Rexhep Kasumaj: Taktikat e zeza… Një udhë e rrahur mirë


1.


Krerë të guvernës së lëkundur të Prishtinës, sajojnë si qakaj të hallakatur  kurthe e taktika, për të shmangur përballjen me atë që quhet ligj. Mirëpo, sipas një fataliteti të çuditshëm që ndjek prorë kohët e sundtarëve të Kosovës, eksperiencat janë paqëtuese. Ligjet me veglërinë e tërë ekzistojnë vetëm për të dobëtit. Dhe Balzaku qëmoti shkruante figurshëm se ato janë ca si rrjeta merimangash që shqyhen nga mizat e mëdha, e ku ngecin ato të voglat…Po, sërish, droja sikur s’mërgon nga zemrat e tyre të helmta. Sepse, së paku, dialektika që ruan balansin natyral mes të me të mirës e të keqes, e thotë një ditë fjalën e saj…Dhe ky është makthi i vërtetë i hierarkëve që janë mbyllur në kullat e epërme nga s’shohin asgjë poshtë tyre…Ata duan ta gëzojnë kalimsinë – e jo historinë. E tashmja për vdektarët impersonalë është e gjallë, e prekshme, jetike…Horaci thoshte se nuk është nder e kënaqësi vetëm të vdesësh, por dhe të jetosh për atdhe. Mirëpo urtaku latin lexohet ose, më saktë, ndjehet instinktivisht (se leximi është mallkim) ndryshmërisht prej tyre. Meqë vdekjen s’e bëjnë dot  – aherë  kanë zgjedhur të jetojnë për të, por krejt në kah të kundërt nga ç’do të ketë kujtuar mendjelashti i uruar: hajnueshëm, vrasshëm, grabitshëm, rrenacakshëm, dhunshëm, trathtueshëm, e pra – poshtërisht!


 


2.


Çfarë do të ndodhte, që këndej, sikur Kushtetuesja e përdalë të verdiktonte refuzimin e plotë (sepse si pranimi ashtu dhe refuzimi vetëm i tillë mund të jetë), të “Entitetit serb” si shkelës të shkronjës dhe frymës së saj?


Dhe, pastaj, nëse një ekspertizë (edhe e huaj), të konstatonte dhurimin shpirtmadh të bjeshkëve e të mijëra hektarë kullotash  Malit të Zi?


Apo, së fundmi, ndonëse pushtetësit e Prishtinës i tmerron demokracia direkte si çelës vullneti, një plebishit referendar ta bënte këtë gjë, njëj udhe më të thjeshtë e të bindshme?


Aherë Premieri rrëshqanor dhe ndihmësi i tij, ky pinokio i drunjtë, do thoshin ngutshëm e cinikisht: ne jemi legalistë dhe, ndaj, njohim pa hezitim vendimet e instancave të epërme! Në fakt, bishtpërdredhuri i parë, me shpresën bizare në përgjigjen e favorshme gjykatës, paratha tashmë këtë lojë…


Vetëm kaq, vallë? Po vepra e krimit? Po faji? Po ndëshkimi i tij?


Ç’përceptim shpërdorues i punës a interesit publik dhe ç’keqkuptim tragjik i shtetit të së drejtës!


 


3.


“Marrëzia është e rrallë tek njerëzit e veçantë, kurse tek grupet, partitë, popujt a epokat, është një rregull”! Kështu pohon Niçe (“Përtej së Mirës dhe së Keqes”), por, me gjasë, nuk rrjedhon të jetë e saktë gjithmonë. Në Kosovën  e sotme ajo, madhnia e saj, Marrëzia, është gati totale: tek të veçantët dhe tek të gjithë!


Erazmo i Roterdamit (“Lavdi marrisë”) i thurte hymn asaj, sepse, si thoshte, Hyu e kishte zbritur mëshirshëm poshtë, për ta shpëtuar botën nga serioziteti i mendimtarëve…


Rezulton, pra, se, sa më e dendur mjegullina e saj – aq më e lumur do jetë njerëzia pa dritën e mërzitshme mendimore..!


Po a nuk, vërtetë, kështu?


Ku do gjesh turmë më të gëzuar se në Kosovë? Këtë e konfirmojnë dhe relatorët e huaj që bëjnë barometrat e specifikuar duke i vënë gjithnjë shqiptarët e Republikës së re në ballë të tabelës!


E pse tani duhet të ndryshojë kjo magji?


 


Berlin


2015


 


 


Rexhep Kasumaj: Farsa e kuvendimit!


 


Ka një kohë për gjithçka, thotë Bibla, po përse nuk e marrin vesh këtë mësim të vjetër regjimtarët e fortifikuar i Prishtinës?


Jo, jo. Çuditërisht ata as  nuk duan dhe as nuk dijnë. Janë obskurë e të trëmbur si askush. I tmerron alternimi rregullar dhe përballja me statusin e qytetarit të lirë…


Ndaj dhe, duke keqlexuar Sekretarin Kerry, të pajisur shprese se janë favorizuar pozicionalisht, bëjnë ftesën bajate për dialog!


Dhe ndërsa qëllimmirët (Meta i Tiranës) nuk posedojnë asgjë pos hirit të fismë, hipokritët (Hashim e Isa), nga ana e tyre, kanë hedhur një kartë të ligë në qarkullim: arnimin e imazhit të rrugëdalësit nga nyja e krijuar vetë.


Si rrëfen historia pllitike, çdo negociatë nënkupton një përafrim palësh drejt qendrës pajtimore! Aherë: meqë opozita refuzon në plotni dy Marrëveshjet, për “Zajednicë” e “Demarkacion”, ç’kuptim do të kishte një kuvendim i tillë. Dhe mbi ç’premisë?


Ndoshta Premieri nuk pret thyerjen e vështirë opozitës por, pas syzimit me të, këtë kuvendtarin e zott e sugjestiv, së paku, tërheqjen pjesore të saj. Arritja e këtij caku të shenjuar do ti  nënshtronte pastaj gjithçka së njëjtës logjikë, formulë e pikëfillesë: tregtimi i tokave dhe interesit kombëtar. Mbase Statusi i ”Zajednicës” pudrosej mashtrueshëm, si  nuset e pabukura, ndërkohë që për Demarkacionin do të rihapej tregtimi, jo për ti kthyer, po për të rimatur kuotën e hektarëve që i falen Malit të Zi: 10.000, 5000, 7000…apo sa?!


Dhe titullarët do festonin saturnalisht, i madh e i vogël, fitoren shkëlqimtare. Belgradi poashtu, madje pa fshehur gëzimin e triumfit historik, si do të shprehej shefi i diplomacisë tek rezymonte punën njëvjetore të qeverisë. Kurse kundërshtarët e Serbisë që përceptohen si armiqë të klikës lokale vetë: edhe do mposhten edhe do poshtërohen. E bashkë me ta dhe kauza e shtetit që lëkundet ecjesh si një fëmijë i retarduar…


Kuvendimi, vërtetë, s’ka si të mos jetë një farsë për moralin dhe i pamundshëm për të drejtën!


 


Berlin, dhjetor 2015


 


 


Rexhep Kasumaj: “Kultura e teprisë”, një thirrje për zhbërjen e saj


 


Ndërsa një muzg, me erën që ndiqte retë dhe fletët e molisura, mendoja për dramën e fundme të Prishtinës, do t’më kujtohej një floskulë (e kujt kje vallë?) tepër interesante e domethënëse: ”Kultura e teprisë”!


 


Natyrisht, farkuesi i hollë do ta ketë vënë në një kontekst tjetër, por unë me ngasjen e vetishme për ta adoptuar në miljeun e mbërthyer ekstremesh e improvizimesh të çuditshme, thashë me vete: po ku është trollëzuar e tillë farë më mirë?


 


Etablimi i saj, tashmë, rezulton të ketë dy nivele, dy ndërgjegje dhe dy kahe përballëse a, krejt, të kundërta që prekin kulmet e teprisë: njëra është vepruese, e pandjeshme dhe agresive, kurse tjetra e lëbyrshme, bestyte dhe fatpajtuese! Po kush, vallë, identifikohet me to? Të parët – e cilët tjetër? – janë hierarkët e pushteteve, ndërkohë që të dytët – a s’kuptohet lehtësisht? – janë turma, elektorët dhe hijefigurat nga “Të përbuzurit…” e Franc Fanonit!..Duke qenë një sipërkulturë, ajo ka poshtëvënë gjithë të tjerat: kulturën e përgjegjshmërisë (ligjbërja e kartelave të krimit), të harmonisë (shkallmosja e klasës mesme si nyjë paqëtuese), atë kritike (klientelizmi i pështirë medial), mandej, poaq, të rezistencës civile (nënshtrimi i pakusht ndaj naciokratëve të ndërkryer) dhe, së fundmi, vetë kulturën e lirisë!..


 


Dhe ah, darët e teprisë kapullojnë gjithçka: në një anë, tepri në vjedhje e mashtrim, pabarazi e vobektësim (athua ka masë etike për to!?) dhe, në anën tjetër të humnerës: tepri në apati, si shndërrim i atdhetizmit kushtetues në gjunjëzim popullor (a ka peshore të arsyes për të!?), ose, më saktë, si do thoshte Orveli, meqë i zgjedhin lirshëm përfaqësuesit politikë – tepri edhe në pjesëmarrje e bashkëpunim me shkaktarët e fatkeqësisë së vet.


 


Gjendja sikur ngjan fare shpresëkotë sepse, mjerisht, perpetuohet pambarimisht në rreth të mbyllur: të parët nuk fisnikërohen, e të dytët, ndërkaq, nuk vetëdijësohen! Rrjedhimisht, ndërsa hierarkët katrrisen me thonj e gjak, për t’mos rënë nga qarkullimi horizontal i sundimit, të përbuzurit zjejnë e rrotullohen në botën e asgjëbërjes, pa ëndërruar, apo organizuar kolektivisht mohin e rendit të bajlozëve të zinj!..


 


Amorfiteti i të poshtmëve ka, ndaj, shprehjen e kërkimdaljes individuale nga unaza  shtrënguese mbi jetët e tyre. Një palë do të heshtin, një tjetër priret për shpërngulje në largësitë e panjohura dhe ndonjëri nga palë e tretë, po qëlloi të ketë shkundje a vegime shpëtimtare, nuk pikësynon askurrë ti shmanget skemës së trishtë. Madje, besnik i tipologjisë fanoniane, vuan dëshirimin e fshehtë për tu ngjitur në galerinë e të epërmve, pra jo drejt lirisë së vet dhe të tjetrit, por, në ndjekje të rregullave unikale të “teprisë”, për tu bërë edhe ai – Persekutor!


 


“Ai ç’prej vjetësh tremijë


Nuk mësoi gjë për veten,


I tretur mbetet n’errësi


Nga dita n’ditë t’shtyjë jetën”!


 


Patriarku i letrave të Europës, Gëte, thuase do ti ketë shkruar këto vargje, disi, parathënshëm, jo për gjermanët e vet, por pikërisht  për shqiptarët, që, të pamësuar çlirësie ndër qindjeçarë, gëzojnë ende statusin e përulshëm të kujdestarisë, tipik për popuj adoleshentë apo veteranë të robnisë!


 


Berlin, dimër 2015

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …