RKL: Intervistë me Berat Rexhepin, djali i dëshmorit, Beqir Brahim Rexhepi

RKL: Intervistë me Berat Rexhepin, djali i dëshmorit, Beqir Brahim Rexhepi

RKL: Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë i nderuar Berat, djalë i dëshmorit të kombit, Rexhep  Brahim Rexhepi!

 

Berat Beqir Rexhepi: Mirë se ju gjej Radio Kosova e Lirë. Zëri i shpresës dikur dhe i Lirisë tani.

 

RKL: Na rrëfeni fillimisht për familjen dhe trashëgimtarët...

 

Berat Beqir Rexhepi: Ne jemi tre pasardhës të heroit, Beqir REXHEPI dy djem dhe një vajzë, Mua, emrin  Berat, ma ka lënë  babi i ndjerë Beqiri, mbaj emrin e qytetit te Shqipërisë,  Beratit,  sepse babi im gjithherë e kishte ëndërr Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Ndërsa vëllait, Ridvan ja ka lënë emrin Gjyshi, Brahim Rexhepi. Motra ka lindur një ditë para Betejës së Likoshanit dhe Qirezit, filloi lufta pas dy dite pas varrimit të babait, me 3 Mars 1998 motrën e ka emëruar axha, Zeqiri Rexhepi me emrin Shotë dhe me kujtohet i bëja pyetje xhaxhit, pse emrin Shota? Ai me shpjegonte sepse Shota Galica ka qenë bashkëshortja e Azem Bejtë Galicës dhe se Shota ka qenë luftëtare e madhe.

 

RKL: Si ndiheni nëpër përvjetorët e kujtimeve për babanë?

 

Berat Beqir Rexhepi: Në përvjetor të babait kam kujtime të ndryshme, dhimbje e krenari. Mua personalisht më kujtohet shumë mirë babi sepse atë ditë me 28.02.1998 isha pesë vjeçar dhe e mbaj mënd se si me kallashnikov e me armë të tjera doli nga oborri së bashku me axhën Rexhep Rexhepi, axhën Zeqir Rexhepi e me shokë të tjerë qe ishin në Odë, unë e ndjekja pas deri tek kumbullat afër një bunari, shumë mirë e mbajë mënd se si atë ditë dolën nga Oda jonë. Në përvjetor e kam këtë kujtim gjithherë, kemi dhembje sepse kemi mungesën e babait por jemi krenar që kanë dhënë më të shtrenjtën sublimen për Pavarësinë bashkë me familjarët e tjerë axhën Rexhep i cili tashmë është hero i Kosovës dhe axhën Zeqir i cili është veteran i luftës ata dhanë shumë për formimin dhe shtetësinë e Kosovës por nuk duhet harruar se ata janë betuar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare, dhe duhet cekur se babi im Beqir Rexhepi ishte i 18-ti me radhë në regjistrin e Adem Jasharit ku ftesa qe ti bashkëngjitej ushtrisë i vjen nga vetë komandanti dhe nga familja jonë dalin katër automatikë. Mendoj qe ne duhet punuar dhe vepruar qe amanetin e Dëshmorëve ta dërgojmë në vend!

 

 RKL: Babai i Juaj ishte ndër luftëtarët e bërthamave të para të UÇK-së, rënia dëshmor e Beqir Rexhepit ishte humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

 

Berat Beqir Rexhepi: Po rënia e Babait ishte humbje e madhe për UÇK-në, sepse ishte ushtari i parë i rënë në luftën frontale, për shokët e tij bashkëluftëtarë dhe komandantin, Adem Jashari. Ishte një humbje e madhe qe e kishte tronditur grupin e UÇK-së flasin shokët në Prekaz pas dy net të mbledhur në kullën e bacës Shaban Jashari, sipas shokëve të babit komandanti Adem Jashari thotë “na është vra Beqa i Qirezit ushtarë i fortë u kanë, e besnik një krahë ma ka thy… për atë pjesë andej e kam pas krahë të fortë” . Gjyshi na tregonte se si shokët ishin mërzitur shumë, Mujë Krasniqi, Rasim Kiçina e shumë të tjerë. Ishte humbje e madhe edhe për Familjen sepse babi ende nuk i kishte mbushur të 30- tat. Familja jonë mbanë kontakte me bashkë luftëtarin Xhemë Kodra, Familjen e Mujë Krasniqit, Familjen e Rasim Kiqinës, Familjen e Beqir Mehes, Familjen e Isa Beqirit nga Baksi dhe gjitha Familjet e Dëshmorëve.

 

RKL: Cilët kanë qenë bashkëluftëtarët e tij në fillimet e luftës, ata që iu kujtohen dhe me cilët ka zhvilluar më shumë aktivitete luftarake?

 

Berat Beqir Rexhepi: Bashkëluftëtarë të babait nga fillimi e duke përfshirë edhe aktivitetet luftarake, aksionet e tyre në ato kohë ishin në koordinim dhe grup me: Adem Jashari, Hamëz Jashari, Musa Jashari, Mujë Krasniqi, Rasim Kiçina, Beqir Meha, Isa Ferat Beqiri, Xhemë Kodra, Sami Kodra, Jahir Hajdari, Rexhep Rexhepi Zeqir Rexhepi.

 

RKL: Na tregoni për familjen, shkollimin, studimet Tuaja, rrethin ku jetoni?

 

Berat Beqir Rexhepi: Jetojmë në fshatin Qirez komuna e Skenderajt. Jetoijme Gjyshin, vëllanë, motrën dhe nusen, kam një djalë tani dy vjeçar. Unë vazhdoj studimet në Departamentin Histori Fakultetin Filozofik. Vëllai, Ridvani është i punësuar në FSK dhe me krenari mbanë uniformën e ushtrisë së Kosovës me nderë dhe përkushtim sepse e dinë që është pasardhës i Beqir Rexhepit dhe ëndrra e babait ka qenë qe Kosova ta ketë ushtrinë e vetë. Ndërsa motra Shota Rexhepi është studente në Filozofi viti i tretë në Fakultetin Filozofik.

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

 

Berat Beqir Rexhepi: Nga shoqëria dhe rrethi kemi marrë përkrahje e respektin si Familje gjithherë, vetë prezenca e tyre e rrethit, shokëve, bashkëluftëtarëve të babait, miqve, dashamirëve nuk na ka munguar asnjëherë për ne thotë shumë sepse mendoj qe kanë ndarë dhimbje me ne së bashku dhe se babai im tani është i tërë Kosovës sepse është flijuar për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës. Nga institucionet e Kosovës në përvjetorin e 20-të, nga Presidenca janë shpallur Hero babi Beqir Rexhepi dhe axha i babit Rexhep Rexhepi, të dy të rënë me 28.02.1998 në Betejën e Likoshanit dhe Çirezit!

 

 RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?

 

Berat Beqir Rexhepi: Dëshmorët jetuan bashkë, luftuan, rrugëtuan me një ideal dhe në fund u flijuan së bashku, ata as vdekja nuk i ka ndarë mendoj qe janë të pa ndashëm. Ne të gjallët nuk mundemi ti ndajmë ata sepse secili ka veprat dhe meritat e veta. Ju takon institucioneve përgjegjëse qe ti rregullojnë këto gjëra dhe të mbrohen me ligje.

 

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

 

Berat Beqir Rexhepi: Mendoj që ne si shtet në proces është bërë mjaft, mirëpo ka hapësirë për tu bërë me shumë dhe ne duhet bërë e punuar më shumë duke mos harruar të kaluarën dhe Dëshmorët e gjithë të rënët të ndërtojmë të ardhmen dhe shtetin tonë por edhe duhet kujtuar se amaneti i Dëshmorë është Bashkimi i gjitha trojeve

 

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, letër apo shkrim të Tij?

 

Berat Beqir Rexhepi:  Nga babai Beqir Rexhepi Hero, ruaj një orë dore të cilën e ka pasur në dorë ditën e rënies, disa rroba dhe një xhamadan. Të cilat për ne janë kujtime të veçanta dhe i mbajmë e i ruajmë me shumë mall!

 

RKL: I nderuar Berat, të falënderojmë që u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!

 

Berat Beqir Rexhepi: Respekt të veçantë për Radion Kosova e Lirë ishte nderë për intervistën. Faleminderit që asnjëherë nuk i harroni Familjet e Dëshmorëve i kujtoni dhe i nderoni të rënët jepni një kontribut të veçantë në ruajtjen e vlerave dhe dinjitetin e martirëve, dëshmorëve dhe gjithë të rënëve. Ju dëshirojë punë të mbarë, gjithë respektin për ju faleminderit…!

Kontrolloni gjithashtu

James O’Brien: Plani i Zgjerimit i Bashkimit Evropian është një plan që nuk është parë më herët

Intervista e Ndihmës-Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, për “Zërin e Amerikës”, në gjuhën shqipe

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të …