Brickos

Ramadan Emin Bytyçi (7.2.1964 - 18.4.1999)

Ramadan Emin Bytyçi (7.2.1964 – 18.4.1999)

Fshati Gjergjicë i komunës së Drenasit (ish – Gllogoc), luftës së UÇK-së i ka dhënë pesë dëshmorë të kombit dhe një martir të lirisë. Në luftë për çlirimin e Kosovës, në frontet e luftës çlirimtare kanë rënë: Ramadan Bytyçi, Sylë Morina, Bedri Shala, Gëzim Morina dhe Arben Shala. Është martirizuar nga forcat pushtuese, Mehë Morina.

Ramadan Bytyçi lindi në fshatin Gjergjicë, më 7 shkurt të vitit 1964. Babai I tij, Emini dhe nëna Fatimja rritën bijtë: Ramadanin, Brahimin, Rasimin e Hysniun si dhe bijat Rabijën, Gjylën dhe Begen.
Mësimet fillestare i kreu në fshatin Arllat. Ishte i zgjuar dhe i përkushtuar për mësim. Pas kryerjes me sukses të shkëlqyeshëm të shkollës fillore regjistrohet në shkollën e mesme teknike në Drenas, në drejtimin e ndërtimtarisë.
Duke qenë se familja e tij ishte e varfër ekonomikisht, Ramadani, ashtu sikur edhe shumë bashkëfshatarë të tij, largohet nga Kosova dhe shkon për të kërkuar punë në Kroaci e në Slloveni, ku kishte shumë shqiptarë nga Kosova, që punonin punë të rënda fizike. Është me interes të theksohet se punëtorët fizikë nga Drenica por edhe nga shumë vise të Kosovës shkonin për të kërkuar punë, sidomos në Slloveni dhe në Kroaci, ndërsa më pak prej tyre në Serbi, edhe pse ishte shumë më afër. Kjo bëhej edhe për faktin se atje nuk keqtrajtoheshin dhe nuk përbuzeshin sikur në Serbi, ku urrejtja kundër shqiptarëve ishte tejet e shprehur. Në Rjekë të Kroacisë, Ramadani, kishte edhe të afërm e bashkëfshatarë që kishin shkuar më parë, në mesin e tyre ishte edhe Sylë Morina (dëshmor i kombit), e të tjerë. Në Rjekë, ka punuar prej vitit 1989 deri në vitin 1991 kur edhe është kthyer në Kosovë.
Në moshë të re, nga leximi i literaturës dhe i mllefosur nga veprimet e dhunshme të regjimit jugosllav kundër shqiptarëve liridashës, Ramadani fillon të preokupohet me çështjen e çlirimit nga okupatori. Mbante kontakte me veprimtarin e mirënjohur të kësaj ane, Shaban Shala dhe me vëllezërit e tij, të njohur tashmë për rezistencë kundër regjimit okupator serb.
Në fillim të prillit të vitit 1998, Ramadani vë kontakt me grupet e para të UÇK-së. Inkuadrohet në radhët e kësaj ushtrie çlirimtare, më 27 prill të vitit 1998, kur së bashku me disa bashkëluftëtarë merr pjesë në një aksion të organizuar kundër një njësiti të motorizuar serb, afër fshatit Gjergjicë, në magjistralen Prishtinë-Pejë. Fillimisht sistemohet në njësitin “Pëllumbi” në Negroc, të cilin e komandonte Ferat Shala.
Më 9 maj të po atij viti, Ramadan Bytyçi së bashku me Mehedin Morinën, Rasim Kiçinën, Imer Alushanin, Besim Halilajn, Fatos Krasniqin e shumë luftëtarë të tjerë të njësiteve: “Lumi”, “Pëllumbi”, “Çeliku”, merr pjesë në luftimet që janë zhvilluar për zënien e Grykës së Llapushnikut.
Së bashku me shumë bashkëluftëtarë, në verë të vitit 1998 ka shkuar në Shqipëri për të sjellë armë dhe municion për nevojat e luftës. Ka marrë pjesë në luftime gjatë kohës së ofensivës së forcave serbe në Grykë të Llapushnikut më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998. Ishte kurdoherë në radhë të parë të fronit së bashku me komandantin Mujë Krasniqi, Shaban Shalën, Shefqet Bytyqin, Ferat Shalën e të tjerë.
Me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, në tetor të vitit 1998, Ramadan Bytyçi emërohet komandant toge i Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, i Zonës operative të Drenicës.
Në nëntor të vitit 1998, në krye me komandantin Mujë Krasniqi dhe shumë luftëtarë edhe Ramadani shkon në Shqipëri për të marrë armatim e municion për nevojat e luftës së UÇK-së, e cila ishte zgjeruar hovshëm por kishte mungesë armatimi e sidomos mungesë të municionit. Gjatë kthimit në Kosovë të luftëtarëve të lirisë, më 14 dhjetor të vitit 1998, formacioni që po kthehej i armatosur nga Shqipëria bie në pritë të forcave serbe, në malin e Gorozhupit, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” ku kanë rënë 40 dëshmorë së bashku me komandant Mujë Krasniqin. Ramadani mori pjesë në luftimet që janë zhvilluar në malet e Gorozhupit dhe me disa bashkëluftëtarë të tjerë kishte arritur të tërhiqej.
Në kohën e ofensivës serbe të dimrit, në mars dhe prill të vitit 1999, Ramadan Bytyçi me shumë bashkëluftëtarë të Brigadës 113 dhe të Brigadës 114 të Zonës Operative të Drenicës sistemohen në Rrafshnaltë, në Malet e Llapushnikut dhe të Berishës. Asokohe, rreshtohet te “Shkëmbi i Gradinës” që ishte pika më strategjike e Rrafshnaltës, e cila ndodhej ballë për ballë me forcat serbe të pozicionuara te lagjja Sopi e Llapushnikut.
Më 18 prill 1999, ditë e diel, herët në mëngjes fillon sulmi i forcave armike në një rreze të gjerë veprimi përreth pozicioneve por me pikësynim pushtimin e Shkëmbit të Gradinës, që ishte pika më strategjike e Rrafshnaltës. Ramadani ishte në vijën e parë të frontit. Pas disa orë luftimesh, këmbësoria armike në njësite të shumta sulmuese kishte arritur deri afër pozicioneve.
Në një moment kritik derisa ishte duke luftuar kundër forcave serbe, Ramadanin e godet plumbi i armikut. Ai bie në altarin e atdheut, së bashku me Halim Bajraktarin, Mentor Morinën, Islam Kastratin dhe Mentor Gashin. Pesë dëshmorët e kombit, bashkëluftëtarët e tyre, natën vonë i varrosin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Kleçkë. Qëndresa heroike te Shkëmbi i Gradinës shënon njërën ndër fitoret vendimtare të UÇK-së kundër forcave okupatore serbe.
Ramadan Bytyçi ka qenë i martuar me Elifen. Ai ka lënë djalin, Egzonin dhe bijat: Mimozën, Mirjetën, Valentinën e Antigonën.
Familja Bytyçi ka marrë mirënjohje për dëshmorin nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës, nga drejtoria e Radios-Kosova e lirë dhe nga Kuvendi komunal i Drenasit. Pllakë përkujtimore për dëshmorin, Ramadan Bytyçi, familja e tij e ka ngritur te Shkëmbi i Gradinës, pikërisht në vendin e rënies. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …