Arbanë Qeriqi: Intervistë me Rugovë Sinanin, bija e heroit të kombit, Tahir Sinani

Rugovë T. Sinani: “Nuk është 25-vjetor i vdekjes, por 25 vjet nga pavdekësia jote, babi”

Në 25-vjetorin e rënies heroike të Heroit të Kombit, Tahir Sinani, vajza e tij, Rugovë T. Sinani, ka përcjellë një mesazh prekës, të mbushur me mall, krenari dhe respekt të pafund për figurën e të atit.

Ajo rikujton momentin e fundit kur e pa babanë e saj duke u larguar nga shtëpia, pikërisht në ditëlindjen e saj. Edhe pse ishte ende fëmijë, thotë se zemra e saj e kishte ndier se ai nuk do të kthehej më.

“Shkove dhe kurrë më nuk e pashë atë buzëqeshjen tënde, as përqafimin tënd. Kur rritesh, kupton se mbi të gjitha është liria e Atdheut. Babi e dëshmoi këtë me aktin e tij heroik, vetëflijimin për çështjen kombëtare”, shkruan Rugovë T. Sinani .

Në mesazhin e saj, ajo shpreh bindjen se vepra e Tahir Sinanit vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë brezat e rinj, duke theksuar se edhe fëmijët e saj e duan dhe e nderojnë gjyshin pa e njohur kurrë personalisht.

“Pashtriku, Vigani dhe Tahiri i ri të duan pa të njohur. Mjafton një fotografi apo të përmendet emri yt. Vepra jote është udhërrëfyes për çdo shqiptar”, shprehet ajo.

Në fund të mesazhit, Rugova Sinani jep një përkufizim që pasqyron përmasën e sakrificës së Heroit të Kombit:

“Nuk është 25-vjetor i vdekjes, por është 25 vjet nga pavdekësia jote, babi!”

Mesazhi i saj përfundon me nderimin më të lartë për të atin dhe për të gjithë ata që ranë për lirinë e atdheut:

“I lehtë të qoftë dheu i Kosovës! Lavdi përjetë gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”

Kontrolloni gjithashtu

Zijadin Hoxha - TV Dielli

Zijadin Hoxha mohon akuzat e Esat Shalës: Kam dëshmuar për mbrojtjen e Pjetër Shalës, jo për Prokurorinë

Veterani i UÇK-së, Zijadin Hoxha, ka hedhur poshtë pretendimet e arkivistit të luftës, Esat Shala, …