leoni

Reagim i Redaksisë së monografisë “Feniksët e lirisë”, kundër artikullit të Ekrem Kryeziut, “Epokat tona para gjyqeve”, botuar më 27 maj, në gazetën EPOKA E RE

Në vazhdim të përpjekjeve për të përbaltur vëllimet e monografisë Feniksët e lirisë, ku denjësisht është prezantuar dhe po prezantohet lufta e UÇK-së, përmes biografive të dëshmorëve të kombit, doli sheshit edhe “mllefi” i njëfarë të ashtuquajturi kolumnist letërnxirës, Ekrem Kryeziu, i cili në stilin e tij të mëhallëve e pijetoreve të bodrumeve të Prishtinës, i fut hundët kudo, me pretendimin që të dalë nga anonimiteti, në të cilin është futur si regjisor i dështuar, si krijues i dështuar, si i ish-dënuar politik i dështuar dhe si gazetar i dështuar, por edhe për të treguar se ky pinjoll i bejlerëve kryezezë, është gjallë dhe madje i vënë në mbrojtje të një ushtari të UÇK-së, siç është Fatmir Limaj. Ky sarhosh mendjemadh, që pretendon të merret me epokat e me gjyqet, ka dëshmuar prirje, që në momente të caktuara të ngrejë zërin, për të treguar diçka, për të thënë diçka, për të përbaltuar diçka, për të na përkujtuar diçka nga jeta e tij dhe e të parëve të tij.
Sa për mbrojtjen që Kryeziu pretendon t’i bëjë Fatmir Limajt, këtë të drejtë atij nuk ia konteston askush, por ky njeri nuk do të duhej të brengosej për paraqitjen e së vërtetës në vëllimet e monografisë, Feniksët e lirisë, nëse qëllimi i tij nuk ka të bëjë me porosi të caktuar e me honorarët e majme të kolumneve të tij të pakripë.
Maja e akullnajës së papërgjegjësisë, sipas Kryeziut qenka botimi i monografisë Feniksët e lirisë! Sipas tij, po mjaftuaka që vetëm një datë të jetë e kontestueshme, për t’i vënë pastaj nën dyshim krejt vëllimet e monografisë. Dhe sa është i sigurt në të dhëna e dëshmi të tilla ky njeri, kur i jep vetes të drejtë, që pa argumentuar publikisht asnjë fakt relevant, të arbitrojë vetëm sipas asaj që është prezantuar në Tribunalin e Hagës?
Me rastin e themelimit të Redaksisë Feniksët e lirisë, anëtarëve të Redaksisë nuk iu ka shkuar mendja fare për të marrë pëlqimin e Ekrem Kryeziut, pasi ata nuk kishin pse ta dinin se ku ndodhej ai, dhe të tillët si ky, por e dinin mirë se ky kryezi nuk kishte qenë pjesë e luftës së UÇK-së, ashtu sikurse kanë qenë 17 nënshkruesit e projektit, në mesin e tyre edhe Fatmir Limaj. Pretendimi hileqar i Kryeziut për të vënë në dilemë përgjegjësie, projektin si të tillë, përputhet me pretendimet e gjithë atyre, të cilët e kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta demonizuar atë. Kjo përpjekje idiotike për ta mohuar të vërtetën, pa marrë parasysh se kujt mund t’ia vrasë sytë ajo, nuk i brengos anëtarët e Redaksisë, Feniksët e lirisë, të cilët edhe vetë janë pjesëmarrës dhe ish-kuadro ushtarakë e politikë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj ata nuk do të heqin dorë nga pasqyrimi i së vërtetës dhe mbrojtja e vlerave të luftës të UÇK-së. Redaksia Dëshmorët e UÇK-së ia bën me dije kolumnistit Kryeziu se do të vazhdojë të pasurojë e të mbrojë monografinë Feniksët e lirisë, siç e mbrojtën me gjak dëshmorët e kombit, lirinë e Kosovës. Po ashtu, ajo ia bën me dije këtij artikullshkruesi se monografia Feniksët e lirisë nuk ka shkëlqyer e nuk do të shkëlqejë kurrë për të keq, siç mund të reflektojnë errësirë faqezinjtë dhe kryezinjtë në Kosovë. Këta faqezinj dhe kryezinj, nëse nuk e dinë, duhet ta mësojnë se brenda kopertinave të monografisë Feniksët e lirisë është i mbrujtur dhe ende i njomë gjaku i dëshmorëve, shkëlqimi i të cilit do t’i ndriçojë epokat.
Lexuesve të kësaj monografie dhe familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Redaksia ua bën me dije, me këtë rast, se pesë vëllimet e deritanishme të kësaj monografie janë botuar mijëra ekzemplarë, të cilët sot gjenden në çdo familje dëshmorësh e në duart e lexuesve të respektuar. Për vlerat dokumentare, historike e artistike të saj, faqeziu Ekrem Kryeziu, duhet t’i pyesë në rend të parë këto familje dhe këta lexues të nderuar. Redaksia Dëshmorët e UÇK-së

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …