhojë, çështja mbetet objekt i shqyrtimit të mëtejshëm gjyqësor.
Përtej pasojave juridike për personat e gjykuar, ky zhvillim kërkon një përgjigje të organizuar dhe profesionale në të gjitha instancat juridike në të cilat mund të shqyrtohet çështja. E drejta e mbrojtjes për të kundërshtuar aktgjykimin dhe për të kërkuar rishikimin e gjetjeve të tij përmes mjeteve juridike në dispozicion duhet të mbështetet me ekspertizën më të avancuar juridike ndërkombëtare. Në këtë drejtim, duhet të angazhohen ekspertë, kompani dhe ekipe të specializuara me përvojë të dëshmuar në të drejtën penale ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore evropiane, për të asistuar ekipet e mbrojtjes në analizën e aktgjykimit, në identifikimin e çështjeve të së drejtës dhe të provave dhe në përgatitjen e argumenteve të plota për procedurat e mëtejshme juridike.
Ky angazhim duhet të përfshijë veçanërisht analizën e bazës juridike të përgjegjësisë individuale, standardit të provës, vlerësimit të provave, lidhjes ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe përgjegjësisë së pretenduar kolektive, si dhe çështjes së ndërmarrjes së përbashkët kriminale (Joint Criminal Enterprise – JCE), aty ku kjo doktrinë është përdorur ose ka ndikuar në përcaktimin e përgjegjësisë. Qëllimi i këtij angazhimi nuk është ndërhyrja në pavarësinë e gjykatës, por sigurimi i një mbrojtjeje juridike sa më profesionale dhe i një shqyrtimi sa më rigoroz të çështjeve të së drejtës dhe të provave.
Në mënyrë të veçantë, duhet të zhvillohet një analizë e thelluar e qëndrueshmërisë juridike të konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe të mënyrës së aplikimit të tij në këtë çështje. Në këtë kuadër, qëndrueshmëria juridike e konstruktit të NPK-së duhet të vlerësohet në mënyrë të veçantë në procedurat e ankimit. Analiza duhet të përqendrohet në përputhshmërinë e konstatimeve faktike me elementet juridike të përgjegjësisë, në standardin e provës përtej dyshimit të arsyeshëm. Për këtë arsye, çdo element i NPK-së duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të veçantë juridik, faktik dhe provues, pa paragjykuar rezultatin e procedurave të mëtejshme.
Në veçanti, ekipet ndërkombëtare të angazhuara duhet të asistojnë mbrojtjen në argumentimin juridik për rrëzimin e gjetjeve që mbështesin ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, nëse dhe në masën që këto gjetje përbëjnë bazë të përgjegjësisë së të akuzuarve. Çështje të tilla kërkojnë analizë të thellë të standardeve të përgjegjësisë penale, të elementeve juridike të JCE-së, të zbatueshmërisë së saj në kohën e ngjarjeve dhe të mënyrës së aplikimit të saj ndaj përgjegjësisë individuale.
Kjo qasje duhet të shoqërohet me një mobilizim të gjerë të ekspertizës akademike shqiptare dhe ndërkombëtare. AShAK-u, universitetet dhe institutet kërkimore duhet të kontribuojnë, në përputhje me kompetencat dhe autonominë e tyre akademike, në studimin e burimeve historike, juridike dhe dokumentare që lidhen me luftën e Kosovës, duke krijuar një bazë të fuqishme shkencore për kuptimin e kontekstit historik në të cilin kanë ndodhur ngjarjet.
Drejtësia penale ndërkombëtare ka për objekt përcaktimin e përgjegjësisë individuale mbi bazën e provave, fakteve dhe standardeve të përcaktuara juridike. Për këtë arsye, përgjegjësia penale duhet të mbetet e individualizuar dhe nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi kolektive, politike apo historike. Në të njëjtën kohë, një aktgjykim penal, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mund të zëvendësojë kërkimin shkencor dhe dokumentimin e gjithanshëm të historisë së një konflikti, të një shoqërie dhe të një procesi të tërë shtetndërtimi.
Në këtë kontekst, ekziston një shqetësim serioz se interpretimet e caktuara të kontekstit historik të luftës, nëse shkëputen nga tërësia e fakteve dhe zhvillimeve që e karakterizuan Kosovën, mund të prodhojnë një narrativë të reduktuar të historisë së saj dhe të krijojnë premisa për rishikimin e njëanshëm të periudhës së luftës dhe të procesit të shtetndërtimit. Një rrezik i tillë duhet trajtuar si çështje e interesit të përgjithshëm shtetëror dhe historik.
Historia e Kosovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të studiohen në tërësinë e tyre: në raport me represionin sistematik, gjenocidin e Serbisë ndaj popullsisë shqiptare, luftën çlirimtare, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, ndërhyrjen ndërkombëtare, administrimin ndërkombëtar dhe procesin juridik e politik që çoi në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Asnjë dimension i kësaj historie nuk mund të shkëputet artificialisht nga tërësia e saj.
Paqëndrueshmëria e mundshme juridike e disa prej konstruksioneve mbi të cilat është mbështetur përgjegjësia penale në këtë çështje duhet të trajtohet ekskluzivisht përmes mjeteve juridike dhe argumentimit profesional. Në veçanti, duhet të vlerësohet nëse arsyetimi gjyqësor ka bërë një shtrembim të karakterit të përgjithshëm të strukturave politike, ushtarake të UÇK-së. Çdo zgjerim i përgjegjësisë përtej veprimeve konkrete duhet t’i nënshtrohet kontrollit të rreptë në dritën e parimit të ligjshmërisë dhe standardit të provës në të drejtën penale ndërkombëtare. Pikërisht për këtë arsye, procedura e ankimit duhet të shërbejë si mekanizëm i plotë për verifikimin e bazës juridike, arsyetimit, vlerësimit të provave dhe individualizimit të përgjegjësisë.
Për këtë arsye, përgjigjja ndaj këtij zhvillimi duhet të jetë mbi të gjitha institucionale, akademike, juridike dhe shtetërore. Republika e Kosovës duhet të ndërtojë kapacitete të qëndrueshme për dokumentimin e historisë së saj, mbrojtjen e rendit të saj kushtetues dhe paraqitjen profesionale të fakteve historike e juridike në hapësirën vendore dhe ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, kërkohen këto dhjetë masa shtetërore dhe institucionale:
- Tejkalimi i bllokadës kushtetuese dhe funksionalizimi i plotë i institucioneve.
Prioritet i menjëhershëm duhet të jetë tejkalimi i çdo bllokade kushtetuese dhe institucionale dhe sigurimi i funksionimit të plotë të Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese. Vetëm institucionet funksionale dhe legjitime mund të ndërtojnë një përgjigje të qëndrueshme shtetërore ndaj zhvillimeve juridike që prekin drejtpërdrejt kujtesën historike, interpretimin e luftës së Kosovës dhe procesin e shtetndërtimit. Funksionalizimi institucional duhet të krijojë kapacitetin për të dokumentuar në mënyrë sistematike rrethanat politike, juridike dhe shoqërore në të cilat u zhvillua lufta e Kosovës dhe veprimtaria e UÇK-së, duke siguruar që interpretimi i këtyre zhvillimeve të mos mbetet vetëm në burime të pjesshme ose në narrativa të njëanshme. Njëkohësisht, funksionimi i institucioneve është parakusht për ndarjen e qartë ndërmjet përgjegjësisë penale individuale dhe vlerësimit historik të një periudhe të tërë.
- Ndërtimi i një konsensusi ndërpartiak për çështjet themelore shtetërore.
Pozita dhe opozita duhet të ndërtojnë një konsensus institucional për çështjet që tejkalojnë konkurrencën politike dhe lidhen me interesat themelore të Republikës së Kosovës. Ky konsensus duhet të përfshijë dokumentimin e luftës, ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e trashëgimisë dokumentare të UÇK-së, mbështetjen e hulumtimit shkencor dhe paraqitjen e fakteve historike në hapësirën ndërkombëtare. Qasja konsensuale është e rëndësishme për të shmangur që historia e luftës dhe procesi i shtetndërtimit të trajtohen si çështje të përkohshme të një partie ose qeverie. Ajo duhet të sigurojë një qëndrim institucional të qëndrueshëm se çdo përgjegjësi penale vlerësohet individualisht nga organet gjyqësore, ndërsa historia e luftës duhet të dokumentohet dhe studiohet në tërësinë e saj.
- Miratimi i një rezolute të Kuvendit për qëndrimin institucional të Republikës së Kosovës.
Kuvendi duhet të zhvillojë një debat të posaçëm dhe të përcaktojë, përmes një akti institucional, parimet themelore të veprimit shtetëror pas aktgjykimit. Rezoluta duhet të afirmojë nevojën për respektimin e procedurave gjyqësore dhe të mjeteve juridike, por njëkohësisht të përcaktojë përgjegjësinë e institucioneve për dokumentimin e plotë të luftës së Kosovës dhe të rrethanave historike në të cilat veproi UÇK-ja. Ajo duhet të bëjë të qartë se një aktgjykim penal, pavarësisht përfundimit të procedurave gjyqësore, nuk përbën në vetvete një histori gjithëpërfshirëse të luftës së Kosovës dhe nuk mund të zëvendësojë hulumtimin historik, arkivor dhe akademik. Në këtë mënyrë, Kuvendi do të vendoste një dallim institucional ndërmjet drejtësisë penale dhe kujtesës historike.
- Hartimi i një Plani Shtetëror për Veprim.
Qeveria, në bashkëpunim me Kuvendin dhe institucionet kompetente, duhet të hartojë një Plan Shtetëror për Veprim, me objektiva, afate, institucione përgjegjëse dhe burime financiare. Plani duhet të mbështetet në një model të integruar, të frymëzuar nga përvoja krahasuese, i cili lidh veprimin juridik, dokumentimin historik, mbrojtjen sociale të kategorive të dala nga lufta, kujtesën institucionale, memorializimin, kërkimin shkencor dhe diplomacinë dokumentuese.
Në mënyrë të veçantë, Plani duhet të përmbajë një komponent të posaçëm për dokumentimin e rolit, organizimit, veprimtarisë dhe kontekstit historik të UÇK-së, mbi bazën e burimeve arkivore, dëshmive, dokumenteve vendore dhe ndërkombëtare dhe metodologjive të pranuara shkencore. Qëllimi nuk duhet të jetë krijimi i një narrative propagandistike, por sigurimi që historia të mos reduktohet në vetëm një proces penal ose në një interpretim të vetëm gjyqësor. Dokumentimi i plotë është instrumenti kryesor për të parandaluar deformimin, selektimin ose rishikimin e njëanshëm të historisë.
- Angazhimi i ekspertizës juridike ndërkombëtare për mbrojtjen.
Duhet të krijohet një mekanizëm shtetëror për mbështetjen, në përputhje me ligjin dhe pa cenuar pavarësinë e mbrojtjes, të ekipeve të mbrojtjes me ekspertë dhe firma prestigjioze amerikane dhe evropiane të së drejtës penale ndërkombëtare, me qëllim asistimin në përgatitjen e mjeteve juridike kundër aktgjykimit, veçanërisht në çështjet e përgjegjësisë individuale, standardit të provës, vlerësimit të provave dhe bazës juridike të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
Ky mekanizëm duhet të ketë karakter të përhershëm dhe të përfshijë një njësi për analizën e jurisprudencës ndërkombëtare, një njësi për dokumentimin dhe sistematizimin e provave dhe një njësi për koordinimin me ekipet e mbrojtjes. Një nga objektivat kryesore duhet të jetë sigurimi që çdo gjetje juridike që lidhet me UÇK-në, strukturat e saj dhe individët e akuzuar të shqyrtohet mbi bazën e përgjegjësisë së individualizuar dhe standardeve të përgjegjësisë penale. Në këtë mënyrë, mbrojtja juridike e individëve nuk do të ngatërrohet me një vlerësim të përgjithshëm historik të UÇK-së ose të luftës së Kosovës.
- Themelimi i një institucioni shtetëror për dokumentimin e luftës dhe shtetndërtimit.
Republika e Kosovës duhet të ndërmarrë procedurat ligjore për themelimin e një institucioni të specializuar për dokumentimin e luftës dhe procesit të shtetndërtimit, në bashkëpunim të ngushtë me AShAK-un, universitetet, institutet dhe arkivat. Ky institucion duhet të ndërtohet sipas një modeli të qëndrueshëm shtetëror, të frymëzuar nga përvoja e Republikës së Kroacisë, por i përshtatur plotësisht me rrethanat kushtetuese, historike dhe shoqërore të Kosovës.
Institucioni duhet të ketë mandat të posaçëm për mbledhjen, ruajtjen, digjitalizimin, katalogimin dhe publikimin e dokumenteve që lidhen me luftën e Kosovës, përfshirë dokumentet mbi veprimtarinë e UÇK-së, zhvillimet politike dhe ushtarake, marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare, dëshmitë e popullsisë civile, viktimat, personat e zhdukur, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe procesin që çoi në përfundimin e luftës dhe në ndërtimin institucional të Kosovës.
Modeli kroat është i rëndësishëm pikërisht për karakterin e tij të integruar institucional. Për Kosovën, rëndësia e këtij modeli qëndron në krijimin e një sistemi të përhershëm ku dokumentimi i luftës, kujtesa institucionale dhe kërkimi shkencor nuk varen nga ciklet politike. Një institucion i tillë do të krijonte bazën dokumentare të nevojshme për të kundërshtuar çdo përpjekje për shkëputjen e ngjarjeve nga konteksti i tyre historik ose për reduktimin e historisë së Kosovës në interpretimin e një procesi të vetëm gjyqësor.
- Program Shtetëror për hulumtimin shkencor të luftës dhe shtetndërtimit.
Duhet të ndërtohet një program afatgjatë shtetëror për kërkimin shkencor, botimin e dokumenteve arkivore, monografive dhe studimeve akademike. AShAK-u duhet të ketë rol qendror akademik dhe koordinues, ndërsa universitetet dhe institutet duhet të zhvillojnë projekte kërkimore, konferenca, botime dhe studime ndërdisiplinare.
Programi duhet të përfshijë financim të rregullt publik për projekte kërkimore, bursa për studiues të rinj, përkthimin e dokumenteve në gjuhë të huaja, krijimin e bazave të të dhënave dhe bashkëpunimin me institucione akademike ndërkombëtare. Një pjesë e veçantë e tij duhet t’i kushtohet studimit shkencor të luftës së Kosovës, përfshirë shkaqet dhe rrethanat e konfliktit, represionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, strukturat dhe veprimtarinë e UÇK-së, marrëdhëniet ndërmjet faktorëve politikë dhe ushtarakë, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe procesin e shtetndërtimit.
Qëllimi i këtij programi duhet të jetë krijimi i një baze të verifikueshme shkencore që mundëson një kuptim të plotë të historisë së luftës dhe parandalon që boshllëqet dokumentare të plotësohen nga narrativa selektive. Kërkimi shkencor nuk duhet të shërbejë për të zëvendësuar drejtësinë penale, por për të garantuar që historia e luftës të trajtohet si objekt i pavarur i hulumtimit historik, juridik dhe shoqëror.
- Forcimi i diplomacisë juridike dhe dokumentuese të Republikës së Kosovës.
Institucionet kompetente, në bashkëpunim me AShAK-un, universitetet dhe institutet kërkimore, duhet të ndërtojnë kapacitete të qëndrueshme për prezantimin profesional të dokumentacionit juridik dhe historik të Kosovës në hapësirën ndërkombëtare.
Në këtë kuadër, duhet të krijohet një qendër e posaçme për diplomaci dokumentuese dhe komunikim strategjik, e cila do të përgatisë dosje faktike, raporte periodike, botime shumëgjuhëshe, materiale për institucionet ndërkombëtare dhe programe informuese për opinionin publik ndërkombëtar. Në këto materiale duhet të paraqiten, në mënyrë të dokumentuar dhe metodologjikisht të verifikueshme, faktet mbi rrethanat e luftës, represionin ndaj popullsisë civile, zhvillimet politike dhe ushtarake, veprimtarinë e UÇK-së, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe procesin e shtetndërtimit.
Diplomacia dokumentuese duhet të synojë që historia e Kosovës të jetë e pranishme në literaturën akademike, institucionet ndërkombëtare dhe debatet profesionale mbi bazën e dokumenteve dhe burimeve të verifikueshme. Në këtë mënyrë, Republika e Kosovës do të krijonte kapacitetin institucional për t’iu përgjigjur deformimeve ose interpretimeve të njëanshme të historisë, pa cenuar pavarësinë e institucioneve gjyqësore dhe pa zëvendësuar debatin akademik me komunikim politik.
- Forcimi i kuadrit ligjor për kategoritë e dala nga lufta dhe kujtesën institucionale.
Duhet të rishikohet dhe, kur është e nevojshme, të forcohet kuadri ligjor për kategoritë e dala nga lufta dhe ruajtjen institucionale të kujtesës së luftës, duke studiuar në mënyrë sistematike përvojën krahasuese të Republikës së Kroacisë. Modeli kroat duhet të shërbejë si pikë referimi për ndërtimin e një sistemi të plotë, por jo për kopjim mekanik. Për Kosovën, ky sistem duhet të përfshijë mbrojtjen juridike dhe sociale të kategorive të dala nga lufta, dokumentimin e dëshmive të tyre, ruajtjen e kujtesës institucionale dhe krijimin e mekanizmave për memorializimin e ngjarjeve dhe personave që lidhen me luftën.
Në këtë kuadër, duhet të shqyrtohet hartimi i një Ligji gjithëpërfshirës për Luftën Çlirimtare dhe Kujtesën Shtetërore, i cili do të përcaktonte parimet e dokumentimit, mbrojtjes sociale, memorializimit, edukimit publik dhe përfaqësimit ndërkombëtar të historisë së luftës së Kosovës. Ky ligj duhet të sigurojë që dokumentet dhe dëshmitë që lidhen me luftën dhe me veprimtarinë e UÇK-së të ruhen si pjesë e trashëgimisë dokumentare të Republikës së Kosovës.
Një komponent i veçantë duhet t’u kushtohet personave të zhdukur, viktimave civile, familjeve të tyre dhe kategorive të tjera të prekura nga lufta. Dokumentimi i plotë i përvojave të tyre është i domosdoshëm për një histori gjithëpërfshirëse të luftës dhe për të shmangur selektimin e kujtesës sipas interesave të momentit. Duhet të krijohet gjithashtu një Regjistër Shtetëror i kategorive të dala nga lufta dhe viktimave, i administruar me standarde të larta të mbrojtjes së të dhënave, si dhe një sistem transparent verifikimi. Paralelisht, duhet të zhvillohet një rrjet i qendrave shtetërore për veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ku kujtesa, dokumentimi, shërbimet sociale, rehabilitimi dhe edukimi historik të trajtohen në mënyrë të integruar.
- Krijimi i një Këshilli Ndërinstitucional për luftën dhe shtetndërtimin e Kosovës.
Duhet të themelohet një Këshill Ndërinstitucional me përfaqësim të institucioneve kompetente, AShAK-ut, universiteteve, instituteve kërkimore, institucioneve arkivore dhe ekspertëve të pavarur. Këshilli duhet të ketë mandat të qartë për koordinimin e politikave shtetërore, mbikëqyrjen e zbatimit të Planit Shtetëror për Veprim, harmonizimin e dokumentimit, kërkimit shkencor, diplomacisë dokumentuese dhe politikave sociale për kategoritë e dala nga lufta. Një funksion i rëndësishëm i tij duhet të jetë koordinimi i përpjekjeve për ruajtjen dhe paraqitjen e dokumentuar të historisë së luftës së Kosovës dhe të rolit të UÇK-së, në mënyrë që dokumentacioni të jetë i plotë, i qasshëm dhe i mbështetur në standarde akademike.
Këshilli duhet të raportojë rregullisht para Kuvendit dhe publikut dhe të sigurojë që përgjegjësitë të mos shpërndahen ndërmjet institucioneve pa koordinim dhe pa rezultate konkrete. Nëpërmjet këtij mekanizmi duhet të sigurohet vazhdimësia e politikës shtetërore të dokumentimit dhe kujtesës, pavarësisht ndryshimeve të qeverive dhe cikleve politike.
Në tërësi, këto dhjetë masa duhet të funksionojnë si pjesë të një politike të integruar shtetërore për mbrojtjen juridike, dokumentimin historik dhe ruajtjen e kujtesës së luftës së Kosovës. Mbrojtja e luftës së UÇK-së në këtë kuadër duhet të kuptohet si mbrojtje e bazuar në dokumente, burime, dëshmi dhe hulumtim shkencor të kontekstit në të cilin ajo u zhvillua, ndërsa çdo çështje e përgjegjësisë penale duhet të mbetet e individualizuar dhe t’i nënshtrohet standardeve të drejtësisë penale. Qëllimi i një politike të tillë nuk duhet të jetë zëvendësimi i historisë shkencore me një narrativë zyrtare, por parandalimi i rishikimit të njëanshëm të historisë përmes krijimit të një baze të plotë, të verifikueshme dhe të qëndrueshme dokumentare. Republika e Kosovës duhet të jetë në gjendje të paraqesë në mënyrë profesionale dhe të argumentuar kontekstin e luftës, karakterin e konfliktit, përvojën e popullsisë civile, veprimtarinë e UÇK-së, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe procesin e shtetndërtimit.
Prishtinë,
22 shtator 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
