Brickos

Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” solli para lexuesve monografinë, “Feniksët e lirisë- 15“

Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” solli para lexuesve  monografinë, “Feniksët e lirisë-15“. Në këtë vëllim të monografisë janë prezantuar 6o biografi për dëshmorët e kombit, si dhe fotot e tyre me ngjyra, duke filluar nga jetëshkrimi për Abit Sinanin  dhe duke përfunduar me biografinë e dëshmorit, Zeqir Gashi. Përzgjedhja e biografive është bërë sipas kritereve që ka caktuar “Redaksia Dëshmorët e UÇK-së”. Vëllimi 15-të i monografisë “Feniksët e lirisë” i hartuar nga Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së” përfshinë biografitë e 6o dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të rënë gjatë viteve 1998-2001. Libri ka 240 faqe, botues, SHFDUÇK, shtypi Shkrola.

Parathënie

                Në vazhdën e hartimit të monografisë për dëshmorët e kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Redaksia Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ua ofron lexuesve të nderuar, familjeve të dëshmorëve, veteranëve të luftës çlirimtare, adhuruesve të UÇK-së, respektuesve të vlerave historike të luftës çlirimtare, si dhe opinionit intelektual, kulturor e shkencor, vëllimin 15 të librit Feniksët e Lirisë. Në këtë vëllim gjenden biografitë e 60 engjujve të lirisë, të cilët jetën e tyre të shtrenjtë e lanë peng të lirisë së Kosovës, duke i dhënë asaj kuptimin e amshueshmërisë.

                Brenda librit Feniksët e Lirisë – 15 shkëlqejnë si rreze drite emrat e dëshmorëve nga të gjitha anët e trollit etnik shqiptar, pjesëmarrës të disa fronteve të luftërave çlirimtare, luftëtarë internacionalistë pjesëmarrës në luftërat mbrojtëse në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe të rënë në betejat e zhvilluara gjithandej fronteve të luftërave të UÇK-së. Këta emra dëshmorësh simbolizojnë konceptin e përbotshëm etnik të atdheut. Ata nuk janë vetëm pirgje të larta të kalasë së quajtur liri e atdheut, por edhe gurë të paluajtshëm të themeleve të saj.

                Biografitë e dëshmorëve të botuara në këtë libër janë hartuar nga anëtarët e Redaksisë dhe bashkëpunëtorët e saj, bazuar në metodologjinë dhe kriteret e përdorura edhe me rastin e hartimit të monografive paraprake të Feniksëve të Lirisë. Autorësia e shkrimeve është shënuar me inicialet e emrit dhe mbiemrit të hartuesve: S. C. (Sabahajdin Cena); A. Q. (Ahmet Qeriqi); F. R. (Fetnete Ramosaj); M. K. (Milazim Kadriu); H. K. (Hajrush Kurtaj); Sh. K. (Sheremet Krasniqi); N. M. (Nezir Myrtaj).

                Në këtë rast, Redaksia dëshiron ta përkujtojë bashkëpunëtorin e saj të palodhshëm, Zenun Gjocin, i cili, para disa muajsh u nda nga jeta më 15 mars 2013. Zenuni, duke shkruar me përkushtim e pietet të lartë për dëshmorët e kombit të UÇK-së, ka lënë gjurmë të pashlyera në librin Feniksët e Lirisë dhe përgjithësisht në historiografinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke përjetësuar dëshmorët në monografinë Feniksët e Lirisë, ai ka përjetësuar në këtë monument edhe emrin e tij. Prandaj, në vlerësim të punës dhe kontributit të çmuar të Zenun Gjocit për pasqyrimin dhe lartësimin e veprës së dëshmorëve të kombit, Redaksia e shpall atë anëtar nderi, post mortum.

                Redaksia, po ashtu shpreh respektin dhe nderimin për familjet dhe bashkëluftëtarët e dëshmorëve, si dhe për gjithë personat e tjerë, për kontributin e ofruar prej tyre, i cili është pasqyruar në përmbajtjen e monografive të përfshira në Feniksët e Lirisë – 15.

 Redaksia

Në këtë vëllim janë të pranishme shkrimet biografike për dëshmorët:

        Abit Pajazit Sinani

Abush Liman Loku

Adnan Adem Berisha

Afete Hamzë Jashari

Albesian Salih Mataj

Altin Sadri Haskaj

Bekë Sadri Muslijaj

Bekim Shaban Isma

Beqir Sadiku – Beqa

Besim Sylejman Qarri

Besim Shyqri Sopa

Besim Tefik Fazliu

Blerim Selman Lokaj

Bylbyl Hazir Breçani

Bylbyl Jahë Ferizaj

Dinë Alush Koleci

Ekrem Shukri Gudaçi

Enver Hyzri Rashiti

Feriz Abdurrahman Susuri

Gazmend Selman Lokaj

Gëzim Qazim Ademaj

Hamdi Muharrem Mulaj

Hidajete Rifat Jashari

Hysni Shaip Kajtazi

Ilmi Smajl Bahtiari

Isa Adem Ferati

Isak Shefki Lutolli

Isen Rrustem Elezi

Jahë Salih Kabashi

Jeton Idriz Dedushaj

Kadri Muhamet Berisha

Kujtim Avdyl Qallakaj

Mirush Kurtish Dakaj

Mujdin Qerim Aliu

Murtezan Merxhan Hetemi

Naser Ademi

Nazim Misin Buduri

Nexhmush Qamil Elezi

Përparim Qazim  Shala

Raif Azem Krivanjeva

Ramadan Rexhep Rexhepi

Ramiz Isuf Shala

Refki Sokol Salihaj

Sadik Murat Mujota

Sali  Bajram Vlashi

Selvete Hamzë Jashari

Skënder Haxhi Ferizaj

Sylejman Rrahim Statovci

Shemsi Vehbi Jusufi

Shkëlzen Gani Berisha

Tafil Nuhi Zyberaj

Valdete Rifat Jashari

Xhafer Hamëz Vehapi

Xhemajl Nuredin Kuçi

Xhemajl Ahmet Mehmeti

Xhemajl Halil Agushi

Zabit Ahmet Shabandula

Zejnullah Rrahim Zejna dhe

Zeqir Isuf Gashi.

Fjala e anëtarit të Redaksisë, Ahmet Qeriqi, me rastin e përurimit të monografisë, “Feniksët e lirisë-15”

Shumë të respektuar familjarë të dëshmorëve!

Sot jemi tubuar në këtë amfiteatër të Bibliotekës Kombëtare për ta përuruar edhe një monografi tjetër për dëshmorët e kombit. Është ky libri i 15 –të me radhë i edicionit  “Feniksët e lirisë” që ka filluar të botohet prej vitit 2002.

Qysh në fillim të fjalës sime dua t’iu njoftoj se Redaksia “Dëshmorët e UÇK-së”, gjithnjë në kushte të rënda dhe në mungesë të përkrahjes së duhur institucionale, nuk ka arritur ta realizojë dinamikën e paraparë, për të botuar dy apo tri libra në vit.

Për 11 vjet, ne kemi nxjerrë në dritë vetëm 15 monografi ku janë përfshirë biografitë e gjysmës së dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Nxjerrja në dritë e 15 vëllimeve të deritanishme të edicionit, “Feniksët e lirisë” në radhë të parë është meritë e redaktorëve dhe bashkëpunëtorëve të Redaksisë, e përkushtimit të tyre dhe të gjithë atyre që na kanë ndihmuar me të dhëna gjatë përpilimit të këtyre biografive, kryesisht familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve.

Libri botohet në 1000 ekzemplarë të formatit 18/24. prej 250 deri në 300 faqe, në mesin e tyre 70 deri në 80 faqe me ngjyra. Një vëllim i tillë  për të dalë në dritë kushton 9 euro duke llogaritur në këtë çmim 25 për qind të çmimit të shitjes, që  jepen provizion për ata që merren me shpërndarjen dhe shitjen.

100 libra nga tirazhi total u shpërndahen gratis  familjarëve, biografitë e të cilëve janë prezantuar në një libër të caktuar, sikur ky sot dhe disa shoqatave dhe institucioneve arsimore e kulturore në Prishtinë, Tetovë dhe në Tiranë. 700 deri në 800 ekzemplarë shiten në komuna dhe nëpër disa ministri. Vonesa në kryerjen e obligimeve nga blerësit, bën që ne të vonohemi për ta nxjerrë në dritë numrin vijues.

Vetëm një numër të këtij libri e ka financuar Ministria e Kulturës, në vitin 2004, kur ministër i Kulturës, ishte z. Behxhet Brajshori. Asnjë ministër tjetër i kulturës deri tani nuk e ka financuar as ka ndihmuar materialisht daljen në dritë të kësaj monografie, madje Ministria e Kulturës e Qeverisë aktuale të Kosovës nuk ka blerë as edhe një ekzemplarë të vetëm të këtij botimi, ndërsa blen nga 100 ekzemplarë të librave autorialë, sidomos të atyre autorëve, që punojnë nëpër ministri, që kanë lidhje shoqërore apo familjare me ta dhe të atyre autorëve që kopjojnë biografitë e dëshmorëve nga gazetat e librat e ndryshëm dhe i botojnë ato nën firmën e  vet me leje të ndonjë zyrtari të lartë dhe pastaj i sheshin me çmime deri në 30 e dyzet euro. Një botim i tillë qarkullon në shitje, duke u thirrur në emrin e një zyrtari të lartë të institucioneve tona.

Redaksia falënderon tri-katër ministri, të cilat në vazhdimësi kanë marrë nga 50 deri në 100 ekzemplarë të çdo numri. Po ashtu falënderon edhe disa zyrtarë të komunave, të cilët e kanë blerë nga një sasi të caktuar të librit dhe kanë mundësuar, që nga viti në vit të nxjerrim nga një numër të ri. Redaksinë e ka ndihmuar kohë pas kohe edhe ndonjë  firmë private, apo ndonjë institucion.

Dua t’ iu përkujtoj  se me rastin e themelimit të Redaksisë, në vitin 2001 ka qenë shtruar edhe çështja e financimit të këtij projekti nga institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës, meqë asokohe ende kishim atë Këshillin Transitor multietnik të Kosovës. Mbështetjen e Redaksisë dhe financimin e projektit e kanë nënshkruar kreu i luftës së UÇK-së, gjashtë komandantë të zonave operative dhe përfaqësuesit e tri shoqatave të dala nga lufta jonë çlirimtare dhe fitimtare.

T’ iu përkujtoj me këtë rast se gjatë diskutimit kur ishte themeluar Redaksia, ishte shtruar nevoja e ngutshme e krijimit të një fondi për botimin e vëllimit të parë me të dhënat elementare të dëshmorëve, Bacë Adem Demaçi, i cili së bashku me Rifat Shaban Jasharin janë anëtarë nderi të Redaksisë, na kishte dhënë një udhëzim, të cilën dashur pa dashur e kemi përfillur.

Ai na pati  thënë: – Tuboni mjete, aq sa duhen për botimin e vëllimit të parë, pastaj me të hollat që keni grumbulluar e  nxirrni në dritë vëllimin vijues, e kështu me radhë. Punoni, na tha dhe  mos u ndjeni keq se po shitni libra, sepse shitja e librave të tillë, për jetën dhe veprat e dëshmorëve, është punë e ndershme, nëse punohet me nder dhe jo për përfitime personale.

Duke qenë se përfaqësuesit e institucioneve, shumica prej tyre nënshkrues të projektit nuk i mbajtën zotimet dhe nuk e morën përsipër përkujdesjen institucionale për ta realizuar në tërësi këtë projekt,  ne, nga viti në vit kemi pritur që libri të shitet dhe me shitjen e një numri kemi arritur të nxjerrim në dritë numrin vijues. Në këtë mënyrë të vetëfinancimit  deri tani  kemi realizuar biografitë e rreth gjysmës së  dëshmorëve të tri luftërave tona çlirimtare.

Nuk do të lejojmë që ky projekt të pësojë fatin e monografisë “Yje të pashuar” për dëshmorët antifashistë në Shqipëri, i cili ka ngecur në gjysmë, ashtu sikur edicioni “Në flakën e revolucionit” të historianëve të Kosovës, që ka ngecur me biografitë e vetëm të 150 dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Në vëllimin “Feniksët e lirisë-15” janë përfshirë biografitë e 60 dëshmorëve të kombit të rënë në Kosovë dhe në Iliridë, ish-RJ të Maqedonisë, si dhe vullnetarë nga Shqipëria të rënë dëshmorë në luftën e UÇK-së.

Ne në Redaksi kishim paraparë që edhe në këtë vëllim të përfshiheshin biografitë  për 70 dëshmorë, ashtu sikur në vëllimin paraprak,  por ndërkohë, gjatë gjurmimit të lëndës për hartimin e  librit, u nda nga jeta bashkëpunëtori i Redaksisë, dr. Zenun Gjoci, vëllai i dëshmorit, Agim Gjoci, të cilin sot e përkujtojmë me pitet për kontributin e tij të gjithanshëm, që i ka dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, shkencës dhe letërsisë, arsimimit të brezave por edhe Redaksisë, Feniksët e lirisë dhe Radios-Kosova e Lirë.

Dëshmorja më e re e prezantuar në këtë vëllim është Valdete Rifat Jashari e lindur në vitin 1983  në Prekaz dhe dëshmori më i moshuar,  Sadik Mujota i lindur në vitin 1939, në Mollapolc të Shtimes.  Në këtë libër është prezantuar edhe biografia e heroit të katër luftërave Çlirimtare, Naser Ademi nga Negotina e Gostivarit, pastaj  biografia e komandantit emblematik të UÇK-së, Mirush Dakaj, biografia e njërit nga komandantët e  Zonës së Neredimes, Ramadan Rexhepi,  biografitë e katër dëshmorëve nga Shqipëria të rënë në Kosovë, biografitë për katër  dëshmorë të tjerë të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, katër dëshmore nga familja e ngushtë e legjendarit, Adem Jashari, (dy bija të Rifat Jashari dhe dy bijatë Hamëz Jasharit), ndërsa dëshmorët e tjerë u përkasin shtatë zonave operative të UÇK-së. (Mosha mesatare e tyre në kohën e rënies sillet rreth 27 vjet).

Dalja në dritë e vëllimit 15 të feniksëve të lirisë, na gjen në një kohë kur disa shqipfolës, disa bastardë krejtësisht të panatyrshëm kanë ngritur kokë dhe kanë filluar krejt haptas të vënë në dyshim karakterin çlirimtar të kësaj lufte, por edhe të përbuzim gjakun e derdhur për liri. Krejt kjo korrespondon me klimën e krijuar me rastin e bisedimeve të kreut të Kosovës me Serbinë dhe me fushatën antishqiptare të   EULEX-it, e cila po bëhet  me qëllim për ta paraqitur luftën e UÇK-së si luftë kriminale të grupeve, të njëjtë me luftën pushtuese e shfaronjëse të regjimit kriminal të Beogradit.

Mungesa e medieve të pavarura në përurimin e librave të këtij edicioni, përveç Radios-Kosova e lirë dhe ndonjë mediumi, që trajton vlerat e luftës së UÇK-së, mungesa konstante e RTK-së, që hiqet se është medium i pavarur publik dhe financohet nga Kuvendi i Kosovës, nga Buxheti i Kosovës, nga taksapaguesit, madje edhe nga taksat që i paguan ATK-së edhe kjo Redaksi, mungesa e politikanëve dhe krerëve të luftës, në përurime të tilla, vetvetiu flet për mungesën, për të mos thënë totale të interesimit të institucioneve për vlerat e luftës, në ato vlera në të cilat  ata përbetohen  dhe rrahin gjoks vetëm gjatë fushatave zgjedhore, si kjo që po zhvillohet tani.

Përpjekja për të përfituar mbi gjakun e derdhur për liri, nuk është vetëm një hipokrizi e hipokritëve tashmë të njohur publikisht, por është shkelje e gjakut të lirisë, pse jo edhe tradhti e interesit kombëtar. Dhe gjaku i lirisë nëpërkëmbët edhe kur në kryeqytetin e Kosovës, këtu në Prishtinë  edhe 14 vjet pas luftës, mungon shtatorja e Legjendarit, Adem Jashari, i cili më shumë se kushdo tjetër i ka dhënë lirisë së Kosovës dhe nderit e dinjitetit të shqiptarëve, kudo në trojet tona dhe gjithandej ku jetojnë bashkëkombësit tanë.

Ju faleminderit

  1. 10. 2013

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …