Sadik Halitjaha: AKADEMI NË 25-VJETORIN E RËNIES SË TAHIR SINANIT

Heroi i pavdekshëm i tri luftërave çlirimtare, Tahir Mal Sinani, ishte i pakrahasueshëm për trimëri, dinjitet dhe patriotizëm kombëtar.

Tahir Sinani lindi më 25 maj 1964 në fshatin Gri të Tropojës. Pasi përfundoi Shkollën e Mesme të Bujqësisë në Tropojë, vazhdoi përgatitjen ushtarake në Zall-Herr, ku ndoqi Akademinë e Trajnimeve të Njësive Speciale për përgatitjen e marinsave shqiptarë.

Në atë kohë, këto ishin njësi elitare të Ushtrisë Shqiptare. Në këtë institucion të lartë ushtarak, Tahiri u dallua për aftësitë e tij dhe fitoi titullin instruktor i trajnimeve.

Tahiri dhe familja e tij – bashkëshortja, vajzat dhe djali – jetonin të qetë e të sigurt në vendlindjen e tij, në Shqipëri, ndërkohë që në Kosovë zhvillohej lufta. Mirëpo, gjeni luftarak i stërnipit të Mic Sokolit dhe gjaku i tij shqiptar nuk e lanë të qëndronte duarkryq.

Siç shprehej edhe vetë:

“Nuk durohej që të vriteshin vëllezërit në Kosovë e unë të bëja sehir.”

Tahiri kontaktoi disa herë Qendrën e Furnizimit dhe të Trajnimeve në Krumë, në veri të Shqipërisë. Përmes saj u vu në lidhje me Komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla. Me urdhrin e Komandantit të Përgjithshëm, Tahiri hyri në Kosovë.

Ai hyri së bashku me një grup luftëtarësh, të cilëve u printe luftëtari me përvojë, Ruzhdi Kryeziu nga Pagarusha.

Po atë ditë, edhe unë isha i ftuar të shkoja në Shtabin e Përgjithshëm nga Budakova. Rruga më detyronte të kaloja nëpër Pagarushë, ku pata rastin ta takoja Tahirin. Ai sapo kishte mbërritur në odën e Ruzhdi Kryeziut, më 14 nëntor 1998.

Duke dashur ta njihja më mirë karakterin e këtij djaloshi, i cili ishte nëntë vjet më i ri se unë, e pyeta:

– “Nga cili vend je dhe sa kohë do të qëndrosh në Kosovë?”

Ai m’u përgjigj:

– “Jam nga fshati Gri i Tropojës dhe do të jem me ju deri në çlirim ose në vdekje!”

Në ato çaste u ngrita dhe e përqafova fort. I urova mirëseardhje, fat dhe jetë.

Edhe ai më uroi për plagët që kisha marrë dhe më tha:

– “Bacë, të tjerët po të thonë komandant, por unë po të them bacë, derisa ende nuk e di pozitën dhe detyrën tënde.”

Atë natë nuk fjetëm fare. Nga rreth njëzet veta që ndodheshim në atë odë, rastisi të flinim pranë njëri-tjetrit, mbi dyshekët e shtruar në odë. Tanimë ndodheshim në një zonë të kontrolluar nga UÇK-ja dhe ndiheshim jashtë rrezikut të menjëhershëm.

Të nesërmen kishim të njëjtën rrugë. U nisëm së bashku drejt Kleçkës, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

Mua më caktuan në Administratë – J1, ndërsa Tahiri u emërua komandant i Njësisë Speciale “Arbri”. Në një kohë rekord, brenda vetëm tre muajsh, ai e ngriti këtë njësi në nivelin më të lartë të përgatitjes luftarake.

Më pas, komandën e Njësisë Speciale “Arbri” e mori Ajvaz Berisha, ndërsa Tahiri u emërua komandant i Brigadës 122. Këtë detyrë e ushtroi deri më 17 mars 1999, kur, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm, u ngrit në detyrën e komandantit të Zonës Operative të Pashtrikut (ZOP).

Edhe mua, nga detyra e ndihmës komandantit për moral dhe çështje politike, më emëruan zëvendëskomandant të Zonës Operative të Pashtrikut.

Gjatë gjithë luftës ishim pothuajse të pandarë. Ndarja jonë ndodhte vetëm atëherë kur e kërkonte detyra, në beteja të ndryshme, për të komanduar njësitë dhe për të drejtuar veprimet luftarake.

Tahir Sinani ishte i pakrahasueshëm për trimëri, vendosmëri, disiplinë ushtarake dhe aftësi drejtuese. Ai ishte një komandant që frymëzonte besim, guxim dhe sakrificë, duke u bërë shembull për çdo luftëtar që pati nderin të luftonte përkrah tij.

Tahiri mori pjesë në pritën e organizuar te Pishat, në dalje të Suharekës, në drejtim të Prishtinës, më 8 janar 1999. Në vendin ku u zhvillua kjo betejë, edhe sot valon flamuri kombëtar dhe është vendosur një pllakë përkujtimore në nderim të kësaj ngjarjeje.

Në atë pritë u vranë tre ushtarë të forcave armike, njëri prej tyre oficer, ndërsa pati edhe disa të plagosur. Gjatë aksionit u shkatërruan një maune ushtarake dhe një automjet i tipit Pinzgauer, i cili përdorej për transportin e oficerëve serbë.

Prita u organizua nga komandantët Zenel Zekolli dhe Qamil Kroni.

Pjesëmarrjen në këtë përballje me armikun e kërkoi vetë Tahiri. Ai dëshironte ta provonte veten në fushën e betejës përballë pushtuesit serb dhe doli faqebardhë, duke treguar guxim, vendosmëri dhe aftësi të jashtëzakonshme luftarake. Aksioni përfundoi me sukses të plotë dhe pa asnjë humbje nga radhët tona.

Më pas, bashkë me Tahirin projektuam dhe organizuam mbrojtjen gjatë betejës tetë ditore në Qafën e Pagarushës, duke zhvilluar luftime në Shkozë, Dragobil, Semetisht, Peqan, Sllapuzhan dhe Gollushë. Gjatë kësaj beteje, për pesë ditë me radhë qëndruam së bashku në vijat e para të frontit.

Më 1 prill 1999, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, u tërhoqëm nga ky perimetër i rezistencës sonë heroike, me qëllim forcimin e mbrojtjes së Kleçkës, Berishës, Tërpezës, Krojmirit, Javorit dhe Divjakës.

Ky ishte bastioni ynë i fundit – vendndodhja e Shtabit të Përgjithshëm dhe zemra e Kosovës së lirë. Për tri ditë qëndruam të përqendruar rreth rrafshnaltës së këtij rajoni me Brigadat 121, 122, 123 dhe 124, gjysmën e Brigadës 125, si dhe me Njësinë Speciale “Arbri” dhe Batalionin e Policisë Ushtarake, të gatshëm për ta mbrojtur me çdo kusht këtë zonë strategjike.

Pas tri ditësh, një pjesë e brigadave u rikthyen për t’i rimarrë pozicionet e mëparshme të pushtuara nga forcat armike në Nishor, Pajdan, Kravasari, Pagarushë, Bërshanc, Semetisht, Peqan dhe Gollushë. Këto pozicione i kishim lëshuar vetëm me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, për të garantuar mbrojtjen e Shtabit dhe të rreth 85 mijë civilëve të strehuar në luginat e Divjakës deri në Krojmir.

Më 3 prill 1999, kur unë u riktheva me Brigadat 122, 123 dhe 124 për t’i rimarrë këto pozicione, një batalion i Brigadës 125, nën komandën e Nehat Bashës, u urdhërua të shkonte në përforcim të luftimeve në zonën operative.

Në ato ditë, armiku ishte i bindur se do ta pushtonte Kleçkën. Madje, Vojislav Shesheli, një nga ideologët më të egër të politikës shoviniste serbe, kishte deklaruar me arrogancë: “Dua të pi kafe në Kleçkë.” Kjo ishte shprehje e bindjes së tij se bastioni i UÇK-së do të binte shpejt.

Por ndodhi e kundërta.

Në fillim të muajit prill, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të gjerë me dy brigada këmbësorie dhe njësi të motorizuara, të mbështetura nga artileria e rëndë, raketa tokë–tokë, raketa ajër–tokë dhe sulme të pandërprera ajrore.

Më 8 prill 1999, armiku e përqendroi gjithë fuqinë goditëse mbi vijat tona të mbrojtjes, duke synuar me çdo kusht thyerjen e rezistencës së UÇK-së dhe pushtimin e bastionit të Kleçkës. Megjithatë, përballë kësaj makinerie të fuqishme ushtarake qëndruan të palëkundur luftëtarët e lirisë, të udhëhequr nga komandantë si Tahir Sinani, të vendosur ta mbronin çdo pëllëmbë të tokës së lirë deri në frymën e fundit.

UÇK-ja nuk u zmbraps për asnjë çast. Luftëtarët tanë rezistuan stoikisht në një përballje të pabarabartë, duke luftuar në distanca prej vetëm 20–30 metrash, deri aty sa përplasja u zhvillua edhe me bomba dore.

Falë pozicioneve dominuese të luftëtarëve tanë, te Guri i Gradishit u thyen forcat kryesore armike, të cilat gjatë gjithë ditës u përpoqën ta pushtonin këtë pikë me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike.

Në të gjithë rrafshnaltën dhe në zonat përreth vazhdonin luftime të pandërprera. Në këtë betejë ishin të përfshirë edhe pjesëtarët e Radios Kosova e Lirë, të KosovaPress-it dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ishte një betejë e ashpër për mbrojtjen e pozicioneve tona të fundit, ku nuk kishte më vend për tërheqje; përpara ishin vetëm dy rrugë: liria ose vdekja.

Në betejën e Tërpezës, luftëtarët tanë goditën një aeroplan luftarak serb MiG-29, i cili u rrëzua në pyllin mbi Tërpezën e Ultë. Njëkohësisht zhvilloheshin luftime të ashpra edhe në anën e Berishës. Megjithëse aeroplani u rrëzua, nuk arritëm ta kapnim pilotin, pasi forcat armike, të vendosura në drejtim të rrugës së Llozicës, ndodheshin shumë pranë vendit të rënies së tij.

Kjo betejë u fitua falë një qëndrese të jashtëzakonshme. U mbrojtën institucionet qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u ruajt funksionimi i Shtabit të Përgjithshëm. Edhe pse patëm shumë të plagosur dhe 3 dëshmorë – Ukë Qelaj, Elez Berisha, Halit Qallapeku. Ndërsa armikut iu shkaktuan humbje shumëfish më të mëdha, si në njerëz, ashtu edhe në teknikën luftarake.

Në këtë betejë, Tahir Sinani komandoi, organizoi dhe luftoi për mbrojtjen e Radios Kosova e Lirë, të KosovaPress-it, të Kleçkës dhe Divjakës legjendare, të popullsisë civile dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nën drejtimin e tij, luftëtarët e UÇK-së mbrojtën rreth 85 mijë civilë, të strehuar në tendat e luginës së Divjakës deri në Krojmir.

Luftën e zhvilloi në bashkërendim me disa njësi, veçanërisht me Brigadën 121, të komanduar nga komandanti Haxhi Shala, e cila ishte vazhdimisht në mbrojtje të Kleçkës dhe të Shtabit të Përgjithshëm.

Tahir Sinani mori pjesë edhe në shumë aksione, operacione dhe prita të tjera. Kudo që ishte ai, armiku pësonte humbje dhe dështonte përballë luftëtarëve të UÇK-së. Ai ishte një luftëtar i jashtëzakonshëm, i guximshëm, i shkathët dhe një strateg i lindur ushtarak, që frymëzonte besim dhe fitore.

Ai ishte betuar se nuk do të kthehej në vendlindjen e tij pa u çliruar trojet shqiptare të pushtuara: Kosova, Lugina e Preshevës dhe Ilirida. Për këtë ideal luftoi, komandoi dhe udhëhoqi luftëtarët shqiptarë në tri fronte lufte.

Pas çlirimit të Kosovës dha një kontribut të madh në organizimin dhe ngritjen e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Fillimisht u emërua komandant i Zonës së Dytë, me seli në Prizren, ndërsa më vonë shërbeu si komandant i eprorëve në Akademinë “Jashar Jashari”.

Me fillimin e luftës në Luginën e Preshevës, Tahiri iu bashkua radhëve të UÇPMB-së, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe drejtimin e luftës çlirimtare.

Kur shpërtheu lufta në Iliridë, Komandant Tahiri hyri në atë front me një kompani luftëtarësh të mobilizuar në Shqipëri, të pajisur me armatimin e nevojshëm dhe me uniforma luftarake, me synimin për të depërtuar drejt Shkupit dhe për t’i dalë në ndihmë luftës për liri.

Më 29 korrik 2001, në bjeshkët e Radikës, gjatë përgatitjes së një aksioni luftarak, Komandant Tahir Mal Sinani ra heroikisht. Bashkë me të ranë edhe Naser Ademi, Hysen Fazliu, Brahim Ademi dhe Hyre Emini, duke hyrë përgjithmonë në panteonin e dëshmorëve të kombit.

Heroi i pavdekshëm i tri luftërave çlirimtare, Komandant Tahir Mal Sinani, sot përjetësohet edhe në monumentin e tij prej bronzi në Prizren, kryeqytetin historik të shqiptarëve.

Pas Komandantit Legjendar Adem Jashari, Tahir Sinani ishte ndër Komandantit më të lartë ushtarakë që ranë në altarin e lirisë. Ai mbajti përgjegjësitë më të larta luftarake, deri në detyrën e komandantit të zonës operative, duke qenë njëkohësisht drejtues, komandues dhe luftëtar i tri luftërave çlirimtare shqiptare.

Me këta pak rreshta desha ta përshkruaj figurën e tij dhe t’ua përcjell brezave që do të vijnë të vërtetën për jetën, veprën dhe sakrificën e Komandant Tahir Sinanit.

Ju, familja e Tahir Sinanit – Rezart, Rugova dhe Rezarta – ndihuni krenarë e të lumtur që jeni pasardhësit e një Heroi Epik të Kombit Shqiptar. Trashëgimia e tij do të mbetet përjetësisht burim frymëzimi për brezat që do të vijnë.

Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Gjeneral Tahir Mal Sinanit!

29 korrik 2026

Sadik HALITJAHA

Kontrolloni gjithashtu

Bajo Topulli

Bajo Topulli ( 1868-1930) me pushkë e penë për çlirimin, bashkimin dhe ndërtimin e Shqipërisë

Bajo Topulli u lind në Gjirokastër në vitin 1868, ku edhe kreu mësimet fillestare. Ishte …