RKL

RKL: Fushatë e egër dhe paragjykuese, mediale e institucionale kundër luftëtarit e veteranit të UÇK-së, Nasim Haradinaj

Veterani i UÇK-së dhe luftëtari i lirisë, Nasim Haradinaj nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, i ftuar në Debat në TV-Dukagjin ku është diskutuar për Gjykatën Speciale dhe ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e kompetencave Gjykatës Speciale, lidhur me vrasjet e pasluftës në Kosovë. “Nuk them të mos merremi me to, por  ku po e din ti që ato kanë qenë vrasje politike, ti po i jap një krah. Ato  mund të jenë  politike brenda sojit të vetë, i ka thënë Haradinaj, gazetarit gjatë debatit.  Më pas gjatë një replike Haradinaj thuhet se ka thënë:   “Punë e madhe që janë vra të LDK-së”. Fjali e fundit e Nasim Haradinajt e thënë në nervozë gjatë debatit, me përpjekje për linçimin e tij e të luftës së UÇK-së, ka mjaftuar që të fillojë një fushatë e egër, linçuese dhe e pashënuar ndonjëherë për nga arroganca, shprehur në disa medie me sharjet e fyerjet e disa prej familjarëve, të cilët pretendojnë se UÇK-ja u ka vrarë më të dashurit e tyre, edhe pse deri tani nuk është paditur askush dhe as është ngritur ndonjë akuzë në gjykatat e Kosovës, të UNMIK-ut apo të EULEX-it.

Kuvendi i Kosovës është distancuar ndaj deklaratave të përfaqësuesit të OVL e UÇK-së, Nasim Haradinaj, lidhur me vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së. “Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 6.1 të Rregullores së Kuvendit në Seancën Plenare, të mbajtur me 22.12.2017 me propozim të Grupit Parlamentar të LDK-së nxjerr këtë deklaratë: Kuvendi i Republikës së Kosovës dënon gjuhën fyese dhe të urrejtjes të përdorur nga përfaqësuesi i OVL të UÇK-së për vrasjet politike të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Edhe pse Nasim Haradinaj nuk është deputet, as zyrtar i Qeverisë së Kosovës, por vetëm nënkryetar i një organizate joqeveritare, dhe të tillë ka me qindra në Kosovë, fushatën  kundër tij e afishuan  edhe në Kuvendin e Kosovës, i cili edhe po të dojë nuk mund ta dënojë për fjalët e tij të shprehura para medieve. Por,  kjo ka edhe anën tjetër të medaljes, ja për shembull si shprehet kundër Nasim Haradinajt, deputeti i LDK-së, Armed Zemaj: Një pleher i degraduar, i njohur si harbut i pasluftës, një profiter fondesh publike, një egersire ndaj bashkëqytetarëve të vetë që nuk mendojnë njejte me logjiken e tijë prej stalinisti, i dashur dhe i respektuar për kriminelet ordinier…..

Armend Zemaj jo vetëm e ka fyer, duke e quajtur egërsirë, Nasim Haradinajn, por edhe e akuzuar ka asnjë fakt, pa asnjë dëshmi të faktuar e relevante  si profiter fondesh dhe i respektuar për kriminelët ordinerë, pa cekur kush janë ata, edhe pse dihet fare mirë se  te kush aludon. Me këtë rast fjalori i deputetit Zemaj do të duhej të dënohej nga vetë deputetët, por të mos ishin shumë prej tyre edhe më fjalor  më të ndotur  e më të shpërfytyruar, sa i përket gjuhës së tyre të përdorur në foltoren e Kuvendit, ndoshta jo në shtëpi e në familje. I kemi dëgjuar dhe po i dëgjojmë përditë se sa trima të kreshpëruar tregohen kundër njëri tjetrit në Kuvend, por sa servilë e të neveritshëm tregohen para autoriteteve të BE-së, ambasadorëve, apo këshilltarëve të tyre.

Natyrisht se Kuvendit nuk i intereson fjalori i  përdorur e disa deputetëve, por as e gazetarëve kundër UÇK-së, madje as  kundër Legjendarit të kohës sonë, Adem Jasharit dhe familjes së tij emblematike.  Kuvendit nuk i intereson fyerja që i bëhet Adem Jasharit nga një gazetar i “Ekspressit”, i cili   akuzon atë se me mos-dorëzim para xhelatëve të kriminelit Milosheviq  ai e paska bërë që t’ i vritet tërë familja, kurse tjetri shprehet  hipotetikisht se po të ishte gjallë Adem Jashari do ta kishte blerë Z.mobile. Natyrisht se Kuvendit nuk i intereson si shkruan dhe si konstaton  jugo-politikani, Veton Surroi, djali i ambasadorit të Titos, kur thotë se  200.000 votues të PDK-së e të Thaçit pajtohen dhe arsyetojnë krimin, vetëm sepse e votojnë Thaçin dhe PDK-në. Dhe ky konstatim doli, pasi  i kishte rënë në gjunjë ambasadorit amerikan, Kristopfer Dell duke e lutur ta bënte ministër të Jashtëm, por ai, as Thaçi nuk e kishin begenisur, sepse ORA e tij kishte ngelur në 4.7.

Po të ktheheni te esenca e kësaj fushate kundër Nasim Haradinajt, i cili në një debat televiziv ka thënë i mllefosur:  “Punë e madhe që janë vra të LDK-së”, duke pasur parasysh faktin se pas luftës në Kosovë, nuk janë vrarë vetëm  zyrtarë të LDK-së, por edhe qytetarë e gazetarë, që nuk kanë të bëjnë me këtë parti, ndërsa gjatë luftës regjimi serb ka vrarë e ka masakruar, jo vetëm dhjetëra e qindra shqiptarë, pa zgjedhur fare përkatësinë partiake,  por ka vrarë më shumë se 14. ooo qytetarë të Kosovës, në mesin e tyre 1200 fëmijë të moshës jo madhore. Edhe duke pasur para sysh këto humbje,  nuk mund të justifikohen, as të arsyetohen vrasjet e pas luftës në Kosovë, por fakti se ato vrasje  nuk i ka ndriçuar UNMIK-u, Gjykata e Hagës, EULEX-i, as gjykatat vendore,  ato nuk i  ndriçon dot Nasim Haradinaj, me apo pa keqardhje. Kjo tregon më së miri se ka munguar dhe mungon në radhë të parë vullneti politik e këmbëngulësia, madje e vetë LDK-së, e cila për 18 vjet më radhë ka luajtur në këtë kartë të  viktimës dhe pikërisht mbi këtë kartë, tashmë të zbërdhylur kanë luajtur e po luajnë shumë struktura të saj, të cilët edhe kanë mbijetuar e po mbijetojnë politikisht.

Duket se disa familje të të vrarëve pas luftës,  janë manipuluar keq nga politika ditore e kësaj partie, e cila ka pasur kryetar Shteti, ka pasur pushtet, Qeveri, ministra të brendshëm e të jashtëm, polici e prokurori dhe asnjëherë deri tani nuk ka ngrehur asnjë padi për këto vrasje.

Dhe pra,  nuk kanë kaluar një e dy vjet,  por plot 18 vjet pas luftës dhe gjithçka ka mbetur në vend të konstatimeve, të linçimit të UÇK-së, apo sikur quhet pa të drejtë të krahut të saj enverist e stalinist, me ngjyrime krejtësisht politike, krejtësisht të njëanshme dhe aspak të vërteta.

Krerët e lartë të LDK-së nuk duan të zbardhet e vërteta për vrasjet e pas luftës, sepse e humbin betejën dhe zgjedhjet, sepse mund të bien maskat, sepse nuk mund të jetohet gjithmonë me pozitën e improvizuar të viktimës.

Kush e ka penguar Isa Mustafën, në kohën kur ishte kryeministër të mos urdhëronte Prokurorinë për të nisur hetimet lidhur me  këto krime?  Qeveria e tij ishte e zënë për “krimet” me vezë e me gaz lotsjellës të deputetëve të Vetëvendosjes, në Kuvend dhe nuk çante kokën për krimet e pas luftës. Qeveria kishte mobilizuar tërë forcat për të ndriçuar se kush kishte goditur dritaret e Kuvendit, e jo kush kishte vrarë, gazetarin dhe intelektualin,  Enver Maloku, apo  politikanin, Xhemail Mustafa, apo të tjerët.  Nuk e pati këtë vullnet Isa Mustafa, nëse nuk pati ndonjë pakt me Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Unë dyshoj të ketë pasur një marrëveshje të tillë, sepse pavarësisht se ata i bashkoi interesi për të bashkëqeverisur, “dashuria” e tyre për të bashkë-qeverisur nuk mund të kalonte 15 vjet “armiqësi” politike.

Në këtë drejtim duhet të angazhohen  familjarët e të vrarëve pas luftës, e jo te fjalët e një veterani apo invalidi të luftës, i cili në mllef e sipër nuk i mat fjalët, sepse nuk ka djallëzi për t i qëndisur ato, sipas vendit e kuvendit.  Unë e di se Nasim Haradinaj nuk është frikacak, as kurrë nuk besoj të ketë vrarë ndo kë pas shpinës. Derisa ai nuk iu ka frikësuar raketave dhe armëve të Milosheviqit,  ai nuk ka pse  i frikësohet as lapërdharëve, por e vërteta  për krimet nuk zbulohen pse dikush i zemëruar thotë se nuk i dhimbsen të vrarët nga radhët e LDK-së.    Dhe këtë mund ta thotë edhe shumë kush tjetër, me përdhunë, por kjo nuk përbën krim, tekefundit është një qëndrim, edhe pse në rastin konkret duke rënë në karremin e një gazetari me qëndrim tejet të shprehur kundër luftës së UÇK-së.

Adresa për krimet e pas luftës ekziston. Këtë e di çdo kush, e dinë në LDK, e dinë familjet e të viktimizuarve, për të cilët ndiejmë keqardhje, por ndiejmë edhe neveritje për harenë, entusiazmin, ekzaltimin e ngritur peshë  të ish pjellës së UDB-ashëve për Gjykatën Speciale, raciste e fashiste, e cila damkos  të gjithë shqiptarët liridashës, edhe ata të LDK-së, por jo dëshmitarët e mbrojtur, jo plehurinën titiste rankoviçiste e millosheviqiane. Armed Zemaj e di fare mirë se edhe Tahir Zemaj i ndjerë kishte dosje për krime lufte nga Serbia, dhe po të ishte gjallë do të ishte kërkuar për arrest edhe nga Beogradi. Mbase e di edhe kush ia ka vrarë xhaxhanë, por nëse këtë nuk e di  ai më mirë se askush e di adresën ku mund ta paraqesë akuzën. Le të mos mjaftohet që krejt këtë urrejtje t’ ia adresojë, e t’ ia zbrazë Nasim Haradinajt dhe luftëtarëve të lirisë,( jo të dy të tretave që janë shpallur veteranë), por atyre veteranëve të vërtetë sikur është Nasim  Haradinaj dhe rreth 15.ooo veteranë të UÇK-së. Nasimi nuk është nga “dushku” i veteranëve, por nga degët e rrënja, andaj të mos nguteni pa nevojë.

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …