Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të dhjetëvjetorit të themelimit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), ku ka ritheksuar rëndësinë e partneritetit me Aleancën dhe synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Në këtë ceremoni, Shiroka Pula ka vlerësuar rolin historik të NATO-s në çlirimin e Kosovës më 1999, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, duke theksuar se Aleanca mbetet një simbol i lirisë dhe sigurisë për vendin. Ajo ka shprehur mirënjohje për kontributin e NATO-s, ndërsa ka nënvizuar se anëtarësimi në këtë aleancë vazhdon të jetë një prej objektivave strategjike të Kosovës. Presidentja ka theksuar gjithashtu ambicien për zhvillimin e mëtejmë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mënyrë që pjesëtarët e saj në të ardhmen të jenë në gjendje të shërbejnë krah për krah me ushtarët e vendeve aleate dhe të kontribuojnë në sigurinë dhe paqen e përbashkët. Duke folur për punën e NALT-it gjatë dekadës së fundit, ajo ka vlerësuar mbështetjen e këtij ekipi për Ministrinë e Mbrojtjes, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve profesionale, forcimin e strukturave institucionale, mbikëqyrjen demokratike dhe menaxhimin e emergjencave. Në përfundim të ceremonisë, presidentja ka falënderuar gjeneralin Borghoff dhe pjesëtarët e NALT-it për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm, duke i uruar për dhjetëvjetorin e themelimit të këtij ekipi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
