Me qëllim të sqarimit publik për institucionet vendore dhe ndërkombëtare
Duke parë se aktiviteti i zhvilluar në Komunën e Deçanit për mirëmbajtjen e rrugës në Zonën e Veçantë të Mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit ka ngritur shqetësime, fillimisht te personeli i manastirit dhe më pas edhe te miqtë tanë ndërkombëtarë, më lejoni t’ju informoj se ne, si komunë, jemi plotësisht të përkushtuar në respektimin e ligjeve, veçanërisht të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, si dhe të marrëveshjeve që rregullojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës në këtë zonë. Këtë e kemi dëshmuar vazhdimisht ndër vite.
Po bëjmë maksimumin, së bashku me institucionet e tjera, që Deçani të mbetet një qytet i qetë, ku të gjithë jetojmë në harmoni, respektojmë vlerat e njëri-tjetrit dhe krenohemi me trashëgiminë kulturore e historike të qytetit tonë, e në veçanti me Manastirin e Deçanit. Në këtë frymë do të vazhdojmë gjithmonë bashkëpunimin.
Aktiviteti dyditor i mirëmbajtjes së rrugës në fjalë ka të bëjë vetëm me mbushjen e gropave, heqjen e vegjetacionit dhe të shkurreve, si dhe largimin e pluhurit të grumbulluar përgjatë rrugës, e assesi me ndonjë aktivitet tjetër, siç është supozuar.
Komuna e Deçanit ka ndërmarrë edhe më herët aktivitete të tilla mirëmbajtjeje, duke u bazuar edhe në dakordimin me personelin e manastirit, konkretisht me At Saven.
Kërkoj mirëkuptimin e të gjithëve që ta vlerësojnë drejt nevojën për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, duke u përmbajtur nga vlerësimet dhe cilësimet që nuk pasqyrojnë gjendjen reale.
Megjithatë, mirëmbajtja ka përfunduar si aktivitet. Shpresoj që për një kohë të mos kemi nevojë të bëjmë mirëmbajtjen e rrugës.
Me respekt,
Bashkim Ramosaj
Kryetar i Komunës së Deçanit