Vetëvendosje

RKL: Analiza e njëanshme dhe egocentrike e rezultatit të zgjedhjeve vendore të 17 tetorit 2021 nga Vetëvendosja

Vetëvendosja, në analizën për opinion lidhur me rezultatin final të zgjedhjeve vendore të 17 tetorit, ka bërë përpjekje, që edhe duke ecur në fushë të minuar, të mos  të shkel në asnjë minë…

Analizës në radhë të parë i mungon  realizmi, sinqeriteti, mirëkuptimi, pranimi i humbjes me kredo burrërore, i mungon gatishmëria për t u ballafaquar me realitetin e hidhur, i mungojnë edhe shumë aspekte të tjera të hulumtuese për një analizë gjithëpërfshirëse.

Në tekstin e analizës flitet  shkarazi për vetëkritikë, pa dhënë asnjë shembull konkret, qoftë edhe  të një pasoje të vetme.

Pranohet fakti se Vetëvendosja ka zënë vendin e tretë me asamblistë, por askund nuk është shënuar numri i votuesve, që ka një rënie rapide në krahasim me numrin në zgjedhjet e 14 shkurtit.

 Në analizë thuhet e nuk jemi përgjigjur sipas nevojës e pritjes popullore, por më poshtë prezantohen të dhëna të flasin për aktivitete të jashtëzakonshme në terren gjatë fushatës:

Niveli i tretë organizativ ka koordinuar 1054 vizita kurse nga vetë Qendrat janë organizuar shumë më shumë se kaq aktivitete. Disa prej tyre ku raportet janë të gatshme i kapin këto shifra: Disa prej tyre ku raportet janë të gatshme i kapin këto shifra: Gjilani 403 aktivitete, Gjakova 440, Dardana 620, Rahoveci 470, Besiana 398, Shtimja 324.Kemi kontaktuar e organizuar vizita edhe në mërgatë, në Zvicër e Gjermani. Jemi mirënjohës për secilën votë të nisur nga mërgata që janë gjithsej 790.

Nga këto shifra  shihet se cili ka qenë angazhimi i jashtëzakonshëm, të cilit i mungojnë të dhënat e angazhimit të kryetarit të Vetëvendosjes, madje në cilësi edhe të kryeministrit të vendit gjatë fushatës, duke marrë madje edhe dënime nga KQZ-ja për shkelje të heshtjes zgjedhore. Të sjellim vetëm rastin kur Albin Kurti nga Konferenca, në Paris kishte zbarkuar drejt e në Besianë, ku iu kishte bashkuar militantëve të partisë, në ditën e heshtjes zgjedhore për çka edhe është dënuar me 5 mijë e dyqind euro nga KQZ-ja.

Këto aktivitete janë heshtur në analizë, pasi Vetëvendosja, në zgjedhjet e kaluara  për 15 vite tehun e kritikës e kishte orientuar në aktivitetin e zyrtarëve të lartë të qeverisë gjatë fushatës zgjedhore, duke e bërë edhe pjesë të kauzës së tij, për të përfituar elektoratin duke damkosur krerët e institucioneve.

Pandemia ndërkaq, ka goditur mjetin tonë të veprimit e komunikimit me njëri – tjetrin e qytetarët: tubimet e mesme e të mëdha. Nuk kemi mundur ta përdorim këtë mjet e gjithashtu nuk kemi gjetur një zëvendësim efikas për këtë. Edhe ky konstatim është krejtësisht i paqëndrueshëm, madje edhe i papërgjegjshëm kur dihet se fushata e Vetëvendosjes në Prishtinë është përmbyllur në Sallën 1 Tetori, e cila ka qenë përplot e mbushur me militantë partiakë, dhe ku para të pranishmëve ka folur me duar në xhepa,  kryekuvendari aktual. Këtu nuk shohim vetëkritikë, por një përpjekje për ta fajësuar pandeminë, rregullat e së cilës në radhë të parë i ka shkelur Vetëvendosja pastaj edhe të gjithë të tjerët, kush më shumë e kush më pak.

Vetëvendosja akuzon opozitën pse qenka bashkuar kundër Vetëvendosjes, duke heshtur faktin se në balotazh kanë bërë përpjekje të marrin mbështetej nga të gjitha partitë. Akuzohen pa fakte konkrete partitë e tjera të cilat i paska bashkuar korrupsioni dhe kapitali që paskan përfituar

Meqë sot nuk mund ta zhvillojnë korrupsionin prej kateve të ndryshme qeveritare ata po duan të provojnë nëpër komunat e ndryshme të qyteteve. Prej lartë, po duan ta zbresin më poshtë. Aty është edhe më i dëmshëm. I prek e gjymton edhe më shumë jetët e qytetarëve. Kryesisht nëpërmjet mafisë së ndërtimit. Këtu do të jetë lufta jonë dhe duhet të jemi syçelë.

 

Sajuesit e kësaj analize kah fundi  kanë paraqitur konstatime naive e qesharake, pa asnjë fakt apo argument konkret, por vetëm duke para gjykuar se të gjitha partitë e tjera po e kopjuakan Vetëvendosjen, pavarësisht se ato parti kanë qenë në garë për pushtet dhe kanë qeverisur për 20 vjet.

Sipas këtij paragjykimi del se metodat e kësaj partie, që quhet Vetëvendosje, qenkan edhe më të vjetra sesa vetë ajo. Po kështu në mënyrë fare naive përmendet fitorja e 14 shkurtit pa e pranuar se ishte Vjosa Osmani me votuesit shkizmatikë të LDK-së që ia siguroi fitoren Vetëvendosjes, por tetë muaj më pas,  votat e saj bashkë listën e guximtarëve avulluan,  më 17 tetor ku Vetëvendosja nuk fitoi as një komunë të vetme, pa balotazh

 

Sot të gjitha subjektet politike po na kopjojnë. Ata po duan të fitojnë si ne por jo të bëhen si ne. Ky është thelbi. Ne nuk kemi fituar sepse kemi protestuar por sepse kemi pasur të drejtë. Ne nuk jemi të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit për metodat tona por për kauzat tona. Andaj, ata janë në sinkron në deklarata, në metoda dhe në rreshtim. Ata e kanë pasion pushtetin, ne politikën.

 

Në fund  është edhe krekosja burracake  e arroganca tipike e disa krerëve të kësaj partie 15 vjet opozitë, tetë muaj në pushtet.

Edhe pse Albin Kurti e ka shpallur fitoren e Republikës së tij, Republikës së Tretë virtuale, humbja në zgjedhjet vendore, apo fitorja në katër komuna nga 38 sa i ka Kosova e ka lënduar aq shumë sa ai tani kujtohet ta thotë se fitorja ende qenka larg, se ajo do të fitohet me luftë kundër të gjithë atyre që nuk janë në vetëvendosje

Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion.

Pjesa e fundit e analizës, ia heq petën lakrorit.

Vetëvendosja edhe pse në pushtet, nuk e ndalë luftën politike, kësaj radhe paraqitet  me metoda si ato fondamentale, fetare, që predikojmë se “ e vërteta dhe e drejta është vetëm  feja ime, në këtë rast ideologjia ime,  prona ime. Kush nuk është me ne  është armik. Kosova është vetëm e jona dhe atë nuk ia lëmë askujt, sepse të gjithë të tjerët janë të korruptuar dhe duhet të eleminohen, kështu rezonojnë sajuesit e Analizës.

Nuk thuhet kot se “ujku qimen e ndërron por jo vesin”.

Por ujku politik në kushte dhe rrethana të pluralizmit politik, është ujk prej letre, të cilit nuk i frikësohet askush.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …