Brickos

Reagim i SHFHDK-së të paraluftës çlirimtare në Kosovë ndaj provokimeve luftënxitëse të Serbisë në veri të Kosovës

Reagim i SHFHDK-së të paraluftës çlirimtare në Kosovë ndaj provokimeve luftënxitëse të Serbisë në veri të Kosovës

Të mobilizohemi për t’i dhënë grushtin e fundit serbo-fashistëve çetnik pro-rus!

Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në veriun e saj, si pasojë e provokimeve luftënxitëse të Serbisë, u debatua mbrëmë në mbledhjen e Kryesisë së Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (ShFHDK), që u kryesua nga Naim Zhitia, kryetar.

Kurrsesi dhe për asnjë çmim nuk duhet të lejohet asociacion i cili do të binte ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti ka mbështetjen e fuqishme të Shoqatës së Familjarëve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit të paraluftës çlirimtare në Kosovë për qëndrimin dhe këmbëngulësinë e pa kompromis për shtrirjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetin territorial të Republikës sonë, e cila po sfidohet përmes provokimeve luftënxitëse të Serbisë pro-ruso-fashiste.

Qeveria e Republikës së Kosovës,  të gjitha institucionet shtetërore dhe mbarë populli shqiptar duhet të jenë të gatshëm dhe të mobilizuar për çdo situatë, në mënyrë që agresionit eventual ndaj veriut të Kosovës t’i përgjigjemi me gjuhën të cilën Serbia e njeh më së miri – me të gjitha forcat që disponojmë si komb shqiptar në vend dhe Ballkan. Ftojmë edhe Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha institucionet e saj që në këtë drejtim të dalin në mbështetje të Kosovës. Gjithashtu nevojitet një bashkëveprim edhe me ShBA-të për këtë qëllim.

Të organizojmë protestat gjithë-popullore nëpër të gjitha qytetet e Kosovës dhe në Shqipëri, Maqedoni dhe në mërgatë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë.

Ndërmjetësuesit evropian në dialog, Borell dhe Lajçak të heqin dorë nga ledhatimi që po ia bëjnë Serbisë në raport me Kosovën. Si mund të barazohen provokimet e hapura të Serbisë për sulmet dhe kthimin e ushtrisë në vendin e krimit me kërkesat e drejta të Kosovës për ndërtimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen e sovranitetit.

Duhet t’ua bëjmë të ditur të gjithëve se është shumëfish më i madh motivi i shqiptarëve për të mbrojtur vendin tonë të përgjakur nga Serbia, sesa apetitet e forcave çetniko-fashiste pro-ruse.

Disa analistë në Kosovë të pushojnë me prononcimet gjatë debateve në favor të Serbisë, të cilët në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe amanetin e dëshmorëve të kombit propozojnë që Kosova duhet t’i japë oferta Serbisë në këmbim të arritjes së ndonjë marrëveshjeje!

Ta kenë të qartë ata dhe të gjithë që mendojnë si këta mjeranë se kurrë nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë në dëm të Kosovës, sepse një gjë të tillë nuk do ta lejojë populli shqiptar.

Serbia përmes gjenocidit ka aneksuar dhjetëra mijëra kilometra të trojeve shqiptare, nga të cilat ka përzënë qindra-mijëra shqiptarë duke filluar nga Molla e Kuqe për në Kosovë.

Edhe nga partitë opozitare dhe kërkohet që të jenë të bashkuara me qëllim të arritjes së një uniteti me Qeverinë kundër agresionit që po pretendon Serbia në Kosovë.

Po ashtu është e domosdoshme dhe legjitime për bojkotimin përfundimtar të produkteve të Serbisë në Kosovë.

Lufta çlirimtare e UÇK-së dhe sidomos gjaku i derdhur i dëshmorëve të kombit, në krye me heroin dhe komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe i heronjve dhe dëshmorëve të paraluftës çlirimtare në Kosovë, është motivim shtesë për t’u mobilizuar kundër Serbisë fashiste pro-ruse të cilës duhet t’i jepet grushti i fundit njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që shteti i Kosovës të sendërtohet ashtu siç ishte amaneti i dëshmorëve.

Shoqata e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (ShFHDK)

Behram Krasniqi

Prishtinë, 13.12.2022

Kontrolloni gjithashtu

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i …