RKL

RKL: Serbët në Veri, mund ta shpallin autonominë nëse injorohet Asociacioni, të cilin nuk e pranon, Albin Kurti

Situata e sigurisë në Veriun e Kosovës, e banuar me shumicë nga popullata serbe, dita ditës po kthehet në pikën zero, në kohën kur kjo pjesë me ndihmën e forcave franceze të NATO-s, forcave paqeruajtëse të KFOR-it, dhe administratës së UNMIK-ut në qershor të vitit 1999 u nda mbi Urën e Lumit Ibër, në qytetin e Mitrovicës, dhe prej atëherë e deri tani mbeti një çështje e pazgjidhur edhe pas përpjekjeve gati 23-vjeçare.

Ndarja faktike e Veriut nga Kosova është një realitet që nuk mund të mohohet, as mund të fshihet, as mund ta zgjidhë Kosova me të drejtën legjitime të sovranitetit, sepse me rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila ende është valide, Serbisë ende i njihet e drejta e sovranitetit, jo vetëm në veri, ku popullata serbe është me shumicë, por në tërë territorin e Kosovës.

Kjo pozitë ligjore e mbrojtur nga OKB-ja është ushqim i pretendimeve kolonialiste serbe në Kosovë, pastaj një pengesë serioze edhe në bisedimet me Serbinë, e cila e di mirëfilli se kurrë nuk do të ketë sovranitet faktik mbi tërë Kosovën, por mjaftohet me aneksimin e veriut, në parimin e vetëvendosjes mbi baza të shumicës etnike, dhe jo vetëm kaq.

Veriu ka qenë çështja serioze e të gjitha qeverive të derisotme të Kosovës, ndërsa në këto dy vite të Qeverisë-Kurti kriza u thellua edhe me tepër, me një varg veprimesh  të pamatura, sidomos kur eskaloi lufta e Rusisë mbi Ukrainën, dhe kur nuk ishte punë me mend që të nxitej kjo çështje, tejet delikate.

Me shpalljen e zgjedhjeve në Veri, Kosova po mundohet të tregojë legjitimitetin dhe sovranitetin e pretenduar, por realisht ky veprim i jep fund të gjitha të arriturave në planin e administrimit të Kosovës, në veriun e vendit, edhe pse të kontrolluar dhe të manipuluar nga Qeveria e Beogradit.

Veprimet e pamatura të Qeverisë Kurti, janë kritikuar edhe nga faktori ndërkombëtar, sidomos nga Amerika dhe BE-ja, por krejt kjo po merr një dimension të komplikimit  të mëtejmë dhe jo të zgjidhjes së problemeve me Serbinë, e cila me asnjë kusht, madje as me çmimin e luftës nuk do të heq dorë nga veriu me shumicë serbe, me faktin se qytetarët serbë, me siguri më shumë se 90 për qind e tyre, duan të jetojnë me shtetin amë, ose me një zgjidhje kompromisi, që iu konvenon atyre, si shumicë në veriun e Kosovës.

Dështimi i zgjedhjeve në katër komunat serbe të veriut të Kosovës, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje, ashtu sikur edhe më shumë se 600 policë, pastaj prokurorë, gjyqtarë e zyrtarë të ndryshëm, nuk është bërë pa një skenar të mirë menduar në Beograd. Këtë e tregon fakti i kthimit të menjëhershëm të deputetëve serbë në Kuvend, ku ata tani për tani janë kthyer vetëm për qëllime taktike.

Situata aktuale në veri është më keq se asnjëherë më parë, pasi janë përmbysur të gjitha përpjekjet shumëvjeçare të ish qeverive, të cilat kishin sjellë rezultate, përtej së cilave nuk mund të bëhej më shumë, në drejtim të një bashkëqeverisje, e cila iu konvenonte të dyja palëve.

Analisti serb, Dushan Janjiq, me të drejtë konsideron  se ekziston një “situatë urgjente” në veri të Kosovës e cila mund të “ndezë automatikisht konfliktet në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe në Mal të Zi”. Aktualisht është një zjarr i vogël që mund të shuhet lehtë, I pyetur se cili ishte qëllimi i aksionit gjatë të cilit pjesëtarët e Policisë së Kosovës hynë në pjesën veriore të Mitrovicës, Janjiq thotë se ky është një zhvillim absolutisht i pritshëm dhe ai është paralajmëruar që nga tetori i 2021. Gjatë gjithë kohës jemi dëshmitarë të një shfaqjeje shumë të rrezikshme, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjithë. Kjo është shfaqja që kemi parë kur filluan luftërat në Jugosllavi. Dihej se nëse Vuçiq tërheq serbët nga institucionet e Kosovës, do të vendosej një realitet i ri. Prishtina nuk e njohu atë lëvizje. Diçka e ngjashme i ka ndodhur edhe Millosheviqit, i cili gjithashtu nuk e ka njohur realitetin. Në asnjë moment nuk kemi marrë vesh nëse është diskutuar se si të garantohet siguria me daljen e serbëve nga policia dhe duke forcuar formacionet serbe, siç quhen tashmë, sepse ato ekzistojnë dhe ky është realiteti. Janjiq ka theksuar se zgjedhjet në veri të Kosovës të paralajmëruara për 18 dhjetor nuk do të mbahen. Serbia nuk mund të tërhiqet tani derisa të diskutohen mekanizmat për kthimin e serbëve në institucione ose do të krijojnë institucione paralele. Ose do të shkojnë një hap më tej”, thotë, analisti Dushan Janjiq pa përmendur autonominë apo ndarjen e dhunshme.

Tani në Veri janë rikthyer në veprim forcat e KFOR-it, është rikthyer edhe Policia e EULEX-it, pasi ky mision është i pranueshëm për të gjithë serbët, por i padëshirueshëm për 90 për qind të shqiptarëve.

Në veri kanë mbetur vetëm policia e doganave dhe defilimi herë pas herë i ndonjë eskorte policore të ministrit, Sveçla, në Lagjen e Boshnjakëve dhe në fshatrat shqiptare  sa për krekosje, sëmundje patologjike e komplekseve të tij mujshare.

 

Veriu nuk është më ai që ishte para dy apo më shumë muajve. Atje, de facto, nuk ka më pushtet të Kosovës, falë veprimeve të mençura dhe mirë të menduara të Albin Kurtit, i cili të gjitha humbjet në veri i  shpall fitore, sepse atij nuk i ka mbetur tjetër përveç retorikës mujshare politike, pavarësisht si duket realiteti.

Serbët në veri do të rikthejnë strukturat paralele, jo në formatin e hershëm, por me Listën Serbe në krye, e cila ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ata të gjitha veprimet e tyre i mbajnë në akord me urdhrat e sugjerimet, që marrin nga Beogradi.

Në rast të prolongimit të fillimit të zbatimit të Asociacionit do të kërcënojnë me shpalljen e autonomisë, ndërsa sapo ta fitojnë asociacionin me të drejta ekzekutive, pavarësisht çka thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, do ta shpallin veriun krahinë të pavarur të hapur ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Janë të pritshme të gjitha veprimet dhe kalkulimet që mund të ndërmarrë Serbia për veriun, por një gjë është fare e sigurt. Kosova kurrë nuk do të mund ta shtrijë sovranitetin e plotë në Veri, për më keq ka humbur edhe tri komunat e Kosovës Lindore, aktualisht nën Serbi, të cilat  gjatë procesit të bisedimeve kanë mundur të bashkohen me Kosovën  me pëlqim  me kompromis për shkëmbim territoresh, ide të cilën Kurti e urren në radhë të parë sepse ishte ideja e ish kryetarit Hashim Thaçi, por edhe për faktin se ai vazhdimisht është krekosur se e ka pamundësuar ndarjen, gjatë tërë fushatës zgjedhore.

Qeveria Kurti ka bërë gabime të njëpasnjëshme dhe tani nuk mund të kthehet prapa, përveë atëherë kur e frenon ambasada amerikane në Prishtinë dhe ky është fati i Kosovës, pasu Kurti pavarësisht çka thotë, çka premton e sajon, në fund struket te këshilla e ambasadorit Hovenier, por edhe Llajçakut e Borellit, sepse atp janë të njëjta madje edhe të koordinuara, ashtu sikur me rastin e shtyrjes së afateve për aplikimin e tagrave, tani me shtyrjen e zgjedhjeve në veri, e kështu me radhë. Kryeministrit Kurti i kanë mbetur manovrimet e kalkulimet politike, në të cilat shkëlqen, por në raste të tilla më shumë duhet si aktor që luan një rol, sesa një politikan që merr vendime dhe nuk tërhiqet nga ato, i tillë sikur ishte vetë paraqitur, sidomos kur ishte në opozitë.

Tani derisa ndodhet në krye të Qeverisë së Kosovës, po tregohet me vepër se nuk është më as edhe hija e atij Albinit që premtonte se kurrë dora e tij nuk do t’ia shtrëngojë dorën e Vuçiqit, kurrë nuk do të pranohet asociacioni mbi baza etnike, kurrë nuk do të pranohet marrëveshja e Brukselit  e vitit 2016, kurrë nuk do t i jepet Çakorri e Kulla Malit të Zi dhe sa e sa premtime të cilat tashmë nuk dëshiron t i kujtojë dhe kur gjendet në pozitë mat dhe i sosen fjalët, krejt fajin ia hedh ishte-qeverive, të cilat nuk i kanë kryer punët, por paskan pritur që kur ai të bëhet kryeministër t i kryejë ato. Tani në këtë nivel të diskursit politik ka arritur, Albin Kurti, ky i sotmi i transformuari, ashtu si Gregori Samsa i tregimit, “Metamorfoza”  të Franc Kafkës.

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, …