RKL: Fushata kundër vlerave të UÇK-së vazhdon, por ata që bashkuan armët për çlirimin e Kosovës, “prej luftës nuk largohen...” I

RKL: Gjykata Speciale kundër UÇK-së ka intensifikuar hetimet me qëllim që sa më parë të ngrehë edhe aktakuzat

Gjykata Speciale kundër UÇK-së ka intensifikuar hetimet për të gjithë eprorët e lartë të UÇK-së me qëllim që sa më parë të ngrehë edhe aktakuzat, të cilat do të pasohen me arrestimin dhe dërgimin me burg të të gjithë atyre, për të cilët janë ngritur dyshime për krime lufte duke u bazuar në dosjet e publikuara nga Ministria e Drejtësisë,  së Serbisë, në kohën e regjimit të Milosheviqit, qysh në vitin 2000. Ato dosje të montuara, po i shërbejnë si lëndë penale kësaj Gjykate, e cila nuk i merr si të bazuara madje as dëshmitë e prezantuara në Gjykatën e Hagës, as në gjykatat e UNMIK-ut, të EULEX-it apo gjykatave të tjera që kanë vepruar dhe kanë dënuar rreth 600 shqiptarë,  për këto  20-vjet, por çështjen e kthen në fillim, me qëllimin e vetëm për të vendosur “drejtësi” kundër të gjithë atyre shqiptarëve që projektuan dhe realizuan me sukses luftën kundër sundimit kriminal barbar e fashist të Serbisë, dhe që implikuan edhe Amerikën e disa Shtete anëtare të NATO-s.

Nga 153 të evidentuar nga Ministria e Serbisë e kohës së Milosheviqit, deri tani janë hetuar më shumë se 50 prej tyre, ndërkohë që ditëve të fundit janë ftuar për t’ u hetuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, ish-kryekuvendari, Jakup Krasniqi, ish shefi i SHP të UÇK-së, Bislim Zyrapi si dhe disa eprorë të tjerë të UÇK-TMK-së cilët nuk kanë pranuar  të deklarohen për mediet.

Presioni i një segmenti pro serb i bashkësisë ndërkombëtare, kishte shantazhuar dhe kishte detyruar disa nga krerët e vendit që të votojnë themelimin e kësaj gjykate, me kërkesë të Dik Martit, i cili kishte shpikur gjoja trafikimin  e organeve të serbëve gjatë luftës së UÇK-së.

Dihet se më me 166 vota pro dhe vetëm 8 kundër, me 9 të përmbajtur, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, më 25 janar të vitit 2011 kishte  miratuar rezolutën, me të cilën kërkon hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij deputeti zviceran, Dik Marti.

 Pastaj, duke qenë se faktori i shkapërderdhur shqiptar nuk i mori seriozisht akuzat, brenda Kosovës u shpikën edhe akuza të tjera, të gjoja vrasjeve të anëtarëve  të LDK-së nga UÇK-ja edhe pse ajo ishte demilitarizuar përnjëherë pas mbarimit të luftës, qysh në qershor të vitit 1999. Ditëve të fundit në disa mediet pro serb të Kosovës është  zhvilluar dhe po zhvillohet një fushatë e egër kundër UÇK-së, duke pretenduar që lufta e saj të shpallet terroriste dhe e papastër.

Kërkesat këmbëngulëse, kundër UÇK-së, të një segmenti të LDK-së u morën për bazë nga Asambleja Parlamentare dhe u vendos që Gjykata Speciale të merret me krimet e pretenduara të kryera gjatë viteve 1998-2000. Kjo ishte bërë me qëllim që nëse nuk do të mund të ngiheshin aktakuza për “trafikim të organeve”, për të cilët ata e dinin mirë se nuk kishte të dhëna, atëherë gjykata të mos dështonte dhe të merrej me krimet e pas luftës, të gjitha të drejtuara ekskluzivisht vetëm kundër pjesëtarëve të UÇK-së.

Po ashtu kjo gjykatë inkuizicionale, gebelsiane, ka për qëllim ta relativizojë luftën e UÇK-së, që të mos demonizohet vetëm Serbia, e cila nuk ishte shpallur fajtore as për krimet në Kroaci, as për ato të Bosnje, madje as për gjenocidin në Srebrenicë. Në këtë mënyrë segmenti pro serb i BE-së, arriti të ushtrojë presion te politika e shkapërderdhur shqiptare dhe përmes lëshimeve fatale të kreut tonë politik e institucional, ta pranojë verdiktin e kësaj Gjykate dhe t’ i nënshtrohet asaj, pa asnjë kundërshtim.

Madje, disa nga krerët e luftës, nga frika për humbjen e favoreve të pushtetit manipuluan edhe me krerët e shoqatave të dala nga lufta, të cilët i binden se kjo Gjykatë është në interes të Kosovës, dhe nuk duhet të protestohet, sepse të gjithë të apostrofuarit duhet t i përgjigjen asaj, për shkak se gjoja nuk paska fakte dhe Gjykata më në fund do të dështonte, ashtu sikur sipas mendësisë së tyre, kishte dështuar edhe Gjykata e Hagës, në rastet Haradinaj e Limaj, por jo edhe në rastin Balaj.

Është mizore dhe idiotike, që këta zyrtarë asnjëherë para ndërkombëtarëve nuk kanë paraqitur numrin e pjesëtarëve të UÇK-së që janë shpallur fajtorë dhe janë  dënuar nga gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjykatat e tjera vendore në Kosovë, në Serbi e në Maqedoni, një rast edhe në Shqipëri.

Duke lënë anash këtë segment, duke mos e pasqyruar në medie, opinioni në Evropë e në botë nuk ka të dhëna zyrtare se sa qindra shqiptarë janë dënuar për krime lufte, në mesin e tyre edhe komandanti i SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, shumica e komandantëve të zonave dhe sa e sa luftëtarë të UÇK-së.

Tani kur Gjykata Speciale  ka intensifikuar “gjuajtjen e shtrigave”, ashtu si dikur në Mesjetë, ashtu sikur në kohën e Hitlerit e të Gebelsit, krerët më të lartë të Shtetit janë gjetur krejt të pa përgatitur për goditjet e tilla, që do ta deformojnë spektrin politik në Kosovës, sidomos opozitën, e cila do të përfitojë me këtë rast dhe krejt kjo do të mbarojë me një luftë të ashpër politike në dobi të partive e klaneve dhe kurrsesi në dobi të Shtetit dhe të ardhmes  së Kosovës.

Hetuesit e Gjykatës Speciale, shumica syresh ish hetues të Gjykatës së Hagës, kanë intensifikuar ndjekjen e zyrtarëve më të lartë të shtetit e të Qeverisë me qëllim që Kosova të dorëzohet para Serbisë, të heq taksën, të pranojë këmbimin e veriut të Kosovës me dy komuna shqiptare në Serbi, ose të krijojnë një Republikë serbe brenda Kosovës, një shtet serb brenda vendit tonë, të cilin do ta kontrollojë Beogradi.

Dhe, krejt kjo do të arrihet, deshëm apo nuk deshëm, sepse as është krijuar  kot Gjykata Speciale, raciste,   as janë detyruar kot shqiptarët të bisedojnë me Serbinë për definimin e statusit të Kosovës, as mund të bëjmë më shumë për shkak se shqiptarët as kanë bërë, as bëjnë dot një faktor unifikues që mbron interesin kombëtar.

Edhe kësaj radhe do të përsëritet diplomacia evropiane e viteve 1913, 1918, 1945, me qëllim që çështja shqiptare në Ballkan të ngulfatet edhe për një kohë të gjatë, duke qenë se është krijuar bindja se ky është populli i vetëm në Evropë, i cili duhet të sakrifikohet në vazhdimësi, me qëllim që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Greqi, Maqedoni, Serbi e në Mal të Zi. Shqiptarët e ndarë e të përçarë nuk mund të bëjnë më shumë, andaj do të pajtohen me aq sa iu jepet, ashtu sikur jemi pajtuar në të shumtën e rasteve.

Me demonizimin e luftës së UÇK-së dhe suksesit të saj historik, që futi në luftë edhe NATO-n,  Evropa u jep mesazh të qartë, baskëve në Francë e në Spanjë, katalonasve në Spanjë, Sicilianëve në Itali, sanxhaklinjve në Serbi, hungarezëve në Rumani dhe në Serbi, rusëve në Ukrainë e në Moldavi, se nuk do të lejohet më tej precedenti UÇK, sepse prish baraspeshën e rendit grobalist kapitalist të Evropës…

Shqiptarët liridashës, idealistë, që nuk janë pajtuar as pajtohen me këtë gjykatë e dinë mirëfilli se Gjykata Speciale nuk do të dështojë, se dosjet janë të instruktuara, janë më shumë se 250 dëshmitarë shqipfolës, shumica syresh të mbrojtur, janë qindra dëshmitarë serbë, po ashtu të instruktuar dhe mbi të gjitha është qëndrimi i një segmenti të bashkësisë ndërkombëtare që lufta e UÇK-së të trajtohet si terroriste, me qëllim që me forcat pacifiste shqiptare të rivendosen marrëdhëniet e mira me Serbinë, sikur në  kohën e Titos e të të ashtuquajturit bashkim vëllazërim të shqiptarëve me serbë e me sllavë.

Por 20 vjet të çlirimit të Kosovës nga barbaria serbe e kanë bërë të veten dhe shqiptarët liridashës janë kurdoherë  të gatshëm të ruajnë frytet e fitores, pse jo edhe me gjak.

Kontrolloni gjithashtu

Ylli Mece

YLLI MEÇE: FEJA E KA FRIKË SHKENCËN…. TEKSA SHKENCA NUK DO TË DIJË ASPAK PËR FENË

FEJA E KA FRIKË SHKENCËN…. TEKSA SHKENCA NUK DO TË DIJË ASPAK PËR FENË Nuk …