Ramazan Sherja: Çka i solli Shqipërisë 8 nëntori i Enver Hoxhës, i vitit 1941, dhe 8 dhjetori i Sali Berishës, i vitit 1990?

Në ditën që po i hiqej imuniteti, Saliu mblodhi një grup mbështetësish para parlamentit dhe i eksituar si zakonisht kur sheh dy njerëz bashkë , u bëri thirrje atyre të rikthejnë edhe një herë 8 dhjetorin, Lëvizjen që lindi fillimin e proceseve demokratike. Por shqiptarët tani e provuan se ç’u solli 8 nëntori i Enver Hoxhës dhe 8 dhjetori i Sali Berishës. Këta janë dy data të rëndësishme që ndajnë sot qëndrimet dhe konceptet e mjaft shqiptarëve ndaj historisë së këtij vendi. 8 nëntori lindi PKSH, që solli në pushtet për afro 50 vjet atë që disa e quajnë thjeshtë diktaturë, kurse 8 dhjetori lindi Lëvizjen studentore, e cila na solli atë që prej 30 e ca vitesh e quajnë demokraci.

 

Duhet thënë pa ekuivok, se as 8 nëntori 1941 dhe as dhjetori 1990, nuk u sollën shqiptarëve atë që dëshiruan dhe për të cilën kanë sakrifikuar shumë. Le të bëjmë një krahasim pa anshmëri partiake. Më 8 nëntor 1941 u themelua një parti komuniste, që arriti ta bënte për vete popullin, dhe me Enver Hoxhën në krye bëri Luftën ANÇ dhe i dha popullit lirinë. Kush mohon këtë, është keqdashës dhe miop i i një pjese të lavdishme të historisë së këtij kombi. Por ëmbëlsia dhe euforia e pushtetit i dehu disa nga udhëheqësit e Luftës, të cilët harruan shpejt nga dolën dhe i dhanë pushtetit nje orientim jo në përputhje me dëshirat e shumicës së popullit. Por çdo njeri me dy pare mend në kokë, e pranon ama, se krahas gabimeve, disa prej të cilëve edhe të rënda, ai 8 nëntor na solli lirinë, pa të cilën nuk do të ekzistonte demokracia e sotme.

 

Ai pushtet na solli zhdukjen e analfabetizmit dhe uljen në maksimumin e mundshëm të vdekshmërisë foshnjore dhe popullsia u rrit për një dhjetëvjeçar nga 800 mijë në vitet e para pas Çlirimit, në tre milon banorë. 8 nëntori na solli shërbim shëndetësor falas, arsim konkurrues me vendet e përparuara të botës,vepra gjigande ekonomike dhe sigurimin e punësimit për të gjithë. Mbi të gjitha 8 nëntori na solli një zhvillim cilësor të artit dhe kulturës, nxori profesorë , pedagogë e mësues të shquar që e ngritën arsimin kombëtar në lartësitë që e kërkonte koha.

 

Tek nëntori i kanë rrënjët veprat e Ismailit, Dritëroit, Arapit, Fatmir Gjatës, Ali Abdihoxhës, Musarajt , Shuteriqit, Sabri Godos, Jakov Xoxës e shumë të tjerëve, që pavarësisht nga politika që përcillnin, arti i fuqishëm që i përshkonte , errësonte në çdo faqe mangësitë ideore dhe vazhdon të impresionojë edhe sot gjithkë që i merr në dorë e i lexon. Çuditem kur liliputë të sotëm politikë dhe pseudofilozofë, ngrihen kundër atij arsimi e zhvillimi të fuqishëm artistik. Herë pas here politikanë e analistë, madje edhe krerë fetarë “të paanshëm”, jo vetëm mohojnë gjithçka pozitive të 50 viteve që ishte mund e djersë e këtij populli, por kërkojnë të ndalohen ligjërisht gjithë krijimtaria artistike e “komunizmit”.

 

Pra këta pseudopatriotë duan ta lënë kombin pa artistët e mëdhenj Kadri Roshin,Robert Ndrenikën,Timo Fllokon,Tinka Kurtin,Sandër Prosin, Sulejman Pitarkon,Margarita Xhepën, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin, Violeta Manushin, Demir Hyskën e dhjetra të tjerë që përcjellin në brezat e rinj një copë realitet të pavdekshëm të historisë së popullit shqiptar. Ata kërkojnë që shumica e shqiptarëve të braktisin regjisorët e mëdhenj Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika,Vladimir Prifti,Muharrem Fejzo që me largpamësinë dhe talentin e tyre krijuan ato filma të bukur që u bënë pjesë e pandashme e jetës së disa brezave. Këta “demokratë” mediokër, duan të shuajnë zërin e Vaçe Zelës, Fiqërete Rexhës, Mentor Xhemalit, Gaqo Çakos,Luan Zhegut, Myfarete Lazrit, Parashqevi Simaku, Alida Hiskut,etj që me zërin e tyre pushtuan mijëra zemra. Sepse arti i vërtetë depërton natyrshëm në zemrat e njerëzve, sado i egër të jetë një regjim shtetëror. Ashtu siç thotë Lamartini: “Çdo art njerëzor ka krijuar mrekullira, politika në shumicën e saj Monstra”.

 

Kurse 8 dhjetori, që na premtoi “Çekun e bardhë”, në shumicën e rasteve u nxiu jetën pjesës më të madhe të shqiptarëve. Përveç një mirëqenie tejskajshmërish të diferencuar të mamuthëve të korrupsionit dhe popullit fukara, me asgjë tjetër nuk mund ta konkurrojë pushtetin që lindi nga 8 nëntori. Sali Berishën më kot e rren mendja se është akoma në ato ditët e dhjetorit të ’90, ku ngrinte dy gishtat lart dhe herë lavdëronte Ramiz Alinë dhe herë shante diktaturën. Prano Sali se nuk të ndjekin më shqiptarët, pasi ti ua vrave përjetësisht 8 dhjetorin. Te dyja datat 8 kanë të përbashkët propagandën e shfrenuar të pushtetit për të bindur popullin se ata “janë në shërbim e për të mirën e tij”. Edhe udha qe e njejtë ; ashtu siç revolucioni socialist hëngri bijtë e vet gjatë “ mrekullisë socialiste” edhe epoka e re me berishizmin u preu kokat “demokratikisht” atyre që e nisën Lëvizjen për të krijuar bllokun e ri të bollëkut familjar.

 

Thonë, se Enveri i manipuloi shokët dhe rrëmbeu drejtimin e partisë më 8 nëntor. Të njëjtën gjë bëri edhe Saliu, i cili ua rrëmbeu partinë studentëve themelues të saj. Ashtu si Enveri eliminoi shokët ca me shpatë e ca me bërryla, bëri edhe Saliu, duke ua prerë kokat “demokratisht” atyre që i besuan.

Thonë për Enverin se vrau e burgosi njerëz të pafajshëm në bazë të ligjeve të kohës, kurse Sala vrau e preu, pa asnjë lloj ligji,ndoshta më shumë se Enveri. Enveri fliste për “revolucion “ dhe e bënte realitet, kurse Saliu është demagog e frikacak dhe bën krekosje me “mosbindjen civile.” Enveri ndërtoi, kurse Saliu i “demokracisë” vetëm shkatërroi.

 

Këta që hiqen sot si antisocialistë e antikomunistë, janë mbartësit më të rrezikshëm të koncepteve moniste. Historia është histori dhe të tjerët të besojnë kur atë e interpretohet sipas ligjeve shkencore e sipas vlerave që ka. Që të mohosh duhet të pohosh. Nxirrni sot ju kritizerë të krijimtarisë artistike moniste një roman, një film,një këngë, një profesor, një mësues,që të konkurrojë analogët e tyre të së kaluarës moniste. Ata që mundohen të hiqen më katolikë se papa në luftën kundër çdo gjëje të mirë të pushtetit komunist, doja t’u sillja në mendje thënien e Ronald Reganit se cili është dallimi midis komunistit dhe antikomunistit.

 

“Një komunist lexon Marksin dhe Engelsin,-thotë ai, një antikomunist e kupton Marksin dhe Engelsin”. Prandaj ju inkuizitorë e censurorë “demokratë” linie artin ashtu siç është krijuar dhe siç i pëlqen popullit . Paskan pasur fatin e keq shqiptarët, 8 nëntorin e plagosi Enveri, 8 dhjetorin e vrau përfundimisht Saliu. (SOT)

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: 8 maji do të jetë Referendum, të rrethojmë numrin 4 për të ardhmen europiane

Fronti Europian sot mbajti konferencë për media ku kandidati për deputet Naim Bajrami ka elaboruar …