RKL: Kosova po prodhon gjenerata të nxënësve, që nuk arsimohen as edukohen për mësim, por për kopjim dhe falsifikim

RKL: Kosova po prodhon gjenerata të nxënësve, që nuk arsimohen as edukohen për mësim, por për kopjim dhe falsifikim

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, edhe këtë vit ka dështuar në organizimin e provimit shtetëror të maturës, sepse testi është shpërndarë masivisht në rrjete sociale. MASHT-i ishte zotuar muaj më parë se këtë vit nuk do të ketë keqpërdorime në këtë test pasi do të sigurojnë zhurmues të valëve në shkolla për ta parandaluar shpërndarjen e testit përmes telefonit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur.  Faqe të shumta janë krijuar në rrjete sociale ku kërkohej që kushdo që e plotëson testin ta fotografojë dhe ta shfaqë aty.

Ky lajm tregon më së’ miri se arsimi në Kosovë ka marrë teposhtë dhe nuk ka kush e ndalon degradimin në një shoqëri që degradon gjithçka dhe vret perspektivën e gjeneratave të shqiptarëve, për pajisje me dije, emancipim  kulturë dhe nxënie e hapit me kombet e tjerë.

Kjo formë e kopjimit dhe shpërndarjes së testeve me përgjigje të gatshme, ka një adresë dhe ajo është pikërisht në zyrat e MASHT-it, aty ku janë hartuar testet, në kompjuterët e tyre. Ata janë përgjegjës. Por është edhe ana tjetër më e shëmtuar dhe më skandaloze. Ata po prodhojnë gjenerata nxënësish gjysmë analfabetë, të cilët përpiqen me çdo kusht t’i vjedhin përgjigjet e testit. Ata nuk janë edukuar me bindje  se dija u nevojitet për jetë, për profesion, për të ardhmen. Nuk janë edukuar në atë frymë sepse shkollat nuk pranojnë pedagogë, psikologë, por vetëm mësues e arsimtarë partiakë, mësimdhënës militantë të partive.

Ata janë edukuar të vjedhin, të mashtrojnë, të falsifikojnë, sepse jetojnë në një shoqëri që qeveriset nga hajnat, mashtruesit, falsifikuesit, sepse jetojnë me një shoqëri ku blihen me para të gjitha llojet e diplomave. Në Kosovë ka mijëra hartues e shitës të diplomave, ashtu sikur ka mijëra profesorë të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm që nuk e kontrollojnë nivelin e dijes së kandidatit, i cili mëson përmendsh tekstin e diplomës së blerë. Profesori i përgjegjshëm e ka fare lehtë ta zbulojë kandidatin, i cili e ka blerë diplomën, por e keqja e së keqes është se edhe ai vetë ka blerë një diplomë të tillë, kuptohet të nivelit më të lartë.

Përgjegjësit e arsimit dhe edukimit në Kosovë, nuk janë të përgjegjshëm, madje as duan të jenë të tillë, sepse u mungon morali kombëtar e njerëzor, u mungon vetëdija e nevojshme dhe dashuria për kombin, dijen, arsimimin e emancipimin. Këtë e them duke pasur para sysh faktin se dhjetëra mijëra arsimtarë, pasi me greva kanë arritur t’ i rrisin pagat, nuk pranojnë t i zëvendësojnë tri janë të humbura mësim. Ku është ndërgjegjja e tyre, a kanë fare ndërgjegje, përgjegjës e njerëzi të tillët. A kanë moral njerëzor e  kombëtar kur i injorojnë në radhë të parë edhe fëmijët e tyre.

Ata, për përfitime të veta, për parazitizmin e tyre të pashërueshëm iu binden urdhrave të një Sindikate, të udhëhequr nja një “fiskulturan” i papërgjegjshëm i cili është në gjendje të përleshet edhe fizikisht me ata arsimtarë të nuk i pranojnë urdhrat e tij. Ai nuk e njeh MASHT-in as Qeverinë e trimit, Ramush Haradinit, i cili ka të tjera halle e gajle dhe jo ato të degradimit të arsimit. Dhe po ta kesh parasysh  si flet dhe si komenton shqip kryeministri i Kosovës, zbulon edhe diçka më shumë se kjo që po e komentojmë.

Ministria aktuale e Arsimit, nga të gjitha segmentet është më e paafta, ndoshta edhe për faktin se nuk ka autoritet, sepse nuk guxon ta mbrojë ligjin, sepse i nënshtrohet një sindikate anti arsimore, i nënshtrohet mujsharëve të politikës, nga frika e shkarkimit…

Përse ekziston kjo ministri kur nuk arrin t’ iu sigurojë nxënësve mësim meritor, kur detyrohet të pranojë humbjen e tri javëve mësim. A nuk është ky një krim i llojit të vet, një krim me përmasa kombëtare, sepse prodhimi i gjysmë analfabetëve në një shoqëri që i ka të gjitha kushtet maksimale për shkollim modern dhe të avansuar, mendoj se është krim, madje një krim shumë i rëndë.  Kurrë Kosova nuk ka pasur më shumë shkolla me të gjitha pajisjet, kabinetet, shkolla të reja të nivelit evropian që i plotësojnë kushtet maksimale për mësim dhe edukim. Mjerisht Kosova ka vendin e fundit në botë për nxënien e njohurive.

Prindërit e nxënësve duhet të aktivizohen. Ata duhet të protestojnë para institucioneve, para shkollave ku mësojnë fëmijët e tyre dhe të kërkojnë përgjegjësi për nivelin tejet të ulët të nxënies së mësimeve nga bijë e bijat e tyre, të diskreditojnë me emër e mbiemër arsimtarët e papërgjegjshëm. Në këtë aktivitet ata duhet të mbështeten nga shoqëria.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …