Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër për situatën e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke akuzuar institucionet shqiptare për mosveprim përballë, sipas tij, pengimit të një investimi strategjik me vlerë qindra milionë euro. Pacolli ka deklaruar se projekti i kompanisë zvicerane Mabco po mbahet peng nga veprime që i cilëson të kundërligjshme, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të organeve të drejtësisë për rikthimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e investimit. Sipas tij, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Lartë në favor të kompanisë dhe dhjetëra kallëzimeve të dorëzuara pranë institucioneve kompetente, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim efektiv për zgjidhjen e situatës. Pacolli paralajmëron se zvarritja e rastit po shkakton dëme të mëdha financiare, teknike, ekonomike dhe reputacionale, jo vetëm për investitorin, por edhe për Shqipërinë si destinacion për investime të huaja. Ai i ka bërë thirrje SPAK-ut, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të nisin hetime të plota, të pavarura dhe transparente, të identifikojnë përgjegjësit dhe të marrin masa konkrete për rikthimin e rendit ligjor. Pacolli shpreh shqetësimin se mungesa e veprimit institucional krijon dyshime mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe dërgon një mesazh negativ për sigurinë juridike të investitorëve. “Aeroporti i Vlorës nuk mund të mbahet peng nga interesa të paligjshme, ndërsa institucionet heshtin. Sundimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv dhe drejtësia duhet të veprojë me profesionalizëm, pavarësi dhe vendosmëri”, ka theksuar Pacolli.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
