Rexhep Bunajku

Rexhep Bunjaku: “Kosova Besa dhe Tradhtia”, botimi i dytë në vitin 2017, “Saga” Prishtinë

Në veprën e tij: “Kosova Besa dhe Tradhtia”, botimi i dytë në vitin 2017, “Saga” Prishtinë,  Rexhep Bunjaku ka shkoqitur ngjarje e ndodhi nga jeta e tij, dhe e bashkëvuajtësve nëpër burgje e kazamate

Përveç, Bacë Adem Demaçit, të cilin fizikisht nuk e kemi në mesin tonë nga 26 korriku i viti 2018, por e ruajmë në mendje e zemër, bashkë me veprën  që e ka lënë trashëgim, Kosova ka edhe veprimtarë të tjerë të njohur, që kanë bërë vepër e emër me qëndresën e tyre shembullore, me sakrificën e tyre sublime në dobi të çështjes së kombit e Atdheut. Njëri prej veprimtarëve dhe qëndrestarëve shembullorë është edhe Bacë, Rexhep Bunjaku, tani në moshën 93-vjeçare. Nuk i kishte mbushur 18 vjet kur regjimi titist-ranokiviçist, jugosllav,  e kishte dënuar me vdekje-pushkatim, për veprimtarinë e tij në kuadër të LNDSH-së. Mirëpo  për shkak se me ligjet ekzistuese, si i mitur nuk mund të dënohej me pushkatim, dënimin me vdekje ia zëvendësuan me 20 vjet burg të rëndë…

Nuk jam shovinist, nuk jam komunist, as marksist, nuk jam leninist, por as terrorist, nuk jam fundamentalist as jezuit. Jam me bindje e ndjenja shqiptare e atdhetare.(R. B. ) 

Kjo ishte dhe mbeti motoja jetësore e Bacë, Rexhep Bunjakut, trimit e burrit të Kosovës, i cili kurrë nuk iu përkul asnjë regjimi, por punoi, dhe gjatë tërë jetës veproi dhe vepron për të mirën e kombit, për çlirimin dhe përparimin shqiptarëve në trojet e robëruara të atdheut.

Rexhep Bunjaku u lind në Shkup, më 10 qershor të vitit 1928 në një familje fshatare qytetare, me prejardhje nga fshati Bicaj i Kaçanikut nga babai,  ndërsa nga e ëma e  fshatit Llojan, rrethi i Kumanovës.

Shkollimin fillor e ka kryer në Shkup. Më pas ka vazhduar mësimet në shkollën e mesme “Medreseja e Madhe”, po në atë qytet shqiptar, i cili deri në pushtimin sllav në vitin 1912 kishte qenë qendra e Vilajetit të Kosovës, që ishte njësia më e madhe administrative e kohës së Turqisë nga katër Vilajetet e Rumelisë.

Në kohën e Luftës së Dytë botërore, në kushte dhe rrethana lufte me ndërprerje që vetëkuptohen, ai ka kryer Shkollën e mesme të Elektroteknikës. Më vonë ka filluar studimet në Fakultetin Ekonomik, por për shkak të obligimeve familjare ishte detyruar t’ i ndërpriste. “Studimet dhe maturimin kombëtar” i ka kryer nëpër burgjet e Jugosllavisë, sidomos në Burgun famëkeq të Nishit ku ka qenë i pranguar në  pjesën dërrmuese të viteve të kaluara  në burg.

Rexhep Bunjaku ishte ndër veprimtarët e parë të LNDSH-së, një organizatë kombëtare demokratike, e cila kishte sfiduar komunistët, por edhe ballistët. Krerët e Ballit ishin nacionalistë, por nuk kishin begenisur të luftonin fashizmin italian, i cili kishte okupuar Shqipërinë dhe e kishte bërë pjesë të Imperatorisë. Forcat nacionaliste shqiptare në Kosovë nuk kishin pasur arsye ta luftonin qeverinë shqiptare italiane, e cila kishte përzënë regjimin e Mbretërisë Jugosllave, që kishte për qëllim shfarosjen masive e kolektive  të shqiptarëve, duke i vrarë si kundërshtarë e profashistë me gjyq e pa gjyq, duke i shpërngulur për në Turqi dhe duke i etiketuar si elementë ballistë, me qëllim që të dënoheshin me ligjet e luftës si kriminelë dhe bashkëpunëtorë të fashizmit.

Duke parë këtë humnerë ku po katandisej Balli, elementë demokratikë përparimtarë themeluan Organizatën Nacional-demokratike e cila,  kishte për qëllim që rendin e vet shoqëror ta shtrinte në të gjitha trojet shqiptare, në një Shqipëri të bashkuar etnike.

Rexhep Bunjaku në prill të vitit 1946 ishte zgjedhur nënkryetar i Kryesisë së Komitetit vendor të LNDSH-së për Kaçanik, ndërsa kryetar ishte, Fahri Shurdhani.

Organizata asokohe kishte përpiluar programin operativ që kishte për qëllim pengimin e shtrirjes së pushteti komunist jugosllav në trojet shqiptare, duke sabotuar urdhrat  e komunistëve, duke demaskuar shqiptarët që bashkëpunonin me forcat titiste. Ata, po ashtu grumbullonin armatim, grumbullonin të holla për veprimtari  afatgjate, material sanitar. Rexhep Bunjaku tregon se asokohe në Kosovë dhe trojet shqiptare në Maqedoni kishte rreth 30.000 anëtarë aktivë të Lëvizjes, e cila ishte shtrirë dhe vepronte në pothuajse të gjitha trojet shqiptare.

Rexhep Bunjaku me bashkëveprimtarë mbështesnin fuqishëm platformën e LNDSH-së të cilën më së miri e kishte shkoqitur, njëri ndër ideologët, Gjon Serreçi para hetuesisë së OZN-së. Ai para hetuesisë kishte thënë:

Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

Në veprën e tij: “Kosova Besa dhe Tradhtia”, botimi i dytë në vitin 2017, “Saga” Prishtinë,  Rexhep Bunjaku ka shkoqitur ngjarje e ndodhi nga jeta e tij, dhe e bashkëvuajtësve nëpër burgje e kazamate, gjatë vuajtjes së dënimit me burg të rëndë dhe nën një presion sistematik, meqë regjentët e regjimit titist nuk po arrinin t’ ia thyenin bindjet, as ta ndërronin sipas shijeve e bindjeve të tyre. Duke qenë i papërmirësueshëm në atë drejtim, Rexhep Bunjaku prore do të jetë në shënjestër të gardianëve, milicëve e shërbëtorëve të tyre nëpër burgje, me qëllim për ta thyer, sikur kishin thyer jo pak prej të burgosurve, të cilët në kushte dhe rrethana tejet të rënda dhe antinjerëzore që ushtronte  regjimi i egër e shtazarak,  gjatë kohës së vuajtjes  së dënimit,  kishin zgjedhur rrugën tjetër të “revidimit të qëndrimit” për të cilën kishin menduar se mund të mbijetojnë më lehtë.

Baca Rexhë kishte zgjedhur rrugën tjetër, atë të idealistit, rrugën pa kthim drejt ruajtjes së nderit, besës, kombit e atdheut, andaj edhe e kishin  keqtrajtuar mizorisht, me mjete e metoda çnjerëzore, me mungesë elementare të ushqimit, me 115 gramë bukë në ditë dhe një litër ujë të vakët, derisa e kishin sjellë në dyzet kilogramë peshë. Në libër ka përshkruar dromca nga jeta në burgun e Ferizajt, të Prishtinës, Nishit e të Idrizovës.

Vepra e tij: “Kosova Besa dhe Tradhtia”, është një testament i begatshëm letrar, i segmentuar në disa kapituj, të lidhur me  përmbajtje e tematikë, e cila buron nga kushtet dhe  rrethanat e përgjithshme politike e shoqërore të kohës, prej vitit 1941 kur fillon shkollimin e deri në vitin 1961 kur ishte liruar nga burgu,  duke vendosur jetëshkrimin e tij në kohë dhe hapësirë, në kushte dhe rrethana të caktuara si pjesë të një tërësie integrale, organike, e lidhur  dhe e sistemuar mirë me  brendinë e saj.

Përveç përshkrimit të vuajtjeve në burg, Rexhep Bunjaku ka hartuar edhe shumë biografi të shkurta të bashkëvuajtësve, të cilët i ka njohur dhe të cilëve u ka ngritur nga një  biografi me disa elemente të karakterit, temperamentit, virtyteve e veseve. Ai ka shkruar për bashkëvuajtësit si:  Ramiz Cernica, Riza Strellci, Banush Sedllari, Shaip Mustafa-Presheva, Abdullah Musliu, Biter Dehalla, Hamdi Berisha,  Nezir Hoti, Fatmir Goranci, Sali Bajra, Hilmi Toska,  por edhe shkrime për të burgosur  serbë e të tjerë, të cilët nuk pajtoheshin me regjimin komunist. Në  mesin e të burgosurve  ka skicuar serbët: Dragomir Dimitrijeviq, Aleksander Dragin, Ramualdo Manola e të tjerë.

Një pjesë të libri ia ka kushtuar dhe kontroversit, apo sikur e quan me të drejtë, tradhtarit të  “Tradhtisë”, Kapllan Resulit, Buroviqit.

Historia e njohjes, marrëdhënieve dhe raporteve me Kapllan Resulin është pasqyra më besnike e ballafaqimit të dy botëve, asaj të besës, nderit respektit dhe njeriut sikur ishte dhe është Rexhep Bunjaku dhe ajo e mashtruesit, tradhtarit, mercenarit, të pabesit, sikur ishte dhe është Kapllan Resuli, sot Kapllan Buroviqi, njëherë me “origjinë shqiptare”, tani me origjinë serbe, hercegovase.

Njohja e Rexhep Bunjakut me Kapllan Resulin në Burgun e Idrizovës, kishte bërë që te  Kapllani të shihte një intelektual me një botë të pasur artistike dhe një shqiptar që kishte shkruar dhe shkruante poezi dhe tregime të arrira. Duke qenë vetë i sinqertë dhe besnik,  Rexhep Bunjaku e kishte inspiruar Kapllanin të arratisej, në Shqipëri, në mënyrë që atje ta zhvillonte talentin e tij letrar e artistik. Realisht edhe ashtu kishte ndodhur, por Rexhepi dhe shokët e tij të burgut nuk e kishin hetuar me kohë se ai ishte një spiun i instruktuar  i UDB-së, të cilin pak sa me vonesë e kishin zbuluar organet e zbulimit në Shqipëri dhe e kishin dënuar me burg të rëndë, meqë ishte dekonspiruar veprimtaria e tij kundër shtetit dhe kombit shqiptar.

Duke qenë se ai kishte shkruar romanin, “Tradhtia” subjektin e të cilit e kishte marrë sidomos nga rrëfimet e Rexhep Bunjakut, dhe vepra,  për të qenë në nivel të duhur letrar e përmbajtësor  ishte përpunuar dhe redaktuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, “Tradhtia” ishte shpallur roman me vlera dhe për një kohë të gjatë kishte qenë një libër shumë i kërkuar dhe i lexuar, sidomos në Kosovë.

Shumë vjet më vonë, Rexhep Bunjaku, Adem Demaçi dhe disa veprimtarë e krijues, e kishin kuptuar  të vërtetën se Kapllan Resuli, jo vetëm që nuk ishte në shërbim të shqiptarëve, por kishte qenë dorë e zgjatur dhe e instruktuar nga UDB-ja, qysh në rininë e hershme dhe krejt rruga e tij jetësore, në esencë  kishte qenë antishqiptare.

Për më tepër, në kohën e Ramiz Alisë, nga presioni që i kishin bërë shumë krijues, në mesin e tyre edhe Rexhep Bunjaku dhe Adem Demaçi, Ramiz Alia e kishte liruar nga burgu, por u kishte thënë hapur se Kapllan Resuli nuk është nacionalist,  as i tillë sikur paraqitet.

Lidhur me raportet që kishte pasur me Kapllan Resulin, Rexhep Bunjaku ka botuar edhe librin polemizues e dokumentar, “Tradhtari i “Tradhtisë” (Lena Grafik, Prishtinë 2016) ku në mënyrën më të dokumentuar e ka diskredituar  tradhtarin e tradhtisë së madhe, njeriun i cili për më shumë se 30 vjet kishte jetuar me maskën e shqiptarit të persekutuar, për të zbuluar më vonë se kurrë nuk kishte qenë shqiptar dhe se i kishte urryer dhe i urrente ata. Në këtë vepër, Rexhep Bunjaku me gjuhën e fakteve i ka çjerrë maskën,  Kapllan Buroviqit dhe të gjithë atyre që veprojnë nën maska, sepse vjen një ditë e çdo maskë çirret dhe del në shesh e vërteta.

Rexhep Bunajku i takon atdhetarëve më konsekuentë të Lëvizjes sonë Kombëtare. Edhe pse ishte antikomunist i deklaruar, ai kurrë nuk veproi kundër Shqipërisë, përkundrazi e deshi atë, sepse Enver Hoxha asokohe për të ishte personifikim i Shqipërisë, sinonim i Atdheut, Për mua armiku i vetëm i dëshmuar i kombit shqiptar ka qenë ishte dhe do të jetë Titoja. Çdo sulm të Jugosllavisë kundër Enverit e përjetoja si sulm kundër Shqipërisë. (Vepra e cituar, faqe, 123-124). Po këtë qëndrim konsekuent e kishte mbajtur edhe bardi i Lëvizjes së rezistencë, Hysen Terpeza. I gjendur përballë emigracionit shqiptar, në Amerikë,  që kërkonte përmbysjen me dhunë të regjimit në Shqipëri, Hysen Tërpeza kishte thënë: Na duhet t’a ruajmë atë grimë Shqipëri,  kryetarët e kryeministrat shkojnë e vijnë, qeveritë shkojnë e vijnë, ne duhet t’a duam Shqipërinë, strumbullar të shqiptarisë.

Një qëndrim të tillë kombëtar, veç tjerësh  e ka mbajtur edhe Mitrush Kuteli. Në kohën kur po vuante burgun, në kohën e komunizmit në Shqipëri,  ai i kishte shkruar një letër familjes, ku kërkonte nga ata,  që kurrë dhe me asnjë veprim të mos ngriheshin kundër Shqipërisë, edhe pse ai ndodhej në burg padrejtësisht.

Në një pjesë e librit: Kosova, Besa dhe Tradhtia, Rexhep Bunjaku ka prezantuar edhe një historik të LNDSH-së, që është një studim shumë me vlerë për këtë lëvizje, sepse është shkruar nga një pjesëtar i përkushtuar, i cili ka qenë pjesë organike, vepruese  dhe përmbajtësore e Lëvizjes, e cila ka historikun më të pastër kombëtar se çdo lëvizje tjetër politike e ideologjike e kohës, meqë kishte marrë pozicion të fortë kombëtar dhe politik. Rexhep Bunjaku, sot 90-vjeçar është shembulli  i gjallë i njeriut të ka kaluar Kalvarin e vuajtjeve ndër më të rëndat e mizoret, por që  ka qëndruar me dinjitet, kurdoherë i pathyeshëm, kurdoherë besnik i idealeve kombëtare dhe i atyre njerëzore, si vlera sublime për çdo veprimtar kombëtar e humanist.

Ahmet Qeriqi

Tetor 2018

 

Kontrolloni gjithashtu

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani, nxori në dritë dy përmbledhje poetike: “Mos mi hap plagët e reja” dhe “Ç’faj kam unë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin …